Radio Evropa e Lirë
Kushtetuesja fillimisht publikoi më 8 gusht njoftimin për vendimin e saj lidhur me lëndët e dërguara nga PDK-ja dhe LDK-ja.
Edhe pas njoftimit, por edhe pas publikimit të aktgjykimit të plotë, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, e mirëpritën vendimin. Por, ai u kritikua nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
Pas publikimit të aktgjykimit, LVV-ja tha se Gjykata Kushtetuese shkroi “një rregull të ri” dhe tejkaloi juridiksionin e saj.
“Në bazë të ‘tezës’ së analogjisë me zgjedhjet e institucioneve të tjera, duket se Gjykata po përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve, nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, tha LVV-ja.
PDK-ja e mirëpriti aktgjykimin dhe theksoi se vendi ka nevojë për institucione funksionale, e jo zvarritje të procesit për formimin e tyre.
“Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, tha kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
LDK-ja, ndërkaq, theksoi se mosrespektimi i vendimit të Kushtetueses “nuk është opsion”.
“Nuk do ta lejojmë asnjë përbuzje të shtetit dhe Republikës. Në këtë vend, mbi Kushtetutë nuk ngrihet askush”, tha udhëheqësi i LDK-së, Lumir Abdixhiku.