Rijks Museum Amsterdam është galeria kombëtare e arteve të bukura të Hollandës me 8000 objekte të ekspozuara nga një koleksion mbi 800-vjeçar prej 1 milion objektesh të mbledhura nga viti 1200 deri në vitin 2000.
Në katin e parë, në sallën e quajtur “Voorhal” (“Salla ballore”) janë ekspozuar disa nga kryeveprat e mjeshtrave të mëdhenj holandezë, si autoportreti i Rembrandit, autoportreti i Van Gogut, piktura të Frans Hals-it dhe të nxënësit të Rembrandit Johannes Vermeer, të mjeshtrit të madh të peisazheve detare Hendrik Willem Mesdag (kryevepra e të cilit është piktura cilindrike “Panorama Mesdag” 14 m e lartë dhe perimetër 120 m), pikturat e famëshme “Cimon dhe Pero” e nxënësit të Rembrandit Willem Drost dhe “Mjellma e kërcënuar” e Jan Asselijn-it, etj.
Në katin e dytë – në “Galerinë e Nderit” të këtij muzeumi është ekspozuar kryevepra e famëshme e Rembrandit “Rojet e natës”. Përball kësaj pikture me famë botërore është varur një pikturë tjetër e famëshme me përmasa të mëdha “Beteja e Vaterlosë” e piktorit Jan Willem Pieneman.
Pikërisht në krah të tablosë së Pieneman-it, në anën e djathtë të “Galerisë së Nderit”, është një sallon me veprat e piktorit franko-flamand të gjysmës së parë të shekullit XVIII Jean-Baptiste Vanmour (1671-1737). Ai është i nohur për portretizimin e hollësishëm të jetës në Perndorinë Osmane gjatë të ashtuquajturës “Epoka e Tulipanëve” dhe sundimit të Sulltan Ahmetit III.
Salloni 15/3 ku janë ekspozuar pikturat e Van Mour-it.
Rijks Museum u inaugurua më 1888 dhe në fillim të shekullit XX pjesa mw e madhe e pikturave të Van Mour-it u mblodhën dhe u ekspozuan në këtë muzeum të madh kombëtar të Hollandës. Me interes të veçantë për ne shqiptarët janë 6 piktura me temë shqiptare nga ky koleksion i Van Mour-it, të cilat gjënden të ekspozuara në këtë sallon qysh më 1903. Këto piktura janë të regjistruara në katalogun e atij viti prej 67 pikturash të Van Mour-it në Rijks Museum me numrat 2395, 2396, 2414, 2424, 2425 dhe 2426. Pikturat e ekspozuara shoqërohen me diçiturat përkatëse në hollandisht dhe anglisht. Sipas shpjegimit të këyre diçiturave, katër nga këto piktura paraqesin: 1. Një bari shqiptar; 2. Një luftëtar shqiptar; 3. Një detar shqiptar; dhe 4. Një grua shqiptare të bregdetit. Piktura e pestë dhe më e bukura, me përmasa të mëdha (120 x 90 cm), të varur në anën e djathtë të hyrjes së sallonit portretizon shqiptarin Halil Patrona me shpatë në dorë dhe shprehje triumfatori, kur ai udhëhoqi me sukses një kryengritje popullore, rrëzoi nga froni një sulltan (Sulltan Ahmetin III), duke i dhënë fund “Epokës së Tulipanëve”, dhe u bë zot absolut i Stambollit për rreth 2 muaj.
Tabloja tjetër, me përmasa 101 x 15.5 cm, e varur në anën e majtë të hyrjes në sallon, paraqet vrasjen me tradhëti të Halil Patronas dhe jeniçerëve të tij besnikë nga Sulltan Mahmuti I, nipi i sulltanit të rrëzuar.
Ndonëse i kisha gjetur në internet këto 6 piktura me motive shqiptare dhe kisha shkruar për ato në shtypin shqiptar, kisha dëshirë dhe interes të veçantë të shkoja në Rijks Museum Amsterdam dhe t’i gjeja vetë këto piktura të ekspozuara atje, aq më tepër që të paktën dy prej tyre kishin të bënin direkt me historinë e trimit të famshëm shqiptar Halil Patrona. Me 22 gusht 2022 e vizitova muzeumin në Amsterdam dhe, thuajse me ngazëllim fëminor, … I GJETA! I gjeta 6 pikturat me motive shqiptare të Jean-Baptiste Van Mour-it, njërit prej piktorëve më të shquar europjanë të shekullit XVIII, i cili mund të jetë piktori i parë europjano-perëndimor që ka pikturuar portrete dhe kostume shqiptare në fillim të shekullit XVIII.
Ja tabloja me trimin shqiptar Halil Patrona, zëvendësin e tij, pemëshitsin Muslu Beşe, dhe flamurtarin Emir Ali kafexhiu (në të djathtë të hyrjes në sallon).Ja dhe tabloja tjetër në anën e majtë të hyrjes në sallonin e pikturave të Van Mour-it, piktura që tregon vrasjen e pabesë të Halil Patronas (duke u rrëzuar, në anën e djathtë të tablosë).
Pastaj vijnë të radhitura në vazhdim katër pikturat e tjera të ekspozuara në atë sallon me shpjegime në hollandisht dhe anglisht:
1. Woman from the Albanian coast (1700-1737) [Grua shqiptare nga bregdeti].
2. Man van de Albanese kust (Man from the Albanian coast, 1700-1737)Albanian solder, Arnaout [Burrë nga bregdeti shqiptar, luftëtar shqiptar]
4. Een Albanese Zeeman (An Albanian Seaman) [Një marinar shqiptar]
Van Mour-i kishte lindur më 9 janar 1731 në Valenciennes, një qytet flamand i cili në atë kohë i takonte Hollandës Spanjolle. Van Mour-i studjoi për artet e bukura në Paris dhe pikturat e tij qysh në fillim tërhoqën vëmendjen e Markezit Charles de Ferriol me të cilin u miqësua dhe e shoqëroi në Stamboll kur markezi u emërua ambasador i Francës më 1699. Atje De Feriol-i e autorizoi të bënte për të njëqind piktura vaji të portreteve dhe kostumeve të kombësive të ndryshme të Ballkanit dhe Orientit që jetonin mbrenda Perandorisë Osmane, si shqiptarë, armenë, grekë, serbë, bullgarë, persianë, hungarezë, indianë, arabë. çifutë, vllehë, tartarë, persianë dhe maurë, si dhe diplomatë e tregtarë të Europës Perëndimore, etj. Përveç këtyre, Vanmour-i pikturoi skena të dasmave dhe funeraleve turke, vallëzimit të dervishëve vetrrotullues, skena të haremit, të audiencave diplomatike të sulltanit dhe skenave të tjera të jetës së përditshme në kryeqytetin otoman. [Ai kishte miqësi edhe me piktorin e shquar francez Jean Antoine Watteau (1684-1721), gjithashtu i lindur në Valenciennes.]
