Sociologu Eduart Kaca, i cili ka ardhur nga Gjermania për të marrë pjesë në protestën kundër qeverisë së Edi Ramës, theksoi se lëvizjen e qytetarëve e sheh si një shpresë të madhe.
Në një intervistë për News24, ai deklaroi se nëse në vitin 1990 ndryshimi erdhi nga lart, duke iu referuar ish qeverisë komuniste, këtë herë duhet të vijë nga populli.
Kaca bëri me dije se diaspora do të mblidhet sërish në Tiranë më 4 korrik, duke shtuar se data është simbolike dhe lidhet me pavarësinë e SHBA.
“E shoh protestën si një shpresë të madhe, si një zgjim të shoqërisë shqiptare. Në vitin 1990 ndryshimet e mëdha ndodhën nga sipër, ish qeveria komuniste diktoi ndryshimet për të ruajtur monopolin, që ka akoma edhe sot.
Në studimet e sociologëve të huaj, Shqipëria, Rumania dhe Bullgaria njihen si shtete të lindjes që ndryshimet i bënë nga sipër poshtë. Do të doja që këtë radhë që me të vërtetë të kishte një lëvizje të vërtetë nga populli. Nuk e ndjej jo 100%.
Gjatë kohës që isha në Tiranë vura re tendenca të ndryshme, grupe heterogjene, shumë individë të kontestueshëm dhe me interesa personale dhe kjo më preku. Po tentonin edhe të përçanin protestën por edhe ti jepnin një drejtim disi të çuditshëm. “, theksoi ai.