Qytetarët e Shqipërisë veri-lindore patën mundësinë gjatë festave të nëntorit të përdorin për herë të parë një rrugë të re lidh Tiranën me Dibrën, por ‘veprat e artit’ të projektit mbeten të papërfunduara. Qeveria thotë se punimet duhet të përfundojnë në prill 2022, “sipas kontratës”.
Me 29 nëntor, kryeministri Edi Rama i rrethuar nga fëmijë me veshje popullore dhe flamuj kombëtar dhe i shoqëruar nga Mininstrja e Transportit Belinda Balluku, përuroi hapjen ‘provizore’ të qarkullimit në rrugën e Arbërit.
Në videon e transmetuar në kanalin propagandistik të kryeministrit në rrjetin social ‘Facebook’, Rama u shfaq hijerëndë dhe fjalëpak për një ngjarje festive, ndërkohë që ministrja Ballaku në rolin e zëdhënëses shpjegoi se projekti kishte hasur në probleme gjeologjike.
“Siç jeni në dijeni problemi qëndron në gjeologjinë e tunelit të Murrizit – tuneli më i gjatë dhe më kompleks i kësaj vepre me 3.8 kilometra, një tunel ku ne kemi hasur në shtresa argjilore dhe burime ujore të cilat e shkrijnë këtë argjil,” tha Balluku.
“Siç e keni parë dhe gjatë kalimit tuaj, pjesën në Qafën e Murrizit e kemi zgjidhur përmes një bajpasi që është i gjatë 8.8 kilometra,” shtoi ajo, ndërsa theksoi se është një bajpas provizor.
Ndërtimi i rrugës 54 kilometra që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet një kontrate koncesionare për kompaninë ‘Gjoka Konstruksion’, filloi në vitin 2018 dhe kap një vlerë prej 40 miliardë lekë (330 milionë euro). Projekti parashikon ndërtimin e një rruge me dy korsi e cila kalon në një seri me gjashtë tunele dhe dy ura të larta.
Dy ditë pas përurimit provizor qeveritar, gazetarët e BIRN udhëtuan drejt Dibrës nëpërmjet rrugës së re. Shumë prej banorëve, fshatrat e të cilëve shtrihen përgjatë gjurmës së rrugës së Arbërit, u shprehën të lumutur që më në fund rruga automobiliste kishe mbërritur pranë. Disa patën dhe ankesa, për sa i përket lidhjes së saj me rrugët e fshatrave.
Por mbi të gjitha, BIRN konstatoi se problemet e punimeve nuk janë vetëm ‘argjilore’ dhe as kufizohen vetëm në tunelin e Qafës së Murrizit – vepra kryesore e projektit. Përveç tunelit të Qafës së Murrizit nuk janë hapur tunelet e Qafës së Buallit dhe as Ura e Vashës, ndërkohë që traseja nga Shkalla e Tujanit deri tek gryka e Lumit të Tiranës është shtruar pjesërisht.
Shtegu historik
Një urë lidhëse e prerë nga rruga e re e Arbrit: Foto: Xhemali Moku/ Birn
Rruga e Arbërit shtrihet mbi një shteg historik që lidh Tiranën me Dibrën dhe brendësinë e Ballkanit, përmes një trajektoreje të shkurtër prej pak më shumë se 100 kilometrash.
Në kohët e lashta ky shteg është përdorur më së shumti për transport me mushka dhe vetëm gjatë muajve të verës, për shkak se Qafa e Murrizit gjendet në lartësi të mëdha dhe mbulohet nga dëbora për një pjesë të madhe të vitit.
Dritani, një banor i fshatit Xibër Murriz rikujton se kushërinjtë e tij dikur kanë pasur një han në vendin e quajtur Qafë e Murrizit.
“Hani u braktis pasi më vonë vetëm delet kalonin dy herë në vit gjatë shtegtimit,” shpjegoi ai.
Rruga e re automobiliste e ka rritur edhe kontrastin me gjendjen në të cilën jetojnë banorët e zonës, që deri më sot dukshëm ka qenë një nga më të izoluarat dhe më të varfrat e Shqipërisë. Shtëpitë prej guri qindravjeçare nuk kanë marrë riparime për një kohë të gjatë. Ballkonet e tyre prej drurit janë kalbur e nuk janë rinovuar dhe po kështu as trarët e çative.
Me ndërtimin e rrugës së re automobilistike, banorët shpresojnë që qarkullimi i mallrave dhe njerëzve të rigjallërohet. Në fshatin në Guri i Bardhë, në zbritje të qafës së Murrizit në drejtim të Dibrës, banorët i thanë BIRN se ishin të lumtur për mbërritjen e rrugës automobilistike – “për herë të parë nga këto anë”, por u ankuan se rrugët e fshatrave mbeteshin në gjendje të mjeruar.