Pasi De Ferriol-i u kthye në Francë më 1711, Van Mour-i vazhdoi të punonte në Stamboll për disa diplomatë të tjerë atje. Ndërkohë u krijua një seri me 102 gravura, të gdhëndura nga një grup gravuristësh francezë (Gérard dhe J.B. Scotin, P. Simonneau, C.N. Cochin, C. Du Bosc, P. de Rochefort, J. Haaussard, dhe J. de Franssieres), sipas portreteve të Van Mour-it që ai i kishte bërë në natyrë gjatë viteve 1707-1708. Këto gravura u botuan në formë libri më 1714 në Paris nën kujdesin e De-Ferriol-it dhe piktorit francez Jacques Le Hay, të shoqëruara me tekst frëngjisht, me titullin e gjatë “Recueil de cent estampes représentant différentes nations du Levant”(“Koleksion i njëqind gravurave që paraqesin kombe të ndryshëm të Levantit”). Bashkangjitur është edhe një faqe (f. 103) me notat e një melodie të dervishëve rrotullues. Në këtë seri gravurash, krahas burrave të kombësive, profesioneve dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë, paraqiten shumë portrete grashë në mjedise publike dhe private.
Ky libër me gravura u botua të paktën në 5 gjuhë dhe pati shumë sukses në Europën Perëndimore duke e rritur famën dhe prestigjin e piktorit Van Mour.
Diplomati i shquar hollandez Cornelis Calkoen, njeri me kulturë të gjërë dhe me prejardhje nga një familje shumë e pasur që bënte tregti me vendet e Levantit, u caktua Ambasador në Perandorinë Osmane në moshën 30-vjeçare dhe shkoi ne Stamboll në shtator 1726. Atje ai u miqësua shpejt me Van Mour-in dhe pas 3-4 muajve i kërkoi piktorit që të hidhte në telajo audiencën e tij me Sulltan Ahmetin III. Van Mour-i, i cili kishte bërë më parë portretin e sulltanit, ministrave dhe pashallarëve të tij, lejohej të hynte në pallatin e sulltanit gjatë këtyre ceremonive për të shoqëruar anbasadorin dhe shpurën e tij. Kështu që ai ishte i njohur me protokollin që zbatohej në pallatin mbretror për pritjet e ambasadorëve. Ai bëri disa tablo të ambasadorit Calkoen në këto pritje ceremoniale pompoze. Dy nga këto tablo i pashë të ekspozuara në sallonin e Van Mour-it në Rijks Museum. Kur Calkoen-i e përfundoi shërbimin diplomatik në Stamboll dhe u emërua ambasador i Republikës së Hollandës në Dresden, ai mori me vete shumë piktura të Van Mour-it. Pas vdekjes së Calkoen-it, koleksioni i pikturave të Van Mour-it u shpërnda andej-këtej nga trashëgimtarët e tij, derisa ato u mblodhën dhe u përfshin në koleksionin kombëtar dhe shumë nga këto janë të ekspozuara në Rijks Museum.
Pas një qëndrimi dhe veprimtarie të dëndur artistike 37-vjeçare në Stamboll, Jean Baptiste Van Mour-i vdiq atje me 22 janar 1737 dhe u varros në varrezat katolike në Gallata. Ai ishte dëshmitar okular i ngjarjeve të stuhishme të Stambollit në shtator-nëntor 1730 dhe i shumë ngjarjeve e veprimtarive të tjera në kryeqytetin turk, të cilat i hodhi në telajo dhe i përjetësoi në pikturat e tij.
Shqiptari Halil Patrona, me pantallona të gjelbërta dhe qylaf e kaftan të kuq, me shpatën zhveshur dhe shprehje fitimtari, udhëheq me sukses revoltën popullore në Stamboll. Në anën e djathtë të tablosë është zëvendwsi i tij, pemëshitësi Muslu Beşe dhe flamurtari Emir Ali kafexhiu. (J.B. Vanmour).
Doktor Henry Holland, miku i Lord Bajronit dhe i Ali Pashë Tepelenës, është ndoshta studjuesi i parë anglez që tregon për historinë interesante të shqiptarit Halil Patrona, në veprën e tij madhore me 551 faqe“Udhëtime në Ishujt Jonianë, Shqipëri, Thesali, Maqedoni, etj. (1812-1813)” (botuar në Londër më 1815). Në Kapitullin VI të veprës së tij Doktor Hollandi vendos një shpjegim në fund të faqes 102, ku jep si shembull të trimërisë së shqiptarëve historinë e Halil Patronës, të cilën ai e kishte lexuar në një libër udhëtimesh të një lordi anglez, botuar në Londër më 1799: “The revolution effected at Constantinople in 1730, by the agency of an Albanian called Ghalil, or Patrona, is well known from the accurate narrative of Lord Sandwich, This Albanian, for a considerable time was absolute master of Constantinople.” (“Revolucioni që u bë në Konstandinopojë më 1730, i organizuar nga një shqiptar i quajtur Ghalil ose Patrona, është i mirënjohur nga përshkrimi i saktë i Lordit Sandwich.[1] Ky shqiptar u bë zot absolut i Konstandinopojës për një kohë të konsiderueshme”).
Po kush ishte ky Halil Patrona që pushtoi Stambollin, tronditi Anadollin dhe rrëzoi një sulltan nga froni?
Halil Patrona, të cilin e përmend Doktor Hollandi në veprën e tij, ishte një ish-marinar shqiptar që kishte lindur në një familje të thjeshtë shqiptare në fshatin e vogël Krupishtë/Horpishtë[2] të vilajetit të Monastirit rreth vitit 1690. Ai njihej nga turqit si Arnaut Halil Horpeshteliu, sipas vendlidjes dhe etnicitetit, por bashkatdhetarët e tij shqiptarë e thërrisnin ‘Patrona’ që do të thotë ‘nën-admiral’. Sipas vendlindjes dhe origjinës shqiptare mund ta quajmë Halil Krupishta. Sipas përshkrimit të kontit anglez John Montagu, Halil Horpeshteliu u njoh me nofkën “Patrona” sepse kishte shërbyer si marinar në anijen e nënadmiralit otoman (Patrona), ku organizoi një revoltë, e cila u shtyp dhe ai u fsheh për disa kohë. Pastaj shkoi në Stamboll. Ku arriti të bëhet jeniçer dhe, pasi mori pjesë në revoltën e jeniçerëve në Nish dhe udhëhoqi një tjetër në Vidin më 1620, u vendos me banim të përhershëm në Stamboll. Punoi për disa kohë si shitës ambulant dhe kujdestar i një hamami që frekuentohej nga jeniçerë, miq të Halilit.
