Kryeqyteti ukrainas, Kiev, u godit rëndë gjatë natës nga një valë raketash dhe dronësh të lëshuar nga Rusia, sipas autoriteteve vendase.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave bëri të ditur se dy persona humbën jetën dhe gjashtë të tjerë mbetën të plagosur. Një prej viktimave u vra kur një pallat shumëkatësh në bregun lindor të lumit Dnieper u godit nga një raketë, konfirmoi kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko.
Ndërkohë, zyrtarët rusë raportuan se Ukraina ka kryer sulme vdekjeprurëse në rajonet kufitare të Krasnodarit dhe Rostovit. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, forcat e tyre kanë rrëzuar 249 dronë ukrainas gjatë natës. Guvernatori në detyrë i Rostovit, Yuri Sliusar, deklaroi se të paktën tre persona u vranë, duke e përshkruar sulmin si “shumë pikëllues”.
Në qytetin portual Taganrog, ku është konfirmuar një nga viktimat, kryetarja e bashkisë Svetlana Kambulova premtoi masa të menjëhershme reagimi. Guvernatori i Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, e quajti bombardimin “një nga sulmet më masive dhe më të qëndrueshme” të kryera nga Kievi.
Sulmet ndodhën menjëherë pasi Zelensky mirëpriti përparimet në një plan paqeje të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Kievi dhe disa kryeqytete evropiane kishin kërkuar rishikimin e draftit origjinal, i cili shihej si tepër i favorshëm për Moskën.
Zelensky deklaroi se plani — i cili fillimisht përfshinte 28 pika — është reduktuar dhe se “shumë nga elementët e domosdoshëm janë marrë parasysh”, duke e bërë atë më të realizueshëm. Ai shtoi se priten diskutime të mëtejshme me Presidentin Donald Trump, duke theksuar se çështjet më të ndjeshme do të trajtohen drejtpërdrejt me të. bw