“Kudo që të ndërtosh rrugë, mirë është,” tha njëri prej tyre, i cili refuzoi të identifikohej me emër. “Por ti mund të shohësh se si gjendja e rrugëve të fshatrave ka mbetur njësoj pavarësisht të gjitha parave të hedhura në rrugë,” u ankua ai.
Tuneli i Murrizit nga ana veriore. Foto: Xhemali Moku/ Birn
Edhe në fshatin Xibër disa nga banorët nuk ishin të lumtur me mënyrën se si ishin ndërtuar rrugët lidhëse nga kompania koncesionare.
“Ankesat lidhen me prerjen e rrugëve të aksesit apo të rrëkeve të ujit dhe çarjen e tokave në mes nga rruga e re,” tha një banor i zonës, i cili shpjegoi se si pasojë kullotën e ka në njërën anë të rrugës dhe shtëpinë në tjetrën, duke ja vështirësuar lëvizjen e bagëtisë.
“Kjo mund të ngjajë gjë e vogël, por këtu te ne kjo është buka,” shtoi ai.
‘Vepra arti’ të papërfunduara
Sipas kontratës koncesioare ndërtimi i rrugës duhet të mbarojë në prill të vitit 2022. Me gjithë përurimin e përkohshëm të saj nga kryeministri, duket se mbetet akoma shumë punë për tu bërë.
BIRN e përshkroi rrugën e hapur të mërkurën më 1 dhjetor. Trafiku ishte i paktë dhe rruga ishte e pastruar nga dëbora që kishte rënë një ditë më parë. Distanca nga Tirana për në qytezën e Klosit, rreth 50 kilometra gjithsej, mund të përshkruhet për një orë por qarkullimi në atë që Ministrja Balluku e titulloi “bajpasi i Murrizit” është shumë e vështirë, me kthesa ku duhet të hyhet me marsh të parë.
Në tërësi, rruga mund duket gjysmë e përfunduar. Tuneli më i rëndësishëm i saj, tuneli poshtë Qafës së Murrizit, nuk ka përfunduar dhe autoritetet nuk japin një afat se kur mund të përfundojë, por i referohen kontratës, e cila parashikon dorëzimin e saj rreth pesë muaj nga tani. I gjatë 3.8 kilometra ai i është zëvendësuar nga një rrugë e ngushtë malore 8.8 kilometra.
Pyetur nga BIRN, Ministria e Infrastrukturës tha se në këtë projekt janë përfunduar 75% të punimeve fizike ndërsa në tunelin e Murizit janë realizuar 69% të punimeve. Pyetur nëse ka ndonjë vlerësim se kur punimet pritet të mbarojnë, ministria iu referua kontratës.
“Sipas kontratës, punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit do të përfundojnë në muajin Prill të vitit 2022,” tha ajo.
Në anën tjetër të malit, tunelet dy, tre dhe katër me gjatësi respektive 366, 477 dhe 297 metra, kanë përfunduar ndërsa tuneli pesë dhe gjashtë – të cilët kalojnë nën Qafën e Buallit për të lidhur Klosin me Bulqizën nuk janë hapur për qarkullim.
Tuneli T6 dhe Ura e Vashës në rrugën e Arbrit: Xhemali Moku/ Birn
Po kështu e mbyllur për trafikun është edhe e famshmja Urë e Vashës, e cila sipas Ramës është ura më e lartë në Shqipëri. Rrjedhimisht për të vajtur në Bulqizë duhet të kalohet nga rruga ekzistuese mbi qafën e Buallit.
Përgjatë të gjithë rrugës dallohen pak punëtorë dhe pak mjete pune ndërsa segmenti të cilit Balluku iu referua si “bajpasi” është sakaq një rrugë me asfalt me shumë gropa dhe rrëshqitje, ku pirgje gurësh i sinjalizojnë përdoruesit rrezikun e rënies në humnerë.
Kompania duhet se ka shpenzuar minimumin e mundshëm për t’u përgatitur për hapjen ‘provizore’ të rrugës më 29 nëntor.
Në qafën e Tujanit, një trase rruge e hapur mbi një dekadë më parë dhe e mbetur e paasfaltuar që nga ajo kohë, ishte asfaltuar vetëm në tre të katërtat e rrugës, duke lënë një shirit të paasfaltuar rreth 2 metra të gjerë.
