Për shumë kohë ideja se populli është sovrani ka mbizotëruar mendjet tona. Populli vërtet përbën tërësinë e banorëve, por kjo masë individësh e këqyrur në provën e veprimit, nuk paraqet një vullnet që t’i zësh besë. E përkundërta është e vërtetë: ata ngjasin me një turmë nevojtare për një ‘bari’ që ta çojë te veprimi i përbashkët, ose t’i pajtojë me njëri-tjetrin kur grinden. Proceset e bërjes së shoqërisë i kanë trajtuar sociologët e filozofët, por qëllimi i këtij shkrimi është shumë më i thjeshtë: të zhveshë retorikën hipokrite të politikanëve që me lavdërime boshe bëjnë për vete njerëzit e thjeshtë për të pasur dorë të lirë mbi ta.
Sovrani quhej dikur mbreti, sepse kishte në fakt fuqinë për t’ia deleguar dikujt. Duhen hetuar imtazi pazaret tona të kaluara mes krerëve të fiseve dhe mbështetësve të tyre të jashtëm, të çdo lloji origjine e sinqeriteti, sa herë niste konstituimi i shtetit tonë, nga të shumtit që provuam, për të dekonstruktuar solemnitetet false, dhe prurë realizëm e pjekuri në opinion. Kjo hap vizionin edhe për ç’ndodh në botë sa herë ndryshon statusi i kësaj mase që quhet popull, rënie regjimesh, fitim të drejtash dhe liri veprimi, ose e kundërta, vendosja e robërisë, persekutime e vrasje edhe të pafajshmish. Populli është ajo magje brumi ku ndodhin brumosjet, por motivet nuk janë të tijat, ato i vijnë nga gjithfarë individësh.
Përmbledhtas janë tri llojesh: ata që veprojnë nga mirëdashja, të dytët nga bindja absolute te vetja dhe të tretët nga oportunizmi. Diktaturat ngrihen në momente krizash nga elementë të dy kategorive të fundit: ata u shërbejnë, i mbajnë në fuqi dhe i çojnë në faliment nga ndërhyrja një faktori jashtë o brenda tyre më i fortë. Mirëdashësit mund të përfshihen në fillim, por përfundojnë gjithmonë si dëshmorë o si viktima, ose edhe si figura të nderuara, por pa fuqi. Kur e mëvonshmja e vërteton këtë rregull, çdo konsideratë tjetër, liberale, konservatore, e majtë, e djathtë, mbretnore apo presidenciale, popullore o socialiste, fisnikësh apo aventurierësh, humb rëndësi. Në shesh del së bashku me zhgënjimin e kaosin, një tjetër optikë komplet jorrethanore po ideale, e cila zhvleftëson jo vetëm veprimin historik, por edhe vetë aspiratën për një shtet të mundshëm. Me t’u ndërgjegjësuar pra që vullnetmirët për domosmi objektive shkelen, njeriu i ngarkuar me fuqi ligjvënësi, vendos në kushtetuta normën që të zgjedhurit nga masa të qeverisin dhe ata me emër të mirë të ushtrojnë kontroll mbi ta. Edhe kjo është një gjendje hibride dhe rrezikon të ndotet periodikisht.
Megjithatë, kjo lloj lege i reziston mjaft furtunave irracionale, dhe duke u konsoliduar, shohim të hedhë sytë mbi të tjera, ku sundon rasti o kaosi, me një farë oreksi, herë për t’i shfrytëzuar dhe herë si mundësi ndikimi përmirësues mbi to. Në politikë ky shartim lakmie dhe qytetërimi, që vjen prej natyrës njerëzore po të dyzuar, mbush shekujt dhe vështirë të kritikohet në rrafshin relativ. Por furtunat irracionale nuk ndalen, ato janë emanacion i asaj sfere ‘mbireale’ të përmendur më lart, e cila mbledh këtu poshtë idealistët që nuk e marrin seriozisht shoqërinë tonë të kalamendur sikundër bën populli, por e mbajnë vetëm si etapë ushtrimi drejt shpëtimit (term i posaçëm që i karakterizon). Ndaj më drejt duhet thënë se ata nuk quajnë vlerë vetë organizimin, por dëshirën që investojnë tek e mira e përgjithshme, kudo qofshin dhe me çdo kosto.