Më 28 shtator 1730 në Stamboll nisën trazirat për të rrëzuar Sulltan Ahmetin III. Kjo kryengritje hyri në historinë moderne të Turqisë si “Kryengritja e Halil Patronas”. Sulltan Ahmeti III kishte ngjallur pakënaqësi në masat e gjëra të popullit me disa reforma gjoja modernizuese të perandorisë dhe me pompozitetin, luksin e qejfet e shfrenuara ku ishin zhytur ai dhe oficerët e lartë kryesorë. Ai kishte krijuar familjen më të madhe perandorake në historinë e Perandorisë Osmane: ai kishte të paktën 21 gra, të paktën 21 djem dhe të paktën 36 vajza.
Halil Krupishta/Patrona u vu në krye të kësaj kryengritjeje të gjërë popullore që përfundoi me sukses mbrenda 4 ditëve. Ai e detyroi Sulltan Ahmetin III të ekzekutonte tre pashallarë të lartë – nipin e tij, Vezirin e Madh apo kryeministrin Ibrahim Pasha dhe dy nipat e tij, të zbriste vetë nga froni dhe të hipte në fron si pasardhës nipin e tij, Sulltan Mahmutin I. Për rreth 2 muaj Halil Patrona zotëroi pushtet absolut në Stamboll. Ndonwse sulltani i ri Mahmuti I mori masa të rrepta, revoltat vazhduan për më shumë se një vit. Më në fund, revolta u shtyp dhe me 24 nëntor 1731, Mahmuti I e vrau pabesisht Halil Patronën bashkë me 25 shoqërues të tij.
Revolta e udhëhequr nga shqiptari Halil Patrona, trimëria e tij dhe vrasja e tij me tradhti bënë bujë në të gjithë Europën. Për të u bënë shumë shkrime në të gjitha gjuhët kryesore europjane, u bënë piktura e gravura dhe u botuan romane e tregime. Bile u bënë edhe 2 filma turk: një film televiziv me 20 seri me titull “Bir Zamanlar Osmanli” (Dikur Osmanlijtë) që u shfaq gjatë vitit 2012, ku rolin e Halil Patronas e interpreton aktori e muzikanti Nuri Firat Taniş, dhe një film me tirazh të plotë në vitin 2013 me titull “Osmanli’da Derin Devlet” (‘Derin Devlet-i’[3] në Turqi), ku rolin e Halil Patronas e luan aktori i njohur i serialeve turke Devrim Saltoǧlu.
Historiani dhe linguisti anglez Robert Nisbet Bain (1854-1909), poliglot i shkëlqyer i mbi 20 gjuhëve, përktheu nga hungarishtja në anglisht romanin historik të romancierit të famshëm hungarez Mor Jokai mbi jetën e Ali Pashë Tepelenës “Luani i Janinës” dhe tregimin për shqiptarin që pushtoi Stambollin për 8 javë dhe rrëzoi nga froni Sulltan Ahmetin III, të titulluar “Halil Patrona” ose “Trëndafili i bardhë”.
Më 24 shkurt 2015 Epidamn Zeqo, djali i dijetarit poliedrik e poetit të shquar Moikom Zeqo, botoi në anglisht në revistën dymujore NEE (New Eastern Europe) shkrimin “The Albanian Paintings of Ambassador Calkoen” (“Pikturat shqiptare të ambasadorit Calkoen”). Ai shkruan se Van Mour-i bëri rreth 65 piktura, dhjetë nga të cilat janë me motive shqiptare, të cilat i mblodhi në pronësi të tij ambasadori hollandez Cornelis Calkoen. Në këtë shkrim E. Zeqo përmend 4 piktura me motive shqiptare: dy pikturat e Halil Patronas, portretin e luftëtarit shqiptar dhe të bariut shqiptar, por në shkrimin e tij janë të publikuara vetëm dy portretet e fundit. Ka dhe një pikturë të tretë të Van Mour-it, në fillim të shkrimit, e cila paraqet ambasadorin hollandez Cornelis Calkoen me shpurën e tij në “audiencë me sultan Ahmetin III”.
Bibliografia
John Montagu, 4th Earl of Sandwich-it (1718-1792), “A Voyage Performed by the Late Earl of Sandwich Round the Mediterranean in the Years 1738 and 1739”, London: Printed for T. Cadell jun. and W. Davies, 1799. (539 faqe).
Zeqo, Epidamn, “The Albanian Paintings of Ambassador Calkoen”, NEE (New East European) Magazine, February 24, 2015
[Van Mour, Jean Baptiste], “Recueil de cent estampes représentant les different nations du Levant, tirées sur les tableaux peints d’après Nature en 1707, et 1708 par les Ordres de Mr. de Ferriol ambassadeur du Roi a la Porte…”, Paris, 1714.
==============
[1]John Montagu, Konti IV i Sandwich-it (1718-1792), “A Voyage Performed by the Late Earl of Sandwich Round the Mediterranean in the Years 1738 and 1739”, London: Printed for T. Cadell jun. and W. Davies, 1799. (539 faqe) [“Lundrim rretheqark Mesdheut në vitet 1738-1739”]. Historia e Halil Patronas shtjellohet në 60 faqe (f. 225-284).
[2]Fshati Krupishtë tani bën pjesë në komunën e Karbincit të Maqedonisë Veriore.
[3]“Derin Devlet” fjalë për fjalë në turqisht do të thotë ‘shtet i thellë’ dhe në Turqi thuhet se përfaqëson një grup të fuqishëm koalicionesh anti-demokratike të ushtarakëve, agjensive të sigurisë, juristëve dhe mafias mbrenda strukturës politike turke.
Piktori Gazmend Freitag ka realizuar dy punime kushtuar Musine Kokalarit, shkrimtares së njohur shqiptare dhe disidentes politike antikomuniste.
Musine Kokalari u lind më 10 Shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë në gjirin e një familjeje Gjirokastrite patriotike e të etur për dije. Më 1920, së bashku me familjen u kthye në Gjirokastër. Si fëmija më i vogël i familjes, Musineja u trajtua me një dashuri e përkujdes të veçantë. Që në moshë të re, Musineja tregoi një pasion të veçantë për letërsinë në përgjithësi dhe për folklorin kombëtar në veçanti. Pasionin e saj e kultivoi veçanërisht përmes librarisë “Venus” që i vëllai i saj Vesim Kokalari zotëronte në Tiranë në mes të viteve ’30. Në periudhën 1930-1937 u shkollua në Tiranë, fillimisht në institutin “Qiriazi” e më pas në institutin e ciklit të mesëm “Nëna Mbretëreshë”.
