VOAL

VOAL

MË 27 TETOR 2002 U VRA UKË BYTYÇI, VEPRIMTAR I SHQUAR KOMBËTAR

Më 27 tetor 2002 u vra Ukë Bytyçi e deri sot ashtu si vrasja e shumë figurave të shquara të LDK-së nuk është zbardhur. Nuk janë dënuar as vrasësit dhe as ideatorët e vrasjeve. Dosja e Ukë Bytyçit qendron e mbuluar nga pluhuri i harresës dhe  indiferencës  nga lidërshipi aktual i partisë së tij, e cila nga parti e idealeve rugoviane është kthyer në parti e interesave klienteliste.

Ja si e kujtojnë sot Ukën në Facebook shokët e bashkëkohësit e tij:

“Me vrasjen e Ukes nuk u shua vetem ai fizkisht po u vra filozofia dhe guximi shtetberes i LDK-se Rugoviane.

Tani me shume se kurrë verehet dhe ndjehet deshperimisht mosprania e Ukes se madh.

Jam i sigurt se ai do te kishte vepruar ndryshe ne kete situate ne te cilen gjendemi….Ai ishte dhe do te mbetet i madh perjetesisht.”

 

“Na i vrajten trimat e verte e na meten shpijunat qe po dojn me e shit Kosoven hajnat”

 

Ne kohen kur perpiqeshim te bejme c’eshte e mundur per kufirin me Maqedonine, ishte Uke Bytyqi me komplet ekzekutivin e Komunes se Suharekes qe vizitoi dhe perkrahu Udheheqjen e Komunes se Vitise, si me e angazhuara per ta penguar zbritjen e vijes kufitare brenda territorit te Kosoves. Lavdi Uke Bytyqit.

Ukë Bytyqi i takon plejadës së burave të mëdhenjë të kombit, që themeluan shtetin e Kosovës.Ukë Bytyqi është krenaria jonë,porë edhe dhimbja e jonë.Burrat si Uka i mungojnë sot Kosoves dhe LDK-së.Kanë mbatur vetëm burrecat në krye të shtetit dhe LDK-së, fatkeqësisht.”

“Nga zhgenimi i humbjes nga populli te ipet urdheri te vritet nje person qe e do shumica e popullit eshte turp dhe mekat per ata krimineël qe urdheruan dhe qe e bene kete krim ne Uke Bytyqin,po jo vetem ne kete po ne shume figura te tjera politike e gjeten fatin e Ukes dhe ata kriminel dhe urdhensa mbeten ende te lire.Kryetari ldk-se dhe i qeverise vetem kur i vyen votat i permend ato vrasje ose kur eshte ne zore nga opozita.Keshtu per te vepruar asgje te gjithe po heshtin.”

26-10-2015 22-06-11

 

Albulena dhe Donika nuk do të paraqiten në Prokurori

Dy prokurore të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë duke i hetuar katër deputetët e Parlamentit të Kosovës, të cilët tashmë në tri raste kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit me qëllim që ta pamundësojnë mbajtjen e seancave.

Ish-lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, dhe deputetja e këtij subjekti Albulena Haxhiu po hetohen nga prokurorja, Dulina Hamiti, ndërsa deputeti tjetër i së njëjtës Lëvizjeje, Faton Topalli, si dhe shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, po hetohen nga prokurorja Fikrije Fejzullahu.

Shefi i të dyja prokuroreve, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ymer Beka, ka bërë me dije për “Zërin” se Kurti dhe Haxhiu të dy së bashku po hetohen për veprimet e tyre në Kuvend, më datën 8 tetor, kur për herë të parë kanë hedhur gaz lotsjellës.

Kadaj-Bujupi e Topalli, sipas kryeprokurorit, po hetohen për veprimet e tyre të datës 15 tetor kur kanë hedhur gaz lotsjellës në ambient brenda Kuvendit të Kosovës

Spahiu: De facto, Asociacioni i Komunave Serbe është republikë

Nexhmedin Spahiu është publicist nga Mitrovica. Ai është profesor i shkencave politike dhe sheh rrezik të madh nga marrëveshjet e fundit që Kosova i ka mbërritur me Serbinë, e të cilat veçmas e prekin qytetin e tij.

Në një intervistë për “Kohën Ditore” ai vë theksin te dy nga katër marrëveshjet e firmosura gjatë muajit gusht – te Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe te ajo për rivitalizimin e urës qendrore në Mitrovicë, e cila ndodhet mbi lumin që ndan qytetin në dy komuna me shumicë etnike të ndryshme.

Tek flet për Asociacionin, Spahiu pak rëndësi i kushton asaj që shkruan në marrëveshje. Thotë se funksionimi i këtij Asociacioni e bën de fakto funksionimin e “Republika Srpskas” në Kosovë, por pa emrin “republika”. Emri “republikë”, sipas tij, mund t’i vihet më vonë – në momentin kur të vijë në rend dite që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

E tek flet për urën e Ibrit, përmend një paradoks që përmban plani për rivitalizimin e saj – hapësirën e madhe gjelbëruese, në dëm të përgjysmimit të korsive të rrugës. Me të dëmshme se këtë e vlerëson mosplanifikimin për ta ngritur xhaminë e djegur në luftë, themelet e së cilës ndodhen në brigjet veriore të Ibrit, skaj urës. Mungesa e saj thotë se do të krijojë barriera psikologjike në mes të dy pjesëve të Mitrovicës.

Në këtë intervistë Spahiu ka folur edhe për efektet e marrëveshjeve dhe nevojën për dialog. Po kështu, edhe për strukturat që Serbia vazhdon t’i mbajë në Kosovë. Ai ka argumentuar se, edhe nëse shpërbëhen formalisht, nuk do të jetë e vështirë ringjallja e këtyre

Opozita: Tërheqje të nënshkrimeve ose dorëheqje të Qeverisë

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kërkuan dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ndërkohë që vazhduan të kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa dhe Qeverisë së Kosovës.

Shefat e grupeve parlamentare të këtyre subjekteve politike, përmes një konference të përbashkët, thanë se janë të vendosur të vazhdojnë kundërshtimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ne, si opozitë, të vetëdijshëm se ju e përmbysët Kuvendin dhe se Qeveria është jo legjitime, do të vazhdojmë të rezistojmë deri në tërheqjen e vendimeve të dëmshme. Tërheqje ose Dorëheqje”, thuhet në kërkesën e tri partive opozitare.

Duke i komentuar zhvillimet dramatike në seancën e fundit, shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, tha se mbajtja e seancës në një sallë tjetër, pa opozitën, ishte jolegjitime dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

Sipas saj, partitë në pushtet, atë ditë ” kanë ikur si minjtë në një vrimë”.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të partisë Nisma, Haxhi Shala, e krahasoi fjalorin e përdorur nga kryeparlamentari Veseli me fyerjen që çoi deri te shkarkimit të ish-ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, që u kishte bërë nënave gjakovare. Andaj, sipas tij, Veseli do të duhej të jepte dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit, pas fyerjes që ia bëri deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, u përqendrua në praninë e sigurimit në sallën e Kuvendit. Sipas tij, kjo prani ka shtuar tensionet ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Konjufca më pas fajësoi me emra të gjithë atë, të cilët, sipas bindjeve të tij, janë përgjegjës për situatën e krijuar, duke veçuar kryeministrin Isa Mustafën, kryeparlamentarin Kadri Veseli, nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e partive të koalicionit e deri te ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Të tri partitë në opozitë, kanë ritheksuar se do të vazhdojnë të bllokojnë punën e Kuvendit të Kosovës, përderisa, siç po pretendojnë ato, kryeministri Isa Mustafa të mos i tërheq nënshkrimet nga Marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit. Në të kundërtën, opozita i kërkon dorëheqjen Mustafës dhe gjithë Qeverisë së Kosovës.

Fatmir Limaj: Ka ardhur koha për protesta

Kryetari i Lëvizjes politike NISMA Fatmir Limaj, ka deklaruar se ato çfarë po ndodhin në Kosovë nuk janë demokratike.

Duke komentuar zhvillimet e fundit, ai thotë se ka ardhur koha e protestave.

“Ka ardhur koha e protestave ku qytetaret të vlerësojnë a duhet a s’duhen marrëveshjet”, ka deklaruar Limaj, i cili shtoi se prania e policisë gjatë seancës së fundit në Kuvend, ka qenë joadekuate.

Sipas Limajt, Kosova është dëmtuar rëndë me marrëveshjet si dhe me ngjarjet e fundit.

Mustafa përgëzon për seancën e mbajtur pa opozitën

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka përgëzuar institucionet e rendit si edhe organet drejtuese të Kuvendit dhe deputetët e partive në pushtet, për sjelljen e tyre gjatë seancës së fundit.

“Dua ta vlerësoj sjelljen e kulturuar të deputetëve të pozitës, sepse e kanë pasur vështirë të punojnë në një ambient të tillë të rrezikshëm edhe për jetën e tyre”, ka thënë Mustafa. Ai ka përgëzuar edhe punën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli i cili, sipas Mustafës, e gjeti mënyrën që në harmoni me rregulloren dhe ligjin të vazhdojë puna e Kuvendit.

“Me këtë është dëshmuar se Kuvendi mund të funksionoj, koalicioni është stabil, kurse ne si qeveri do të vazhdojmë bashkëpunimin”, ka theksuar Mustafa.

Kryeministri Mustafa i ka bërë thirrje edhe opozitës që të kthehet dhe të vazhdoj punën duke respektuar ligjet dhe rregulloren e punës së Kuvendit.

Haradinaj kërkon dorëheqjen e Mustafës dhe Thaçit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka vlerësuar se ngjarjet e fundit në Kuvend dëshmojnë se në Kosovë është përmbysur edhe jeta parlamentare edhe sistemi demokratik.

Ai ka thënë se ka një këmbëngulje të madhe për t’iu ikur gabimeve të bëra të qeverisë, duke i sulmuar metodat e kundërshtimit të opozitës, madje në situata të caktuar edhe duke sajuar e shpifur kundër saj.

“Meqë nuk po shohim shenja të reflektimit as të përgjegjësisë politike, të dyshes Mustafa-Thaçi, meqë deri sot janë penguar të gjitha nismat për t’i dhënë zgjidhje këtyre temave, dhe meqë është provokuar kaq rëndë opozita edhe opinioni me “maskaradën” e djeshme në Kuvend, ne do të vazhdojmë t’i kundërshtojmë këto marrëveshje deri në tërheqje, ose dorëheqje të qeverisë”, është shprehur Haradinaj.

Sipas tij, gjendja është e papranueshme dhe këtë e vërteton edhe fakti që në seancën e fundit në sallën e Kuvendit më shumë kishte policë se sa deputetë.

Kosovë – Pushteti dhe opozita mbrojnë sjelljet e veta në Kuvend

Seanca e së premtes e Kuvendit të Kosovës, cila përfundoi në orët e para të ditës së shtune, e përcjellë me tensione, forca të policisë në sallë, gaz lotsjellës, fyerje e gjuajtje të shisheve me ujë, vazhdon të komentohet në mënyra të ndryshme nga përfaqësues të partive në pushtet dhe opozitës.

