Te ura e “Pallatit me Shigjeta”, në tetë fiks të mëngjesit, na priste ish-i burgosuri politik Bedri Çoku. Trafiku na bën jokorrektë. Arrijmë një çerek ore me vonesë. Nisemi për në Spaç. Njësoj si dy kolegët e mi, unë e kam për herë të parë, ndërsa Bedriu nuk e mban mend për të satën herë. 11 vjet burg ka bërë babai. Vëllai i madh 8, ndërsa i vogli 22. Rekordin familjar e mban vetë me 23 vjet, 11 prej të cilëve i ka bërë në burgun e Spaçit dhe pjesën tjetër në atë të Burrelit. Udhëtimi nëpër “biruca” i anëtarëve të familjes Çoku e ka zanafillën fill pas luftës. I ati ka qenë me Ballin Kombëtar. “Është burgosur pas lufte dhe është liruar pas 11 vitesh”.
Pas lidhjes së aleancës me kinezët, filloi vala e arrestimeve. Të peshkuarit e regjimit janë dhe tre vëllezërit Çoku. Arrestimi i Bedriut dhe vëllait të vogë është bërë teksa po kryenin shërbimin e detyruar ushtarak. Të madhin e kanë arrestuar më vonë. Të tre akuzoheshin për agjitacion e propagandë. Ndërsa i kërkojmë të na tregojë që prej nisjes gjëmën që kanë përjetuar, pa u munduar për të rënë në sy, përmbledhtas na rrëfen përvuajtjen që ka hequr familja e tij gjatë 45 viteve të sundimit të Partisë së Punës në Shqipëri. Kujdeset për të mos treguar heqjet personale brenda në burg.
“Mendjen e kisha te familja, nuk e vrisja mendjen për vete”. Habisë dhe reagimeve me bashkëbiseduesit duket se ia ka marrë dorën. Sa herë që i kërkohet t’u shpjegojë njerëzve dramën e tij mundohet, pikë së pari, të mos rropatet pa fund në histori, por as të bëjë heroin, mendjendriturin, të vuajturin e atij sistemi, por as nuk të lë të hallakatesh kuturu duke ligjëruar për sistemin, siç bëjmë në përgjithësi.
Edhe pse idetë i ka të qarta dhe gati të pandryshueshme, çfarëdo që të thuash ti, është krejt i durueshëm të dëgjojë tek ti “dërdëllit” për atë kohë, por deri në momentin që flitet mirë për Hoxhën dhe regjimin. “As arsimi nuk ka qenë i mirë në atë kohë. Si mund të ketë qenë arsimi i mirë kur ishte e ndaluar të shpjegohet se shkenca në perëndim ka ikur në hënë”.
Na sulet për një moment me një lumë fjalësh dhe sërish e merr kontrollin duke u munduar të na bind për defektet që ka pasur arsimi në të gjitha lëmet. E ndërsa vjen ora për t’u ngritur nga kafeja buzë rrugës në Fushë-Krujë, e shohim që mezi pret të çojë deri në fund mendimin e nisur. E nis në makinë aty ku e kishte lënë. E zgjat rreth 10 minuta. “Hidhërohet” me rezervat që ndesh në bashkëbisedim dhe tashmë e kemi gati të pamundur t’i ndërhyjmë.
Por nuk harron se mund të bëhet i bezdisshëm me moralizimet dhe kthehet me këmbë në tokë duke e çtensionuar situatën me humor. Nga gjysma e rrugës tema e burgut ishte harruar, bashkë me të dhe arsyeja e rrugëtimit tonë drejt Spaçit. Kishim rrëshqitur për gjysmë ore në lloj-lloj temash dhe është dashur që të na shfaqet para tabela “Welcome to Reps” për t’u kthjelluar se Spaçi ishte destinacioni ynë. Teksa bëjmë rrethrrotullimin e daljes nga autostrada në Reps, dy fjalë mburrje për Berishën nuk mund t’i kursente, edhe pse gjatë rrugës disa herë shprehte rezerva për mënyrën se si ka ardhur në krye të PD-së dhe se si ka qeverisur gjatë viteve ’90 në pushtet.
Drejt Spaçit
Pjesa e parë e rrugës është e zgjeruar. Çakulli i hedhur është i shtypur mirë dhe ngjitja në kilometrin e parë është e kollajtë. “Punimet për mbylljen e gropave të një pjese të segmentit është bërë para dy javësh, kur kanë qenë ambasadori gjerman dhe ai i OSBE-së. Duan ta shndërrojnë burgun famëkeq të Spaçit në një muze të kujtesës”. Me të mbaruar së lavdëruari nismën e ndërmarrë nga ndërkombëtarët, Spaçi i vërtetë nxjerrë krye, ndërsa rruga fillon të ngushtohet. Përveç se është e rrëpirtë, e ngushtë, syri na zë edhe greminën “e pafund”. Ndalemi për të mbushur ujë te e vetmja çezmë që ndeshim. Në fund të luginës, lumi që zbret furishëm është i kuq.
