Gazetari Elkier Bushkolaj ka ngritur dyshime për natyrën e të ashtuquajturës “Paketa e Maleve”, duke e cilësuar atë si një mekanizëm të mundshëm për pastrimin e parave të korrupsionit dhe të lëndëve narkotike.
I ftuar në emisionin Syri Dixhital në Syri TV me moderatorin Bledian Marku, Bushkolaj deklaroi se kjo nismë vjen në një kohë kur vetë kryeministri dhe këshilltarët e tij kanë kuptuar se sektori i ndërtimit nuk prodhon më të ardhura në Shqipëri, për shkak të tkurrjes drastike të popullsisë.
“Shifrat janë shumë kokëforte. Mjafton të shohësh raportet për rënien e popullsisë, mjafton të shohësh numrin e nxënësve që bien çdo vit, si dhe auditorët e universiteteve që nga viti 2013 e deri më sot. Kemi 60 mijë nxënës më pak”, theksoi ai.
Sipas Bushkolajt, gjithçka ilustrohet edhe nga eksodi masiv i të rinjve të shkolluar jashtë vendit dhe largimi i familjeve shqiptare, çka tregon se sektori i ndërtimit nuk ka më mbështetje reale nga tregu.
“Ne flasim për paratë e krimit, por për hir të së vërtetës, kam bindjen e plotë se një pjesë e mirë e tyre janë paratë e korrupsionit. Bëhet fjalë për atë një miliardëshin që Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton pothuajse çdo vit si faturë të korrupsionit, faturë e fshehur në kurriz të të gjitha familjeve shqiptare që investohet në këtë sektor”, vijoi më tej gazetari.
Bushkolaj:
Në gjykimin tim ‘Paketa e Maleve’ do të jetë një paketë pastrimi parash të korrupsionit apo të lëndëve narkotike, pasi mesa duket edhe kryeministri edhe këshilltarët e tij e kanë kuptuar se sektori i ndërtimit nuk gjeneron më të ardhura në Shqipëri për shkak të tkurrjes drastike të popullsisë në Shqipëri, sepse në fund të ditës shifrat janë shumë kokëforte, mjafton të shohësh raportet për rënien e popullsisë, mjafton të shohësh numrin e nxënësve që janë çdo vit e auditorët e universitetit që nga 2013 e deri tani që flasim, kemi 60 mijë nxënës më pak.
Mjafton të shohësh eksodin e të rinjve të shkolluar jashtë vendit, mjafton të shohësh eksodin e familjeve shqiptare për të kuptuar që ky sektor nuk i mban më.
Se ne flasim për paratë e krimit, por për hir të së vërtetës, ndaj bindjen e plotë që një pjesë e mirë e parave janë paratë e korrupsionit, janë pikërisht ai 1 miliardëshi që Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton pothuajse çdo vit si faturë e korrupsionit, pra faturë e fshehur në kurriz të gjithë familjeve shqiptare që investohet në këtë sektor.