Shkurt, quajnë punën e tyre jo aq si faktor domosdo efektiv, por si diçka që dëgjohet në sferën mbireale dhe shpërblehet më pas në një farë mënyre… Të mos e marrësh ndër sy këtë faktor idealist siç bëjnë shumë, është mungesë kulture. Shpëtimi nga luftërat mund të dëshirohet dhe tentohet realisht me këtë lloj disponimi: lutje dhe qëndresë. Mirëpo, ai vullnet epror që vendos mbi palët dhe që nuk para diktohet nga tokësorët, nuk ka për qëllim paqen, por sprovën e subjekteve! Paqja përherë e rrezikuar mbetet prerogativë e asaj fuqie, në mënyrë që në atë krizë thuajse të vazhdueshme, njerëzit këtu poshtë, të emëruarit o të zgjedhurit, po edhe fqinjët mes tyre, lagjet mes tyre ose shtetet, t’i rezistojnë joshjes së luftës dhe të negociojnë paqen. Kjo lloj paqe pra, vazhdimisht e brishtë, e rrezikuar nga motive të dobëta, pavarësisht mes njerëzish o shtetesh, është një lloj ushtrimi, qoftë kundra agresivitetit ashtu dhe kundra një paqeje të amullt, pasojë e lodhjes ose e fatalizmit, të cilën ajo fuqi e konsideron të keqen ekstreme.
Këtu hyn nevoja për pastërti në zakone, që krahas drejtësisë me anë të ligjeve, të veprohet me forcë në ruajtje të vlerave, e para e të cilave pastërtia e familjes. Ithtarët e kësaj ideje gjejnë argument në lashtësi, kur të urtët u kërkonin autoriteteve të dëbonin nga qyteti disa lloj artistësh që i rrezikonin ato vlera. Kjo kërkesë ose normë përshkon mijëvjeçarët, por a i vihet veshi edhe sot, në kushtet kur familja është tronditur në gradën që po e shohim? Momenti aktual është delikat pikërisht për këtë dobësi. Po ta këqyrësh botën sot, me modelin evropian në fokus, këto dy kategori, masa e thjeshtë me prirje konservative dhe elita nismëtare reformash, mbijetojnë vetëm si hije të asaj që ishin dikur.
Elitat prej kohësh kanë optuar për fuqinë, epërsinë potenciale mbi tjetrin dhe mashtrimin e prepotencën si instrumente për ta arritur, me një crescendo vitet dhe muajt e fundit që ndjell përmbysje në establishment. Nuk duhet të na gabojnë strukturat e mbetura për inercie nga e kaluara, të mirëbërjes, të ndihmës sociale, që bëjnë punën e tyre dhe u shërbejnë njerëzve kundrejt shpërblimit, sepse në të njëjtën kohë, mendësia e shoqërisë, strukturalisht materialiste, me referim vetëm egon, është bërë prej kohe e paaftë për alternativa të tjera. Ka hyrë thellë në rrembat e saj rrëmbimi i çdo rasti për kënaqësi, aq sa të jetë ftohur jo vetëm aftësia për dashuri të painteresuar, po edhe ndjenja e rrezikut nga shkelja hapur e drejtësisë. Ateizmi i instaluar prej dy shekujsh e këtej ka mehur ngrohtësinë e dashurisë në çdo fushë shoqërore, kurse politika që dikur mund të pasqyronte edhe ndjenjat e mbretërve, sot njeh vetëm avantazhet që sjell epërsia mbi tjetrin, dhe prej kësaj lakmie ka zhvilluar një pamundësi organike të heqë dorë. Me fjalë të tjera, Revolucioni që aspironte drejtësi, humbi rrugën e drejtësisë posa i ra në dorë terrori, kjo epërsi absolute mbi kundërshtarin.
