Qytetarët kërkojnë që Thaçi të tregojë pse Adem Jashari nuk pranoi të takohet dhe as të komunikojë me të, që nga viti 1993
Familja Jashari nga Prekazi legjendar më 5 mars të vitit 1998, së bashku me 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit, ra heroikisht në altarin e lirisë, duke luftuar heroikisht kundër forcave okupuese policore-ushtarake serbe, me të vetmin qëllim, çlirimin e Kosovës nga okupatori vrasës serbian.
Duke kujtuar këtë heroizëm të familjes Jashari, edhe 16 vjet pas luftës vazhdon të shtrohet pyetja se ku ishin shokët e komandantit legjendar, Adem Jashari, në atë mëngjes të madh heroik, njëkohësisht të kobshëm, jo vetëm për Jasharët, por edhe për gjithë Kosovën dhe popullin shqiptar kudo që gjindej. Pse e lanë vetëm, pse nuk e ndihmuan, dhe shumë të tjera? Pse, pse? Kjo pyetje assesi nuk po merr një përgjigje, edhe pas më shumë se 16 vjetësh në paqe.
Pas perfundimit të luftës, të gjithë ngarendën të marrin meritat se (kinse) ishin bashkëluftëtarë të afërt të komandantit Adem Jashari dhe (sikur) e kishin shok të ngushtë.
Njëri prej tyre, pa dyshim, është ish-shefi politik i UÇK-së gjatë luftës, i njohur si ish-komandant ‘Gjarpri’, ish-kryeminister i Qeverisë së përkohshme të Kosovës, bashkëthemeluesi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ish- kryeministri i vendit për dy mandate dhe aktualisht zev.i kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
Por, zbardhja e së vërtetës nga vetë personazhet ndonjëherë edhe vonon, por janë të tjerët që e ruajnë dhe e sjellin nga kujtesa e tyre e freskët. Njëri nga njerëzit më të afërt të familjes Jashari dhe njeriu që kaloi orët e fundit me komandantin legjendar pak para se Adem Jashari së bashku me familje të vritej, duke mbrojtur pragun e shtëpisë,familjen dhe Kosovën , është deputeti Rexhep Selimi.
Ai në një intervistë, të dhënë për gazeten”Kosova Sot”, ka konfirmuar se Hashim Thaçi në gjashtë vitet e fundit të jetës së Adem Jasharit nuk ka takuar dhe as nuk kanë komunikuar me komandantin Adem Jashari. Kjo është e vërteta, ndërkaq thotë se i takon vetë Hashim Thaçit, perderisa është gjallë, të bëjë zbardhjen e arsyeve dhe shkaqeve që kanë çuar në ato raporte të ngrira.
“Adem Jashari nuk e ka ditur se ku janë ata, por ata e kanë ditur se ku është Adem Jashari, por nuk kanë ardhur asnjëherë që ta takojnë, edhe pse ata ( Hashimi dhe jo vetem ) herë pas here, sidomos që nga viti 1996 janë futur në Kosovë. Por, një gjë e di, që ata diku për 6 vitet e fundit të jetës së Adem Jasharit nuk janë takuar me njëri-tjetrin, as nuk kanë komunikuar me njëri-tjetrin…”, është shprehur para ca ditësh njëri nga protagonistët më kryesor të luftës së UÇK-së, Rexhep Selimi.
Këtë deklaratë të deputetit Selimi më së miri e plotëson dhe konfirmon edhe vetë Hashim Thaçi, me mosshkuarjen e tij prej shumë vjetësh në kullën e familjes më të ndëruar në Kosovë, Jashari, gjatë mbajtjes së shumë epopeve të UÇK-së, që mbahen për cdo përvjetor ,më 5-6 dhe 7 mars, në Prekaz.
Duke vlerësuar si një çështje e temë tepër të rëndësishme dhe se populli shqiptar në Kosovë dhe jashtë saj ka nevojë të dijë të vërtetën, gazeta “Kosova Sot Online” e ka realizuar një anketë me lexuesit e saj “online”.
Pyetja e anketës për lexuesit ishte: A duhet Hashim Thaçi t’ia shpjegojë popullit arsyet pse Adem Jashari nuk ka pranuar të takohet me të që nga viti 1993?
Komentet