Për hir të së vërtetës e përgënjeshtroj publikisht informatën e pavërtetë që ka publikuar Gazeta Express dhe gazeta Insajderi, me dt. 1/20/2019, me titull: ‘Presidenti i përfshirë në grevën e arsimit, sabotazh ndaj Qeverisë, ku thuhet se: “Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vazhdon t’i shërbejë Hashim Thaçit prej kohës kur në krye të këtij institucioni ishte Agim Hyseni, i cili më vonë ishte bërë Zëvendësministër i Arsimit.”
Me këtë rast njohtoj opinionin se kam qenë themelues dhe kryetar i Sindikatës së Bashkuar, të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës deri në vitin 2004; Poashtu kam qenë Këshilltar i Organizatës Botërore ‘Edukimi Internacional ‘– me seli në Bruksel; Këshilltar i UNHCR-së për Kosovë përkatësisht i KEDP-së… Deri në këtë kohë Hashim Thaçi nuk ka qenë në asnjë pozitë në Qeveri të Republikës së Kosovës.
Jam emëruar Zëvendësministër në MASHT (2008-2011), në baza profesionale, në periudhën kur nuk kam pasur asnjë funksion në SBASHK dhe nuk kam qenë anëtar i asnjë partie, pa dashur të vazhdoj më tej. Në jetë nuk i kam shërbyer askujt përveç interesit të përgjithshëm të vendit. Kam bashkëpunuar me secilin, për aq sa e kanë respektuar në praktikë interesin e vendit. Ndihem krenar për punën që e kam kryer me përgjegjësi.
Është për të ardhur keq që dy gazeta relativisht të besueshme (gazetar anonim) e keqpërdorin pozitën e tyre në raport me fjalën, duke publikuar të pavërteta, pikërisht duke kopjuar modelin të cilin e apostrofojnë, dhe duke mos patur forcë që të ngriten mbi vetvehten e të kërkojnë falje për gabimet e mundshme – përveç nëse janë të paramenduara. Sjellja e ‘Express’ dhe ‘Insajderi’, përnga papërgjegjësia ndaj ‘Republikës së e fjalës’, siç do thoshte Lasgushi, ngjan me sjelljen e të apostrofuarit ndaj Republikës së Kosovës – jo vetëm në raport me taksen e Qeverisë të vendosur me të drejtë.
Agim Hyseni, Prof.Dr.
Komentet