Vëllai dëshmor
s’ishte Konstandini,
të ngrihej nga varri
e t’i shkonte vëllait në qeli,
Edhe fantazëm të ishte
do e ndalonin gardianët t’i bënte shoqëri.
.
Ishin në një llogore dhe i vunë përballë,
ishin për prishjen e gjerdheve
ata ngritën mure,
Kujtuan se ishte koha e kreshnikëve,
por kush guxonte:
shtonte numrin e të zhdukurve.
.
Vëllai i persekutuar
me të dalë nga burgu
i shkoi vëllait dëshmor tek varri,
Ishte si të ktheheshe tek bariu
kur qe i shënuar për tek kasapi.
.
Njëri u vra në lule të rinisë
tjetri rininë e kaloi në burg,
Ndërsa e dashura pranoi të merrte
si kompesim: një tjetër burrë.
Ishte ai,
që të gjitha fotot
i bënte në lulishten e qytetit,
Ai që njërin vëlla
e çoi para togës së pushkatimit
dhe tjetrin pas hekurave të ferrit.
.
-Erdha të shmallem
aq sa i gjalli mundet,
sa shumë kam për të thënë,
por i dënuar të flas me të vdekurit,
Ne që i shërbyem pa hile atdheut
na vuri përposhtë ai,
që në të gjitha kohërat
shpërblehet me tituj nderi?!
.
Doja Shqipërinë që ti ëndërroje
por ajo që shihja ishte tjetër gjë,
dhe në emrin tënd reagova unë,
Kështu që në poezitë që shkruaja
ishte ideali yt,
por ata me Stalinin m’u kundërvunë!!
.
Në fillim vidhet fitorja,
që kish dhe emrin tënd,
Më pas u përvetësua merita
ndër ta dhe e imja
Dhe në fund grabitej pushteti
që ishte i yni,
Dhe për t’na poshtëruar,
doli në skenë prapë spiuni.
.
Të tjerë me një dëshmor bënin namin,
merrnin ofiqe,
dilnin në tribuna,
merrnin autorizime,
Ndërsa ti vleje më pak
nga një fuks
apo nga ai që shkruante letra anonime.
Unë isha turpi yt
tani duhet t’më vijë mua zor prej teje?!
Se cilët jemi ne
përherë do e thonë
ca vemje.
.
Jetën e dhe për atdheun
mos unë duhet të vritem për tokat e babait,
grabitur me letra të falsifikuara?!
Dhe zot i tyre po dihet
ai që të shiti ty dhe mua.
Por më të neveritshëm janë ata
që na e qajnë hallin në postmortum,
Që u bënë me kundërshtarët,
kur injoroheshe ti
dhe vuaja unë…
.
Fatbardh Amursi