Drejtoria Detare njoftoi se në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar përgjatë bregdetit shqiptar gjatë datave 9-10-11 mars 2024 duke filluar nga ora 14:00 e datës 9 mars në drejtimin jug-juglindje, jug-jugperëndim në forcën deri 7-8 bft deri 9 bft me shpejtësi ere deri 25-45 m/s dhe lartësi dallge nga 2.50 deri 4 metra.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
Ditën e shtunë, anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjerë dhe automjete në linjën Durrës – Bari – Durrës dhe Vlorë – Brindizi – Vlorë, do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Ditën e diel, datë 10 mars do të ndalohet lëvizja e anijeve pasagjere në linjat ndërkombëtare Durrës – Bari – Durrës dhe Vlorë – Brindisi-Vlorë.
Trageti i linjës Durrës – Ankona – Durrës do të operoje normalisht ditën e diel.
Në lidhje me linjën Sarandë – Korfuz – Sarandë do të njoftojmë në ditët në vijim.
Ndalohet dhënia e lejenisjes gjatë datave 9-10-11 mars 2024 duke filluar nga ora 17:00 datë 9 mars 2024 për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijet e peshkimit që operojnë përgjatë bregdetit shqiptar dhe të jenë njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e tyre.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 22:00 të datës 11 mars 2024.sn