Ishte si duke hequr kokat mbretërve, t’u zbrazej nga dejet edhe ngrohtësia e zemrave të tyre. Ky kalim në thellësi e stilit të ri të pushtetit, nga riprurës ekuilibri në ngulje tek pozicioni skajor i lavjerrësit, disa e mendojnë si fatale ngaqë e konsakruan nën altarin e arsyes. Ishte pra, një sfidë e plotë, aspak e improvizuar, por e përgatitur qysh herët, gjatë asaj që u quajt Rilindje, (Rinascimento) me një kthim të pjesshëm te paganizmi i Greqisë së lashtë; i pjesshëm se nuk preku kishën, por i shartoi shoqërisë të shijuarit e jetës për të mos mbajtur shpresën te Ngjallja dhe tek Ardhja e Dytë. Kësaj kthese që u vulos edhe me artin madhështor, por të ftohtë të Pesëqindës, që përcillte tutje misticizmin, po i vinte ora t’i ngjitej haptas filozofia ateiste që bazohet tek ajo që na shohin sytë dhe jo te mrekullitë që vazhdojnë të ndodhin dhe sidomos te prirja për kënaqësi, që u trash aq sa deri edhe peshkopë ta quanin metaforë Ngjalljen e Krishtit. Kësisoj populli, nga besimtar do të arrinte dyshimin dhe njerëzit do të hiqnin shpresën se veprimet e tyre të mira dëgjohen lart dhe shpërblehen: një atentat ky ndaj asaj rezerve të brendshme shpirtërore që mban gjallë jetën shoqërore. Lakmia e pushtetit në çdo instancë, shtetnore, partiake, personale, than mundësinë për të përdorur balancën mes pushtetit dhe debatit. Që është thelbi i drejtësisë.
Efekti i zhdukjes së besimit në Zot, haptas në hapësirën publike dhe me jehonë të mekur në atë private, solli si fryt të fundit të diktatit dorëhekur, shkeljen e syrit mes politikanit dhe gjyqtarit që të vendosin në marrëveshje mbi fatin e kujtdo që e përfshin politika dhe ligji. E shohim të realizuar sot, kur porosia nga qendra te baza bëhet praktikë e përditshme e paligjësisë që orvatet të suprimojë çdo demokraci. Të gjitha janë pasoja të konceptit të lirisë, mbi të cilin revolucionarët dhe liberalët ngritën regjimin e tyre ateist dyqind e ca vjet më parë. Lirshmëria ka vërshuar mbi çdo konsideratë tjetër dhe po bind këdo që kjo fryrje diktatoriale e egos, si qendër e reales së dukshme, është historikisht definitive.
Çdo vrull që ta dikton instinkti grabitqar, dmth., e natyrshmja më e egër, çan përpara dhe me pakësimin e besimtarëve në kisha, të lëkundurvet u gjenden plot shtigje që të kthehen edhe ata ‘sipas natyrës’. Liria, themeli i sotëm ideologjik, ka një tipar instinktiv tepër të fortë. Kush del nga një gjendje ndrydhjeje priret të shfrejë, i burgosuri i liruar të prishë regjimin që po e shtronte/korrigjonte, i dhunshmi nën këmishë force, të godasë, krimineli indios i posaarratisur nga burgu të derdhë gjak për ritual gjallërie tij (filmi me Burt Lancaster). Praktikimi përherë e më i shpeshtë i kësaj lirie që ka gjetur shtigje të panumërt në legjislacion për relativizim të fajeve, me lehtësira për të dënuarin dhe arsyetim mbi shkaqet e fajit, sociale psikologjike, të bën edhe mendërisht rob të sajën. A ka tipare po aq të forta, vullnetimiri? Jo fort.
