Zonja Simonetta Sommaruga, Presidentja e Zvicrës dhe njëherësh Ministre në Departamentin e Drejtësisë dhe Policisë, raporton voal.ch, ka qenë nën presion në lidhje me të ardhurit në Zvicër nga Eritrea. Por ajo sqaroi gjithçka këtë të enjte më 6 gusht në një takim që pati me mediat në Bernë, sipas ATS/Newnet.
“Është e pakonceptueshme që Zvicra t’i kthejë njerëzit në një shtet arbitrar,” tha presidentja e Konfederatës.
Në shumë raporte dhe informacione mbi Eritrean konfirmohet në mënyrë unanime se në Eritre është një diktaturë dhe një shtet jo ligjor, ku edhe Kryqi i Kuq nuk ka akses as në burgjet e vendit. Kjo është arsyeja, nënvizoi zonja Sommaruga, që asnjë vend europian nuk i kthen njerëzit e ardhur nga Eritrea.
Reagimi i zonjës Sommaruga vjen pas një letre drejtuar Këshillit Federal, nga qeveria kantonale e Luzernës e cila ka pretenduar se “çdo azilkërkues nga Eritrea fiton statusin e refugjatit”.Në mediet e të mërkurës është publikuar përmbajtja e kësaj letre dërguar ministres së drejtësisë Simonetta Sommaruga nga ministri kantonal Guido Graf. Në atë letër kërkohet që azilkërkuesve nga Eritrea të mos u njihet azili në Zvicër pasi që ata janë refugjatë ekonomikë dhe njerëz që kanë refuzuar të kryejnë shërbimin ushtarak në vendin e tyre.
Por Presidentja e Zvicrës në takimin me gazetarët përgjatë lumit Aare sot në Bernë sqaroi se vërejtjet e paraqitura nga Guido Graf janë të bazuara në një supozim të rremë, sepse rreth gjysma e azilkërkuesve nga Eritrea nuk njihen si refugjatë, por kanë vetëm një leje qendrimi të përkohëshme. Pastaj zonja Sommaruga shtoi: „Se çfarë mbrojtje u ofrohet refugjatëve nga Eritrea, kjo nuk është çështje e politikës por e drejtësisë”.
Kjo është përgjigja e Ministrisë për Drejtësi dhe çështje policore letrës që është dërguar nga qeveria e kantonit të Lucernit, e cila kërkon që refugjatëve nga Eritrea të mos u njihet statusi i refugjatëve. Letrën e dërguar nga Guido Graf e ka kritikuar edhe organizata që mbron të drejtat e e refugjatëve Flüchtlingshilfe (SFH). Një zëdhënës i kësaj organizate ka thënë se “nuk ka kompetenca qeveria e Lucernës të kategorizojë azilkërkuesat sipas vendit të prejardhjes sepse për këtë gjë ekzistojnë organizmat e specializuara. Përpjekjet e Guido Graf janë pjesë e fushatës zgjedhore se sa e një ministri për punët sociale.”
Meqë dihet se Zvicra në tetor mban zgjedhjet e përgjithëshme./EB
Komentet