Duke u parë si një kërcënim për regjimin totalitar, Musine Kokalari u dënua me 25 vjet burgim (nga të cilat 16 vite i kaloi në burg) si dhe me persekutim të përjetshëm. Gjatë kohës së burgut, iu nënshtrua torturave të tmerrshme e nga më të ndryshme të regjimit. Sidoqoftë, edhe torturat e vazhdueshme nuk ia ndryshuan pikëpamjet, idetë progresiste dhe qëndrimin e lartë moral. Më 1962, Musineja u transferua nga ambientet e burgut në internim në Rrëshen. Këtu u detyrua të punojë në punë të rënda ndërtimi, në kushte shumë të vështira e nën vëzhgimin e rreptë të agjentëve të sigurimit. Përndjekja e vazhdueshme dhe mungesa e kushteve më minimale ndikoi drejtpërdrejtë në aktivitetin letrar të Musinesë që u ndërpre në mënyrë brutale. Vetëm në vitin 1972, Musine Kokalari arriti të përfundonte në fshehtësi një libër të saj të titulluar “Si lindi Partia Social Demokrate” ku ajo shpjegon pikëpamjet e saj anti-komuniste dhe shpjegon alternativën e saj progresiste e demokratike. Arriti t’a ruante këtë vepër përmes një serie shkrimesh që ia dërgoi nipit të saj, Platon Kokalari nën tematikën “Të shpëtojmë sa të mundim nga vlerat morale”. Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer të gjirit dhe ashtu e sëmurë u refuzua e u la pa u kuruar nga trupat spitalore. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekjen komuniste i shkaktuan vdekjen në Gusht të vitit 1983. Izolimi i plotë gjatë përndjekjes i mohoi Shqiptarëve një sërë veprash që do të mund të ishin krijuar dhe publikuar nga vetë Musine Kokalari në kushte të tjera më të favorshme. Musine Kokalari përfaqëson disidenten e parë Shqiptare.
Një pikturë e Gustav Klimt u shit parmbrëmë për 236,4 milionë dollarë, duke vendosur një rekord të ri për artin modern, raportoi AP.
Portreti “Elisabeth Lederer”, i realizuar nga Klimt, u shit në ankandin e Sotheby’s në Nju Jork pas një gare ofertash që zgjati rreth 20 minuta.
Tabloja, 1.8 metra e lartë dhe e pikturuar midis viteve 1914-1916, paraqet vajzën e një familjeje aristokrate vjeneze, e veshur me një mantel të frymëzuar nga perandoria e Azisë Lindore.
Në këtë vepër shumëngjyrëshe pasqyrohet jeta e pasur e familjes Lederer, pak përpara se Austria të aneksohej nga Gjermania naziste në vitin 1938.
Sipas Galerisë Kombëtare të Kanadasë, ku piktura ishte huazuar, nazistët konfiskuan koleksionin e artit të familjes, duke lënë vetëm portretet, të cilat i konsideruan “tepër hebraike” për t’u marrë.
Për të shpëtuar jetën e saj, Elisabeth Lederer trilloi një histori se Klimt, i cili nuk ishte hebre dhe kishte vdekur në vitin 1918 – ishte babai i saj. Me ndërmjetësinë e ish-kunatit, një funksionar i lartë nazist, ajo arriti të sigurojë një dokument që deklaronte këtë gënjeshtër, gjë që i mundësoi të qëndronte e sigurt në Vjenë deri në vdekjen e saj nga një sëmundje në vitin 1944.
Portreti bënte pjesë në koleksionin e miliarderit Leonard A. Lauder, trashëgimtar i “The Estée Lauder Companies”, i cili u nda nga jeta këtë vit në moshën 92-vjeçare, duke lënë pas një koleksion arti që kap vlerën e mbi 400 milionë dollarëve.
Sotheby’s nuk bëri të ditur identitetin e blerësit.
Me këtë shitje, u thye rekordi i mëparshëm i artit të shekullit XX, i mbajtur nga portreti i Marilyn Monroe i krijuar nga Andy Warhol, i cili ishte shitur për 195 milionë dollarë në vitin 2022.
Sotheby’s njoftoi gjithashtu se pesë vepra të Klimt nga koleksioni i Lauder u shitën për një total prej 392 milionë dollarësh. Ndër më të kërkuarat në ankand ishin edhe vepra të Vincent van Gogh, Henri Matisse dhe Edvard Munch.
Një ndërhyrje artistike e Blerta Kambos në fasadën e Muzeut Historik kombëtar, ka shkaktuar debat në Tiranë. Nën titullin “Dielli i ditës tjetër”, Kambo ka rikonceptuar një prej personazheve të mozaikut “Shqipëria”. Instalacioni i përkohshëm që nuk ndërhyn mbi mozaik, po i mbivendos atij një shtresë, që nuk prek as nuk dëmton veprën, është një përkushtim për forcën dhe guximin; për betejën, qëndresën dhe rilindjen. Ajo iu kushtohet grave që preken nga kanceri i gjirit. Por debatet e kanë shoqëruar instalacionin herë duke e asociuar me ligjin për barazinë gjinore e herë të tjera, duke e akuzuar se ka prekur shenjtërinë e mozaikut.
News24 pyeti artistin dhe skenografin Bashkim Zahaj, se si e sheh ndërhyrjen mbi mozaik.
