
Gjakova ka shënuar një vit jubilar të rëndësishëm, duke festuar 430 vjetorin e ndërtimit të Xhamisë së Hadumit. Në këtë kontekst, Shoqata e Intelektualëve ‘Jakova’ organizoi promovimin e monografisë “Xhamia e Sylejman Hadum Agës”, një ngjarje që nënvizon rëndësinë historike dhe kulturore të këtij monumenti për qytetin dhe popullin shqiptar.
Xhamia e Hadumit, një shembull unik i arkitekturës osmane në Ballkan, ka shërbyer për shumë breza si qendër e dijes dhe arsimit dhe ka kontribuar në ruajtjen e traditave, gjuhës dhe fesë. Ky monument është një simbol i qëndresës së Gjakovës në kohë të vështira, duke u ringritur pas dëmtimit të rëndë gjatë luftës për liri në vitin 1999. Kështu është vlerësuar nga të pranishmit simboli Çarshisë së Vjetër të Gjakovës.
Organizimi i këtij eventi ishte në duar të Shoqatës së Intelektualëve ‘Jakova’, e cila në këtë rast promovoi jo vetëm monografinë, por edhe vlerat kulturore që përfaqëson Xhamia e Hadumit. Kryetari i Shoqatës, prof. dr. Ruzhdi Sefa, u shpreh se kjo ngjarje ndodhi në një datë simbolike, 28 Nëntorin, duke theksuar rëndësinë e Xhamisë si një stacion i rrëfimit kombëtar. “Xhamia e Hadumit nuk është vetëm objekt kulti; ajo është një stacion i rrëfimit të gjatë kombëtar,” tha Sefa, duke theksuar se ky monument është një trashëgimi e çmuar që duhet ruajtur dhe kultivuar.
Autori i monografisë, Agron Muqaku, shprehu mirënjohjen për inkurajimin e prof. Ruzhdi Sefës për realizimin e kësaj vepre. Muqaku theksoi rëndësinë e dokumenteve të reja që pasqyrojnë historinë dhe kontributin e Sylejman Hadum Agës në themelimin e qytetit të Gjakovës. Ai shtoi se Xhamia e Hadumit përfaqëson një pasuri në shumë dimensione: historike, arkitekturore, shkencore, shoqërore dhe kulturore.
“Monografia na kujton se ruajtja e Xhamisë së Hadumit do të thotë ruajtja e identitetit, rrënjëve dhe memories sonë kolektive,” tha Muqaku, duke shprehur shqetësimin për gjendjen e temeleve të saj, të rrezikuara nga lagështia, dhe duke apeluar për ndërhyrje urgjente.
Promovimi i librit, i mbajtur në Sallën Solemne të Pallatit të Kulturës, shërbeu si një përmbledhje e vlerave kulturore dhe historike që përfaqëson Xhamia e Hadumit dhe dëshmoi për angazhimin e Shoqatës së Intelektualëve në ruajtjen e këtij trashëgimie. Recensentët e kësaj vepre ishin inxhinier–arkitekt MSc. Xhelal Hoxha dhe historiani Dr. Alban Dobruna, të cilët kontribuan me profesionizmin e tyre në vlerësimin e përmbajtjes.
Me këtë rast, njohës të kulturës në Gjakovë theksuan se çdo qytet mbetet gjallë sa kohë që ruan kujtesën e tij. Promovimi i monografisë për Xhaminë e Hadumit është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, duke e bërë atë një pjesë të rëndësishme të identitetit dhe historisë së Kosovës.
29 nëntor 2025