Përderisa partitë në pushtet e shohin legjitime si praninë e forcave policore në Kuvend, ashtu edhe përdorimin e sallës alternative për mbajtjen e seancës, opozita i sheh si legjitime veprimet e saj për të penguar seancën përmes hedhjes së gazit lotsjellës dhe shisheve të ujit, në drejtim të kryetarit të Kuvendit dhe kabinetit qeveritar.

Indiferente ndaj këtyre zhvillimeve nuk ka qëndruar as presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për zhvillimet në Kuvend dhe jashtë tij.

“Skenat dhe veprimet e dhunshme në Kuvend janë të dënueshme dhe të papranueshme, mjetet e përdorura plotësisht në kundërshtim me parimet bazike të një rendi demokratik dhe një demokracie parlamentare”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

Ajo u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës të heqin dorë nga dhuna.

Edhe Qeveria e Kosovës, është mbledhur të shtunën, ku ndër tjera ka shqyrtuar gjendjen e sigurisë në vend.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përgëzuar institucionet e rendit si edhe organet drejtuese të Kuvendit dhe deputetët e partive në pushtet, për sjelljen e tyre gjatë seancës së fundit.

“Dua ta vlerësoj sjelljen e kulturuar të deputetëve të pozitës, sepse e kanë pasur vështirë të punojnë në një ambient të tillë të rrezikshëm edhe për jetën e tyre”, ka thënë Mustafa.

Ai ka përgëzuar edhe punën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili, sipas Mustafës, e gjeti mënyrën që në harmoni me Rregulloren dhe Ligjin të vazhdojë punën e Kuvendit.

“Me këtë është dëshmuar se Kuvendi mund të funksionojë, koalicioni është stabil, kurse ne si Qeveri do të vazhdojmë bashkëpunimin”, ka theksuar Mustafa.

Ai i ka bërë thirrje edhe opozitës që të kthehet dhe të vazhdojë punën, duke respektuar ligjet dhe Rregulloren e punës së Kuvendit.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër, ka rikujtuar se partitë e koalicionit përbëjnë mbi 80 deputetë dhe kjo shifër, sipas tij, tregon se bëhet fjalë për legjitimitet të plotë të punës së Kuvendit.

Pamjet në Kuvend të krijuara nga opozita nuk përkojnë me realitetin, standardet demokratike, vlerat, por as me traditën tonë”, ka thënë Thaçi.

Pas seancës dramatike, kanë reaguar edhe partitë opozitare. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vlerësuar se ngjarjet e fundit në Kuvend dëshmojnë se në Kosovë është përmbysur edhe jeta parlamentare edhe sistemi demokratik. Andaj, ai u ka kërkuar dorëheqje si kryeministrit Mustafa, ashtu edhe zëvendësit të tij, Thaçi.

Meqë nuk po shohim shenja të reflektimit, as të përgjegjësisë politike, të dyshes Mustafa-Thaçi, meqë deri me sot janë penguar të gjitha nismat për t’u dhënë zgjidhje këtyre temave, dhe meqë është provokuar kaq rëndë opozita edhe opinioni me ‘maskaradën’ e djeshme në Kuvend, ne do të vazhdojmë t’i kundërshtojmë këto marrëveshje deri në tërheqje, ose dorëheqje të qeverisë”, është shprehur Haradinaj.

Sipas Haradinajt, gjendja është e papranueshme dhe këtë e vërteton edhe fakti që në seancën e fundit në sallën e Kuvendit më shumë kishte policë se sa deputetë.

Kurse, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se gjatë ditës së premte, ishte opozita, ajo e cila ka dëshmuar vendosmëri që të mos lejojë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, apo siç e ka quajtur ai, “Zajdenicës”.

Ymeri ka rikonfirmuar se opozita mbetet unike në veprimet e saj për të protestuar dhe kundërshtuar marrëveshjet e fundit të Qeverisë së Kosovës me Serbinë deri në anulimin e tyre.

Gjendjen e krijuar në Kuvend e ka analizuar të shtunën edhe Kryesia e këtij institucioni. Aty është thënë se vendimi për futjen e policisë në sallën e Kuvendit ishte konform Rregullores së punës, sikurse edhe zhvendosja e mbledhjes në një sallë alternative.

Raportet ndërmjet pozitës dhe opozitës janë tensionuar shumë që nga 25 gushti, kur kryeministri Isa Mustafa dhe Qeveria e Kosovës arritën marrëveshjen me Beogradin për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Opozita insiston që këto dy marrëveshje të anulohen dhe si masë proteste ka bllokuar për më gjatë se një muaj Kuvendin e Kosovës.

Kufiri administrativ, sherr për dy komunat e Mitrovicës

Mosnënshkrimi i marrëveshjes që do të definonte kufirin administrativ mes dy komunave të Mitrovicës, asaj jugore dhe asaj veriore, tashmë është shndërruar edhe në një mollë “sherri” ndërmjet Qeverisë së Kosovës, kryetarit të komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, dhe kryetarit të komunës së veriut, Goran Rakiq.

Bahtiri thotë se kufiri administrativ i komunës së Mitrovicës së jugut, bazuar në hartën që del nga dokumenti i Marti Ahtisaarit (dokument ky në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, në vitin 2008), përfshin brenda edhe lagjen Suhodoll, e cila ndodhet në anën veriore të lumit Ibër.

Një gjë të tillë e kundërshton Rakiq, duke thënë se banorët e kësaj lagjeje, në zgjedhjet lokale të fundit, kanë votuar për zgjedhjen e strukturave komunale të komunës veriore të Mitrovicës.

Por, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë se lidhur me problemin janë duke u zhvilluar bisedimet dhe se qëndrimet janë përafruar.

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kufiri administrativ do të përcaktohet duke u bazuar në hartën që del nga dokumenti i Ahtisaarit, dokument ky në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, në vitin 2008.

“Jemi në bisedime për atë punë. Në kuadër të marrëveshjes për urën, ka hyrë edhe kjo çështje. Është thënë që do të zgjidhet. Ne i kemi gjetur hartat e pakos së Ahtisaarit, sepse një kohë kemi pasur problem me ato harta. I kemi hartat origjinale të pakos së Ahtisarit dhe ai kufi do të përcaktohet në bazë të atyre hartave. Pra, nuk do të ketë lëvizje nga ato harta”, thotë Gecaj.

Por, Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë ekzistojnë dy harta valide, të vulosura, të dala nga Agjencia e Kadastrës në Prishtinë.

Dhe në njërën hartë, Suhodolli i takon komunës së Mitrovicës jugore, e në tjetrën i takon komunës së Mitrovicës së veriut.

“Qeveria qendrore në Prishtinë, në mënyrë selektive, sikur nga tryeza suedeze, po merr atë që i konvenon. Ajo hartë, që e kanë marrë nga UNMIK-u dhe për të cilën ata thonë se është e Ahatisaarit, nuk ka asnjë vulë e as nënshkrim zyrtarë”, shprehet Rakiq.

Ai thekson  se në votimet e fundit, banorët e Suhodollit kanë votuar për komunën veriore të mitrovicës dhe tashmë aty kanë tre këshilltarë komunal shqiptarë, ndërkaq, sipas hartës ata do të duhej të ishin në jug të Mitrovicës.

Rakiq shton se në qoftë se do ta nënshkruante marrëveshjen, atëherë do të duhej të shpërndaheshin Kuvendet komunale të jugut dhe veriut të Mitrovicës dhe të mbaheshin zgjedhje të reja.

Në anën tjetër, Agim Bahtiri, kryetar i komunës së Mitrovicës së jugut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen që definon kufijtë administrativë të dy komunave, por vetëm nëse bazohet, sipas tij, mbi dokumentin e Ahtisaarit.

“Kam qenë i gatshëm të nënshkruajë mbi planin e Ahtisaarit dhe unë nuk mund të dal mbi të. Dikush dëshiron të dalë mbi planin e Ahtisaarit dhe ta marrë Mitrovicën, pjesën e lugut të Ibrit, me Ibër, deri në Zubin Potok, por ajo nuk do të ndodhë asnjëherë dhe në asnjë mënyrë”, thekson Bahtiri

Edhe pse të gjitha palët thonë se janë përafruar qëndrimet lidhur me definimin e këtij kufiri administrativ, megjithatë, ata janë këmbëngulës, secili në pikëpamjen e vet.

Rakiq thotë se lidhur me këtë problem janë duke biseduar me përfaqësuesit e ndërkombëtarë në Kosovë.

“Po bisedojmë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe me ata të Ambasadës amerikane dhe po përpiqemi të gjejmë zgjidhjen e vërtetë, që do t’i kënaqte së pari qytetarët që jetojnë në atë pjesë të Mitrovicës e më pas edhe të gjithë të tjerët”, shpjegon Rakiq.

Por, zëvendësministri Gecaj, thotë se këmbëngulja që kjo çështje të shndërrohet në problem, u shkon përshtati përfaqësuesve të serbëve në veri të Kosovës.

“Kjo është, sepse ata kanë qëllime dhe pretendime që t’i lëvizin ato harta. Është e vërtetë që ka mundësi që një pjesë e popullatës, që nuk është dashur të votojnë, ka votuar. Por, ajo është një pjesë shumë e vogël e popullatës dhe nuk është ajo e rëndësishme që të lëvizin ata kufij”, vlerëson ai.

Problemi i definimit të kufijve administrativë ndërmjet dy komunave të jugut dhe veriut të Mitrovicës, ka dalë në sipërfaqe, pak ditë para se të fillojnë punimet për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër që nisën më 17 tetor, që nënkupton edhe heqjen e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes”, që gjendet në këtë urë.

Radio Evropa e Lirë: Kuvend me masa sigurie, gaz lotsjellës dhe fyerje

Tensione në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ka mbajtur një seancë në një sallë jo të zakonshme për mbajtjen e seancave, në të cilën nuk kanë qenë të pranishëm ligjëvënës nga radhët e opozitës. Në këtë seancë deputetët miratuan edhe disa ligje.

Vendimi për ta mbajtur në një sallë tjetër pasoi disa ndërperje të punimeve të Kuvendit nga ana a e subjekteve politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat përdorën në disa raste gazin lotsjellës.

Këto veprime bënë që kryesia e Kuvendit të vendos një numër pjesëtarësh të sigurisë në sallë. Forcat e sigurisë u rreshtuan përreth foltores së Kuvendit, për të pamundësuar depërtimin e deputetëve nga opozita.

Këta të fundit megjithatë arritën që sërish të hedhin gaz lotsjellës, e në disa raste kanë përdorur edhe shishe uji në drejtim të ligjëvënsve nga partitë politike në pushtet. E gjithë situata ishte e nderë dhe u përcoll edhe me fyerje të ndërsjella ndërmjet ligjvënësve opozitarë dhe atyre në pushtet.