Nuk shohim tipa sado të duruar, të buzëqeshin kur i godet qoftë padashur. Liria pra është idhnake, spontane, të mobilizon, të qëllon po s’iu binde, duhet ruajtur prej saj! Dhe mbi këtë tension të brendshëm përmbushet identiteti NJERIU I LIRË = NJERIU I RËNË me të cilin e portretizon doktrina lirisë tjetër (Liri nga mëkati që rekomandon vetëpërmbajtjen). Këto ndarje e përplasje nuk i kupton sigurisht populli i thjeshtë, dikur rezervë i regjimeve të djathta që nderonin vlerat shpirtërore; ato e quanin popullin besimtar depozitar të mirësisë, kurse për nevoja të luftës u drejtoheshin vetëm fisnikëve. Kishte pra, edhe atëherë një mbështetje tek filozofia natyrale: Populli të ishte vetëm për punë, për shërbime, fisnikët ishluftëtarë ose dhe piratë, për luftë dhe për pushtet. Sot, me ndryshimet e ndodhura, veçanërisht me zbehjen e fesë dhe iluminizmin të hyrë në shina ateiste, populli ka ndryshuar. Ai që banon në Evropë, i mirëqenur dhe indiferent ndaj traditave të quajtura obsolete, po i largohet asaj varfërie që e mbante besnik tek albumet familjare me pezmin e kundërshtarit të çdo pushteti të zvetënuar.
Liria e lirshmëria ia kanë holluar thuajse tërësisht thjeshtësinë familjare, e cila reziston sot vetëm në zonat e varfra. Ndarja zona të rrezikuara – zona të rehatuara ka qenë shkak tensionesh dhe e bënte ndërgjegjen e zonave të posarehatuara mjaft më të ndjeshme nga sot, për empati ndaj tjetrit, një vlerë e paçmuar njerëzore, që humb intensitet me hyrjen në veprim të lirisë së egos, që zhvillon të kundërtën: pakënaqësinë me veten për pengesat që i dalin. Ky është procesi i zhdukjes graduale të kushtit ‘Lum të varfrit në shpirt, që së bashku me të butët do të trashëgojnë dheun’ sintetizon statusin e dëshiruar në optikën e krishterë. Njeriu i varfër në shpirt, që nënkupton njeriun e thjeshtë nga mendja, përbën dhe tiparin antiheroik të njeriut. I thjeshti, ose i leshti, për ta bërë më të kuptueshme, kur nuk mobilizohej me zor, do bëhej luftëtar vetëm në mbrojtje të strehës tij dmth., të fëmijëve. Ka pra kaq shumë qasje për ta parë popullin, miriadat e individëve që përbëjnë njerëzimin, nga njëra anë në pozicionin më të brishtë të mundshëm (viktimat civile i takojnë atij dhe janë më të parëndësishmet për strategjinë e luftës) dhe nga ana tjetër më të privilegjuarin për shkak të dhimbshurisë së Zotit për të.
Këto dallime mes popullit dhe elitës po bien kur liria e sotme që i shërben vetes përthith çdo rezistencë që nuk është koshiente. Njerëzve që ndjekin çdo tekë të aktualitetit (modë, ekzibicion, frivolitet) u vjen një ngutje e parezistueshme për të qenë pa tjetër pjesë e tij, pikërisht si e përshkruan Ionesco në pjesën Rinoceronti, një mungesë origjinaliteti kjo, për të cilën koha e sotme mund të lëvdohet gjatë., por jo pa kufi. Sepse duke kënaqur veten e duke e ndikuar me mjaft plasticitet njeriun modern e atë postmodern, neglizhoi t’i kushtojë kujdes korrektësisë në përdorimin e mjeteve siç po bëjnë magjistratët kundër politikanëve të zgjedhur. Për çfarë do t’i duhej? Kriteri moral i duhet vetëm të djathtëve historikë, madje edhe të majtëve të ishsistemit, sepse të dyja palët duan të ndërtojnë dhe ajo që ndërtojnë të njihet si e ligjshme. Këta të lirisë kanë fshirë edhe kodin moral bashkë me Zotin. Liria e tyre, si e kundërta e përulësisë, do të ishte e dyzuar po të frenohej prej skrupujsh të tillë. Kjo del hapur në historinë e tashme: qoftë me shpërfilljen dhe mizorinë e pushteteve që na hipën në kurriz, përbuzje ndaj veglave të tyre, (si enë të një përdorimi që hidhen), por edhe me kureshtje të uritur ndaj prirjeve të nënshtresës animaleske siç po del me raste në kronika…
