Rasti 1 – Njëçikë histori.
Në janar ’98 plas një skandal në SHBA. Presidenti rrezikon të shkarkohet. Jo se ka patur marrëdhënie me një vajzë, por se nuk ka thënë të vërtetën. E theksoj: NUK KA THËNË TË VËRTETËN!!
Rasti 2 – Pas vitit 1992 ish anëtarët e Byrosë Politike komuniste në Shqipëri u nxorrën në gjyq. Një proçes që mori emrin shpotitës “GJYQI I KAFEVE”.
Në rastin e parë kemi një sistem normal politik, me pushtete të drejtpeshuara, për të cilin shkelja e ligjit është krim i rëndë. Madje edhe mosthënia e së vërtetës.
Në rastin e dytë kemi një sistem të korruptuar me ideologji kriminale, antinjeri, antiZot, antiliri, ku e keqja është imponuar me ligj dhe për këtë arsye asnjë shkelje ( veç ndërtimit të sistemit ) nuk kanë mbi supe autorët.
Ndaj dhe ata që erdhën pas ( shumë më pranë rasti 2 sesa 1, që në lindje ) s’i linin dot pa dënuar, për të vazhduar ekzistencën e tyre, por s’kishin bythë të dënonin sistemin, meqë ishin pjellë dhe vazhdim i tij.
Edi Rama sot përfaqëson 100% rastin e dytë. Atë të ngritjes dhe konsolidimit të një sistemi të korrupsionit absolut. Pra, ti thuash Ramës “hajdut” dhe të thërrasësh popullin në protesta me heq hajdutin s’është hiç më pak e hiç më shumë sesa gjyqi i Nexhmijes për kafe.
Ndërsa në një sistem demokratik perëndimor, me rregulla e parime, institucione dhe opinion të fuqishëm publik, një akuzë për vjedhje, për korrupsion a për mashtrim do ngrinte gjithë popullin në këmbë. Madje vështirë se do mbërrinte gjer aty puna, se fatziu do të ikte vetë.
Ky është problemi im me protestat e sotme dhe derisotme. Nëse Ramës i kemi thënë “Maduro” do të thotë se i kemi thënë diktator dhe sistemit të instaluar – diktaturë. Nëse e quajmë “narkoshtet” duam të themi se mafia e drogës udhëheq diktaturën në vend. Nëse akuzojmë kryeministrin se vjedh votat, për këtë arsye nuk ka zgjedhje me të atëhere kemi thënë se Edi Rama ka vrarë lirinë dhe demokracinë.
A mundet pra, në këto kushte, të dalim në të ftohtë për të hequr “hajdutin”?
Në dhjetor ’90 Ramiz Alisë apo Enver Hoxhës s’i tha njeri “hajdut”. Ramizi në Byro turfullonte prej slloganeve ” Enver – Hitler”, “Hekuran – Sllobodan”. Tmerri i tyre qe fakti se populli u kish vënë emrin e saktë: Diktaturë, diktatorë, vrasës në masë, antishqiptarë. Dhe me këtë diagnozë erdhi përmbysja.
Unë vazhdoj ta përsëris se, nëse nuk thërrasim popullin në luftë me pushtuesin, me atë që na ka marrë lirinë, ka grabitur demokracinë, ka shpopulluar vendin, ka grabitur pronat dhe pasuritë e vendit, ka inkriminuar sistemin, rezultati s’ka për të qenë tjetër veç zgjatje lëngate dhe pushteti të Edi Ramës.
Ka një tezë, sipas së cilës populli preket më drejtpërdrejtë kur i thua “Rama hajdut” sesa “Rama diktator”. Sepse për shumicën e atyre që merren me politikë të madhe, populli është i trashë e nuk mendon kaq larg, i do gjërat më të prekshme.
Me këtë tezë janë shumica e atyre që luftojnë për sa më shumë kokë protestuesish në shesh. Por përvoja na mëson se, siç vijnë – ikin turmat. Edhe nëse s’mendojnë hollë, ndjejnë saktë.
Nga ana tjetër, në një luftë për përmbysjen e kësaj oligarkie, forcat dhe udhëheqësit seriozë nuk do të kishin synuar turmat por individët. Kur njerëzit me mend, shkollë dhe integritet do ta brendësonin konceptin e oligarkisë që na sundon, korrupsionin absolut të sistemit dhe imperativin “ja vdekje ja liri” atëhere ATA do të ndriçonin dhe afronin edhe masat. Harroje të vijnë njerëz me mend dhe integritet në tallje të tipit “do heqim hajdutin” apo “do mbrojmë drejtësinë”. Kjo s’është asgjë më shumë sesa pluralizmi që propozoi Ramiz Alia që “opozita” të qenë Bashkimet Profesionale, Bashkimi i Grave Socialiste, Organizata e veteranëve të Luftës e të tjerë si këta.
Këto janë arsyet përse unë, jo vetëm nuk i përkrah, por i denoncoj si oksigjen për oligarkinë shqiptare foltore a çadrore që nuk artikulojnë thelbin e të keqes por devijojnë zemërimin dhe shfryjnë energjinë opozitare.
Këto protesta kërkojnë të përmirësojnë regjimin , apo “narkoshtetin” dhe jo ta rrëzojnë atë për të vendosur sistemin demokratik, sistemin e lirive, ekonomisë liberale të tregut, shtetin e së drejtës dhe standarteve perënimore të jetesës.