Gazin lotsjellës opozita e hodhi edhe më herët gjatë ditës, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, afër zyrës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Sipas udhëheqësve nga opozita, vetëm anulimi i marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi zhbllokon punën e Kuvendit.

Pauza e parë

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, pas ndërprerjes së parë në orët e pasditeska thënë se thirrja e seancave vetëm sa e tensionon gjendjen dhe ka ftuar qeverinë t’i tërheq marrëveshjet.

“Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shkuar në Bruksel dhe me Aleksandar Vuçiqin [kryeministrin e Serbisë], e ka nënshkruar copëtimin etnik, të brendshëm të Kosovës. Kurse Hashim Thaçi [ministër i Jashtëm i Kosovës], e ka rrudhur territorin e Kosovës, me marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi”, ka thënë Konjufca.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk ka kushte dhe klimë për seanca plenare. Sipas tij, seancat janë provokim i situatës dhe si të tilla, janë të panevojshme.

“Unë i kam thënë mendimet e mia, që besoj se janë të njohura. Të mos thirren seancat, por koalicioni qeverisës të ulet dhe të gjejë mënyrë për t’i anuluar marrëveshjet”, ka deklaruar Haradinaj.

Njëkohësisht, grupe të mbështetësve të forcave politike të cilët ishin mbledhur para dyerve qendrore të Kuvendit të Kosovës që nga orët e pasditës, janë shpërndarë në mesnatë nga autoritetet e rendit. Forcat e policisë përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Ndryshe, kjo është bllokada e pestë që opozita i bëri Kuvendit, për ç’gjë në dy raste të tjera ka përdorur gaz lotsjellës dhe në një rast, ka sulmuar me vezë.

​Opozita është zotuar se do të vazhdojë të bllokojë punimet në Kuvendin e Kosovës, deri në shfuqizimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Partitë politike në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë kritikuar ashpër veprimet e fundit të subjekteve politike në opozitë, përfaqësues të të cilave në dy raste kanë përdorur edhe gazin lotsjellës brenda sallës së Kuvendit për të ndërprerë punimet.

Autoritete të larta vendore dhe ndërkombëtare gjithashtu kanë kritikuar opozitën, duke i bërë thirrje që të shfrytëzojë pikërisht Kuvendin, për të ngritur përmes debatit shqetësimet që ka.

Zëri i Amerikës: Skena të dhunës në parlamentin e Kosovës dhe jashtë tij

Partitë opozitare hodhën sërish gaz lotsjellës gjatë natës në parlament. Shumica parlamentare vazhdon seancën në një sallë tjetër. Përleshje në rrugë ndërmjet policisë dhe aktivistëve të opozitës

Gazi lotsjellës mbuloi sërish pak para mesnatës parlamentin e Kosovës, i cili vendosi të mbajë seancën me gjithë kundërshtimin e partive opozitës që po bllokojnë punën e tij tash e një muaj me radhë.

Kryesia e parlamentit vendosi të fusë sigurimin në sallën e seancave për të penguar veprimet e partive opozitare, të cilat hodhën gaz lotsjellës. Situata bëri që deputetët të shkëmbejnë edhe fjalë të ashpra me njëri tjetrin.

Një përpjekje e dytë pak pas mesantës për t’u mbledhur në seancë u pengua sërish me gaz lotsjelles të hedhur nga deputetët e opozitës, të cilët hodhën edhe shishe me ujë. Ata akuzuan qeverinë për ushtrim të dhunës ndaj deputetëve.

Para parlamentit ndërkaq policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupe të veprimtarëve të opozitës që po protestonin në mbështetje të deputetëve të partive opozitare. Policia tha se protestuesit hodhën gurë dhe shishe me benzinë.

Që nga 22 shtatori, partitë opozitare po pamundësojnë mbajtjen e seancave të parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Opozita hodhi edhe gaz lotsjellës edhe më herët gjatë ditës së premte  për të penguar punën e parlamentit, duke kërkuar tërheqjen e marrëveshjeve që sipas saj, e dëmtojnë shtetin e Kosovës.

Këto parti thanë sërish se nuk do të heqin dorë nga bllokimi i punës së parlamentit.

Pak pas orës një pasmenate, deputetët e partive të koalcionit qeverisës u zhvendosën në një sallë tjetër të parlamentit për vazhduar seancën në të cilën brenda më pak se 45 minutave u miratuan disa ligje përfshirë edhe atë për shëndetin mendor, ndërsa deputetët e partive opozitare vazhduan të qëndrojnë në sallën e mbledhjeve të rregullta të parlamentit. Drejtuesit e partive opozitare e cilësuan të paligjshme seancën e mbajtur nga partitë në pushtet.

Autoritetet vendase e ndërkombëtare u kanë bërë thirrje partive opozitare gjatë ditëve të fundit që të debatojnë brenda parlamentit për të gjitha çështjet e diskutueshme. Ambasadori amerikan Greg Delawie tha të premten në mesnatë tha se “gazi lotsjellës dhe dhuna nuk kanë vend në sallën e parlamentit. Veprimet e tilla rrezikojnë të ardhmen e Kosovës”, shkroi ai në rrjetin social twitter.

Në fillim të kësaj jave presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga filloi një seri takimesh me udhëheqësit e partive politike për të gjetur një rrugëdalje, ndërsa është shprehur e gatshme që të dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjet e kundërshtuara nga opozita.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtimin e tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që është edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit që pritet të nënshkruhet në Strasbourg më 27 tetor.

Kujt i pengon depolitizimi i Universiteteve publike në Kosovë? – Nga FLORIM ZEQA

Tashmë pothuajse të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës janë bërë me universitete publike (politike) dhe private, kolegje dhe shkolla tjera (jo) profesionale.
Por si duket ky numer do te rritet akoma më tepër, ngase janë në rritje “kërkesat” për universitete publike edhe në qytete tjera,…e mbase mund të dalin edhe kërkesa të tjera për universitete rajonale si; Drenicës, Dukagjinit, Llapit apo Pashtrikut, e gjetiu ku ishin zonat operative te luftës,…për të shkaktuar kështu ndarjen e dijes në bazë të përkatësisë rajonale politike dhe fuqisë elektorale të liderëve aktual,…për t’i lënë vendin në fund ndoshta edhe universitetit të Shtimjes për prodhimin e kuadrove me të meta mentale për përmbushjen e “mozaikut” universitar në Kosovë!
Kërkoj falje për ketë të fundit, që e përdora si metaforë që i shkon për shtati asaj metaforës së pasluftës në Kosovë; “po të kisha ditur se është kaq lehtë më kryer fakultetin, do ta kisha mbaruar edhe shkollën e mesme…”, flitej kështu për të “diplomuarit” në universitetin e Tiranës e Prishtinës në periudhen e pasluftës e  liderëve të ndryshem politik të asaj kohe pa diplomë të maturës!
Kosova është një territor tepër i ngusht gjeografik për absorbimin e të gjitha këtyre universiteteve e kolegjeve, që janë bërë sikur objektet fetare të pasluftës,…që mbinin ngado e kudo, edhe aty ku nuk ishte nevoja fare për to!
Po u shkua tutje më ketë ritëm të hapjes së universiteteve, mund të vie shpejtë deri të “rebelimi” i bujqëve nëpër qendrat rurale për hapjen e fakulteteve të bujqësisë, si një mundësi tashmë e re për hapjen e vendeve të “reja” të punës nga qeveria aktuale!
Kjo logjikë e mbrapsht e hapjes e vendeve të “reja” të punës, është logjikë e kthimit mbrapa e jo e ecjes përpara, ngase kuantiteti nuk e përcakton asnjëherë kualitetin në arsim. Nga të gjitha këto universitete publike (politike) që veprojnë aktualisht,…nerër mund të bëhen edhe pesëdhjetë sosh dhe asnjëherë të mos  arrihet  kualiteti që dikur ishte në Universitetin e Prishtinës.
Thellësisht jam i bindur së shumica e akredituesve të këtyre institucioneve të larta arsimore në vend nuk e kuptojnë fjalën Universitet (njohuri të gjëra), ngase me siguri do të përmbaheshin pak nga “fabrikimi” i këtyre institucioneve të larta arsimore në vend, të quajtura “universitete”.
Po ndodhë kështu në mungesë të një strategjie nacionale për arsimin e lartë, për çka çdo vit kemi rritje të titujve “akademik e shkencor”, rritje enorme të të diplomuarëve dhe rënje të cilësisë e të kualitetit në arsim.
Më gjithë ketë shtim të universiteteve, analfabetizmi në Kosovë ka shënuar ngritje enorme, si pasojë e udhëheqjes së antivlerave me këto universitete në njërën anë, dhe në anën tjetër të rënjes së cilësisë së studimeve në këto universitete, kemi degradim edhe të sistemit shëndetësor, juridik, kulturor, pse jo dhe politik të vendit tonë.
Janë të shpeshta rastet kur nxënësit më sukses të shkëlqyeshëm nga shkollat e mesme, të mbesin jashta “amfiteatrove”,…ndërsa në anën tjetër nxënës të nivelit të mesëm dhe të ulët i zëjnë vendet e tyre në këto universitete,…duke e patur të sigurtë që në fillim diplomimin dhe “specializimin” në afatin e parapar të këtyre “akademive” universitare, si rezulat i privilegjeve; nepotizmit, familjarizmit, korrupsionit e dukurive tjera negative të përhapura në shoqërinë tonë këtyre 7-8 viteve të fundit.
Përderisa shtetet më të zhvilluara  ekonomike, të shtyrë nga kriza financiare në Eurozonë, përditë bëjnë shkurtime  të shpenzimeve buxhetore, ne në  Kosovë, në vendin më koeficientin më të ulët të zhvillimit ekonomik në Evropë, i rrisim shpenzimet buxhetore pa asnjë kriter, pa asnjë strategji të qartë zhvillimore,…thuajse jemi më të pasurit e më të mënçurit e globit tokësor!
Në të kaluaren jo shumë të largët, Kosova mburrej më kuadrat e dalura nga Universiteti publik i Prishtinës, në veqanti me nivelin e lartë profesional, shkencor dhe akademik, që nivelizoheshin më kuadrat e universiteteve më prestigjioze evropiane e botërore.
Kosova si një vend i vogël, do t’i mjaftonte një universistet publik (shtetëror), i konsoliduar mirë, i pajisur më infrastruktur akademike, më kushte të volitshme për studentet; me konvikte bashkëkohore, me transport të organizuar mirë për studentet nga qendrat e tjera e shumëçka tjetër,…që do ta kishin koston më të ulët buxhetore se sa hapja e  universiteteve në çdo pjesë të vendit, dhe ajo çka është më e rëndësishmja do të kishim prodhim të kuadrove cilësore për nevojat e vendit e jo fabrikim të tyre sipas orekseve partiake!
Zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës, fillimisht me kërkesën për shkarkim,  më pas edhe vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës për shkarkimin e rektorit të Universitet të Prishtinës janë të nxitura nga politika e lartë në vend, që për qëllim kanë zhvendosjen e krizës institucionale nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Universitet në njërën anë, ndërsa në tjetrën për pengimin e reformave të filluara nga Rektori Ramadan Zejnullahu.
Politizimi i Universitetit të Prishtinës dhe të gjitha institucioneve tjera kishte filluar në kohën e Qeverisë së përkohëshme, me emrimin e sekretarëve “Permanent”, siq i quanin atë kohë të dërguarit politik në institucione.
Rektori Zejnullahu nga qytetarët e vendit vlerësohet si shkëndija e parë e shpresës për ndryshime pozitive jo vetëm në Universitetin e Prishtinës, por edhe më gjerë në institucionet tjera publike dhe shtetërore.
Mirëpo, Rektori duke mbrojtur kritetret dhe parimet profesionale, ra ndesh me shantazhet dhe presionet e plagjiatëve, pseudoprofesorëve, “magjistrave” dhe “doktorëve” të fabrikuar nga paslufta e këndej,…që në universitet veprojnë si sekretar partiak të maskuar me emra “senator” dhe antar të Këshillit Drejtues të UP-së,…duke mbrojtur interesat e një klase të shëmtuar politike, që Universitetin e Prishtinës e shëndrruan në çerdhe të analfabetëve partiak.
Kujt tjetër, pos grupeve të sipërpemendura të interesit ju pengon depolitizmi i universiteteve publike, reformat dhe mbarëvajtja e procesit arsimor në nivelet e larta akademiko-shkencore të vendit tonë.
Vetëm grupeve të interesit, antivlerave, injorantëve, bandave të politikës dhe parapolitikës ju konvenon mjegulla në tempullin e dijes, që të përdorin grupe njerëzish të shantazhuar për rrënimin e reformave të filluara nga Rektori  Zejnullahu, shkarkimi i të cilit mund të jetë me pasoja afatëgjata për Universitetin e Prishtinës.
Që kjo të mos ndodhë, të gjithë duhet të ngrihemi në mbrojtje të Rektorit Zejnullahu, për të mbrojtur vlerat, nderin dhe dinjitetin, përkushtimin njerëzor, idealin për çlirim shpirtëror,…mbi të gjitha të ardhmën e shumë gjeneratave në vendin tonë.

