Në thelb, krejt çka është duke ndodhur rreth çështjes së nënkryetarit serb të Kuvendit është një përplasje në mes të dy doktrinave juridike, doktrinës së Enver Hasanit me të cilën veprojnë një pjesë jo e vogël e juristëve, por siç po duket edhe Gjykata Kushtetuese, dhe doktrinës time. Pra, nëse i shikojmë numrat, doktrina e Enverit e ka përkrahjen e shumicës dhe prapa meje është vetëm një pakicë e vogël.
Do të doja shumë që e gjithë kjo të ishte thjesht një përplasje egosh, sepse nuk do mendoja dy herë dhe do të tërhiqesha në qetësinë e pleqërisë sime. Do të doja shumë që kjo të ishte vërtet vetëm një përplasje mes diturisë dhe paditurisë, sepse nuk do e kisha problem fare ta merrja mbi vete damkën se unë qenkam i padituri dhe Enveri është një gjeni dhe mendje e ndritur. Do të doja shumë, por nuk është asnjëra nga këto, sepse kjo është përplasje pa kompromis në mes dy filozofive të ndryshme shkencore dhe jetësore.
Ku qëndron dallimi doktrinar mes meje dhe Enver Hasanit? Enveri dhe unë dallojmë në mënyrën si i qasemi kushtetutës.
Edhe pse ka lexuar dhe lexon shumë, Enver Hasani megjithatë kushtetutës i qaset me logjikën e analizës së zakonshme juridike që përdoret kur analizohet dhe interpretohet një ligj ose një akt nënligjor. Kjo është logjika më e përhapur juridike, sepse është tipike për analiza dhe interpretime të çështjeve administrative, penale apo civile. Në esencë, kjo logjikë juridike është thellësisht teknike dhe e lirë nga ngarkesat filozofike.
Si akte juridike, ligjet dhe aktet nënligjore janë norma juridike të pastruara tërësisht nga elementi filozofik i së drejtës, sepse ato janë shtjellim teknik i parimeve filozofike të përkufizuara në kushtetutë. Në këto raste, meqenëse juristi është i sigurt që analiza dhe interpretimi nuk prek në çështje filozofike, e që janë esenciale për funksionimin e shtetit, normës i qaset me ftohtësi teknike. E mira e gjithë këtij muhabeti është se edhe nëse bëhen gabime dëmi është i lokalizuar, por edhe i korrigjueshëm sepse çështja mund të shkojë për trajtim në gjykatat e faktit e në raste të caktuara edhe në gjykatën kushtetuese. Por kjo nuk vlen për shqyrtime e interpretime kushtetuese.
Nëse e keni kuptuar drejt këtë që e thash më sipër atëherë do ta kuptoni pse Enver Hasani flet me aq shumë vetëbesim kur e interpreton procesin e konstituimit të Kuvendit. Në mendjen e tij, kapitulli i dytë i kushtetutës është thjesht një ligj tjetër apo një akt tjetër nënligjor i pastruar nga ngarkesat filozofike. Kur ai thotë se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët, ai është thellësisht i bindur se ky qëndrim nuk prodhon asnjë pasojë juridike të dëmshme për shtetin. Pra, gjatë interpretimit të kushtetutës, doktrina e Enver Hasanit nuk mendon fare për parimet themelore të shtetit.
Në mënyrë që të mos keqkuptohem, dua të jem edhe më i qartë. Enver Hasani vërtet është një njeri i poshtër, por nuk është më pak shqiptar se unë apo kushdo tjetër dhe as nuk është njeri i padijshëm. Pakujdesia e tij nuk është produkt i faktit që ai nuk e kupton rëndësinë e parimeve themelore të shtetit apo sepse do që ato qëllimshëm t’i lëndojë. Ai thjesht është brutalisht i pakujdesshëm, sepse është thellësisht i bindur se qëndrimi i tij ka vetëm implikime teknike dhe nuk ka asnjë implikim filozofik.
Doktrina ime është esencialisht e kundërt. Për dallim nga Enver Hasani, unë jam i vetëdijshëm që kushtetuta në radhë të parë është një tekst filozofik dhe vetëm më pas edhe teknik. Në organikën e kushtetutës, pjesa filozofike e kushtetutës qëndron lart në kushtetutë, në kapitullin e parë të saj, përkatësisht te dispozitat themelore. Dhe kjo është pjesa e vetme e kushtetutës që e ka fuqinë e dogmës.
Ajo çfarë Enver Hasani dhe juristët e tjerë nga pakujdesia e neglizhojnë është fakti esencial i hierarkisë së normave përbrenda kushtetutës. I lus kolegët juristë, e sidomos kolegët që i kemi në Gjykatën Kushtetuese që të jenë të vëmendshëm për çështjen si vijon.