Rruga e re është gjithsesi shumë më e shkurtër se sa ajo ekzistuesja, e cila u ndërtua në vitet ’60 përgjatë luginës së lumit Mat. E gjatë rreth 170 kilometra deri në qytetin e Dibrës në Maqedoninë e Veriut, ajo kërkon minimalisht tre orë. Rruga e re e hapur provizorisht e lidh Tiranën me Dibrën për 100 kilometra duke kursyer 70 kilometra rrugë dhe më shumë se një orë kohë.
Bajpasi i Qafës së Murrizit e dërgon rrugën në lartësinë 1110 metra mbi nivelin e detit dhe i ofron udhëtarit panorama piktoreske me pyje dhe dëborë. /Reporter.al
Publikohet video që tregon qilarin ku ruhej vera me vlerë miliona euro e Ergys Agasit, e cila ndodhej në vilën e tij në periferi të Tiranës. Vera është e ruajtur në bodrumin e vilës, teksa shishet u përkasin markave të shtrenjta, të dyshuara se janë futur në mënyrë kontrabande në Shqipëri.
Një ditë më parë u njoftua se shishet e verës që shiheshin në pamje, pasi u gjetën nga agjentët e BKH-së dhe u kaluan për kompetencë hetimore te hetimi tatimor, janë zhdukur nga banesa e Ergys Agasit. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal dhe ka shpallur në kërkim Eno Agasin, kushëririn e biznesmenit Ergys Agasi, i cili u shpall gjithashtu në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes për tenderat e AKSHI-t. Burime të besueshme konfirmuan se nga futja e verës në Shqipëri pa paguar akcizë i është shkaktuar dëm shtetit shqiptar në vlerë 400 mijë euro.
Gjatë kontrolleve në banesa e objekte në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t, BKH zbuloi kantinën e verës në vilën e Agasit në zonën e Mulletit dhe vendosi sekuestrimin e saj, pasi malli ishte kontrabandë. Doganat bënë inventarin përgjatë disa orëve dhe, në momentin e kontrolleve, duke qenë se ishte natë, vendosën ta transportonin të nesërmen, ndërsa malli u la në ruajtje në vilë. Gjatë natës ka dyshime se Eno Agasi e ka hequr verën, si dhe ka marrë serverin e kamerave të sigurisë, duke u zhdukur pa gjurmë bashkë me to.
Prokurori Bledar Valikaj ka shpallur në kërkim Eno Agasin për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, kontrabandë të mallrave që paguajnë akcizë dhe magazinim të mallrave që paguajnë akcizë, ndërsa burimet konfirmuan se po kryhet edhe hetim pasuror, krahas atij të nisur nga SPAK.
Pamjet e qilarit të verës së Ergys Agasit i publikoi lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili shkruan se: “Kjo është vinoteka prej 4 milionë euro e Edi Ramës në vilën e Gys Agasit, që u vodh nga drejtori i Doganës, Elvis Doçi dhe Ilirjan Proda, për t’u dërguar në Surrel!”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau gjatë takimit të tyre në korrik të vitit 2025.
Radio Evropa e Lirë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar të hënën në Uashington me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, për një sërë çështjesh, përfshirë një ligj të nënshkruar së voni nga presidenti amerikan Donald Trump, gjendjen e sigurisë në rajon dhe shtyrjen përpara të dialogut të pezulluar strategjik mes dy vendeve, tha Presidenca e Kosovës.
Në një Akt për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, që u miratua u nënshkrua në ligj nga Trump, javën e kaluar, Kosovës dhe Serbisë gjithashtu u kërkohet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2023.
Osmani gjithashtu ia shprehu atij “mirënjohjen e popullit të Kosovës” për mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, për vizionin e presidentit Donald Trump që dialogu të bazohet në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.
“Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidentja shprehi mirënjohje ndaj politikës së qartë të Administratës Trump që dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke dhe për faktin që janë përjashtuar idetë e rrezikshme për ndryshime të kufijve apo ndarje. Kjo qasje, shtoi ajo, është e domosdoshme, në mënyrë që të ruhet paqja e stabiliteti në rajonin tonë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Osmani dhe Landau folën edhe për dialogun strategjik, të cilin SHBA e pezulloi më herët këtë vit për kohë të pacaktuar.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka arsyetuar këto veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Osmani e cilësoi dialogun strategjik mes dy vendeve si “platformë thelbësore” për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Ky ishte takimi i dytë i Osmanit me Landaun këtë vit, pasi ata ishin takuar në verë për të diskutuar fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen.
Ajo pati përmendur se dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.
Autobotë, më shumë se 1300 policisë, janë vendosur në gatishmëri për protestën e thirrur nga opozita. Kryeministria është “blinduar” nga efektivë të policë. Ndryshe nga protestat apo Foltoret e opozitës, në këtë protestë ka një numër më të lartë policësh të angazhuar.