Greg Delawie: I lumtur për zhvillimin e seancës

Ambasadori amerikan, Greg Delawie ka reaguar pas mbylljes së seancës së Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se është i lumtur që Kuvendi vendosi ta zhvilloj mbledhjen e tij edhe duke improvizuar. Sipas ambasadorit amerikan kjo seancë është lajm i mirë për qytetarët e Kosovës.

“Jam i lumtur që Kuvendi ishte në gjendje që tu bëjë punën e tij në emër të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Delawie në twitter./Zeri/

Përfundon në sallën e improvizuar seanca e jashtëzakonshme e pozitës, pa opozitën

​Ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme e pozitës, e mbajtur pa praninë e partive opozitare e cila është mbajtur nën masa të rrepta të sigurisë në një sallë tjetër e jo në atë të seancave

Arsyeja e zhvendosjes së seancës ka qenë pikërisht moslejimi i vazhdueshëm i opozitës për mbajtjen e seancave.

Në këtë seancë janë miratuar me shumicës votash të gjitha ligjet e parapara në rendin e ditës për seancën e së premtes.

Pas përfundimit të seancës, deputetët e pozitës kanë dalë menjëherë nga ndërtesa e Kuvendit.

Greg Delawie: Progresi në Kosovë nuk mund të arrihet pa një Kuvend funksional

PRISHTINE – Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie ka reaguar përmes rrjetit social “Twitter” mbi zhvillimet e fundit në Kuvend.

Sipas ambasadorit amerikan, “progresi në Kosovë nuk mund të arrihet pa një Kuvend funksional”.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën e bllokuan seancën e Kuvendit të Kosovës, duke hedhur gaz lotsjellës në kohën kur pritej të niste seanca, pas orës 16:00.

Veseli shtyn senacën për orën 20 – Opozita paralajmëron tensionim të mëtejshëm të situatës

Opozita përmes një deklarate ka thënë se kreu i Kuvendit, Kadri Veseli po e tensionon situatën në kuvend dhe jashtë tij.

Sipas opozitës, Veseli me qëllim e ka shtyrë vazhdimin e seancës në orën 20:00.

Sidoqoftë ata i kanë bërë thirrje kreut të Kuvendit që të mos vazhdohet seanca deri në tërheqjen e marrëveshjeve pasi që të gjitha do të dështojnë./Zeri/

Deklarata e plotë

“Kadri Veseli nuk e mbajti fjalën për 1 orë pauzë. Ai e shtyu pauzën deri në orën 20:00. Zhvillimi i seancës natën, nën rrethim policor të Kuvendit dhe nën masa të rrepta sigurie brenda Kuvendit, duke ndërruar sallën – me rrezikun që të mos i lejojë mediat brenda, do të shpie në tensionim të mëtutjeshëm të situatës.

Jo rastësisht Kadri Veseli zgjodhi natën për të vazhduar seancën. Ai po do që të tentojë vazhdimin e seancës natën, ngase nata ka qenë përherë koha e preferuar e tij, për të zhvilluar aktivitete kundërshtetërore.

Opozita bën thirrje edhe njëherë që të mos vazhdohen seancat e Kuvendit pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi. Ne do ta mbrojmë Republikën dhe nuk pranojmë asnjë kompromis në këtë kauzë.”

Donika Kada-Bujupi hedh gaz në Kuvend, ndërpritet seanca

Përkundër masave të rrepta të sigurisë që sot pati në Kuvendin e Kosovës dhe pjesëmarrjes së kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, opozita ka arritur që të fus në sallën gazin lotsjellës.

Ka qenë përsëri deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi ajo e cila ka hedhur gazin dhe ka bërë që seanca të ndërpritet. Se çfarë do të ndodhë më pas do të ju njoftojmë sapo të vendoset ndonjë gjë./Zeri/

Gaz lotësjellës në zyrën e Kadri Veselit – helmon krejt administratën e Kuvendit

Ndërkohë që po pritej fillimi i seancës plenare të paraparë në orën 16:00, opozita ka sulmuar me gaz lotsjellës

Me gaz lotsjellës janë sulmuar disa pjesë të ndërtesës se Kuvendit duke përfshirë edhe zyrën e Kryeparlamentarit.

Deputeti i VV-së, Fisnik Ismajli, ka shkruar në rrjetin social “Facebook” se në zyrën e kryeparlamentarit Veseli, siç ka thënë ai, “ka plasur gaz lotësjellës”.

Ndërkaq, portali Indeksonline mëson se Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi posa ka hedhur gaz lotsjellës në zyrën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ishte zonja Kadaj Bujupi e cila ka helmuar tërë administratën e Kuvendit.

Presidentja thërret në takim urgjent Isa Mustafën

Voal – Kryeministri Isa Mustafa është takuar me Presidenten Atifete Jahjaga dhe Top Channel ka mësuar se përveç krizës, dy krerët e lartë të shtetit kosovar kanë diskutuar edhe çështje të tjera si autorizimet që Presidentja duhet t’ia japë qeverisë për nënshkrimin e MSA-së.

Ndërkohë, në mjediset e Kuvendit, zyrtarë të lartë policorë janë duke kontaktuar personalisht me policët që kujdesen për sigurinë në Kuvend.

Burime të sigurta të Top Channel brenda Kuvendit kanë bërë të ditur se gjatë ditës në ambientet e Kuvendit kanë qëndruar edhe zyrtarë të shërbimit sekret kosovar (AKI),  të cilët kanë diskutuar me policinë për planin e tyre të sigurisë brenda Kuvendit.

Vjosa Osmani: Kuvendi dhe opozita po eksperimentojnë me deputetët

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani thotë se Kuvendi dhe opozita po eksperimentojnë me deputetët. Ajo i quan të gabuara veprimet e opozitës në Kuvend por edhe Kuvendin, që sipas saj po thërret seanca po u krijuar kushtet.

“Nuk është Kuvendi arenë për tregimin e muskujve, as për tregimin e trimërisë as për të përdorur e eksperimentuar me armë ndaj kolegëve të tu. Pra ose le të krijohen kushtet apo rrethanat normale për mbajtjen e seancës ose uluni dhe gjejeni një zgjedhje dhe mos thirrni seanca deri në një moment të tillë”, tha Osmani në emisionin ‘Click’ në RTV21.

Por kush po eksperimenton sipas Osmanit?

“Të gjithë fatkeqësisht sepse në qoftë se thirret seanca pa u krijuar kushtet normale që ne të votojmë, që të flasim, që të diskutojmë dhe thuhet shkoni në seancë dhe tregoni se ju nuk do të ndaleni as para gazit, as para kësaj as para asaj, unë vërtetë e konsideroj si jo seriozitet nga të gjithë që mendojnë që ne do të duhej të torturoheshim”, tha Osmani.

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë Christofer Dell: krenar për Presidenten Atifete Jahjaga dhe kritikon Veton Surroin

Voal – Ish-ambasadori amerikan në Kosovë Christofer Dell në një postim në Facebook, ku edhe ka shpërndarë një shkrim të Al Jazeera’s për portretin e Presidentes Jahjaga, ka kritikuar Veton Surroin dhe opozitën, duke shtuar se ai ndihet krenar me Presidenten Jahjaga.

Al Jazeera: Portreti i Presidentes së Kosovës (Foto)

Ish-Ambasadori Dell shkruan: “I gjithë tërbimi dhe përpjekjet e Vetonit për të ndryshuar historinë dhe për t’u hedhur helm arritjeve nuk mund t’i ndryshojë dy fakte:

Presidentja Jahjaga ka bërë më shumë për imazhin ndërkombëtar të Kosovës se sa çdokush tjetër ka bërë, ose do të mund të bënte dhe 2) në kohën e krizës së thellë në Kosovë, liderët e zgjedhur u kthyen tek ajo (dhe jo te ai apo dikush tjetër) për t’i shërbyer vendit, ajo iu përgjigj thirrjes, dhe parlamenti e bëri atë presidenten e parë të zgjedhur ndonjëherë me dy të tretat e deputetëve, si zgjedhja më e mirë kushtetuese”, thuhet në postimin e Dell.

Duke iu referuar vendimit të sotëm për Kosovën në UNESCO dhe bllokadës së Parlamentit  Dell thotë se “mendjet e vogla kritike”, kameleonët dhe tiranët potencialë duhet të ndalin veprimet e tyre me gazin lotsjellës dhe domatet dhe duhet të falënderojnë qytetarin që bëri më shumë se kushdo tjetër që kjo të realizohej”, shkruan Dell dhe në fund, shkrimin e përmbyllë me “Krenar me Presidenten”.

Hera e katërt, a do lejojë opozita mbajtjen e seancës?

Për sot pasdite është caktuar termini që të mbahet seancë e rregullt e Kuvendit të Kosovës. Kjo është hera e katërt që të mbahet një seancë e rregullt e Kuvendit pasi tre te parat janë ndërprerë nga partitë opozitare.