Ashtu si çdo akt tjetër juridik, përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare, i nënshtrohet kushtetutës si akti më i lartë, ashtu edhe të gjithë kapitujt e kushtetutës i nënshtrohen kapitullit të parë (dispozitat themelore).
Po njësoj si kushtetuta që prodhon ligje të veçanta dhe këto ligje më pas prodhojnë akte nënligjore, ashtu edhe çdo nen i kapitullit të parë e ka fuqinë të prodhojë kapituj të veçantë brenda kushtetutës. Pra, kapitulli dy, tre, katër, pesë dhe të gjithë kapitujt e tjerë nuk janë njësi të pavarura juridike, por janë produkte logjike të asaj që është e shkruar në kapitullin e parë të kushtetutës.
Kjo nënkupton që çdo dispozitë, çdo fjali, çdo fjalë, çdo pikë e presje në kapitujt e tjerë të kushtetutës duhet të analizohet dhe të interpretohet vetëm brenda kornizave të përcaktuara dhe të përkufizuara në nenet e kapitullit të parë. Pra, që të jem edhe me i qartë, interpretimi i çdo neni në kapitujt e tjerë të kushtetutës duhet të jetë në pajtim të plotë me kornizat e përcaktuara dhe të përkufizuara në kapitullin e parë të kushtetutës.
Në vitin 2014, Gjykata Kushtetuese ka thënë se “Kuvendi konsiderohet i konstituar kur zgjidhen Kryetari dhe nënkryetarët”. Me fjalën “nënkryetarët” gjithmonë e kam nënkuptuar shumicën e nevojshme për të siguruar kuorumin funksional të përcaktuar me rregullore, siç është rasti me të gjitha shtetet unitare. Në këtë kuptim e interpretim, formulimi nga viti 2014 nuk është në papajtueshmëri me nenin 1 dhe 3 të kushtetutës. Por kur fjalisë “Kuvendi konsiderohet i konstituar kur zgjidhen Kryetari dhe nënkryetarët” ia shtojmë fjalën “të gjithë”, atëherë ndryshon tërësisht kuptimi. Nëse themi se “Kuvendi konsiderohet i konstituar kur zgjidhen Kryetari dhe të gjithë nënkryetarët” ne jemi në papajtueshmëri me nenin 1 dhe 3 të kushtetutës që e përkufizon Kosovën si një shoqëri shumë etnike brenda një shteti unik dhe jo si një shtet multietnik ku komunitetet e veçanta kanë fuqi vetoje, një çështje esenciale që e kam trajtuar në letrën time publike drejtuar Lumir Abdixhikut, Kryetar i LDK-së.
Në fund të ditës, si Kadri Kryeziu, si një qytetar i thjeshtë e i paangazhuar politikisht, për mua ka shumë pak rëndësi nëse procedura për zgjedhjen e nënkryetarit serb ishte në rregull apo jo. Nëse jemi duke u marr vetëm me procedurën ajo gjë është lehtësisht e korrigjueshme, sepse Gjykata Kushtetuese thjesht mund ta urdhërojë përsëritjen e procedurës. Por, kur Gjykata Kushtetuese, në vendimin e vet për masë të përkohshme, përdor formulime të tipit që mos zgjedhja e nënkryetarit serb, apo edhe e nënkryetarit tjetër nga pakicat tjera, krijon pasoja të pariparueshme për rendin kushtetues atëherë kjo gjë përbën cenim të rëndë të nenit 1 dhe 3 të kushtetutës. Formulimet e përdorura nga gjykatësi Enver Peci, e të përkrahura nga gjykatësit tjerë, tregojnë që ky kolegj është tërësisht i pavëmendshëm ndaj kornizave të përcaktuara qartë në nenin 1 dhe 3 të kushtetutës.
Shpresoj ta kuptoni që brenga ime është esenciale e patriotike dhe nuk ka të bëjë aspak me çështje egosh apo nevojë për protagonizëm. Mos harroni që unë jam një burrë pensionist 68 vjeç dhe që më ka ikur mosha për të ndjekur ambicie të ndryshme.
Ju siguroj, që deri në shpalljen e aktgjykimit final, nuk do të ndalem as edhe një ditë të vetme dhe çdo ditë do të prezantoj argumente juridike shtesë pse qasja aktuale, se Kuvendi mund të konsiderohet i konstituar vetëm kur të zgjidhen edhe të gjithë nënkryetarët e Kuvendit, është e rrezikshme dhe me pasoja jo vetëm të pariparueshme, por edhe katastrofale për Republikën e Kosovës dhe pavarësinë e saj faktike.
E nëse dështoj në këtë përpjekje ju siguroj që nuk do të ngurroj të bëhem pjesë e revoltës popullore në mbrojtje të Republikës sonë të cilën e kemi krijuar me aq shumë mund, vuajtje, sakrificë e gjak.