VOAL

VOAL

“Përbindëshi” amerikan lundron përballë brigjeve shqiptare, rusët nuk kanë asnjë shans në Mesdhe

April 23, 2022

Komentet

“Të gjithë sytë nga SPAK!” – BIRN: Procesi i përzgjedhjes së Klodian Brahos, prani e madhe e korpusit diplomatik dhe gazetarëve

Prokurori Adnan Xholi u duk i lehtësuar në fund të prezantimit të tij përpara anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë të enjten, edhe pse gara për kreun e SPAK nuk e nxorri atë fitues.


 

“Shyqyr që erdhi dita të mbyllej kjo procedurë, se u bë si legjendë urbane,” tha Xholi.

Prej mëngjesit të së enjtes, të gjithë i kthyen sytë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të mësuar se kush do të ishte drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme – një institucion me vetëm gjashtë vite jetë, por që ka trazuar ujërat e estabilishmentit shqiptar.

Prania e madhe e korpusit diplomatik dhe e gazetarëve flisnin për rëndësinë e ngjarjes.

Ende pa filluar prezantimet e kandidatëve, në sallën e mbledhjeve të KLP-së u akomoduan ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Vanhorn; ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nick Abbott dhe ai i Holandës, Reinout Vos.

Prokurori Klodian Braho, anëtari I KLP-së Erion Fejzulla dhe përfaqësuesit e SHBA dhe BE gjatë një pushimi në seancën maratonë të përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK. Foto: Malton Dibra/LSA
Në sallë ishin gjithashtu përfaqësues të zyrave diplomatike të Italisë, Francës, Austrisë, Hungarisë, Slovenisë dhe Rumanisë. Dhjetra gazetarë dhe operatorë u kujdesën gjithashtu për më shumë se gjashtë orë që të raportonin çdo detaj nga ecuria e procesit, platformat e kandidatëve apo pyetje-përgjigjet me anëtarët e KLP-së.
Katër kandidatët në garë nisën prezantimet sipas rendit alfabetik; fillimisht Adnan Xholi dhe më pas Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho. Pasi prezantuar në mënyrë të detajuar përvojën e tyre dhe platformën për drejtimin e SPAK, ata iu përgjigjën pyetjeve të disa prej anëtarëve të KLP-së.
Pyetjet ishin të larmishme, duke prekur nga çështjet organizative në SPAK deri te aspekte personale të kandidatëve. Përgjigjet në të kundërt ishin pothuajse të ngjashme dhe nuk diferencuan asnjë prej kandidatëve.
Procedura e votimit u krye ndryshe nga herët e tjera dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë plotësuan në një fletë votimi emrin e kandidatit të preferuar.
Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani shpjegoi se kjo mënyrë parashikohet në rregullore dhe se votimi do të ishte i hapur. Në fund, ajo lexoi vullnetin e secilit prej anëtarëve, duke nxjerrë edhe rezultatin; Klodian Braho u shpall fitues me 7 vota, Adnan Xholi mori 3 vota dhe Elvin Gokaj 1 votë. E vetmja kandidate grua në garë, Doloreza Musabelliu nuk arriti të merrte asnjë votë.
Prokurori Klodian Braho pas përzgjedhjes si kreu i ri i SPAK. Foto: Malton Dibra/LSA
Pas zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë shpërndau në Facebook një mesazh në mbështetje të procesit të zgjedhjes së kreut të SPAK.
Në postim shkruhet se Gonzato dhe ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së ishin të pranishëm në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për të shprehur mbështetjen e plotë për Këshillin në përmbushjen e këtij detyrimi të rëndësishëm dhe interesimin e tyre për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK.