Deputetë e partive opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma janë të prerë se as sot nuk do të ketë mbajtje të seancave përderisa kryeministri Isa Mustafa nuk tërheq nënshkrimin nga marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe e nënshkruar më 25 gusht në Bruksel.

Këtë vendim Kryesia e Kuvendit, e kishe marrë më 20 tetor, pas takimeve që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar me të gjitha partitë politike në Kosovë, në përpjekje për të zhbllokuar punimet në Kuvend.

Bllokimi i tyre është bërë nga ana e opozitës në Kosovë, në shenjë kundërshtimi me marrëveshjet e arritura në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre.

Ambasadori Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, i ka cilësuar si jo të mira për Kosovën, zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës.

Duke iu drejtuar forcave politike në opozitë, ambasadori amerikan kishte deklaruar se ato janë “duke e lënduar ekonominë e Kosovës, janë duke e izoluar Kosovën dhe janë duke rrezikuar liberalizimin e vizave” në zonën Schengen të Bashkimit Evropian, për qytetarët e Kosovës.

Liderët e partive politike në opozitë kërkojnë shfuqizimin e këtyre marrëveshjeve, me theks të veçantë atë që ka të bëjë me themelimin e

Asociacionit për komunat e banuara me shumicë serbe. Deri më tani, opozita ka përdorur edhe gazin lotsjellës, për të penguar punimet në Kuvend.

Mungesa e barnave jetike në Kosovë

Problemet në fushën e farmaceutikës në Kosovë janë të mëdha. Mungesa e barnave të regjistruara në tregun farmaceutik është njëra nga problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët.

Zyrtarë nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, kanë bërë të ditur se aktualisht mbi 700 molekula në rreth 3 mijë forma farmaceutike janë të regjistruara në Kosovë.

Por pacientët po përballen me mungesë të barnave që i përdorin si terapi ditore.

Një qytetare e cila deshi të mbetej anonime (emri i njohur për redaksinë), përdor ilaçin Zigabal, ilaç që përdoret për sulme epileptike. Ajo thotë se në asnjë barnatore në Kosovë, nuk ka mundur ta gjejë këtë ilaç, me pretekstin se është tërhequr nga tregu.

Ajo thotë se ndërprerja e ilaçit, të cilin e quan jetik, është shumë i dëmshëm dhe i mundimshëm për të.

“Zigabal është ilaç shumë i rëndësishëm që përdoret për sëmundjen e epilepsisë sepse është terapi ditore, për zbutjen e nervave me impulse të caktuara. Është e rëndësishme, sepse kjo terapi nuk bën të ndërpritet. E në asnjë barnatore në Kosovë nuk ka ilaç të tillë ose diçka të ngjashme, dhe nuk është ngritur si çështje që të mund të gjendet diku tjetër nga njerëzit që e përdorin”, thotë ajo.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ilaçi në fjalë nuk është në listën esenciale, andaj për te duhet leje speciale nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale.

“Produkti i caktuar Zigabal nuk ekziston në listë esenciale dhe ato që nuk janë të përfshira në listë dhe nuk janë të regjistruara në listë esenciale. Pacientët duhet të aplikojë në AKPM për trajtim individual. Barnat esenciale merren falas, ndërkaq për të tjera pacienti duhet të paguajë vetë. Konsiderohet që lista esenciale përfshin barnat jetike”, bën të ditur Bekim Fusha, nga departamenti farmaceutik.

Pranvera Behrami, zyrtare për informim Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale thotë se për terapi individuale, për barnat që nuk janë të regjistruara, ekziston një nen brenda Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinave që pacientët pajisen dhe u lejohet importi.

“Në bazë të Ligjit për Produkte Medicinale, përkatësisht përmes nenit të 12 për import të produkteve medicinale, personatfizik kanë të drejtë të importojnë sasi të produkteve medicinave për një tretman të nevojshëm, për përdorimin e tyre personal duke dëshmuar recetën e mjekut, në rast që këto produkte nuk janë të regjistruara apo nuk kanë licencë importi”.

“Po ashtu, mund të them që importi nga personat fizik mund të bëhet nga qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë. Kemi raste të shpeshta të terapive individuale. AKPM dhe brenda ditës do të mundësojë që të pajisen me leje dhe më pas shumë shpejtë me produktin e kërkuar”, thotë Behrami.

Sidoqoftë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se tashmë janë marrë hapat konkretë për thjeshtësimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve mjekësore.

Në shfrytëzim janë edhe disa udhëzime administrative që kanë mundësuar njohjen unilaterale të regjistrimit të barnave nga dy shtete, Gjermania dhe Anglia.


Ariana Kasapolli – Selani

[email protected]

Ariana Kasapolli – Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Ekspertët: Politikanët janë pronarët e vërtetë të bizneseve në Kosovë

Disa biznese të fuqishme në Kosovë, veprimtarinë e tyre e zhvillojnë me ndihmën e zyrtarëve të institucioneve shtetërore.

Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, duke shtuar se pas kompanive në sektorë të ndryshëm, qëndrojnë apo janë “bashkëpronarë“, jo zyrtarisht, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale.

Ata shprehin shqetësimin se më shumë se një dekadë, në Kosovë sektori i ndërtimit ka marrë hov, biznese tregtare me kapital të lartë, por asnjëherë nuk kërkohet burimi i parasë.

Në anën tjetër, raporte të ndryshme të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, vlerësojnë se Kosova ka një zhvillim të ulët ekonomik dhe ambient jo të përshtatshëm për biznes.

Por, për çudi në Kosovë, sipas tyre, nga një biznes me kapital të vogël, për një periudhë të shkurtër kohore është shndërruar në kompani të fuqishme.

Lorik Bajrami, nga Organizata për Demokraci dhe Anti-Korrupsion “Çohu“, thotë se duke marrë parasysh se kompanitë private në disa raste varen nga buxheti i Kosovës, zyrtarët qeveritarë e kanë keqpërdorë detyrën zyrtare në favor të përfitimeve materiale.

“Edhe ne e kemi parë në shumë raste të ndryshme, përmes shumë provave të ndryshme që këtë mundësi qeveritarët e kanë përdorur. Do të thotë, kanë përdorur korruptimin ose abuzimin me funksionin publik ose me të mirat publike,në mënyrë që përfitojnë të mira materiale në aspektin privat”.

“Qeveritarët e Kosovës kanë një mundësi shumë të madhe, kushtimisht të them shantazhit, kufizimit ose kushtëzimit të kompanive të ndryshme private”, ka thënë Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Ekspertë për çështje ekonomike, ndërkaq theksojnë se edhe pse mungojnë të dhëna zyrtare se a ekzistojnë raste të tilla, megjithatë sipas tyre në Kosovë ka raste kur bizneset përkrahen nga pushteti apo parti të ndryshme politike.

Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se disa biznese marrin projekte nga institucionet publike dhe kjo ndikon në rritjen e kapitalit të tyre.

“Në çdo vend të botës ka biznese të tilla. Por, shpresojmë që mos të jenë biznese që pastrojnë para, i ikin taksave dhe krijojnë evazion fiskal, sepse Kosova është vend i vogël, dhe këto biznese sado të vogla që te jenë, mund t’u shihet filli i lidhjes eventuale që kanë me politikën”.

“Dihet këtu se shumica e bizneseve marrin punë nga politika, nga institucionet publike dhe kur dihet se ka korrupsion të lartë në procesin e dhënieve të tenderëve dhe formave të ndryshme, atëherë pa dyshim se ndodhin edhe gjëra të tilla”, tha Ramosaj.

Por, Lorik Bajrami nga organizata “Çohu”, thotë se kompani të mëdha në Kosovë konsiderohen operatorët e derivateve të naftës, kompanitë tregtare që merren me import, dhe kompanitë ndërtimore.

Se kompani të ndryshme mund të qëndrojnë në treg vetëm më mbështetjen e institucioneve publike, Bajrami tregon se ka raste kur disa biznese kapitalin e tyre e kanë rritur në kohën kur në Kosovë ka pasur investime në rindërtimin e vendit, si në infrastrukturë dhe objekte të shkollave.

Por, më përfundimin e këtyre investimeve dhe mosmarrjen e tenderëve publik, këto kompani nuk janë të pranishme në tregun e Kosovës.

“Mirëpo sot ndërtimi i rrugëve dhe objekteve shkollore është në rënie e sipër , për shkak të ndërtimit të autostradës. Do të thotë që nga fillimi i ndërtimit të autostradës, ato kompani janë në rënie e sipër”.

“Nuk kanë sot një relevancë shumë të madhe. Disa prej tyre kanë mbetur pak, por pjesa dërrmuese të cilat janë krijuar në kohën e investimeve të mëdha publike, më nuk janë në treg, kanë dalë nga tregu”, thotë Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Lidhja e politikës me biznese, sipas tyre dëshmohet me faktin se “disa biznesmenë që udhëheqin me kompani të mëdha, tashmë janë bërë pjesë e politikës, ndonëse ka edhe politikanë, të cilët janë bërë biznesmenë”.

Haradinaj: Do të futemi në Kuvend për të mos e lejuar seancën plenare

Udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj konfirmon këmbënguljen e partive opozitare, që të mos lejojnë mbajtjen e seancës parlamentare, të ftuar për të premten në orën 16:00.

Në një intervistë për Top Channel, Haradinaj tha se deputetët e opozitës nuk do ta bojkotojnë seancën, por do të shkojnë në Kuvend dhe do ta bllokojnë sërish mbajtjen e saj, ndërsa për mjetet që do të përdorin tha se mbetet të shihen të premten.

“Më vjen keq që Qeveria nuk ka reflektuar dhe që Kryesia e Parlamentit ka vepruar gabim duke thirrur seancë për nesër. Ne do të jemi nesër në Parlament, por seanca nuk do të mbahet. Metodat ose mënyra sesi do të veprojmë mbetet për t’u parë nesër. E vetmja gjë që dihet është se, sikundër deri më tani, seancat s’kanë për t’u mbajtur”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Duke folur për përpjekjet e Presidentes për të gjetur një zgjidhje për krizën politike, Ramush Haradinaj tha se opozita tanimë e ka paraqitur ofertën e saj për daljen nga kriza.

“Tërheqja nga marrëveshjet do të rezultojë me mbarëvajtje të Parlamentit, me jetë institucionale të zakonshme, me opozitarizëm të zakonshëm. Pra, ne kemi ofertë. Jemi të habitur me kryeneçësinë e kryeministrit Mustafa”, tha më tej Ramush Haradinaj.

Haradinaj nuk ka dashur të komentojë deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, i cili më herët gjatë ditës tha se, deputetët opozitarë po rrezikojnë izolimin e Kosovës dhe shtyrjen e liberalizimit të vizave.

Haradinaj u shpreh se, pavarësisht respektit që opozita ka për ndihmën e ndërkombëtarëve, kauza do të vazhdojë deri në tërheqjen e marrëveshjes. E për këtë, Haradinaj tha se po përgatisin edhe një protestë të madhe, e cila do të mbahet në Prishtinë.

