Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka revokuar një dekret të vitit 2012, i cili mbështeti pjesërisht sovranitetin e Moldavisë, një përpjekje për zgjidhjen e problematikave për rajonin e Transdniestrisë.
Sipas mediave të huaja, urdhëri për revokimin e dokumentit të vitit 2012 u publikua në faqen zyrtare të Kremlinit dhe thuhet se vendimi është marrë për të “siguruar interesat kombëtare të Rusisë në lidhje me ndryshimet e thella që po ndodhin në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Kjo është pjesë e një sërë lëvizjesh anti-perëndimore të shpallura dje nga presidenti rus.
Transdniestria është një rajon separatist i mbështetur nga Moska që kufizohet me Ukrainën dhe është përdorur nga Rusia për të vendosur trupat e saj.
Megjithatë, Alexandru Flenchea, kryetari moldav i komisionit të përbashkët të kontrollit në zonën e sigurisë rreth Transdniestrisë, tha se anulimi i dekretit të vitit 2012 nuk do të thotë se Putin po braktiste nocionin e sovranitetit moldav.
“Moldavia dhe Rusia kanë një marrëveshje bazë politike që parashikon respekt të ndërsjellë për integritetin territorial të vendeve tona”, tha ai.
Kremlini ka thënë se marrëdhëniet e Rusisë me Moldavinë, e cila javën e kaluar votëbesoi një kryeministër të ri pro-perëndimor, që u zotua të ndiqte përpjekjet për t’u bashkuar me BE-në, ishin shumë të tensionuara.
Moska e akuzoi Moldavinë për ndjekjen e një axhende anti-ruse.