Në rrethanat e krizës së vazhdueshme institucionale që po e përjeton Republika e Kosovës, po rikthehet në qendër të vëmendjes një ndër devijimet më të rrezikshme të rendit demokratik: iluzioni se qeveria në detyrë është pronare e shtetit dhe përfaqësuese absolute e vullnetit të qytetarëve.
Kjo është një qasje jo vetëm e gabuar në aspektin kushtetues dhe politik, por edhe thellësisht e rrezikshme për të ardhmen e shtetit të së drejtës. Prandaj është më shumë se e nevojshme të thuhet qartë: Qeveria në detyrë nuk është dhe nuk mund të jetë pronare e Republikës së Kosovës. Qeveritë janë të përkohshme, shteti është i përhershëm. Qeveritë ndryshojnë, por populli mbetet burimi i vetëm i sovranitetit.
Kushtetuta flet qartë: Sovraniteti buron nga populli
Neni 2 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës është i qartë dhe pa ekuivok: “Sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pandashëm, i patjetërsueshëm dhe i përket popullit.” Ky parim nuk është thjesht një deklaratë formale, por themeli mbi të cilin është ngritur shteti ynë.
Qeveria është vetëm një nga instrumentet përmes së cilës ushtrohet ky sovranitet, dhe jo zotëruese e tij. Ajo është një shërbyese e përkohshme e interesit publik, jo një strukturë pronësie politike mbi fatin e shtetit dhe të qytetarëve. Kur një qeveri në detyrë fillon të sillet si pronare e vendit – duke anashkaluar vullnetin popullor, duke bllokuar proceset demokratike, duke vepruar me arrogancë dhe mungesë transparence – ajo i kalon kufijtë kushtetues të mandatit të saj.
Pronarët e shtetit janë qytetarët e Dardanisë
Kosova nuk u bë shtet për t’u sunduar nga qeveri të përkohshme që uzurpojnë vullnetin qytetar. Ajo është produkt i një rruge të gjatë historike, e mbushur me sakrificë, qëndresë dhe përkushtim të brezave të tërë – nga Lidhja e Prizrenit, në Lëvizjen Kombëtare, nga demonstratat e vitit 1981, tek lufta e UÇK-së dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Pronarë të këtij shteti janë bijtë dhe bijat e Dardanisë, ata që u flijuan për liri dhe ata që çdo ditë ndërtojnë jetën mbi themelet e kësaj Republike. Ky është një borxh që asnjë qeveri nuk mund ta mohojë, dhe as ta përvetësojë.
Asnjë mandat politik, asnjë shumicë e përkohshme, nuk mund të justifikojë trajtimin e Republikës si pronë private të një subjekti apo grupi politik. Shteti nuk është çmim për fituesin, por përgjegjësi për të gjithë. Prandaj, kushdo që merr përsipër qeverisjen duhet të veprojë me maturi, përulësi dhe respekt ndaj popullit që ia ka besuar atë detyrë.
Rreziku i uzurpimit institucional
Kur një qeveri, veçanërisht një në detyrë, fillon të sillet si pronare e institucioneve, ajo kalon në një fazë të rrezikshme të asaj që mund ta quajmë “uzurpim i heshtur” i shtetit. Vendimmarrja e njëanshme, mohimi i debatit parlamentar, pengimi i proceseve zgjedhore, kontrolli mbi mediat publike apo presioni ndaj institucioneve të pavarura janë të gjitha shenja të një qeverie që ka humbur kontaktin me kufijtë e saj kushtetues.
Në një republikë, legjitimiteti nuk është i përjetshëm. Ai duhet të ripërtërihet përmes zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të shpeshta. Refuzimi për t’u kthyer te populli është refuzim i vetë parimit të sovranitetit popullor. Nëse një qeveri në detyrë sillet sikur është në pushtet të pakufizuar, atëherë nuk kemi të bëjmë me qeverisje demokratike, por me një formë të maskuar të autoritarizmit.
Apel për kthim te rendi kushtetues
Në këtë moment delikat të jetës politike të Kosovës, është detyrë qytetare, intelektuale dhe kombëtare të ngrihemi në mbrojtje të kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe sovranitetit qytetar. Asnjë qeveri, pavarësisht përkatësisë politike apo retorikës që përdor, nuk është mbi Kushtetutën dhe mbi popullin.
Qytetarët janë themeli i Republikës së Kosovës. Ata janë garancia e vetme që ky shtet do të mbijetojë si demokratik, i drejtë dhe për të gjithë.
Prandaj, çdo përpjekje për ta përvetësuar Republikën si pronë politike duhet të kundërshtohet me forcën e fjalës, të ligjit dhe të vullnetit të popullit.