Shoku Enver
Jam në një gjendje shpirtërore shumë të rëndë, sepse Partia për mua ka shtruar një sërë problemesh, të cilat unë duhet t’i jap përgjigje.
Për t’iu përgjigjur drejtë të gjitha këtyre çështjeve, unë mendoj se u duhet përgjigjur problemeve si para daljes së tradhtisë së Beqir Ballukut dhe atyre mbas daljes së tij.
Për sa u takon problemeve që dalin sot dhe që përgjigjja u jepet në situatën e sotme, çështjet janë më të plota dhe nuk e kam të vështirë, ndërsa problemet e dala në kohën kur Beqir Balluku ishte ministër, janë jo të gjitha të njohura: prandaj e shoh të arsyeshme t’ju raportoj juve për disa çështje shumë të rëndësishme, që Partia të dijë mendimet e tija në zhvillimin e problemeve para daljes së tradhtisë së Beqir Ballukut, në mënyrë që të mund të ndihmojë Partinë dhe ajo të më këshillojë.

Vlerësimi i rrezikshmërisë së punës së Beqir Ballukut dhe denoncimi para Partisë.
Para daljes së tradhtisë së Beqir Ballukut, unë mendoja se ai, si ministër i Mbrojtjes mund të punonte për zhvillimin e teorisë pa ditur pikësynimin që kishte ai dhe metodat e gabuara të punës që përdorte ai. Ai mund të shqyrtonte dhe problemet që kishin të bënin me përmbajtjen e tezave të Këshillit të Mbrojtjes, të cilat duhet t’i rrihte me shokët e sektorit dhe po të ishin të përshtatshme, atëherë mund t’i raportonte udhëheqjes për të marrë vendim.
Shumë studime që gjoja bënte Beqir Balluku, i diskutonte me neve, ia hidhnim poshtë, dhe ai formalisht i pranonte dhe bënte si i thoshim neve, i hidhte poshtë ato studime dhe gjoja jepte udhëzime plotësuese për t’i ribërë.
Këmbëngulja e tij për konceptet e gabuara që paraqiste herë pas here, patjetër që tek disa shokë ngjallën dyshime dhe këto dyshime rritën vigjilencën, por për derisa këto dyshime ishin akoma teorike, të paakorduara, të paaprovuara zyrtarisht nga neve dhe që nuk i ishin paraqitur udhëheqjes, ato s’ishim bërë fakt i kryer. Beqir Balluku kishte të drejtë të thoshte (ashtu siç thoshte), se duhet vazhduar studimi.
Duke parë këtë veprimtari për përmbajtjen e këtyre “studimeve”, ne kishim dyshime të fiksuara, ndërsa për sa u përket veprimeve të tij, akoma s’i kishim fiksuar.
Cilat ishin arsyet që këto dyshime unë nuk i raportova ashtu siç i kisha?
Në atë kohë, puna nuk ishte e lehtë, se unë do të ngrija një akuzë që duhej bazuar dhe bazimi të ishte vetëm bazim teorik, të cilën ai mund ta hidhte poshtë, duke thënë se edhe unë me këto mendime s’kam mbetur dakord akoma, ose fajet i kanë përpunuesit që s’më kanë kuptuar.
Sadopak, por edhe marrëdhëniet e acaruara që kisha unë me Beqirin, më kanë penguar të denoncoj, nga ndrojtja se mos quhesha grindavec dhe ambicioz.
Kur Beqir Balluku përpiloi një plan konkret për të vënë në jetë idetë e tij, gjoja për forcimin e mbrojtjes në bregdet, unë vërtetova plotësisht tentativat e tij armiqësore dhe e konsiderova atë si dokument që në fushën praktike kundërshtonte hapur planet e aprovuara të luftës, thyente parimet e tezave të Këshillit të Mbrojtjes, (siç janë decentralizimi i tankeve, mosbesimi në forcat vullnetare, frika dhe tmerri nga tanket e armikut, nënvlerësimi i artilerisë dhe mjeteve tona kundërtanke, etj).
Këto fakte, unë ia parashtrova Beqir Ballukut dhe i kërkova që t’i raportojë lart, sepse unë mendimet e mia për këtë problem do t’ia raportoja udhëheqjes.
Nga ky fakt ai u tremb, gjë kjo që ngjau tr-katër ditë para mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes, ku unë më në fund denoncova kundërshtimet e mia.
Partisë nuk ju desh shumë kohë për të konkluduar, sepse ajo është e madhe e mençur, reagoi menjëherë drejt dhe rreptë, ndërsa unë me ngathtësi dhe hezitim thellohesha në punën e rrezikshme të Beqir Ballukut, ndërsa për sa i përket punës armiqësore, nuk kam menduar.
Shtrohet problem se mos unë kam menduar se udhëheqja e Partisë do të përkrahte Beqir Ballukun.
Unë kam ditur dhe kam qenë i qartë mbi atë që mendonte udhëheqja e Partisë për Beqir Ballukun, ashtu dhe për mua. Unë e dija se udhëheqja i njihte mirë aftësitë e tij të kufizuara dhe ekuilibrin e tij.
Shpeshherë nga udhëheqja mua më ishin dhënë këto shenja, bile në 1966 dhe më 1970, në një ballafaqim që unë kam pasur me Beqir Ballukun në Byronë Politike. Në të pesë këto ballafaqime, juve shoku Enver i keni bërë atij kritikat më të rrepta dhe hapur i kini thënë se ti Beqir Balluku kërkon të eliminosh Petritin, prandaj shoku Enver, unë sado naiv që të isha, si do të mendoja se Beqiri përkrahet nga udhëheqja, duke njohur në mënyrë të veçantë rreptësinë dhe drejtësinë tuaj karshi këtyre devijimeve.
Këtë barrë nuk e mbaj dot shoku Enver dhe nuk ma pranon ndërgjegja.

