Një vështrim vertikal i historisë, depërtim në thellësi të ngjarjeve, fakteve, kërkim dhe zoëtrim i stilemave të përndezura me rrezonancë estetike, që konturojnë realitete të transfiguruara nga një penë e fortë, ky është vizatimi i parë i ndjesive dhe refleksioneve, pasi lexon librin me ese “Babokracia” të Fatbardh Amursi (Rustemi).
Në çdo rresht e pasazh ka freski, komunkimi fin, gjuhë elegante e të latuar hijshëm, parabola të përcjella me kujdes e delikatesë, qasje impresionuese dhe një gravitet emocional, që të mban peshë në krahët e tij, duke bërë që librin të mos e lëshosh nga dora, nga faqja e parë në faqen e fundit.
Autori sendërton një realitet sa konkret e të perkshëm, aq dhe sugjestiv në kuptimin e zbulimit të pjesës së nëndheshme të ajsbergut, në kuptimin e përcjelljes së një pikturimi stilistik modern të mozaikut ku përzihen, gërshetohen e shkrihen në një historia dhe përditshmëria.
Në çdo ese, autori, pikturon me dorë të lirë akuarele të shpenguara kujtesash,ndjesishë dhe emocionesh, ku me pak fjalë, vizaton shumëçka, krahason kohëra dhe epoka, përqas emra të shquar dhe rrethanash e ngjarjesh jo të zakonta, depërton në palcën e të ndodhurave, duke lënë pas shijen e një arti elitar të shkrimtarisë.
Në çdo refleksion udhëheq mendimi i mençur i njerëzve elitarë të artit shkrimor, që bëhen gurë kilometrikë në shpalimin e kujtesës, në përcjelljen e të vërtetave të gjithëkohëshme.
Pa mëdyshje mund të themi se “Babokracia” është një libër eseistik fort i goditur, shkruar me shije të hollë gjuhësore dhe sqimë aristokratike, me detaje të imëta që kryqëzohen në çdo fjali e frazë dhe e bëjnë librin tepër interesant e të lexueshëm me një frymë.
Diakoronia është mënyra më e lakmuar për të vështruar kohën dhe historinë, artin dhe jetën, të ndodhurat dhe të përjetuarat nga breznitë, gjithmonë nën një optikë estetike plot kolorit dhe ngjyrime të ndezura të impresionit, përshkrimit dhe reflektimit estetik.
Që në esenë e parë me titull “Kohë shansesh apo trazirash”, Fatbardh Rustemi shpalos një gërshetim të bukur të dukurive jetësore me referencat estetike, një udhëtim të thyer e plot sharm në kohën e shqiptarisë, nëpër zgafella dilemash dhe udhëkryqesh, ku endet postkomunizmi i çuditshëm shqiptar.
Parashtrimi i kësaj dileme është sa tronditës aq dhe shpresëdhënëse, por mbi të gjitha përmbledh një realitet të transfiguruar estetik, ku autori i mëshon me një gjuhë fine e të përforcuar nga modelet e tij letrare, kredos së lirisë dhe progresit kombëtar.
“Babokracia” është një tjetër ese brilante, e shkruar me nerv dhe emocion, me gravitet të fortë përshkrues dhe reflektiv, që të mbeten gjatë në mendje, teksa lexon bie fjala këto radhë: “Shkurt: po ecej me logjikën e agait, nëse do liri personale fito pushtet, kap një zyrë, përndryshe fati yt do të jetë në duart e ofiqarëve”…
Një kulm ironik dhe sarkastik, po ku mplekesen elementët e një rrëfimi reflektiv mbresëlënës, duke kaluar nga deduksioni në induksion dhe anasjeltas, përcjell autori në esenë e tij “Burra shteti” pa shtet”. \
Po kështu gjithë sharm gjuhësor dhe ngjyrime të përndezura poetike janë shkruar esetë “Shtegtimi i dhunës nga tirania, diktatura dhe autokracia”, “Morali oborrtar gjeneron despotizëm”, “Korrutimi i shpirtit në babokraci”, “A duhet fantazma për të fshehur përbindësin” etj.
Me një vullkanizim mbresëlënës emocional është shkruar eseja mjaft e bukur ‘Riciklim plehrëash apo rrotacion vlerash”, ku autori ndalet gjatë në pamje e dukuri unike shqiptare, në paradokset e një realiteti klithës, në ngecjen e elitave në grackën e një keqkuptimi të madh.
