Po i mbyllin shtigjet e së nesërmes,
protagonistët e rremë,
kusari që të zë pritë
na mbahet si udhërrëfyes,
Novatorët,
avanguardistët,
dje këta i quanin dekadentë,
sot si demode e plotë epitete fyes.
Përherë të avantazhuar:
për shkak të pushtetit
ofiqeve të pamerituara,
lidhjeve klienteliste,
Duke shkëmbyer favore
livadhisin në panairin e kotësive.
Pasi i marrin të gjithë
ankohen për kismete të vjedhura,
se u ke hyrë në hak,
Atë çka për vetë e gatisin,
si hark triumfi
ty duan ta kthejnë në lak.
I pretendojnë majat
duke u zvarritur,
duke u shpallur fitues pa garë,
Ngjitu ti po deshe në Everest,
i katapultuari
prapë të del i parë.
Aty ku heroi s’është më një aspiratë,
ku në luftën e bërrylave
gjoksi del jashtë mode,
si relike.
Dhe sheshi i burrave nga duel titanësh
kthehet në një sofër poetike.
Ngaqë s’ecin vetë
s’duhet të ecësh as ti
dhe zënë pikat kyçe,
ku s’ke nga ia mban,
Atdheu rrezikon të mbetet
peng i protagonistëve të rremë,
ku përherë i zoti do bëhet kurban.
.
Fatbardh Amursi