“Ne jemi në përgatitje e sipër dhe kemi kryer më shumë se gjysmën e punës për një protestë vendimtare në Prishtinë, me të cilën do t’ia pamundësojmë me të vërtetë qeverisë zbatimin dhe funksionimin normal të mëtejshëm. Do të jetë pak vonë për qeverinë, në rast se vijnë qytetarët në Prishtinë. Do të jetë vonë edhe që të tërhiqet nga marrëveshjet. Pra, është mirë që të mos e testojnë më tutje dhe mos ta shtyjnë gjendjen në përshkallëzim të mëtejshëm”, tha Ramush Haradinaj.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Dukagjinit ka folur edhe për debatin e ashpër virtual mes tij dhe kryeministrit Isa Mustafa, në Facebook, ku kreu i qeverisë i ka përmendur disa krime, që supozohen se janë kryer gjatë luftës në liqenin e Radoniçit, në zonën ku komandant ka qenë Haradinaj.

“Unë jam i filtruar prej instancave më të larta të ligjit ndërkombëtar pikërisht për këtë çështje. Ligji ndërkombëtar, gjykata më e lartë në botë që ekziston për këto tema, i ka gjetur fajtorët për ato gjëra që ka përmendur ai. Janë dy gjeneralë serbë, Lazareviç dhe Gjorgjeviç, të cilët kanë jetuar në Prishtinë edhe në kohën kur kryeministri ka qenë funksionar. Kështu që, ky mund t’i ketë njohur apo mund të ketë bashkëpunuar me ta. Pikërisht fajtorët për ato tema janë gjetur, ndërsa është për habi, që kryeministri i vendit tim i lejon vetes sjellje të tilla”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Haradinaj tha se mbyllja e profilit të kryeministrit në Facebook, me arsyetimin se dikush e ka keqpërdorur atë, duhet të hetohet dhe vërtetohet nga organet e drejtësisë në vend.

Opozita: Presidente, mos guxo t’i drejtohesh Gjykatës Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mund të dërgojë për shqyrtim përmbajtjen e marrëveshjeve Kosovë-Serbi në Gjykatën Kushtetuese.

E ky veprim i saj, nga partitë opozitare nuk po shihet si veprim adekuat.

Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami thotë se Presidentja tashmë ka nisur bisedimet me liderët politikë në vend, andaj sipas saj, nuk është momenti i duhur që ajo të dërgojë në Kushtetuese marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Mendoj se Presidentja nuk guxon të merr një vendim të tillë, pasi ka hapur diskutim të liderëve. Besoj se nuk është momenti që (marrëveshja Kosovë-Serbi) të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo nuk duhet ta dërgojë në Kushtetuese”, thotë ajo.

“Kjo çështje është çështje politike dhe ka hapur bisedimet mes liderëve pozitarë dhe opozitarë me qëllim që të arrihet një dakordim. Tash nuk e di ku është esenca e thirrjes së një tryeze të përbashkët pozitë-opozitë. Pra iniciativa e saj po më duket e pakuptimtë”, thotë Bajrami.

Ndërkaq, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, thotë se nga përvoja që kanë pasur më herët me Gjykatën Kushtetuese, ka bërë që ata të mos besojnë më në objektivitetin e organit më të lartë të drejtësisë në vend.

Ai madje thotë se Kushtetuesja më herët nuk ka pranuar që të shqyrtojë ligjshmërinë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Nga përvoja në të kaluarën ne e kemi parë dhe tashmë jemi të bindur që Gjykata Kushtetuese është thjesht një prej institucioneve të Republikës të cilat janë të kapura nga njerëzit në pushtet”.

“Kështu që nuk presim që kjo Gjykatë të merr ndonjë vendim të drejtë dhe aq më tepër është shumë e rëndësishme që të rikujtohet se është pikërisht marrëveshjet e 19 prillit ne i kemi dërguar në Kushtetuese dhe Gjykata na ka kthyer përgjigje që ne nuk mund t’i trajtojmë çështjet që diskutohen në Bruksel, pra janë jashtë mandatit të Gjykatës Kushtetuese”.

Duke folur për rolin e presidentes Jahajaga në gjetjen e zgjidhjes për të dalë nga kjo gjendje, Krasniqi thotë se ajo nuk është aspak “neutrale”.

“Presidentja nuk ka një rol neutral brenda këtij procesi, ajo pak a shumë është rreshtuar përkrahë qeverisë sepse ajo mbështetë marrëveshjet, ajo e ka gjykuar opozitën”, tha Krasniqi.

Deputetja Valdete Bajrami por dhe Frashër Krasniqi thonë se pavarësisht nëse Presidentja vendos t’i drejtohet Kushtetueses, ata do të vazhdojmë me veprimet e tyre, pra me bllokimin e institucionit të Kuvendit, derisa qeveria të tërheq nënshkrimet nga marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si dhe Marrëveshjes e Demarkacionit me Malin e Zi.

Presidentja këtë javë ka nisur bisedimet e ndara me liderët politikë, duke paralajmëruar për një tryezë të përbashkët pozitë-opozitë.

Partitë opozitare, që një muaj, janë duke bllokuar punën e Kuvendit. Në dy seancat e fundit, ata kanë hedhur gaz lotsjellës, raporton lajmi.net.

Veprimet e opozitës janë dënuar edhe nga trupi diplomatik i akredituar në Kosovë.

Në anën tjetër, opozita ka paralajmëruar për organizimin e protestave gjithëpopullore.

A është zgjidhje politike kjo që ofron Presidentja

Në takimet me partitë politike të pozitës dhe opozitës, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u ka ofruar partive një marrëveshje për zgjidhjen e situatës politike në vend. Jahjaga ka vendosur që marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Presidentja Jahjaga ka vendosur që vetë, në bazë të kompetencave kushtetuese të saj, ta kërkojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen me Serbinë, të nënshkruar në Bruksel, për Asociacionin.

Express mëson se sot edhe një herë Presidentja do t’i takojë përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës, ku do t’ua paraqesë këtë propozim.

Me një pajtueshmëri eventuale të partive politike, Presidentja këtë kërkesë do ta dërgojë në Kushtetuese nesër para fillimit të seancës së Kuvendit, e cila është thirrur të mbahet prej orës 16:00.

Në përgjigjen për Express, Zyra e Presidentes së Kosovës ka deklaruar se Presidentja po vazhdon të konsultohet me partitë parlamentare për hapat e mëtejmë.

Po ashtu, mësohet se ideja e Jahjagës ka gjetur edhe përkrahjen te ambasadat e huaja.

Pas dërgimit në Kushtetuese, Gjykata ka afat ligjor prej 60 ditësh për të kthyer përgjigje.

Delawie: Situata është kritike dhe kjo nuk është e mirë për Kosovën

PRISHTINË, 22 TETOR – Ambasadori amerikan Greg Delawie, pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, tha se e pata një takim me kryetarin për ti treguar se e mbështesim Kuvendin, jemi të vetëdijshëm për situatën kritike ne vend dhe kjo nuk është mirë për Kosovën. Unë kam një mesazh për këta qe po e bllokojnë Kuvendin se po e dëmtojnë ekonominë e Kosovës, po e rrezikojnë Kosovën.

Në fund dua t’ua bej te qarte qe SHBA mbështesin Kosovën në integrimet europiane.

Shkarkimi i rektorit Ramadan Zejnullahu nxit reagime në shkallë të gjerë

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, që është universiteti më i madh dhe i vjetri në vend,  shkarkoi të mërkurën rektorin e këtij universiteti, Ramadan Zejnullahu, duke shkaktuar një valë reagimesh edhe të institucioneve më të lartë të Kosovës.

Kërkesa për shkarkimin e rektorit Zejnullahut ishte shtruar nga njëzetë e tetë anëtarë të Senatit të Universitetit të Prishtinës. Në kërkesë numëroheshin disa arsye për shkarkimin e rektorit, mes tjerash, edhe për siç thuhej, shkeljet ligjore, bllokimin e mbledhjeve të Senatit, ndërprerjen e konkurseve për studime të doktoratës, etj.

Rektori i shkarkuar tha në një reagim se “vendimi i Këshillit nuk kishte të bënte me mua ose me stafin tim, por me idenë e reformës dhe progresit që ne po e përkrahim fuqishëm dhe idenë e mashtrimit dhe shantazhit që e përkrahin disa njerëz të fuqishëm. Sot, fatkeqësisht, fitoi kjo e dyta”.

Qeveria e Kosovës e e cilësoi jo të drejtë dhe të dëmshëm për Universitetin e Prishtinës vendimin për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu. Në një komunikatë të qeverisë thuhet se “kryeministri Isa Mustafa, në koordinim të plotë me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, do të kërkojnë rishikimin e këtij vendimi. Qeveria e Kosovës konsideron se Universitetit të Prishtinës nuk i duhen veprime të tilla që e dëmtojnë atë pikërisht në periudhën kur po bën hapa të mëdhenj përpara në drejtim të ngritjes së cilësisë dhe avancimit të gjithëmbarshëm”.

Qëndrimi i qeverisë u mbështete nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërsa në orët e mbrëmjes, ministri i arsimit shkarkoi nga detyra anëtaren e Këshillit Drejtues Shefkije Islamaj që ishte emëruar nga kjo ministri.

Universiteti i Prishtinës u themelua 45 vjet më parë dhe deri vonë ishte i vetmi universitet publik në Kosovë.

Militantë të politikës LDK-së, PDK-së, AAK-së shkarkuan rektorin – sot në Prishtinë protesta

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pas shumë përpjekjesh, ia arriti qëllimit që ta shkarkojë nga detyra rektorin Ramadan Zejnullahu, i cili fitoi mbështetjen vendore e ndërkombëtare për guximin e tij për reformimin e UP-së. Vendimi për shkarkimin e rektorit ka trazuar opinionin kosovar, ndërsa shoqëria civile ka paralajmëruar për sot në orën 11:00, protestë para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Megjithatë, neni 32 i Statutit të UP-së i jep mundësi rektorit që të ankohet, ndërsa ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, e ka fjalën e fundit për shkarkimin apo jo të tij. Pas vendimit për shkarkimin e rektorit, janë hapur edhe shumë faqe në rrjetet sociale ku është bërë thirrje për protesta e përkrahje për Zejnullahun.

Rektori është shkarkuar me gjashtë votat e anëtarëve, shumica nga të cilët janë militantë partiakë: Fevzi Berisha, Alberta Troni, Kemajl Bislimi, Shefkie Islamaj, Zeqir Veselaj, e Beqir Sadikaj. Tre nga gjashtë anëtarët që votuan shkarkimin e rektorit janë pjesë e partive politike në Kosovë.

Fevzi Berisha anëtari i 63-të në listën e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),

Alberta Troni ishte kandidate e LDK-së për deputete në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, por nuk arriti të futet në Kuvend..