Populli dikur bëhej edhe tragjik e heroik, burrat duke luftuar, gratë krah tyre e deri duke u hedhur në greminë për të mos rënë në dorë. Por ishte për hir të diçkaje jo strikt personale, por të familjeve! Vepronte pra një rend dhe kod tjetër atëherë, solidar kryesisht, që erdhi duke u fshirë për meritë të kësaj lirie pa Zotin! E cila ia mblodhi litarin e qëllimeve të njeriut te vetja, pra e ktheu te vrasjet brenda familjeve që qarkonin perandorin në Romën e Vitit Zero! Epokat kanë fatin e tyre në atë çka afishojnë në kushtetuta, pa le të mos e marrin vesh shtetasit atë ndikim të nëndheshëm. Dhe si për t’i qëndruar monitor kujtdo që e ndien vagët këtë influks, ekziston diku edhe profecia “Armiku do të jetë njeriu i shtëpisë”, që veproi e mori hov në dy shekujt e fundit, me luftëra civile më të egrat se ato mes kombesh, tortura, uri, kampe shfarosje në stil të gjerë.
Regjimet e egra të dala prej “lirisë pa Zotin mbi krye”, nuk njohin kategori të tjera mendore veç kësaj: “Kam të drejtë të bëj ç’më shkon nga mendja!”. Popujt i shkuan mbrapa si automa asaj revolte pa u kujtuar më për butësinë familjare ose lidhjeve kulturale brenda perandorive të së kaluarës dhe ia festojnë fitoret edhe mbasi dështuan me buzëqeshje të pafajme. Kësisoj, nga ky fatalitet i mosndërgjegjësimit të masave, kemi këtë shtim vertikal vrasjesh në luftë, (100 milionë në dy luftëra botnore) që u duhen shtuar 100 milionë të tjerë, (civilë këta), të destinuar te ky fat, si vazhdë e asaj premiere absolute që shkoi në thikë mijërat e para të të pafajmëve përposhtë altarit të arsyes.
Ky gradim simbolik i urrejtjes së llumit parizian në dekretuese drejtësie gjatë Ditëve të Terrorit 1790-‘94, pati si vijim të tjera shpikje të krisurish si psh., ëndrra e përgjakshme e një mijëvjeçari pastërtie të përsosur racore, e njëherazi ajo e një bote të re pa klasa dhe internacionale, ose ajo e turpërimit të elitës së qytetit që e rrethon fshati! Ngutja për t’i bërë realitet këto vizione zëmëdha, fitonte zemrat e popujve me anë mjetesh të reja që nxirrte koha, mitingje, megafona, prozhektorë, ekrane gjigante dhe karakterizohej nga një lehtësi e paparë e kësaj hekatombe moderne, posi brenda një dehjeje madhështore së cilës ia vlente çdo sakrificë. Qe një risi e paprecedent që mburret t’u ketë shtuar të rënëve në fronte, shifra stërmëdha vdekjesh të civilëve, me preferencë familjesh të asfiksuara në furra dhe fëmijësh skeletikë të hedhur në shkretëtira drejt nga treni. Kush mund të thotë se këto nuk i ndajshkruhen kësaj lirisë me dhëmbë çeliku? E provon harresa e shpejtë e tmerreve tek shumë të mbijetuar, që vërteton sindromën e fshirjes nga kujtesa të krimit dhe degradimin e atij që ndihet fatlum thjesht që s’përfundoi në hi.