Kreu i PD Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion ndërsa kanë bërë thirrje për arrestimin e Belinda Ballukut pas skandaleve të njëpasnjëshme.
Gjithashtu në disa pankarta të vendosur përpara Kryeministrisë, shkruhet “i pangopuri i fundit të Europës”. bw
Kreu i PD-së, Sali Berisha në një dalje për mediat përsëriti thirrjen e tij për Adriatik Lapajn dhe partitë e tjera opozitare që t’i bashkohen protestës së opozitës, kundër kësaj qeverie.
“Nuk matet gjëja me numra. Mësimi i historisë së Shqipërisë ka vlerë botërore. Pakicat që kanë fituar kundër stërshumicave nuk gjen kund tjetër. Ne dalim aty me guximin e shqiptarit, me idealet më fisnike të njeriut, për të larguar këtë njeri që mori licencën nga Gjykata Kushtetuese. Licencën mund t’ia japë gjykata, por jo jetëgjatësinë populli.”, pohoi ai.
Ai tha se Rama, pavarësisht se mori licencë për vjedhjet nga Kushtetuesja, populli nuk do ta falë.
“Lapaj ka pasur dhe do të ketë mbështetjen time për sa kohë gjendet në protestë. Kushdo që proteston kundër qeveri, ka mbështetjen time. Ftesa ime për Lapaj dhe partitë opozitare është që të bashkohemi kundër kësaj të keqe të madhe. Kryetari i një partie ka planet e veta.”, tha ai. bw
Altin Dumani i dorëzoi sot zyrtarisht detyrën kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Klodian Braho.
Në një fjalim shkurt, Dumani tha se sot mbyll një nga kapitujt më sfidues në karrierën e tij profesionale. Ai u shpreh se gjatë detyrës së tij është ndeshur edhe me presione, por theksoi se ka punuar me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.
“Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit në karrierën time 26 vjeçare si prokuror. Drejtimi i SPAK ka qenë privilegj, por edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presion të mëdha.
Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot SPAK është më i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë.
Këto arritje janë rezultat i punës së palodhur të të gjithëve. Çdo punonjësi që ka kontribuar me ndershmëri dhe kurajo”, deklaroi Altin Dumani.
Një falënderim kishte edhe për partnerët ndërkombëtarë: “Kanë qenë krah nesh në cdo etapë me mbështetje dhe ekspertizë të pakushtëzuar. Kontributi i tyre ka qenë i çmuar, për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe për të ndërtimin e standardeve që kemi sot.
Besimi i publikut -tha Dumani- ka qenë forca jonë më e madhe.
Dumani i uroi Brahos suksese në punën e tij, duke shprehur bindjen “se do të mbështetet në trashëgimin 6 vjeçare duke e çuar përpara misionin e SPAK me integritet dhe vendosmëri”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau gjatë takimit të tyre në korrik të vitit 2025.
Radio Evropa e Lirë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takon të hënën në Uashington zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit përmes një njoftimi zyrtar.
Aty nuk janë dhënë më shumë hollësi se cilat do të jenë temat e diskutimit në takimin që zhvillohet pasdite, me orën lokale të Kosovës.
Presidentja Osmani është takuar me zëvendëssekretarin Landau edhe në korrik të këtij viti, kur dy palët i kanë diskutuar fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen.
Ajo pati përmendur se dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së e kanë përjetuar një goditje më herët gjatë vitit për shkak të vendimit të Uashingtonit për të pezulluar për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Dialogu ishte planifikuar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet e ekzekutivit janë parë si sfida për përparim.
Gjatë viteve të fundit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa vendimeve në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – që lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi, apo mbylljen e institucioneve serbe.
Kurti i ka justifikuar këto veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Por, bashkësia ndërkombëtare, në disa raste, i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.
Vetë Kurti ka thënë ditë më parë se marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira dhe që mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.
E pyetur lidhur me këto deklarata, Ambasada e SHBA-së në Kosovë I ka thënë Radios Evropa e Lirë më 17 dhjetor se synon të punojë ngushtë me Qeverinë e re të zgjedhur pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.
Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.
Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.
Opozita shqiptare organizon sot një protestë kombëtare në Bulevardin e ‘Dëshmorët e Kombit’, kundër qeverisë dhe asaj që e cilëson si “keqqeverisje, korrupsion dhe abuzim me fondet publike”.