Zeqir Veselaj: ish-kёshilltar politik i Et’hem Ҫekut. Aktualisht prodekan nё Fakultetin e Edukimit, ku dekan ёshtё Et’hem Ҫeku. I akuzuar se ka bёrё plagjiaturё nё temёn e doktoraturёs, akuzё e cila ёshtё vёrtetuar mё pas.

Kemajl Bislmi: i akuzuar se ёshtё njeriu i deputetit tё PDK-sё, Elmi Reҫica. Anёtar i Kёshillit Drejtues tё Universitetit, por kurrё nuk ka shkruar asnjё punim shkencor pёr ndonjё revistё shkencore kredibile ndёrkombёtare.

Fevzi Berisha: zёvendёs ministёr i Arsimit nё vitet 2004-2007, nё ministrinё e kontrolluar nga LDK-ja gjatё koalicionit LDK-AAK.

Shefkije Islamaj: kryetare e Kёshillit Drejtues. E akuzuar si marionetё e PDK-sё.

Beqir Sadikaj: kandidat pёr deputet nga radhёt e PDK-sё. Ёshtё akuzuar dhe vёrtetuar se ka bёrё plagjiaturё. Pёr kёtё shkak u ul nё gradё shkencore, prej profesorit tё asocuar nё profesor asistent.

Analistët: Seanca e së premtes është provokim

Thirrja e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës për ditën e premte në kohën e tensioneve të shtuara politike, paraqet provokim për gjendjen e sigurisë në Kosovë, kanë vlerësuar deputetë dhe analistë politikë në Prishtinë.

Bëhet fjalë për deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani dhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, si dy deputetë që nuk pajtohen me pozicionet e ngurta të qeverisë dhe opozitës rreth opsioneve për tejkalimin e krizës politike.

Komentet e tyre ata i kanë bërë gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, si monitorues i punës së Kuvendit.

Deputetja Vjosa Osmani ka thënë se vendi është në krizë dhe se Kuvendi është dashur që t’i jap një shans nismës së presidentes që të gjendet një zgjidhje politike.

“Caktimin e seancës për të premten në ora 16:00 e konsideroj si një eksperiment. Në radhë të parë eksperiment me jetën e deputetëve, pasi që ata po konsiderohen si minj me të cilët eksperimentohet se sa mund të thithin gaz lotsjellës, sa mund të durojnë provokime pa u grushtuar me njëri tjetrin, sa mund të durojnë mjete tjera që mund të dalin tash në shesh në seancën e radhës dhe potencialisht po e krijon hapësirën për një vikend shumë të dhunshëm në mes të qytetarëve”, është shprehur Osmani.

Ndërkohë, deputeti Ilir Deda, i cili ka propozuar si zgjidhje për tejkalimin e krizës edhe mbajtjen e referendumit për Asociacionin e Komunave Serbe, ka thënë se tash për tash, do të ishte me rëndësi që të vendoset një dialog politik mes qeverisë dhe opozitës, në mënyrë që vendi të shpëtojë nga trazirat e mundshme.

Ngjashëm me deputeten Osmani, edhe Deda e ka cilësuar të panevojshme thirrjen e seancës për të premten.

“Unë kam frikë nga dita e premte se çka mund të ndodhë atë ditë në orën 16:00. Unë nuk e di se çka mund të ndodhë, por me siguri duke e parë se çka ka ndodhur javët e kaluara në Kuvend, nuk do të jetë një ditë normale. Dhe, kush do të merr përgjegjësi për shkaktim të abnormalitetit politik dhe rritjes së potencialit për dhunë brenda shqiptare… askush nuk dëshiron ta marrë përgjegjësinë”, ka theksuar Deda.

Tash për tash, referendumi konsiderohet si opsion i pamundshëm pasi që Kosova nuk ka ligj përkatës.

Marrë parasysh gjendjen e krijuar, analisti politik, Dukagjin Gorani ka thënë se rrugëdalje nga kjo situatë do të mund të ishin edhe zgjedhjet e lira.

Të gjithë skenarët tjerë që çojnë në ballafaqimin e pushtetit dhe opozitës janë shumë të rrezikshme, ka theksuar Gorani.

“Duhet të shkohet në zgjedhje pasi që ato janë forma e vetme e rivendosjes së legjitimitetit. Nuk kanë nevojë zgjedhjet të mbahen për një muaj e as për 45 ditë, por mund të mbahen në pranverën apo verën e ardhshme. Por, është mirë që sot të diskutohet nëse kjo skenë politike ka nevojë të ri-legjitimohet për shkak të goditjeve të mëdha dhe për shkak të krizës së madhe në të cilën u fut kjo shoqëri”, ka thënë Gorani.

Në anën tjetër, publicisti Halil Matoshi ka kritikuar si qeverinë ashtu edhe opozitën, por në masë më të madhe fajtor për gjendjen e krijuar e ka bërë opozitën, pasi që kërkesat e tyre i ka cilësuar si të papranueshme dhe anarkike.

Matoshi ka thënë se opozita duhet ta kuptojë që Kosova nuk është shtet një-etnik, pasi që kompromisi me bashkësinë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës ishte pranimi i shumë etnicitetit. Kurse idenë e referendumit e ka cilësuar si opsion jo të mirë.

“Kriza mund të eskalojë. Por, mos harroni që Kosova si projekt ndërkombëtar është e mbrojtur prej NATO-s. Këtu janë forcat e KFOR-it dhe unë nuk besoj që këtu lënë banda e banditë që t’u vërsulen institucioneve të shtetit. Po ashtu, jam kundër referendumit si formë e demokracisë së drejtpërdrejtë sepse ende nuk kemi mendim politik unik”.

“Mendoj se nëse vendosim demokraci të drejtpërdrejtë nesër dikush ka me dal me kërkesën në Kuvend që të ndërrohet sistemi dhe në vend të Kushtetutës të vendoset Sheriati, sepse pretendojnë që janë shumicë muslimane e tjera”, ka deklaruar Matoshi.

Pushteti dhe opozita kanë acaruar raportet mes tyre pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Për të dy këto marrëveshje, opozita kërkon që të anulohen si kusht për zhbllokimin e Kuvendit.

Madje, në dy seancat e fundit opozita përdori edhe gazin lotsjellës për të penguar punimet e Kuvendit.

Andaj, panelistët sugjeruan që Kuvendi të mos mbajë seancë të premten, për t’i dhënë një rast shtesë ndonjë zgjidhjeje politike, ngase sipas tyre, ka potencial serioz për dhunë dhe eskalim të situatës ku mund të përfshihen edhe masat qytetare dhe organet e rendit.

Albin Kurti bën kallëzim penal ndaj Policisë së Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dorëzuar sot në Prokuorinë Themelore dhe në Prokurorinë e Shtetit një kallëzim penal kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës, që kanë bërë ndalimin e tij mbrëmjen e 12 tetorit.

Sipas njoftimit që ka publikuar Vetëvendosje në faqen e saj në Facebook, kundër këtyre zyrtarëve të policisë ekziston dyshimi i bazuar se me “arrestimin e Kurtit” kanë kryer veprën penale Privimi i kundërligjshëm i lirisë, si dhe veprën penale të Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Kurti është ndaluar për rreth dy orë nga Policia e Kosovës më 12 tetor, derisa po kthehej nga një udhëtim zyrtar.

Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka thënë se ndalimi është bërë në kuadër të hetimeve kundër deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë hedhur gaz lotsjellës në një seancë të Kuvendit.

Shkarkohet rektori i Universitetit të Prishtinës Ramadan Zejnullahu

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shkarkuar të mërkurën Ramadan Zejnullahun nga posti i rektorit të UP-së.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryetarja e Bordit të Universitetit të Prishtinës, Shefkije Islamaj.

“Këshilli ka mbajtur mbledhjen me një pikë të rendit të ditës, siç është paraparë. Ka pasur kuorum sipas ligjit dhe statutit. Është votuar dhe me 6 vota është shkarkuar”, ka thënë Islamaj.

Kërkesën për shkarkimin e Zejnullahut e kanë iniciuar senatorët e Universitetit të Prishtinës.

Zejnullahu ka qenë në qendër të kritikave për moszbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për regjistrimin e fëmijëve të kategorive të dala nga lufta në Universitetin e Prishtinës.

Regjistrimi i tyre, sipas Memorandumit, bëhet pa përmbushjen e kritereve të përcaktuara për pranim të rregullt në UP.

Zejnullahu ka thënë se ky memorandum është i paligjshëm.

Këshilli Ekzekutiv miratoi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO – në nëntor vendimi përfundimtar

Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s miratoi kërkesën e Kosovës për pranim në këtë agjenci të Kombeve të Bashkuara. Projektrezoluta e paraqitur në mbledhjen e këtij këshilli të mërkurën pasdite me të cilën rekomandohet pranimi i Kosovës mori 27 vota, ndërsa 14 vende votuan kundër.

Kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO e ka paraqitur zyrtarisht Shqipëria, ndërsa është mbështetur nga 45 vende.

Vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës do të merret në Konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, e cila mbahet nga 3 deri më 18 nëntor.

Konferencën e përgjithshme e përbëjnë 195 vende anëtare dhe secili vend ka një votë, ndërkaq që për marrjen e vendimit nevojiten dy të tretat e votave.

Beogradi kundërshton ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke ngulur këmbë se sic thuhet, kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe çdo rrëmbim i kësaj trashëgimie do të ishte cenim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb”.

 

Lirohet nga akuza djali i Isa Mustafës dhe pesë të tjerë

PRISHTINE – Gjykata Themelore e Ferizajt ka liruar nga akuza gjashtë të pandehur për mashtrim, falsifikim të dokumenteve zyrtare, keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe marrje-dhënie ryshfeti, mes tyre edhe djali i kryeministrit Isa Mustafa.

Gjykata njofton se është konstatuar se veprimet e të pandehurve, nuk përbëjnë vepër penale mashtrimi dhe ndaj tyre është pushuar procedura penale.

Tre të pandehurve tjerë, në mesin e të cilëve edhe Besnik Mustafa, që akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare u është refuzuar akuza, pasi prokurori i shtetit është tërhequr nga akuza gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt”, thuhet në njoftim.

KosovaPress: Përkrahje e paimagjinueshme për Kosovën në UNESCO

Delegacioni i Kosovës i prirë nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, sapo është futur në objektin ku do të mbahet mbledhja e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s.

Pas 30 minutave pritet që Bordi Ekzekutiv i UNESCO-së të votojë për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në këtë agjenci.

Siç raporton KosovaPress nga Parisi, kolegët gazetarë nga mediet ndërkombëtare tregojnë se përkrahja e Kosovës në votimin e sotëm është e paimagjinueshme.

Shtetet anëtare me shumicë kanë lobuar nga mëngjesi i sotëm për të siguruar votat e mjaftueshme për kalimin e Kosovës në fazën finale.

