Raporti paraqet të dhëna mahnitëse për përhapjen e IA-së, me një fokus të veçantë te ChatGPT, chatbot-i i famshëm i OpenAI, i cili arriti 800 milionë përdorues deri në prill të vitit 2025, vetëm disa vjet pas debutimit të tij në tetor 2022. Meeker e cilëson këtë sukses si “ngjitjen më të madhe brenda natës në histori”, duke krahasuar ritmin e përvetësimit të tij me atë të rrjeteve të mëdha sociale si Facebook, të cilit iu deshën mbi katër vjet për të arritur 100 milionë përdorues – një shifër që ChatGPT e arriti për më pak se dy muaj.
Raporti vëren gjithashtu një investim të jashtëzakonshëm dhe agresiv të kompanive më të mëdha të teknologjisë në IA. Gjigantët si NVIDIA, Google, Meta, Microsoft dhe Baidu kanë rritur përmendjet dhe përqendrimin në IA në raportet e tyre financiare, ndërsa një brez i ri sipërmarrësish po ndjek një qasje të shpejtë drejt inovacionit, lançimit të produkteve dhe tërheqjes së kapitalit. Meeker thekson se ky kombinim po çon në një rritje shumë më të shpejtë të përdorimit dhe përhapjes së IA-së sesa në çdo fazë të mëparshme të historisë teknologjike.
Ndër të dhënat më domethënëse të raportit është rritja me 167 përqind e modeleve të reja të IA-së vit pas viti që nga viti 2020 dhe një rritje prej 260 përqind në sasinë e të dhënave që përdorin. Për më tepër, sipas të dhënave të Stanfordit të cituara nga Meeker, kostot e nxjerrjes së përfundimeve për përdoruesit janë ulur me 99 përqind në vetëm dy vjet, ndonëse kostoja e trajnimit të një modeli të avancuar mund të arrijë deri në 1 miliard dollarë.
Raporti gjithashtu thekson zhvillimin e komponentëve harduerikë si çipi GPU Blackwell 2024 i NVIDIA-s, i cili përfaqëson një përparim të jashtëzakonshëm teknologjik: ai konsumon 105,000 herë më pak energji për një token krahasuar me pararendësin Kepler 2014. “Ky është një revolucion, jo vetëm në uljen e kostove, por edhe në arkitekturën dhe materialet që po riformësojnë botën teknologjike në nivelin më të ulët të saj – harduerin”, përfundon Meeker.
Sipas saj, nëse internetit i nevojiteshin 12 vjet që të përvetësohej gjerësisht nga familjet, IA pritet të arrijë këtë nivel brenda vetëm tre viteve, duke konfirmuar se ajo tashmë është më shumë se një prirje – është një domosdoshmëri që po riformëson të ardhmen. sn