U desh më në fund ardhja e një administrate të re në SHBA, që t’u kujtohej shqiptarëve fanatikë pro Dumanit një proverb i një kryeministri të famshëm francez gjatë Luftës së Parë Botërore dhe mik i madh i SHBA-ve, Zhorzh Klemanso (Georges Clemenceau), kur thoshte me filozofi:
“Varrezat janë plot me njerëz të pazëvendësueshëm, të cilët janë që të gjithë zëvendësuar.”
Gjatë gjithë kohës që Blinken ishte në krye të DASH-it, disa nga kanalet kryesore mediatike në Shqipëri kishin vetëm një refren: “I duhet zgjatur, patjetër, qysh jo, mandati kreut të SPAK-ut, Altin Dumanit.”
Sipas këtij përgërimi, vetëm ai dinte të vinte pas hekurave politikanë dhe mafiozë. Po të dëgjosh këto zëra, pas Dumanit vjen qameti. Paçka se mund të argumentohet se, sado “efikas” mund të ketë qenë kreu i SPAK-ut – gjë që është një debat më vete – ligji është ligj, dhe nëse mandati i tij përfundon më 31 dhjetor 2025, ai duhet të zëvendësohet, ashtu siç e kërkon Kushtetuta e Shqipërisë.
Nëse thoshe se kreu i SPAK-ut duhet të lërë vendin sepse kështu e kërkon ligji, kryeje deri vonë një “crime de lèse-majesté” – krim ofendimi ndaj Naltësisë së Tij, të paprekshmit Altin Dumani, që kishte marrë një dekoratë nga vetë dora e Antony Blinken-it, si tapi për një mandat të ri.
Ajo dekoratë u përforcua edhe nga presioni i diplomatit të lartë amerikan që zëvendësoi Gabriel Escobarin në dosjet ballkanike, Aleksandër Kasanof, i cili bëri një vizitë enkas në Tiranë në fund të vitit të kaluar, për t’i bërë lavde publike Altin Dumanit dhe për t’i kërkuar solemnisht Shqipërisë, në emër të SHBA-ve, që kryetarit të SPAK-ut t’i lejohej të kandidonte për zgjatje mandati.
“Besojmë se kryeprokurori i SPAK duhet të lejohet të aplikojë sërish pas përfundimit të mandatit të tij aktual.
Dështimi për të realizuar këtë rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në historinë shqiptare” – ngulmoi me zë të lartë më 19 dhjetor 2024 në Tiranë zëvendësndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Aleksandër Kasanof, gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e 5-vjetorit të ngritjes së Prokurorisë së Posaçme.
Por ja që as një vit më vonë, i njëjti Departament Shteti – por me një president tjetër në krye të SHBA-ve – deklaron sot krejtësisht të kundërtën, nëpërmjet të ngarkuarës me punë të ambasadës amerikane në Tiranë.
Ndryshe nga Kasanof, Nancy Vanhorn theksoi para bashkësisë ndërkombëtare në Tiranë (në një konferencë të OSBE-së) se ligji është ligj, dhe atij ligji për një mandat unik duhet t’i nënshtrohet edhe “kampioni i luftës kundër korrupsionit” të administratës së mëparshme amerikane, Altin Dumani:
“Bazuar në ligjin shqiptar, z. Dumani, sado efektiv – jashtëzakonisht efektiv – që ka qenë, do të zëvendësohet sepse mandati i tij ka përfunduar. Dhe procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të z. Dumani duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme.
Ata që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, janë shumë të interesuar për këtë proces dhe do ta ndjekin nga afër.
Shtetet e Bashkuara presin integritet në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Posaçëm – ashtu siç presim edhe për përzgjedhjen e Drejtorit të ardhshëm të BKH-së.”
Ishin këto fjalët e forta të diplomates që përfaqëson SHBA-të në Shqipëri, Nancy Vanhorn.
Shuplakë më të madhe ndaj vetë Altin Dumanit nuk mund të kishte. Ai, si përfaqësuesi më i lartë i ligjit në Shqipëri, ëndërronte ta shkelte vetë i pari ligjin dhe Kushtetutën e vendit, duke paraqitur kandidaturë për një mandat të dytë ilegal – gjë që, sigurisht, Dumani mund të jetë sërish i prirur ta bëjë.
Pikërisht për këtë arsye, deklarata e sotme e ambasadës amerikane në Tiranë u parapri nga një ftesë e Dumanit në zyrat e Departamentit të Shtetit, ku i është dhënë mesazhi “kokë më kokë” se SHBA-të nuk e aprovojnë planin e tij për një mandat të dytë të paparashikuar në legjislacion.
A mos ndoshta ky mesazh nuk është dëgjuar mirë nga vetë i interesuari, në zyrat hermetike të Departamentit të Shtetit në Uashington, që u desh t’i përsëritej edhe sot, në zemër të Tiranës?
Sido që të jetë, debati nuk është dhe nuk duhet të jetë se sa efikas apo i dobët ka qenë Dumani në punën e tij, apo se si do të jetë ai që do ta zëvendësojë.
Drejtësia është e pavarur me ligj, dhe e tillë duhet të mbetet edhe në praktikë. Si në një fushë futbolli: i mirë apo i keq, arbitri është si është, dhe vendimet e tij duhen respektuar – edhe kur janë të padrejta – pavarësisht se kemi të drejtën demokratike t’i kritikojmë.
Do s’do Berisha, paraqitet çdo javë në SPAK.
Debati është: a duhet që edhe drejtësia, nga ana e saj, t’i zbatojë vendimet dhe ligjet që përmblidhen në Librin Themeltar të Shqipërisë?
Përgjigjja s’mund të jetë veçse: po.
Thjesht për këtë rikujtesë bazike ndaj gjithë atyre të papërgjegjshmëve që ëndërronin për një Duman mbi Ligjin, falënderim i sinqertë ndaj kësaj administrate amerikane.
Altin Dumani, një brengë duhet ta marrë me vete nga karriera e tij në krye të SPAK-ut:
Në momentin e vetëm kur gjithë bashkësia ndërkombëtare u tregua unanime se zgjedhjet e fundit në Shqipëri nuk ishin normale – kreu i SPAK-ut heshti…