Shpëtimi tek intelektualët e paprekur nga virusi kancerogjen i korrupsionit – Nga FLORIM ZEQA

Zërat e shpresës për LDK-në
Përderisa kërkesat për shkarkimin e kryeministrit Mustafa nga blloku opozitar janë krejtësisht normale dhe të natyrshme për rrethanat e krijuara, zërat që dalin nga LDK-ja për shkarkimin e tij, më duken sa të shëndetshëm po aq të arsyeshëm, për faktin që kanë të bëjnë me ndryshimin substancial në politikbërjen e vendit, e në veqanti për riparimin e dëmeve që i shkaktoi lideri Mustafa kësaj partie me sjelljen e tij diktatoriale në kuvendin e VIII-të zgjedhor,…duke i ulur imazhin partisë shtetformuese me ngulfatjen e frymës rugoviane dhe injorimin e vlerave demokratike në LDK.
Zërat për shkarkimin e “kryministrit” Mustafa mbrenda LDK-së, janë zëra ogurmirë, të shëndosh, të sinqertë që mbjellin shpresë për ndryshime pozitive në vendin tonë, zëra këta, që paralajmërojnë agimin e një dite të re për LDK-në e katandisur nga grupet e interesit.
Nëse analizojmë atë çfarë ka ndodhur në vendin tonë pas zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit të kaluar e deri në ditët e sotme, atëherë me plotë të drejtë përgjegjësia politike adresohet vetëm ndaj kryeminstrit aktual, ngase Isa Mustafa është gjeneratori kryesor i të gjitha këqijave në vend; bllokadave politike, ekzodit masiv të të rinjëve e deri tek kriza e fundit institucionale në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Mirëpo pasojat e ditëve të sotme, si bie fjala; korrupsioni, krimi i organizuar, haraçi, degradimi i sistemit të drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, kulturës e deri tek sistemi energjetik i vendit, për më tepër janë të lidhura me keqqeverisjen shtatvjeqare të PDK-së se sa me qeverisjen kukull të LDK-së.
Përderisa është kështu, atëherë opozita duhet të tregohet më e përgjegjshme në kërkesat e saja, duke e ngarkuar me përgjegjësi të njëjtë politike edhe nënshkruesin e marrveshjes së 19 prillit 2013, zv. kryeministrin e parë të qeverisë, apo siq po i thonë ndryshe mbështetësit e tij, kryediplomatin Hashim Thaçi, i cili na e solli “Zajednicën” nga Brukseli në Kosovë.
Krahas zërave për ndryshime pozitive, ndëgjojmë edhe klidhje ogurzeza mbrenda LDK-së për vazhdimin e së keqës, mbrojtjen e së keqës së madhe me emrin Isa Mustafa!
Isa Mustafa me sejmenët e tij, grupet dhe klanet e interesit të akomoduar në pushtetin aktual janë të gatshëm të rrënojnë çdo gjë dhe çdo vlerë që u del përpara, madje edhe shtetin për të mbrojtur kolltuqet e ngrohta dhe privilegjet e pushtetit !
Të paudhët e LDK-së, për t’u “mbrojtur” nga kërkesat për ndryshime, kanë gjetur formën e mbrojtjes përmes propagandave të stilit titist; “Isa Mustafa ia ka anuluar shumë vendime Hashim Thaçit, andaj mos të ngutemi se krejt gjerat do bien në vendin e vet, aty ku kan qenë,…andaj tani të gjithë pa hezitim duhet ta mbështesim kryeministrin Isa Mustafa” !
Ah, sa do të ishte fat për LDK-në dhe mirë për vendin, sikur “Akademik”  Isa Mustafa të ishte i tillë, sikur të ishte i përmasave të Rektorit Ramadan Zejnullahu, sikur ta kishte integritetit e pastër moral, sikur ta kishte ndërgjegjën dhe sinqeritetin, vullnetin dhe guximin për t’u përballur së paku me fjalët dhe premtimet e dhëna elektoratit rugovian.
Le të dali dikush që e dëshmon vetëm një rast kur Isa Mustafa e ka anuluar një vendim të vetëm, apo që e ka penguar ndonjë veprim të Hashim Thaçit në këto tetë vjetët e fundit,…përkundrazi e ka ndidhmuar në të gjitha veprimet, edhe atëherë kur LDK-ja ishte në opozitë. Sa për ilustrim po i përmendi vetëm disa; marrveshjen për presidenten nga zarfi, përmes të cilës e mbajti Thaçin në pushtet, mbështetja për miratimin e marrveshjes së Thaçit me Daçiqin, të 19 prillit 2013, ligjit për amnistimin e kriminelëve serb, ligjin për demarkacionin, ligjin për trashëgimin kulturore (serbe), etj,…të gjitha këto të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, PDK-ja e Hashim Thaçit ia arriti qëllimit duke përmbushur misionin e saj historik; përmes Isa Mustafës dhe servilëve të tij, arriti ta shkatërrojë në masë të madhe LDK-në rugoviane , e cila tashmë e ka të humbur busollën orientuese, duke rrëshqitur në prehërin e PDK-së.
Në rrethanat e krijuara, kurdo që të mbahen zgjedhjet, LDK-ja rrezikon do të pësojë debakël, madje të përballet me pragun zgjedhor të 5 %-it,…e krejt kjo falë lakmisë për pushtet të liderit të tyre dhe disa shkurtpamësve, servilëve, puthadorëve dhe mjeranëve të LDK-së.
Në zgjedhjet e ardhshme, kur do që të mbahen ato, LDK-ja nuk do të mund ta luajë më rolin e viktimës si më parë, duke e drejtuar gishtin në drejtim të SHIK-ut dhe PDK-së, ngase tani është e ulur këmbëkryq në sofren e tyre,…ata që deri dje bashkëpunonin fshehurazi me kundërshtarët e frymës rugoviane, tashmë  po veprojnë ashiqare dhe pa ju skuqur fytyra fare!
Është e shëndetshme për LDK-në, që ju çjerrën maskat atyre që në njërën anë deklaroheshin kundër keqqeverisjes, kundër kapjes së shtetit, ndërsa në tjetrën pranuan të bëhen pjesë e saj, qoftë edhe me prezencën fizike në kampin pozitar në kuvend,…sikurse që ju çjerrën maskat edhe atyre që thirreshin për ndryshime në LDK, ndërsa tani qendrojnë në heshtje të rreshtuar pas veprimeve antidemokratike një lideri diktatorial.
Nisur nga logjika e thjeshtë, ata që nuk kanë investuar në ndërtimin (themelimin e   LDK-së) e shtëpisë, nuk kanë si të jenë mbrojtësit e saj,…sikurse që nuk ishin asnjëherë kultivues të frymës rugoviane, por vetëm shkatërrues të saj, siq ndodhi në Kuvendin e VIII-të zgjedhor të 31 majit 2015, kur lideri diktaorial me sejmenët e tij vepruan në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe parimet demokratike, duke ngulfatur frymën rugoviane, shprehjen e vullnetit të lirë, duke i lënë prapa dyerëve të kuvendit zgjedhor dy degët më të fuqishme të LDK-së në Diasporë (Zvicër dhe Gjermani).
Për fat të mirë, tashmë elektorati ka filluar ta kuptojë misionin e Isa Mustafës, madje edhe disa nga mbështetësit e deridjeshëm të tij,…se ai kishte ardhur në krye të LDK-së me mision për ta shkatërruar dhe varrosur përfundimisht filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës.
Andaj qendrimi i mëtutjeshëm i Isa Mustafës në kreun e LDK-së, paraqet fyerje të rëndë për elektoratin rugovian,…përeqse kërcënon me ndarje të re, rrezikon shpërbërjen totale të LDK-së.
Sikurse qendrimi i Isa Mustafës në krye të LDK-së që e rrezikon të ardhmën e këtij subjekti politik, ashtu edhe bashkeqeverisja e LDK-së me uzurpatorët e shtetit e rrezikon të ardhmën e vendit, i zgjatë jetën krimit dhe korrupsionit, rritë  varfërinë dhe mjerimin social në vend.
Shpëtimi i LDK-së, mbetët vetëm tek intelektualët e paprekur nga virusi kancerogjen i korrupsionit dhe krimit të organizuar, që nuk kanë bashkëpunuar asnjëherë me strukturat e SHIK-ut, UDB-së apo organizatave tjera antishqiptare, tek gjeneratat e reja të botës akademike dhe shkencore, tek analistët dhe gazetarët e pastër (jo lakmiqar të pushteteve), aktivist dhe veprimtar që i kanë shërbyer LDK-së me devotshmëri dhe besnikëri, pa u ndalur për asnjë moment për një çerekshekulli rresht

BE pritet të nënshkruajë MSA-në me Kosovën

Pritet që Bashkimi Evropian ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën javën e ardhshme, duke e hapur rrugën për integrim të Kosovës në bllokun e 28 vendeve evropiane, kanë thënë mbrëmë zyrtarët.

Ky veprim, që po ashtu shihet si ndihmesë për afrimin e mëtejmë të Serbisë me BE-në, mund të shkaktojë shqetësim në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, që kanë probleme me lëvizjet e brendshme separatiste.

Spanja, Qiproja, Rumania, Greqia dhe Sllovakia, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.

Por, kjo nuk i ka parandaluar ato që në të kaluarën ta japin autorizimin e tyre për fillimin e negociatave të BE-së me Kosovën, që ka ndihmuar në uljen e tensioneve nacionaliste në Ballkan.

Kosova i ka përfunduar bisedimet me BE-në për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, në korrik të vitit 2014, që paraqet një hap në rrugën kah anëtarësimi në Bashkimin Evropian, që mund të bartë me vete përfitime ekonomike.

Zyrtarët thanë se përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Federica Mogherini, dhe Johannes Hahn, komisionar për politikën evropiane të fqinjësisë dhe për negociata për zgjerim, javën e ardhshme do ta nënshkruajnë MSA-në me Kosovën, thanë zyrtarët.

Ajo do të bëhet fuqiplotë vitin e ardhshëm.

“Nënshkrimi i marrëveshjes do ta riforcoj perspektivën evropiane të Kosovës dhe do dë të ndihmoj në stabilizimin e brendshëm”, tha një zyrtar i BE-së.

Ambasada amerikane përkrah Jahjagën për të kultivuar dialogun politik

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë se përkrah fuqimisht përpjekjet e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, “për të kultivuar dialogun politik mes partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.”

Përmes një njoftim të lëshuar nga ambasada amerikane në Prishtinë u apelohet partive politike në Kosovë “që të heqin dorë nga çfarëdo kërcënimi me dhunë që është edhe i paligjshëm, edhe i papërputhshëm me një shtet modern demokratik.“

“Kuvendi është institucioni më i rëndësishëm i Kosovës dhe funksioni i tij është jetik për demokracinë, përparimin, dhe sigurinë e Kosovës. Vetëm një Kuvend që funksionon mund të debatojë dhe miratojë masat që nevojiten për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës dhe për të siguruar që Kosova vazhdon rrugëtimin e saj drejt integrimit Euro-Atlantik,” thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-së.


Send this to a friend