Lindi më 14 tetor 1922 në Horën e Arbëreshëvet, Siçili. Ishte i biri i Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta), themeluesit të seminarit Arbëresh të Palermos. U diplomua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë të Universitetit të Palermos. Në vitin 1974 u emërua profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Oriental të Napolit. Në vitet 1975–1997 ka drejtuar Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos. Ka dhënë gjithashtu mësim edhe në Universitetin e Kalabrisë në vitet 1987–1990. Si drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare “Rosolino Petrota”, prej vitit 1968 organizoi 23 kongrese ndërkombëtare për studimet shqipe, aktet e të cilëve i publikoi rregullisht. Themeloi kolanën “Albanica” që numëron mbi 20 vëllime dhe shkroi një varg librash studimorë në fushën e gjuhësisë dhe të studimeve letrare. Ndër të cilët përmendim: “Gjurmë të shqipes në shekullin XV në dokumentet venedikase të kohës” (1968); “Ernest Koliqi, një poet social”(1968); “Magjia e së vërtetës: tregimet e Ernest Koliqit ndërmjet traditës dhe ripërtëritjes” (1974); “E folura e Piana degli Albanesi” – pjesa I – Fonologjia (1978); “Bajroni në Shqipëri” (1978); “Përshkrim fonematik i të folurës arbëreshe të konteshës Entellina”(1978); “Etnia shqiptare në Itali” (1978) etj. U nda nga jeta në Korrik të vitit 2017. Veprimtaria e tij i ka dhënë nxitje zhvillimit të albanologjisë në universitetet italiane gjatë një periudhe të vështirë, duke garantuar formimin e një brezi të ri studiuesish arbëreshë. Është dekoruar me disa çmime ndërkombëtare ndër të cilat iu akordua edhe Urdhrin “Naim Frashëri” më 1992.
http://www.archivioradiovaticana.va/…/nd%C3…/sq-1327174