Kureshtjen na e heq ish-i burgosuri i Spaçit. “Lart është miniera dhe janë mbetjet e mineraleve që e bëjnë lumin të kuq”. Bëjmë ca shkrepje dhe turremi për të arritur te caku. Humbëtira nuk ka të sosur, ndërsa gropat nisin e bëhen edhe më të thella. “U hakërrehemi” të huajve që nuk e kanë financuar të gjithë rrugën. Këtu nuk fal. “Kam shpresë që do ta bëjnë. Vetëm ata e dinë vlerën historike që ka ky burg”. Nuk na lë të kritikojmë të huajt. Dhe derisa na rrëfen projektin që të huajt kanë për burgun ku ka kaluar 11 vjetët e rinisë së tij, makina gërryen tokën. Heshtje për një copë herë. “Nuk e gjen gjë se ka dy shtresa poshtë që nuk e lënë të dëmtohet”, na thotë shoferi.
Për disa minuta bëjmë të gjithë sikur po na dhimbset makina. Bedriu mundohet të na ngushëllojë duke na thënë se pas kthesës së parë do të na dalë para Spaçi, jo fshati, se ai është shumë më larg, por godinat ku janë dergjur jetët e mbi 600 të rinjve shqiptarë. Kthesat nuk kanë të sosur dhe Spaçi nuk ka ndërmend të na shfaqet. I themi se mos kemi ngatërruar rrugë, por Bedriu vijon me të tijën: “Pas kthesës tjetër është”. Me humor, një nga kolegët i thotë: “Nuk të kanë mjaftuar 11 vjet për ta mësuar mirë Spaçin. I ke hak edhe disa”. Ende pa mbaruar të qeshurat, para na dalin godinat e humbura të Spaçit. Vetëm muret kanë mbetur. Nuk pipëtin asgjë.
Në kamp
Fjalët nuk i dalin. Tek futet në godinë, humbet për një moment duke parë në korridorin që kush e di sa herë ka dashur ta shkelë dhe të marrë arratinë. Jemi në një nga dhomat e burgut. “Në këtë dhomë kanë qenë 30 persona. Në dimër futeshim në jorgan, sepse nuk kishte ngrohje”. Zhvendoset shumë vjet pas. “Shokët, librat dhe jorganët ishin gjithçka që kishim. Nga shokët kam përfituar shumë, sepse një pjesë e tyre ishin intelektualët më të mirë që kishte vendi. Me Pjetër Arbnorin kam qenë në një qeli për disa vite. Isha nga më të rinjtë dhe më vlonte kurioziteti për të mësuar prej tyre”. Na tregon minierën ku kanë lënë djersën, gjakun të rinjtë më të mirë të vendit. “Kam qenë dëshmitar i revoltës së Spaçit. Është nga ngjarjet më të guximshme”.
Në dhomën ku rrëfen betejën, shton: “E kam një merak. Gjithçka jam në gjendje të kuptoj, vetëm mënyrën se si po sillet politika jonë këto 25 vite, jo!”. I kthehet sërish tezës se regjimi i Hoxhës i ka lënë në errësirë shqiptarët në të gjitha fushat. Por, dhe po kaq mllef ka edhe për forcat politike. “Është e pafalshme që asnjëra nga partitë politike nuk është shkëputur nga e kaluara dhe nuk ka arritur të bëjë pajtimin kombëtar. Prandaj nuk po bëjmë hajër, sepse si fillim duhet të divorcohemi nga e kaluara dhe të pranojmë me zë të lartë të gjithë se komunizmi ishte përbindësh”.
I humbur mes llogarive që tashmë po bënte duke zbritur tatëpjetën, takojmë të vetmen makinë që ndeshim në rrugën që nuk të çon kurrkund, përveçse në Spaçin e rrënuar dhe në fshatin Spaç ku jetojnë vetëm disa familje. Makina ndalet para nesh. Pasagjeri i moshuar del të na përshëndesë vendçe. Na fton që të kthehemi në konakun e tij. Ish-i burgosuri nis të kuvendojë me plakun. I jep të njohur. “Ti je ai i burgosuri që ke qenë bashkë me vëllanë në burg”, ia pret Ndou Simoni.
Bedriu i jep dorën dhe i gjegjet: “A i ke treguar djalit, (i shkel syrin) se çfarë ke bërë në kohën e regjimit? Fort na ke spiunuar o Ndou, por ke qenë i detyruar”. Plaku i Mirditës, i thartuar nga fjalët që i vijnë nga Bedriu, prehet për pak, por nuk humb toruan. “Kemi gabuar. Plot njerëz kemi marrë në qafë. I kemi shërbyer atij regjimi të egër, por duhet ta dish që unë nuk i kam pasur çelësat e burgut”, na thotë i zënë në faj ai, që me ngulm na kërkon t’i shkojmë në shtëpi. Në ikje, dy të njohurit, njëri i rreshtuar pro regjimit dhe tjetri kundra, ndahen dukë e falur njëri-tjetrin “Këtë dua nga politika. Një fshatar nga Spaçi është në gjendje të kërkojë ndjesë, ndërsa politikanët jo”.
Isuf Kurtaj
Komentet