Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka shprehur shqetësimin se garancitë e sigurisë që vendet perëndimore po ofrojnë për Ukrainën mund të çojnë në përshkallëzim të tensioneve dhe eventualisht në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë.
Në një intervistë për gazetën The Guardian, të zhvilluar në Helsinki para nisjes për në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Stubb tha se:
“Garancitë e sigurisë janë në thelb një pengesë. Kjo pengesë duhet të jetë bindëse dhe për të qenë bindëse, duhet të jetë e fortë.”
Ai theksoi se këto garanci do të hynin në fuqi vetëm pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë, duke shtuar se Moska nuk duhet të ketë të drejtë veto mbi përmbajtjen e tyre.
Reagimi i Stubb erdhi pas deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili muajin e kaluar bëri me dije se 26 vende janë zotuar të sigurojnë forca mbrojtëse për Ukrainën, disa prej të cilave mund të jenë të pranishme fizikisht në tokë, det apo ajër.
Në këtë kontekst, presidenti finlandez nënvizoi se garancitë e sigurisë janë të paefektshme nëse nuk shoqërohen me mbështetje të vërtetë dhe angazhime konkrete.
“Kjo është ideja e garancive të sigurisë me përkufizim,” tha ai, duke iu përgjigjur pyetjes nëse kjo mund të nënkuptojë një përballje të mundshme ushtarake me Rusinë në rast të agresionit të ri. bw