Protesta, e cila nis në orën 18:00 ka në qendër akuzat ndaj qeverisë për afera të mëdha infrastrukturore, me fokus të veçantë zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Balluku është e përfshirë në shkelje të rënda ligjore lidhur me projektin e Tunelit të Llogarasë dhe ndërtimin e Unazës së Madhe, për të cilat SPAK e ka marrë të pandehur zyrtarisht.
Kreu i PD-së, Sali Berisha akuzon Belinda Ballukun se ka vjedhur 50 milionë euro, ka 300 apartamente, 2 jahte dhe 13 supermarkete.
Opozita kërkon që Balluku do të japë dorëheqjen dhe të shkojë para drejtësisë. Ndërkohë SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e mandatit të Belinda Ballukut, me qëllim arrestimin e saj.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama një ditë më parë paralajmëroi se do të bllokojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit.
Nesër ora 18:00 Protesta kombëtare përballë pabarazisë dhe korrupsionit
Sali Berisha: Duhet të organizojmë protestat, duhet t’i fillojmë sa më parë.
I kemi filluar ato që janë te kryeministria.
Por me datën 22, duhet të thërrasim protestë kombëtare.
Ata shqiptarë që vijnë, ata janë të bekuar.
Ata që nuk do vijnë, do vijnë më vonë.
Por ne kurrë nuk do bëhemi pengesë, përkundrazi nxitës të protestave gjer ditën e fundit që të krijohet qeveria teknike në këtë vend për zgjedhjet e lira.
Agjendë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë PD.
Ditë e hënë, 22 dhjetor ora 18:00, është fillimi i protestës tonë.
Të jemi të qartë se ne kemi vetëm një rrugë protesta,
protesta gjer në largimin e Ramës.
Pa protesta të qëndrueshme, narkodiktaturat nuk largohen.
Ne do të jemi më tepër, por në radhë të parë nuk kam më të rëndësishme sesa vendimi i secilit prej nesh çfarë do të bëjë më shumë.”, tha Berisha.
Gazetaria sportive shqiptare humbi një nga figurat e saj më madhore. Afër mesnatës së 20 dhjetorit u shua në moshën 91 vjeçare Ismet Bellova, legjenda e mikrofonit, gazetari, komentatori dhe publicisti i rrallë, zëri i të cilit u bë pjesë e pandashme e historisë së sportit dhe medias shqiptare.
Kushdo që e ka dëgjuar ndonjëherë, vështirë të mos jetë drithëruar, vështirë të mos jetë emocionuar deri në përlotje dhe vështirë të mos i jetë rritur adrenalina e krenarisë dhe atdhedashurisë.
Zëri i tij kumbues dhe timbri i veçantë tashmë do të dëgjohen vetëm në fonotekën e Radio Tiranës dhe në arkivat sportive të RTSH, por jehona e tij do të jetojë përgjithmonë në kujtesën e miliona shqiptarëve.
Me largimin e Ismet Bellovës, gazetaria sportive shqiptare humbi jo vetëm një profesionist të jashtëzakonshëm, por një pasuri kombëtare, një vlerë të rrallë radiofonike dhe një shkollë të vërtetë të gazetarisë sportive, nga e cila u formuan e u frymëzuan breza të tërë. bw
Sërish tensione mes aktivistëve të Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ dhe policisë. Përfaqësues të Lëvizjes, që po protestojnë para Kryeministrisë prej disa ditësh, denoncojnë se policia i ka marrë gjeneratorin, ndërsa thuhet se janë ndaluar dhe 4 aktivistë.
Në videon e shpërndarë nga lëvizja Shqipëria bëhet, dëgjohet një nga përfaqësueset e lëvizjes që debaton me punonjës të policisë.
“A kemi të bëjmë me policinë, apo me bandat! Këtë dua të di dhe unë. Policia a respekton shkresat? Se kemi shkresa. Dhe ne na e hoqën gjysmë ore para. Ju po silleni si banditë, dhe ne si njerëz.”, tha ajo. Ndërkohë, Adriatik Lapaj tha se ky është shteti dhe policia e Edi Ramës. “Ne kërkojmë që të na jepet gjeneratori dhe më pas ju mbroni Ramën.”, dëgjohet teksa thotë ai. BW
Sic ishte lajmëruar, aktivistët e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” kanë nisur protestën para kryeministrisë, përmes të cilës kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.
Pak minuta pas nisjes së protestës, aktivistët janë përleshur me policinë.
Me thirrjet “Edi Rama o hajdut”, protestuesit kanë denoncuar situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi, aferat korruptive të qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të tij.
Prej disa ditësh, kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj dhe aktivistë të kësaj lëvizje janë zhvendosur para selisë së qeverisë duke theksuar se nuk do të lëvizin nga sheshi deri në largimin e tij.
Komentet