Mes etiketimeve per provokim e fyerje, vepra e riktheu vëmendjen te ndërgjegjësimi ndaj një problemi të thellë social. Doemos, problemi merr zgjidhje me politika të qenësishme, por arti, edhe kur etiketohet si ekzibicion, ka mundësi vetëm të trazojë ujërat. bw
…Ajo ishte një ditë e zakonshme, ku kalendari shënonte 19 Tetor 2025 dhe Parisi u gdhi në përgjumje, mes një shiu melankolik dhe një mjegulle iluzive, filloi të tregonte Xhorxhi, miku im doktor esteticien, duke pirë kafen me kanellë në ballkonin tim, mes kaltërsisë së qiellit dhe aromës së luleve, i cili e kishte ndarë jetën midis Parisit dhe Athinës. Mbasi la mbi tavolinë një kuti me “Douceurs Parisienne“, me mbishkrimin “sweetbalance“,vazhdoi. Mëngjezin e asaj dite po pija kafen time espresso në “le Café de la Paix”, pranë Opéras Garnier. Papritmas mediat televizive ndërprenë programin dhe lajmi sensacional, mbi grabitjen kinematografike të bizhuterive në Luvër na ngriu. Ai moment surprize shndërroi një ndjesi habije në indinjatë. Kështu makthi i mistereve të Luvrit u zgjua… Por unë kisha dhe një ankth tjetër, pasi atje kishte shkuar një nipi im i vogël, bashkë me fëmijë të tjerë, nga vendet e Europës së bashkuar, dhuratë si nxënës të dalluar, që ju a kishte bërë departamenti për edukimin, me programin “Erasmus”. Sakaq mora një taksi dhe u gjënda në hyrjen e muzeut të Luvrit. Atje ishte një skenë alarmi, në konfuzion midis policisë, njerëzve që kishin prenotuar biletën e hyrjes dhe reportëve e gazetarëve. Midis tyre dallova nipin tim, që bashkë me shokët e tij kishin mbetur mes pafajësisë dhe hutimit, ndërsa instruktorja për ti qetësuar, ju spjegonte në anglisht dhe frëngjisht mbi karakteristikat e atij muzeumi unikal. Ata vogëlushë kishin ardhur për tu takuar me historinë, në atë ato sallone, ku kultura dhe historia varej nëpër faqe muresh, si fletët e një enciklopedije universale”. Xhorxhi për një çast heshti në meditim, mandej fiksoi shikimin diku dhe me zë të dridhur nga emocionet vazhdoi “Ndjenjat janë si dallgët e detit, të cilat nuk mund ti frenosh. Zemra atë që dëshiron e realizon. Shkon për takim romance me kulturën dhe ndeshesh me një thriler, që rezulton barrierë. Por dritën nuk mund ta grabisin ato hije, e një “deja vu” të shëmtuar, rudimentare, që do të mbeten në errësirën e padijes”,…piu kafen deri n fund, por nuk mund të ndalonte. ”Ishte një skenë kur përpiqesh të gjesh pak aromë paqeje, pasi aty gjithçka tingëllonte si vajtim, si një marsh funebër. Vështroja atë perfeksion arkitektural të atij tempulli të kulturës, ish pallatit mbretëror, ku fantazma e Maria Antuanetës endet, vërtitet si hije truproje, ndërsa imagjinoja prijësit e triadës madhështore të fantazisë artistike, ku Mona Lisa e stilit romak, mbetet e trishtuar mbas mburojës pleksiglas, ndërsa dueti i artit helenistik,Venera e Milos në virtualitet, mes lotësh ble tirkuazh me shkumë deti përzier, që i rrëshkasin në atë bukuri magjepëse dhe Viktoria e Samothrakit, acefalike, por me shpirtin triumfator gulçonte, sepse ju kishin rrëmbyer bizhuteritë dhe kurorën e tempullit nga rezidenca e tyre”…
Unë mbeta i sugjestionuar nga digresioni lirik e pasionant i tij dhe kujtimet më çuan në tour-in, gjatë simpoziumit shkencor, në shtatorin e 2004, në Paris. Atje ishte takimi direkt me atraksionet e kulturës pariziene, që i kisha shijuar vite më parë vetëm nga ndonjë kartolinë. U enda nga Versaja, në Notre Dame, në muzeun e artit modern, në muze Orsay, por në kujtesë më mbeti si diçka e veçantë, muzeu i Louvrit. Atje sugjestionimi të shkëput nga e zakonshmja dhe të udhëton në madhështinë e shpirtit të artit në histori, mes impresionesh të pazakonta… Ndërkaq Xhorxhi e perceptoi joshjen time dhe unë fillova të tregoj: Në mëngjezin e një ditë të lirë në skenën parisiene shkova në Luvre, mbasi më dhanë manualin informativ, në hyrje u ndesha me mrekullinë e Piramidës së kristaltë. U ula në një stol në jardin të Tuileries,
Foto në Piramidën e kristaltë
mes skulpturave të Molierit, La Fontaine, e të Pascalit dhe shfletoja manualin. Aty më befasuan përshkrimet mbi “Misteret e Luvrit”, që nga shfaqja e hijes fantazmë të Maria Antuanetës, në Fantomin “rouge” që endej korridoreve të muzeumit, mandej në mumjen egjyptiane që flet në heshtje duke lëshuar tinguj, vazhdimi me pikturën e Mona Lizës ( ne enigmën që e lidh atë me kodin Da Vinci ) dhe vjedhja spektakolare në vitin 1911, nga emigranti italian V.Peruggia, që nga hajdut e quajtën “një krenari kombëtare”, tek tentativa e Picasso për të bërë të tijat disa vazo dekorative Iberike, që u kthye në një skerco, mandej në sekretin që fshihet poshtë piramidës së invertuar, deri tek makthi i misterit të ditëve, me grabitjen e shekullit, të bizhuterisë të Napoleonit dhe drama vazhdon…U endëm me orë të tëra në zbulimin e atyre thesareve, dhe gjatë rrugëtimit artistik bëmë një pushim të shkurtër, në Cafe Mollien. e vendosur në një vend monumental mes luleve dhe kolonave të mermerit ku shijuam café noisette, një espresso me aromë lajthish. Mes përshtypjeve të bukura, me një rifeskim të memorjes kulturore dhe historike u larguam… Muzetë dhe monumentet emblematike, fabuloze mbeten shprehje e trashgimisë kulturore me vlera didaktike dhe jo vetëm!
…Journée triste , journée sans soleil . Aujourd’hui , le sourire se gelé , les larmes de l’âme unissent le monde entier, avec les yeux au ciel ils ont chanté “Ave Maria “. La ” notre “, Notre-Dame, la cathédrale gothique, emblématique est brûlée ,”combustionée”, mais restera avec stoïcisme le monument incontesté du trésor culturel mondial . Une beauté digne qui est devenue “fervente”, mais ” vivra pour l’éternité “!
Protéger les monuments culturels comme la lumière des yeux
( posted on LinkedIn , April 15 , 2019 )
…Më kujtohet kur flaket digjnin madhështinë e Notre Dame-it, nuk munda ta ndrydh revoltën, kështu mes emocioneve dërgova një mesazh frëngjisht, në LinkedIn, ku shpreva dhimbjen time, njerëzore, që u mbështet nga miratimi paralel i shumë kolegëve dhe intelektualëve. Kryevepra të tilla “stilistike”, që strehojnë objekte dhe artefakte me vlera të mëdha, ku rizbulohet ajo që mund të duket e “humbur”, duhen mbrojtur me respekt dhe mirënjohje.
