Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka reaguar lidhur me protestat qytetare, duke u bërë thirrje socialistëve që të reflektojnë dhe të dëgjojnë kërkesat e shqiptarëve që prej javësh janë në shesh.
Përmes një reagimi publike, Duka shprehet se protestuesit përfaqësojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe nuk duhet të etiketohen apo të trajtohen si kundërshtarë politikë. Sipas tij, ata kërkojnë një shtet më funksional, më shumë llogaridhënie dhe përfaqësim, jo përçarje apo hakmarrje.
“Gabimi më i madh që mund të bëhet sot është t’i përçmosh ose t’i etiketosh. Ata nuk po kërkojnë të shembin vendin, por ta bëjnë atë më të jetueshëm”, thekson Duka. Kreu i PAA-së u ndal edhe te zërat kritikë që kanë ardhur nga figura të njohura të së majtës, duke përmendur emra si Ndre Legisi, Ilir Zela, Ermelinda Meksi, Arta Dade, Arben Malaj dhe Ditmir Bushati. Sipas tij, nuk mund të konsiderohet armik kushdo që shpreh kritika ndaj qeverisë apo pushtetit.
REAGIMI I DUKES
Si mbështetës i protestave qytetare dhe i së drejtës së njerëzve për t’u dëgjuar, dua t’u drejtohem sot socialistëve me një thirrje të sinqertë për reflektim.
Ata që prej 26 ditësh janë në shesh, janë fëmijët e qindra mijëra shqiptarëve, të majtë, të djathtë, pa parti, për të cilët të gjithë ne që jemi marrë me politikë kemi bërë aq sa mundëm, por dukshëm jo aq sa duhej, që ata të gëzonin një jetë më të mirë, një demokraci më të shëndetshme, një shtet që u shërben të gjithëve, e jo vetëm një pakice.
Me këmbëngulje, guxim, kreativitet, qytetari dhe me numra të paparë në këto tre dekada, ata janë jo vetëm kartolina më e bukur e Shqipërisë europiane, por edhe dëshmia se asgjë nuk mund të jetë më si më parë në politikën tonë.
Prandaj gabimi më i madh që mund të bëhet sot është t’i përçmosh, t’i etiketosh apo t’i trajtosh si kundërshtarë. Sepse ata nuk po kërkojnë të shembin vendin; po kërkojnë ta bëjnë atë më të jetueshëm. Nuk po kërkojnë hakmarrje; po kërkojnë llogari. Nuk po kërkojnë përjashtim; po kërkojnë përfaqësim.
Dhe këtë zë nuk mund ta mbulojnë as sulmet, as ironitë, as teoritë e komplotit. Sepse kur në shesh dalin kaq shumë të rinj, prindër, profesionistë, qytetarë të lirë dhe njerëz që nuk kanë kërkuar kurrë asgjë nga politika, detyra e politikës nuk është të gjejë armikun, por të kuptojë mesazhin.
Prandaj, kur qytetarët flasin me këtë forcë, përgjigjja nuk mund të jetë mbyllja, arroganca apo përçmimi.
E nëse unë sot mund të konsiderohem kritik ndaj kësaj force politike, për të cilën kam pasur nderin të shërbej në qeveri, dua të pyes shumë thjesht: po kur zërin e ngrenë edhe vetë socialistët, çfarë janë?
Ndre Legisi, Ilir Zela, Ermelinda Meksi, Arta Dade, Arben Malaj, Ditmir Bushati e të tjerë qenkan në shërbim të Iranit?
Po ata qindra e mijëra socialistë të thjeshtë që kanë zbritur në shesh sepse janë përjashtuar nga vendimmarja, të cilëve nuk ua dimë emrat, por i kanë dhënë besimin PS-së ndër vite, janë në shërbim të Rusisë?
Jo. Jo çdokush që kundërshton është armik, por prova se problemi nuk është te protesta, por te pushteti juaj, që ka humbur aftësinë të dëgjojë. Kur çdo kritik quhet armik, atëherë nuk po mbrohet partia e as qeveria, po mbrohet karrigia.
Partia Socialiste u kthye në qeverisje në vitin 2013-të për t’u mos u bërë bunker pushteti, as për të parë me përçmim njerëzit që kërkojnë llogari. Përkundrazi, ajo u rrit duke denoncuar arrogancën, mbylljen dhe mendësinë se pushteti është pronë personale.
Dhe me qetësinë që më dikton përvoja, si edhe distanca që kam zgjedhur me vetëdije nga jeta parlamentare, mund të them se në politikë nuk ka gabim më të madh sesa të përsërisësh vetë ato që dikur i ke kundërshtuar te të tjerët. Të denoncosh dje një pushtet që nuk dëgjonte, dhe sot të mos dëgjosh vetë. Të kritikosh dje arrogancën, dhe sot të flasësh me arrogancë. Të kërkosh dje përgjegjësi për skandale, dhe sot të sillesh sikur pushteti është i pandashëm nga emri yt.
Pushteti nuk është destinacion ku mbërrihet për të qëndruar përgjithmonë; është një përgjegjësi e përkohshme, një shërbim që të besohet nga qytetarët dhe që një ditë duhet t’u kthehet atyre me llogari. Kur kthehet në qëllim në vetvete, kur karrigia bëhet më e rëndësishme se njerëzit, atëherë politika humbet kuptimin dhe pushteti humbet legjitimitetin moral.
Rreziku i vërtetë sot nuk është protesta. Rreziku është që mosdëgjimi ta kthejë pakënaqësinë në një krizë edhe më të thellë besimi; një krizë ku qytetarët të mos besojnë më as te qeveria, as te opozita, as te institucionet, as te vetë politika.
Dhe kur një vend hyn në këtë shkallë mosbesimi, ai nuk bëhet thjesht më i vështirë për t’u qeverisur. Bëhet më i vështirë për t’u mbajtur bashkë.
Prandaj kjo krizë nuk kërkon ndryshime politike të vërteta. Këta qytetarë nuk mund të dëgjohen vetëm nga larg, as të përmenden vetëm në fjalime. Ata duhet të përfshihen në një sistem më të hapur, më përfaqësues dhe më të drejtë.
Shqipëria ka nevojë për institucione që dëgjojnë, për parti që hapen, për vendimmarrje që nuk mbyllet në pak duar dhe për një politikë që nuk i kujton qytetarët vetëm ditën e votimit. Nëse ka një mesazh të madh nga kjo protestë, është se njerëzit nuk kërkojnë thjesht të protestojnë; por kërkojnë të kenë zë në vendin e tyre.
Prandaj, dëgjojini qytetarët sot. Nesër mund të jetë vonë. bw