Më lejoni shoku Enver t’ju jap një sqarim, se ndoshta mos ka një keqkuptim.
Mbas daljes së tradhtisë së Beqir Ballukut, kam shkuar në Durrës, atje më takoi shoku Shefqet dhe më tha se ju i kishit treguar gjithçka. Ai për këtë më kërkoi ndonjë kuriozitet dhe hollësi dhe unë me zëmër të hapur i kam treguar duke u munduar të tregoj korrektësinë dhe modestinë. Shefqeti më tha, kur më tregoi shoku Enver historinë e Beqirit, i thashë shoku Enver; ai ka qenë i pazoti dhe juve e keni ndihmuar shumë. Për këtë gjë më tha Shefqeti, më duket sikur bëra gabim dhe nuk më zuri gjumi natën. Unë i thashë, se ty Shefqet, shoku Enver të kupton gjithmonë drejtë dhe në qoftë se të ka mbetur ndonjë peng, thuaja shokut Enver. Shoku Shefqet mund të pyetet dhe po të ketë marrë përgjigje të tjera nga unë, atëherë Partia të tregohet e rreptë dhe e pamëshirshme.
Në raportin që ju paraqiti Byroja Politike nga komisioni, për mua thuhej se kisha nxjerrë gjysmë zëri për denoncimin e Beqir Ballukut, isha kuadër me vlera për Partinë dhe për ushtrinë, por kritikohesha dhe për shumë të meta, të cilat unë me ndërgjegje i pranova të gjitha, bile edhe më shumë.
Në Byronë Politike juve e vlerësuat diskutimin tim, më bëtë kritika dhe unë i pranova ato me gjithë shpirt.
Në Aktivin e Ushtrisë në adresën time flitej për merita, por gjithashtu më bënë kritika pune dhe karakteri, të cilat ishin të drejta.
Në organizatën e Partisë bëra autokritikë. Kjo autokritikë ishte lexuar nga shoku Mehmet dhe Hysni dhe që të dy më thanë se ke bërë mirë që ke thelluar autokritikën, dmth. e vlerësuan autokritikën time. Në organizatat dhe Komitetet e Partisë të Ushtrisë janë folur fjalë të mira për mua, sidomos në ato komitetet ku isha unë, i detyruar i kritikova shokët dhe bëra autokritikë duke u thënë atyre se mund të kem bërë një punë të mirë, por i kam bërë shumë të këqija Partisë. I kam borxh dhe dua që me punë t’ia shlyej.
Ka nga ata që më kanë mburrur shumë, por unë i kam kundërshtuar, nuk përjashtoj që me llafe nuk kam pranuar, por me ndërgjegje po, kjo mundet se mbeturinat kanë krijuar imunitet tek unë dhe ato më bënë të mendoj ndryshe dhe të veproj ndryshe.
Gabime në punën dhe në karakterin tim kam plot dhe unë do të mundohem të bëjë autokritikë dhe në jetë t’i ndreq me ndihmën e Partisë dhe tuajën, atyre kurrë nuk u jam ruajtur dhe nuk u jam trembur dhe kurrë s’më kanë prerë dhe nuk do të më presin hovin në punë dhe besimin për t’i ndrequr ato.
Mbase është shumë vonë, por fjala e fortë, e rreptë dhe e drejtë e Partisë në të gjitha momentet dhe situatat është inkurajuese dhe shpëtimtare.
Shëndet dhe jetë të gjatë
(Petrit Dume)
Datë, 16. 10. 1974
(vijon nesër)
NGA IV KALOÇI*

Komentet