Këto impresione ja transmetova mikut im dhe ai i përkufizoi si “vështrim panoramik në kontekstin historik të veprave të Luvrit, që me magjinë dhe forcën e tyre të shkëputin nga realiteti, por jane intimisht të ndërthurura me misteret që i rrethojnë, gjithashtu konstatoi shprehjen e sensibilitetit intelektual për proteksionin e tyre. Por ai ishte akoma i shokuar dhe kishte të akumuluar aq shumë revoltë sa vazhdoi: “Substrati psikologjik i grabitjeve nuk është thjeshtë çështje financiare, por një kombinim motivimesh, që shtrihen në sfera të tjera. Analistët e konsiderojnë si “eskalacion i revoltës”, “revansh ndaj terrorizmit kulturor”, si “zgjim antikolonial”, deri në klishen absurde , atë “konspirative”. Veç mua më bëri përshtypje se diku tjetër, shpejt kjo u kthye në “marketing”, bile nga ndonjë artist i njohur, u duartokit “me krenari”, ndërsa dikush me mentalitet sarkastik të tipit Robin Hud, u shpreh: “Sa bukur është të lexosh për një grabitje në vend të një masakre”…Megjithatë, për disa njerëz, vjedhja e artit mbetet një akt çuditërisht i romantizuar, pjesërisht lakmi, pjesërisht legjendë dhe tani, pjesërisht argëtim viral modern.
Kjo tregon në një farë mënyre mentalitetin e kohës që jetojmë dhe humbjen e vlerave njerëzore”… Ndërkohë nxorri nga Sac à Main Chic (çanta e dorës) gazetën Le Parisien dhe më tha: “Lexoje miku im “Assetet e kulturës dhe të historisë njerëzore duhet ti ruajmë me fanatizëm, kjo kërkon një nivel të lartë sigurie të tyre, që duhet të konceptohet si ekuilibër midis mbrojtjes mekanikofizike dhe asaj dixhitale, por mbi të gjitha ndërgjegjësim social ”. Interesante , ju përgjigja, por unë do të citoj diçka pikante që e plotëson këtë këndvështrim mbi “fortifikimin” e muzeve, nga gazeta Kathimerini:”Nëse do t’i konsideronim muzetë, dhe jo mbrojtjen e tyre, si “të mirën publike supreme evropiane” që ka nevojë për mbështetje dhe bashkëpunim, do të ishim thjesht naivë…
Ishte mëse e qartë se trashëgimia kulturore dhe zhvillimi i mentalitetit do të mbeteshin “kontekste të brishta”. Me urimin “qoftë me kaq”,e pimë kafen e hidhur të atij mëngjezi, …duke shpresuar se nuk do të jetë më e hidhur, për brezat në vazhdim, në këtë botë paranojë, ku ende kanë mbetur dy vende hyjnore vlerash, muzetë dhe bibliotekat !
Kur Hyjnorja Hesht, Njeriu Dëgjon: Nga Simone Weil te Britma e Auschwitzit
VOAL- Ishte teologu i ndjerë së fundmi, Carlo Molari, ai që argumentoi se fjala “Zot” është një term njerëzor, një konstruksion gjuhësor i lindur për të konceptualizuar një entitet transcendental dhe misterioz, të pareduktueshëm në kuptimin e plotë njerëzor. Një emër, pra, i atribuohet një realiteti që, nga natyra e tij, i shmanget emërtimit dhe mbetet i paarritshëm në tërësinë e tij. Në mënyrë të ngjashme, Simone Weil, një shkrimtare, filozofe dhe intelektuale hebreje franceze, pavarësisht se recitonte Lutjen e Zotit çdo ditë, ishte e bindur se Zoti ishte mbi të gjitha një mungesë: një realitet që tërhiqet në vend që të manifestohet, duke i lejuar njerëzit t’i afrohen atij vetëm përmes boshllëkut dhe sakrificës.
Për shekuj me radhë, tradita judeo-kristiane ka folur për Zotin si Atë. Giorgio Ficara, kritik letrar, eseist dhe profesor emeritus i letërsisë italiane në Universitetin e Torinos, e diskuton këtë me finesë në një serial radiofonik të transmetuar në Alphaville deri më 24 tetor 2025, i frymëzuar nga një nga esetë e tij të botuara nga Einaudi. Në të, Ficara ofron një vështrim letrar mbi figurat e baballarëve të dobët dhe të brishtë – baballarë që shkojnë kundër rrymës, të pafokusuar dhe melankolikë, në kontrast të plotë me imazhin mbizotërues të “babait të fortë”. Midis këtyre, në episodin e fundit, del Zoti i evokuar nga Weil në autobiografinë e saj intensive shpirtërore, Attente de Dieu, një përmbledhje shkrimesh të botuara pas vdekjes në vitin 1950 nga La Colombe, redaktuar nga At Joseph-Marie Perrin.
Weil i shkroi këto tekste pak para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, në një kohë kur Zoti judeo-kristian, ai që mbështet dhe udhëzon njerëzimin nga lart, ishte në prag të humbjes së çdo besueshmërie. Ku ishte ai Zot ndërsa qindra mijëra gra dhe burra u shfarosën nga e keqja absolute e Holokaustit? Kjo pyetje u ka kaluar nëpër mendje shumë njerëzve, përfshirë teologun konservator Joseph Ratzinger, i cili në Auschwitz në vitin 2006 deklaroi se përballë tmerreve të shekullit të njëzetë, fjalët treten, duke lënë vetëm një heshtje të shtangur, një “britmë të brendshme drejtuar Zotit: ‘Pse, Zot, ke heshtur? Pse munde ta tolerosh të gjithë këtë?'”
Një përgjigje përfundimtare është e pamundur. Mund ta skicojmë vetëm, siç bëri Weil, ideja se Zoti nuk e manifeston veten si një prani imponuese, jo si një forcë që ndërhyn dhe drejton nga lart, por më tepër si një realitet që tërhiqet, që zhduket nga bota, duke bërë një hap prapa për t’u lejuar qenieve njerëzore dhe krijimit të ekzistojnë lirisht, për mirë a për keq. Të ekzistojë edhe në kundërshtim, si përmbushje por edhe si mungesë, si plotësi dhe humbje.
Për Weil, “mungesa e Zotit” nuk barazohet me mohim të plotë, por më tepër me një akt dashurie dhe përulësie. Bota është një univers i dominuar nga forca, domosdoshmëria dhe vuajtja, dhe pikërisht në këtë kontekst, “mungesa” e Zotit i detyron qeniet njerëzore ta kërkojnë atë në mënyrë aktive. Nga kjo lind pritja, heshtja para Zotit, i cili, sado i panjohur, komunikon pikërisht në heshtjen dhe dorëzimin e njerëzimit. Një Zot i tërhequr, i cili nuk flet përmes institucioneve kishtare, dogmave ose sakramenteve (nga të cilat Weil mbajti distancën e saj, duke preferuar të qëndronte në “prag”), por që e bën veten të pranishëm kudo që njeriu zhduket, përulet dhe hesht. Siç e kishin intuituar mistikët e mëdhenj Tereza e Avilës dhe Gjoni i Kryqit. Një Zot intim, një Atë nëse do ta thuash, por jo me anë të pranisë, por me anë të zbritjes, me anë të asgjësimit.
