Një shkrim i vitit 1993 në gazetën “Zëri i Rinisë” është bërë shkak i një replike të ashpër nga autori i tij shkrimi, Aurel Plasari ndaj gazetarit amerikan, Fred Abrahams, i cili së fundmi ka prezantuar librin e tij mbi trazirat e vitit 1997 “Shqipëria e Re”.
Reagimi i Plasarit vjen pasi në libër, Abrahams shkruan se, Plasari në vitin 1993, zv.dekan, “shkroi një artikull therës në gazetën ‘Zëri Rinisë’, ish-organ i rinisë komuniste. “Më mirë do të kisha dashur të rripja një qen të ngordhur se sa t’u shpjegoja rregullat e universitetit të huajve që e konsiderojnë Shqipërinë si Zululand”.
Plasari e quan gazetarin amerikan “këlysh të Sorosit” dhe fton të lexojmë shkrimin për të cililin bëhet fjalë.
“Një këlysh i multimiliarderit George Soros, ish-mashtrues i dikurshëm amerikan Abërham a Abërhim i sponsorizuar me paratë e dallaveraxhiut ndërkombëtar, shfaqet përsëri në Shqipëri si autor libri për të na dhënë “mësime demokracie” ! Vallë të ketë ndryshuar mbas kaq vitesh ?! Mua ma mbajtkësh mend edhe emrin, fundja siç ia mbaj mend edhe unë vëthin te veshi. I paskam bërë “copë” në gazetë, thotë! Pak u kam bërë, sepse kanë merituar më shumë së toku me pagatorin e tyre. Që të mos harrohen punët dhe të mjegullohen me “mësimet e demokracisë”, ja nga “Zëri i rinisë” 1993 një mundësi për të rilexuar se me ç’mashtruesa të Sorosit kemi pasur të bënim në ato vite dhe se për çfarë i ka pas bërë “copë” Aurel Plasari”, shkruan ai.

Pjesë nga libri “Shqipëria e Re”, ku përmendet Aurel Plasari
Shkrimi i Plasarit në gazetën “Zëri i Rinisë” në vitin 1993 për Abrahams
TRE AMERIKANË NË NJË FAKULTET
(Pa llogaritur qenin)
Sqarim për gazetat “Studenti” dhe “Zëri i rinisë” lidhur me një akt keqinformimi të përhapur prej tre qytetarësh të huaj në shtypin shqiptar
Në kohën tek ndodhesha jashtë Shqipërisë, në një veprimtari shkencore ndërkombëtare, mësova se emri im qenkësh zënë ngoje në një deklaratë tre qytetarësh të huaj të quajtur “gazetarë”. E kuptoj inferioritetin e asaj pjese shtypi shqiptar, i cili mezi pret të shumëfishojë edhe deklarata qiripupësh të përbotshëm, ndërkohë që shtypi amerikan, tradicionalisht mezi ka gjetur vend për burrat e shtetit shqiptar.
Gjithsesi, lexuesit të kësaj pjese të masmedias, që mund të ushqehet ende me iluzionin se kultura dhe arsimi i një kombi bëhen me letrën e cilësisë së tretë shitur rrugëve për 8 lekë, do të doja t’i bëja me dije se tre amerikanët në fjalë kanë dëshmuar edhe mungesën e edukatës fillestare përderisa në deklaratën e tyre nuk shprehin as mirënjohjen që u pranuan në pritje, simbas kërkesës së tyre, prej dy zëvendësdekanëve të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, prej kolegut tim, Dr. Shezai Rrokaj dhe meje. Sepse unë, fjala vjen, mund të kisha parapëlqyer t’i përkushtohesha rrjepjes së ndonjë qeni të cofur sesa t’u shkoqisja Rregulloren e Universitetit atyre të huajve që Shqipërinë e pandehin ende për Zululand. Boll të kujtoj se tre qytetarët amerikanë i janë paraqitur Fakultetit një herë si pedagogë (prej tyre vetë: “paraqesim kërkesën tonë për t’u dhënë mësim studentëve”), një herë si studentë (prej një “zëvendësdekani” amerikan që mban të njëjtin mbiemër me të zonjushave Salivan, pra, John B. Salivan: “are students at Columbia University’s School of…”), një herë si gazetarë (prej drejtorit të një Fondacioni: “three American journalists”), së fundi si “njerëz energjikë” (prej një përfaqësuesi të FMN-së: “three energic people”) shkurt, sipas Jeromme Jeromme-it: tre amerikanë në fakultet (pa llogaritur qenin).
Nuk e di cili drejtues fakulteti, me mendtë në kokë, do të guxonte të ishte aq i papërgjegjshëm sa t’ua besonte studentët kësi “pedagogëve”! Por edhe sikur këta zotërinj të paskëshin qenë profesorë me mjekra e me përvojë anekënd universiteteve të planetit tonë, nuk besoj të jemi përdhosur deri në atë pikë sa të harrojmë se atributin e përzgjedhjes së tyre për të dhënë ose jo mësim në fakultetet e universiteteve shqiptare e kanë vetëm rektoratet dhe dekanatet përkatëse, dhe as qytetarët amerikanë a marsianë qofshin, as ambasadorët apo drejtuesit e emisioneve të radiove të huaja, as përfaqësuesit e FMN-së a të cilitdo Fondacion, aq më pak ndonjë gazetar spitullaq, të cilin për vete nuk e kanë qasur te pragu i universitetit.
Nuk e di sa vetë ka në Shqipëri që mund të ngashërehen nga përfytyrime me “dëbime amerikanësh”, të cilat të përkujtuakan mjerimin e UNRRA-s! Ngase tre
amerikanët në fjalë nuk i ka ftuar as Fakulteti i Historisë e i Filologjisë, as Universiteti i Tiranës, e aq më pak Aurel Plasari, i cili për herë të parë i ndesh, atëherë këta bëjnë mirë ta kthjellojnë si duhet se kush i dëboi. Me sa dimë, ata i ka ftuar dhe sponsorizuar një aksh Fondacion, ndaj dhe atij i takon t’i dëbojë, t’i ftojë për së dyti, t’i dëbojë përsëri e kështu me radhë. Mbasi për ne europianët, së paku qysh prej Descartes-it e këndej, në fillim duhet ta kesh futur diçka, pa ta qisësh; pra edhe duhet ta kesh pranuar dikë, pa ta dëbosh. Ah, në qoftë se tre amerikanët në fjalë (pa llogaritur qenin) kanë tjetër sistem të arsyetuari, punë e tyre! Nuk na bie neve t’u mësojmë as atyre e as qenit parimet karteziane.
Përndryshe, duke pasur një përvojë jomodeste në punët e shtypit shqiptar, personalisht nuk do t’i pranoja as për rojtarë të derës së redaksisë të sipërpërmendurit, të cilët me këtë akt keqinformimi mund ta shpallin veten edhe si rrugaçë gazetarie. Jam i detyruar të kujtoj se ndonjë gazetë, e cila brengoset kaq dhimbshëm për mospunësimin e tyre, harron të drejtën që ka për t’i marrë ajo vetë në punë, po t’i vijë për mbroth. Kjo do të ishte përnjëmend demokratike.
Me vëmendje dhe gatishmëri për sqarime të mëtejshme
Aurel Plasari
“Zëri i rinisë”, 19 nëntor 1993
Komentet