Është një libër i shkruar, nëse përdorim një njësi frazeologjike popullore, “me lëkurë”, me një temporitëm emocional të veçantë, që do të thotë se autori e ka përjetuar realisht dhe emocionalisht çdo fjalë dhe frazë dhe pas një site të hollë të ngjarjeve dhe dukurive që bën objekt pasqyrimi, depërton të palcën e të ndodhurave të botës shqiptare.
Në këtë libër mjaft interesant, bota shqiptare lëviz në tredimensionalitetin e kohës, në ato ura të kujtesës dhe historisë, ku kalojnë faktet historike, të vërtetat e ndrojtura dhe ato të shpallura bujshëm, për tek pema e dhimbjes dhe dashurisë së një populli të njohur për qëndresën dhe mençurinë, për degët dhe rrënjët në gen sojnik e fisnik, për të djeshmen dhe të sotmen.
Me një stil të ngjeshur e konçiz, por njëherësh të ngrohtë dhe plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe investigimi, paradoksi dhe analiza, ngjyrimi letrar dhe tharmi gazetaresk, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, ku kërkimi integral i historianit përzihet me tharmin estetik të shkrimtarit, Fatbardh Rustemi na sjell në këtë libër një përcjellje dinjitoze eseistike, ku lëvizin kohërat dhe fatet e shqiptarisë.
Me një stil, siç thamë të zhdërvjellët dhe kolorit të pasur gjuhësor, autori trajton pamje të thyera të historisë dhe përdishmërisë shqiptare, individë dhe kontribute, që tashmë e kanë kaluar provën e kohës dhe janë kthyer në etalone vlerash për dje, për sot dhe nesër.
Duket se Rustemi është një njohës virtuoz i psikolgjisë së thellësive shqiptare, ku me detaje të imëta dhe një gjuhë tepër fine e të përpunuar kujdesshëm, na jep një gamë të gjërë e të larmishme pamjesh dhe reflektimesh, ngjarjesh dhe personazhesh, që janë bërë njësh me kohën e tyre, duke përcjellë mençuri, guxim e trimëri, luftë për liri dhe dinjitet shoqëror.
Njohja e thellë e “lëndës së parë” që merr autori në dorë për ta trajtuar e rikonfiguruar estetikisht, e ka çuar atë në kërkimin dhe modelimin e një gjuhe fine dhe të koncentruar bindshëm në stilema të forta përcjellëse dhe mesazhuese, duke bërë që në libër të mos mungojnë parabolat, aludimet, nëntekstet e holla të një gjuhe fine e të përpunuar me kujdes, që na paraqitet në trajtën e ajzbergut.
Duket se aparati metodologjik dhe shqyrtues i fakteve, referencave dhe të dhënave, të bazuara në burime të ndryshme, shoqëruar kjo me sharmin publicistik dhe letrar, që e karkterizon autorin në shkrimtarinë e tij, e bëjnë librin të lexueshëm me një frymë dhe me kërshërinë e ndezur për çdo detaj të hedhur natyrshëm në faqet e tij.
Në këtë libër kemi shpalimin e një ajzbergu tronditës reflektiv eseistik të një shkrimtari të veçantë, krejt të veçantë, që di ta përdor mjaft mirë gjuhën dhe ia ka dalë të na përcjellë një rrëfim shumëdimensional, me një stil modern, tejet të latuar dhe mjaft fin.
Libri “Babokracia” i autorit Fatbardh Rustemi është një libër që duhet ta ketë në tavolinë çdo poet e shkrimtar, pasi në të mund të gjejnë një model të shkrimit të esesë dhe një kërshëri që mbahet gjallë në çdo ese e faqe të librit, si një shpalim historik, analitik, investigues, në një shtrirje të gjërë të kohë-hapësirës shqiptare, në një depërtim të thellë analitik, krahasues e ballafaques, të një qasjeje të re të mendimit eseistik, të çliruar nga diktatet politike dhe autoçensura, e cila pas çlirimit të letrave nga çensura e dikurshme, shfaqet tek mjaft shkrimtarë si një autosugjestion i ardhur nga ajo që Karl Gustav Jung e quante “nënëvetëdija e harruar”.