Në fund të fundit, Weil nuk besonte në Zotin tradicional. Përkundrazi, ajo e shihte aspiratën njerëzore për mirësi, bukuri, drejtësi dhe të vërtetë si një dëshmi të ekzistencës së tij. Për të, Zoti i shfaqej botës si një premtim i përmbushur me anë të zbritjes, zhdukjes dhe zhdukjes. Prandaj kategoria e pritjes, ndoshta i vetmi atribut i aftë, më shumë se të tjerët, të përshkruajë atë që njeriu e imagjinon të panjohurën – Zotin – të jetë. RSI
Artisti i njohur, Bujar Kapexhiu, aktor dhe regjisor, piktor që mban titullin “Nderi i Kombit”, ishte i ftuar në emisionin “Kjo Javë” ku foli për 2 librat më të fundit të tij me poezi, “Seferi i Tironës” dhe “Poezi humoristike e satirike”, të promovuara ditët e fundit.
Kapexhiu zbuloi ndër të tjera në intervistë se ndër personazhet e njohur që u ka dedikuar poezi janë dhe figura politike, një prej tyre kryeministri Edi Rama.
“Miku im i gjatë, nxito, gjurmë do të jenë brekushet apo barcaletat”, është një nga poezit e Bujar Kapexhiut, shkruar për Ramën, që ai e quan miku i tij i kahershëm.
Kapexhiu thotë se poezitë e tij janë humoristike, si mik e shok, pa e fyer dhe denigruar figurën e tij duke u mundur të ruhet etika.
“Kjo është merita e humorit të vërtetë e qytetar dhe jam munduar ta ruaj këtë etikë”, tha Kapexhiu gjatë intervistës me moderatoren Nisida Tufa.
Ai ka treguar se e ka patur pasion poezinë shumë herët, që fëmijë ndërsa poezinë e parë e ka shkruar në vitin 1970.
“Poezinë e parë e kam shkruar në vitin 1970, kur isha regjisor në Estradën e Tiranës dhe atëherë bëhej propagandë e madhe nga arti socialist kundër poezisë dekadente, që quhej poezi hermetike dhe kjo goditje ishte për perëndimorët.Dhe unë atëherë shkrova një tekst poezi hermetike për të goditur poezën hermetike si në karikaturë.
Më vonë erdhi një ndodhi tjetër. Festohej 80 vjetori i lindjes të të ndjerit artistit dibran Hazis Ndreu, kompozitor, instrumentist brilant, këngëtar poet ku ka fituar çmime kombëtare madje ka shkruar dhe poezi humoristike. Dhe mua më lindi një ide, që të gjithë ata që ishin në skenë, poetë, këngëtarë, vallëtarë që këndonin këngët e tij, unë shkrova një vjershë sikur ta shkruante Azisi sikur të ishte gjallë. Dhe të nesërmen një gazetare shkroi se në koncert ishte dhe Azis Ndreu”, tha Kapexhiu.
Ndër të tjera në intervistë, artisti Bujar Kapexhiu ka theksuar se në Shqipëri ka shumë material për letërsi humoristike, por fatkeqësisht nuk ka letërsi.
“Më vjen keq që ka shumë pak autorë që shkruajnë letërsi satirike dhe humoristike. Problematika sot është kaq për të qeshur, kaq për tu tallur, kaq për tu stigmatizuar, dhe për tu goditur. Dhe prapë letërsi humoristike ka pak. Përderisa një poet shkrimtar, krijon një vepër humoristike, pikërisht atje ka një subjekt, atje ka një subjekt që është ndeshur, që nuk është dakord me disa gjëra.
Pra tallet me të e stigmatizon atë, në drejtim të progresit. Dhe kjo kontradiktë ndodh midis autorit dhe ngjarjes. Bën që të lindë kjo vepër humoristike. Dhe natyrisht kur e lexon spektatori kënaqet me humorin. Është një nga gjëra më të bukura t’i japësh spektatorin ose lexuesin të qeshurën”, tha Kapexhiu.
Kapexhiu njihet dhe si karikaturist ku në fokus të punimeve të tij kanë qenë politikanë që jo në pak raste e kanë telefonuar pasi janë “prekur” nga karikatura, por ai tha se nga këto punime ka bërë shumë miq nga politika.
Artisti Bujar Kapexhiu tha se Rama dhe Berisha janë politikanët të cilëve u ka kushtuar më shumë karikatura. gsh
“Oj nanë, kqyr se edhe unë kam diçka në bark, jam semut prej barku
Kur ja kam hjek teshat ia kam parë se ju kish qky barku dhe i kishin ra zorrët, ja kam qit xhemperin me ia mbulu, më ka thënë ‘ma nanë, mos um prek se po kam dhimbje shumë.”
Skulptura e Leotrim Ahmetit, punuar nga Sabri Behramaj, shtatore që do të vendoset në Skenderaj.
E përfshirë në një koleksion të botuar më 2024, në Paris, kjo tablo mbante diçiturën « Ali Pasha dhe Kira Vassiliki ». Ajo shoqërohej nga teksti i mëposhtëm:
« Ripikturim i tablosë së që Paul-Emile Jacobs-i* (1802-1866) pikturoi në Romë më 1840 për “Vila Wilhelmina” të mbretit të Würtemberg-ut, në krye të herës, kjo pikturë titullohej « Shehrazada që i tregon një histori kalifit » , në përshtatje me frymën orientaliste të Wilhelmina-s. Vepra është realizuar gjatë periudhës kur Jacobs-i trajtoi tema nga Greqia. Me shumë gjasa, ajo paraqet Kira Vassiliki (Zonjën Vasiliqi, 1789-1834) dhe Ali Pashën (1740-1822). Ky kompozim është bërë një nga veprat emblematike të Jacobs-it, shumë e përhapur me anë të litografisë së Franz Hanfstaengel-it adh C. Ficher-it dhe ka frymëzuar gjithashtu vizatimin Ali Pasha dhe Kira Vassiliki të Theodoros Vryzakis-it. Kjo tablo paraqet një çast intim, ku ndihet dhembshuria dhe dashuria. Kira, e bija e Kitzos Kontaxis-t, hyri shumë e re në haremin e Ali Pashës. Falë bukurisë dhe ndershmërisë së saj, ajo fitoi dashurinë dhe favoret e sovranit. Këtë gjë, ajo e shfrytëzoi për t’ua shpëtuar jetën një numri të madh të bashkatdhetarëve të saj.