Mbetja gjallë e tyre bile vlejti me banalitetin e saj, për të sfiduar mbas vitit 1990 pjekurinë e Luftës së Ftohtë kur së paku negociohej në një lloj idili mes paqësorëve të dy rreshtimeve. Por jo, besnikët e arrogancës revolucionare dolën fitimtarë edhe një herë në mijëvjeçarin e ri. Kështu as fushat me kockat as hiri rreth kampeve nuk e mposhtën dot banalitetin e të kërkuarit fitore mbi tjetrin sikur gjithë ato gjëma të mos kishin ndodhur. Ngjasin si një brezni xhuxhash, e alarmuar mosndarja e botës skadon tani afër, dhe s’do jetë prezente kur të bjerë gongu për të hedhur firmën… Pranë këtij teatri të shëmtuar ka plot shenja që japin shpresë. Mendja e dikurshme, normale në natyrësinë e saj të pavdekshme sepse e përfytyronte veten përballë Krijuesit, ka rastin të dalë përsëri në skenë, se e gjykon të mbaruar aventurën e njollosur ekzistencialiste. Janë disa oratorë të dalë tash vonë, që në konflikt verbal me skotën politike dyshekullore, të ngritur mbi krimin si mjet të shpejtë për reforma, po e hedhin në tapet me knock out dhe pa fort sforco për gëzimin e ngazëllimin e publikut milionësh.
Sukses kudo, edhe pse flijohen për ta kundërshtuar plot pleq të shquar si praparoje veç për dukje. Në parlamente, në selinë e BE-së, në studio televizive me përhapje botnore! I ka ardhur ora revolucionit të zhvleftësohet posi paraja e zhvleftësuar nga inflacioni. Dhe po e shohim nëpër ekrane si një shpatë që shpon biskota! Dhe populli, tërësisht i pandërgjegjësuar (prej harresës i ngrati, se sa fort iu pat gjendur lirisë vrasëse në bëmat e saj…) sot po bën tifo për ta, disa ndrojtur e disa me duartrokitje. Bota po i kthehet normalitetit, po zbulon se britmat, brohorimat s’janë të nevojshme, palët ndërluftuese mund të mjaftohen vetëm me ata që vriteshin në front dhe shteti i ngushëllonte familjet. Shkurt, njerëzve, ndaj dhe palëve, po u kthehet aftësia e arsyetimit, që madje njeriu i rrugës t’i tregojë politikanit ja ku duhen derdhur paratë. Vetë debati po braktis luftën.
Në çast. Dhe nuk nevojiten as organizmat, këtë e demonstrojnë këta zëra spontanë e njëherazi gjenialë që po dëgjojmë, se ajo që shkon për ty nuk shkon për mua duhet pranuar dhe prapë mbetemi miq për të tjera. Kjo është liria e nevojshme dhe ekzistuese në fakt, nëse pranohet se “Populli është ai që do të trashëgojë dheun”. Që ashtu edhe i shumëkritikuari nacionalizëm, me anë saktësimi të syzeve të operuar nga këta oratorë, të arrijë edhe uljen në tryezë të paqes posi dy shtete të Azisë Juglindore ditët e fundit, ose dy të tjerave të periferisë së Europës dje. Jo për ndonjë adresim te ky verset biblik, por thjesht për dëshirën paqësore të superfuqisë dhe të secilit prej atij çifti popujsh, dëshira që funksionojnë shumë më mirë në rendin e ideve mbinacionale, se sa në rendin e krenarisë së revolucionit që vret gjithkënd.
Ka nisur një mërmërimë e fortë që mbledh shumë zëra të harruara, që në fakt mbushnin radhët e mëhershme të luftërave e që i përkisnin normalitetit, e që nuk donin të vdisnin siç vdiqën, nga çmendia. Ndryshimi që po ndodh nuk është tek mendjet që komandojnë gojët; është tek një fllad ose erë që fryn dhe është e kotë të gjurmosh nga ku. Populli i kuptuar qoftë si të butët do të trashëgojnë dheun, ashtu dhe si lum të varfrit në shpirt s’mund t’i shohë ato që mendon, ato i vijnë vetiu dhe as t’i gjykojë mundet; ai vetëm mund të regjistrojë reagimet e veta ndaj ndryshimeve tek shikimet që u hedh të tjerëve, fqinjëve të rinj, të kujtojë ata që ishin dhe s’janë më dhe me simpati ndoshta mbas kaq vuajtjesh, sepse po rrallohen edhe helmet e ideve që vepronin rreth tyre.
/Gazeta Panorama