Hans Stimann, arkitekti që formësoi Berlinin e ribashkuar, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare. Shoqata e arkitektëve dhe inxhinierëve të Berlinit-Brandenburgut konfirmoi vdekjen e Stimann-it të martën. Nga viti 1991 deri në vitin 2006, Stimann ishte drejtor ndërtimi në Senatin e Berlinit – qeveria komunale e qytetit të ribashkuar pas rrëzimit të Murit të Berlinit në vitin 1989.
Në një nekrologji, gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) shkroi se asnjë planifikues urban nuk ka pasur ndikim kaq të madh në imazhin e një qyteti të madh gjerman në 50 vitet e fundit. Ai luajti një rol vendimtar në rindërtimin e qendrës së qytetit, pjesë të mëdha të së cilës kishin mbetur të shkreta pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndërtimit të Murit të Berlinit.
Stimann ishte i përfshirë në projekte madhore si Potsdamer Platz, Pariser Platz rreth Portës së Brandenburgut, dhe zhvillimin e zonës City Uest përreth rrugës së famshme të blerjeve Kurfurstendamm. Filozofia e tij, të cilën ai e quante “rekonstruksion kritik”, përfshinte përdorimin e gurtë dhe fasada me struktura në formë rrjeti.
“Nuk jam diktator shijesh vetëm sepse kam një aftësi të mirë për të dalluar mes arkitekturës së mirë dhe asaj të keqe,” kishte thënë dikur Stimann. Nekrologjia e FAZ theksonte edhe kritikat për stilin e tij të njëtrajtshëm dhe të rëndë, por gjithashtu theksonte se sukseset e tij ishin më të mëdha se dështimet.
Stimann ndërroi jetë në vendlindjen e tij, Lubeck, më 30 gusht. bw