Me origjinë nga Tepelena (Shqipëri), Ali Pasha u bë guvernatori i Janinës pas një periudhe me luftëra dhe me revolta. Përmes marrëdhënieve të tij me Anglinë dhe me Bonapartin, ai u bë mjaft i njohur në botën perëndimore. Gjatë qëndrimit në këtë krahinë, Lord Bajroni i bëri një vizitë. Emri i tij është përmendur shumë herë në veprat e Victor Hugo-së, të Alexandre Dumas-së apo të Balzac-ut. Jeta e tij e trazuar, pasuria e tij e madhe dhe haremi i tij i famshëm, u bënë legjendë për europianët. Të ngashënjyer nga personaliteti i Ali Pashës dhe nga historia e dashurisë së tij me Kira Vassiliki-në, piktorë të mëdhenj të asaj kohe si Monvoisin-i, Faucher-i apo Vryzakis-i e trajtuan këtë subjekt.
Tabloja origjinale e P. E. Jacobs “Ali Pasha dhe Vasilikia” është botuar në librat “Shqipëria në Art”, Onufri, Tiranë, 2018, f. 133 dhe “Shqiptarët në Artin Botëror”, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2019, f. 289, të autorit Ferid Hudhri.
Hektor Leka kthehet pas 32 vitesh:Jam rritur në Teatrin e Operas – “Nëna më jepte gji në prapaskenë”
Basi Hektor Leka rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, pas disa dekadash në teatrot italianë, për një rol, të veçantë.
Më 25 nëntor, në skenë ngjitet opera shqiptare “Goca e Kaçanikut” ku Leka interpreton kryeplakun e fshatit duke evokuar luftën me osmanët.
“Për mua është një emocion i madh se është herë e parë që kthehem dhe këndoj aty ku jam rritur, jo vetëm si qytet por edhe si teatër, sepse falë nënës sime isha gjithnjë në teatër dhe më thërrisnin, ‘çuni I teatrit’. Personazhi im është i tillë që imponohet gjatë gjithë operës dhe oponenca e këtij personazhi në anën karakterialie të bën të jesh shumë i fortë”, tha Leka.
Ai është djali i Rozmari Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare. Për të rikthimi me një pjesë shqiptare, është shumë domethënëse, ndërsa karriera e tij numëron disa role në opera të huaja. Me regjinë e Nikolin Gurakuqit, pjesa do të jetë në skenë vetëm një natë.
“Ka qenë në 1979, premiera absolute. Goca e Kaçanikut është një nga veprat më të bukura të repertorit shqiptar. E bazuar tërësisht në muzikën shqiptare, flet për rezistencën e popullit të Kaçanikut muzika flet shqip. Them edhe nga ana orkestrale të kujton motive epike të historisë së popullit tonë”’- tha Leka.
Roli tij, ndahet në dy skena të ndryshme, ku ai interpreton babain si fillim dhe më tej kryeplakun mburojë të traditave vendase dhe një patriot që nuk pranon pushtimin./VizionPlus
Liljana Çefa, 85-vjeçarja që vazhdon të pikturojë e të frymëzojë Shkodrën me jetën dhe krijimtarinë e saj artistike.
Ajo na mirëpriti me shumë ngrohtësi në shtëpinë e saj në Shkodër, një hapësirë ku arti duket se merr frymë bashkë me të, aty ku edhe sot e kësaj dite vijon të pikturojë dhe të ruajë një lidhje të pandarë me telajon dhe ngjyrat. Në çdo cep të shtëpisë së saj ndihen gjurmët e një jete të tërë të kaluar mes bojërave, penelave dhe frymëzimit që arti i ka dhuruar.
Liljana Çefa, piktorja që ka lënë gjurmë të thella në jetën artistike të Shkodrës, rrëfen për RTSH fillimet e saj të thjeshta, por plot pasion në këtë rrugëtim që u bë shoqërues i pandashëm i ekzistencës së saj. Qysh në moshë të re, ajo e ndjeu thirrjen e artit si një forcë që i dha drejtim jetës, duke u kthyer më pas në një mision që do ta përmbushte me përkushtim dhe dashuri.
Për dekada të tëra, ajo punoi si mësuese vizatimi, duke formuar me kujdes dhe dashuri breza të tërë nxënësish, të cilët nëpërmjet mësimeve të saj jo vetëm mësonin teknikën, por edhe më të rëndësishmen: të donin dhe të respektonin artin. Roli i saj në shkolla të ndryshme të qytetit ka qenë i jashtëzakonshëm, sepse përmes dorës dhe fjalës së saj janë nxitur dhjetëra të rinj që sot mbajnë gjallë shpirtin krijues.
Por bashkë me suksesin profesional, Liljana Çefa tregon se jeta e saj nuk ka qenë e lehtë. Përgjatë viteve, sfidat familjare dhe përkujdesja për fëmijët shpesh e vendosnin përballë sakrificave të mëdha. Megjithatë, ajo gjeti gjithmonë forcë për të mos e lënë kurrë pas dore pasionin që e mbajti gjallë shpirtin e saj – artin. Në rrëfimin e saj ndihet qartë se çdo penelatë është e lidhur ngushtë me përjetimet, vështirësitë dhe gëzimet e një jete të plotë.
Sot, në moshën 85-vjeçare, ajo mbetet po aq e lidhur me telajon sa edhe në ditët e rinisë. Me duart e saj ende të palodhura, ajo vazhdon të krijojë, duke i dhënë jetë ngjyrave dhe formave që shndërrohen në pasqyrë të shpirtit të saj artistik. Për të rinjtë që duan të futen në botën e artit, Liljana Çefa përcjell një mesazh të fuqishëm: arti është sakrificë, durim dhe pasion, por mbi të gjitha është një mënyrë për të jetuar e për të lënë gjurmë që mbeten përtej kohës.
Përmes jetës dhe krijimtarisë së saj të pasur, Liljana Çefa mbetet ende sot një shembull frymëzues për Shkodrën dhe më gjerë. Ajo është dëshmi se arti nuk njeh moshë dhe se dashuria për të bukurën është një thesar i çmuar që ndriçon jo vetëm jetën e artistit, por edhe të gjithë atyre që preken nga veprat e tij./ Shkodra Blogg
Artisti ne objektivin e Artistit – Foto nga Felix Bilani
“Shuhet një nga ikonat e teatrit .
Naum Shundi,
pata nderin të të fotografoj në shfaqjen ….
38 ditë për të ndryshuar jetën…..edhe pse nuk e ndryshove dot sëmundjen ti ndryshove shumë , ndryshove konceptet e teatrit , tregove që edhe në një sallë e vockël mund të bëhet teatër.
Komentet