Gazetari Lutfi Dervishi ka reaguar në Facebook pas ndërprerjes së sinjalit të News24 dhe rrethimit të godinës së saj nga policia në orët e para të mëngjesit.
Ai përshkruan me shqetësim pamjen e ekranit të kanalit pas heqjes së sinjalit, ku sot shfaqen vetëm shiritat vertikalë me ngjyra provash.
Në reagimin e tij, Dervishi ngre pyetje mbi ligjshmërinë dhe arsyet e këtij veprimi, duke theksuar se ndërprerja e transmetimit dhe pengimi i punës së gazetarëve nuk përbëjnë thjesht një problem teknik, por përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Reagimi i Dervishit:
Policia fik sinjalin e News24!
Në vend të lajmeve, ekrani i News24 sot shfaq vetëm shiritat vertikalë me ngjyra prove, të bardhë, të verdhë, blu të çelët, jeshile, rozë, të kuqe, blu të errët dhe të zezë në të dy anët. Kjo pamje që dikur tregonte mungesën e sinjalit televiziv sot është simbol i heshtjes së imponuar.
Policia ka rrethuar News24 në orët e para të mëngjesit dhe ka bllokuar punën e gazetarëve të News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Në mungesë të informacionit për këtë ngjarje të pazakontë ka më shumë pyetje se përgjigje:
Kush ka dhënë urdhrin për rrethimin e godinës së News24?
Cili ishte motivi zyrtar për ndërprerjen e sinjalit të transmetimit?
Pse nuk u dha asnjë paralajmërim para ndërhyrjes?
A janë ndjekur procedurat ligjore për një veprim të tillë ndaj një medie?
A ka vendim gjykate?
Cilat janë provat ose arsyet që justifikojnë këtë veprim ekstrem?
Nëse është çështje kontrate (qiraje) a i është dhënë koha e nevojshme medias për të gjetur ambiente të tjera?
A ka pasur komunikim paraprak?
Kush mban përgjegjësi për pengimin e gazetarëve në vendin e punës?
A është marrë parasysh dëmi i menjëhershëm që i shkaktohet publikut, duke e privuar nga informacioni?
Si garantohen të drejtat kushtetuese për informim dhe liri shtypi kur policia ndalon gazetarët të ushtrojnë detyrën ?
Kur mbyllet një media, nuk humb vetëm ajo humbet e drejta jote për t’u informuar. Sot është News24, nesër mund të jetë zëri yt. Heshtja nuk është neutralitet, është zgjedhje.