 

“Duke pasur parasysh rolin themelor të SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një shtyllë thelbësore e procesit të anëtarësimit në BE”, citohet në postim. “Dje theksova se drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme duhet të tregojë integritet, pavarësi, qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj standardeve më të larta evropiane. Sot, dëshiroj ta përgëzoj z. Klodian Braho për emërimin e tij dhe pres të punojmë ngushtë me të dhe ekipin e tij në muajt dhe vitet në vijim,” tha ambasadori Gonzato./BIRN

“Hiq dorë!”- Denoncimet për Onkologjikun, kërcënohet me jetë gazetari Osman Stafa

Pas denoncimeve të vazhdueshme për mungesën e ilaçeve dhe pajisjeve në Spitalin Onkologjik, në adresë të Gazetarit Osman Stafa ka mbërritur një mesazh kërcënues, me qëllim intimidimin, frikësimin dhe tërheqjen e tij nga investigimet në këtë spital. Përmes një adrese anonime në rrjetet sociale, gazetarit Stafa i kërkuar me një gjuhë banale, fyese dhe kërcënuese të mos paraqitet më në ambientet e Onkologjikut dhe të heqë dorë nga denoncimet mbi korrupsionin dhe abuzimet mbi pacientët.

Pas marrjes së mesazhit, gazetari i News24, Stafa i është drejtuar Policisë së Shtetit, ku ka bërë kallëzim penal, për kërcënim për shkak të detyrës. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar personin përgjegjës dhe se kush fshihet pas këtij kërcënimi. I ndodhur përballë presioneve dhe kërcënimeve, gazetari Osman Stafa, siguron se do të vijojë denoncimet e tij për situatën në Spitalin Onkologjik. Duke theksuar se nuk i frikësohet asnjë lloj kërcënimi ai shprehet i vendosur për të hedhur dritë dhe për t’i dhënë fund abuzimeve që u kushtojnë jetën pacientëve të prekur nga sëmundjet tumorale.

Prej disa vitesh gazetari Stafa ka investiguar dhe më pas ka denoncuar publikisht situatën e vështirë me të cilën përballen pacientët në Spitalin Onkologjik. Ndër denoncimet më të forta janë: Mungesa e brakiterapisë, një trajtim për gratë që vuajnë nga kanceri gjinekologjik; mungesa e pet-scanit, një diagnostikim tjetër mjaft i rëndësishëm për pacientët e Onkologjikut; mungesën e ilaçeve kimio për pacientët, si dhe ka evidentuar rastet e korrupsionit dhe abuzimit mbi pacientët nga bluzat e bardha, siç është rasti i trafikimit të biopsive nga publiku drejt privatit etj. bw

Projekti për Serbi të Madhe u hartua nga memorandumi  i racistit, Vasa Çubrilloviq në vitin 1937- Nga Skënder MULLIQI

Vështrim
Shpesh flitet për Gjermaninë naziste të Hitlerit, duke harruar së atëherë kishte shpërthyer Lufta e Dytë Botërore.Nuk dua të arsyetoj Gjermaninë Naziste,që për ne shqiptarët ishte dhe ka mbetur mike, por nga të gjtha veprimet dhe dokumentet e fashizmit , Serbia ja kalon shumë herë qdo  fashizmi tjetër.Lufta për Serbi të Madhe prodhojë viktimat më të mëdha njerëzore dhe materjale më rastin e shpërbërjëss më dhunë të ish-Jugosllavisë .Projekti për Serbi të Madhe u hartua nga racisti, Vasa Çubrilloviqi në vitin 1937, kur shkroi librin –memorandumin ‘Ndjekja e Arnautit”, që kishte të bënte më Kosovën dhe Shqipërinë.Ky memorandum ishte themeli  gjenocidit , etnocidit dhe urbicidit të Millosheviqit në Kosovë . Ideja e Çubrilloviqit nuk ndryshojë pikë as presje, nga Drazha Mihajloviqi, Millosheviqi,Shesheli dhe deri te Aleksander Vuqiqi, një kriminel tjetër, ish minister për informim në kohën e Millosheviqit, që mori pjesë në rrethimin e Sarajevës, duke vrarë boshnjakë më snajperkë, dhe tash Evropa bisedon  për paqe më te  në rajon dhe më shqiptarët, kur dihet së Serbia është e lidhur ngushtë  historikisht më Rusinë!Krimineli i luftës mbetet gjithmonë kriminel, siq ka mbetë edhe presideneti serb.Vlenë të përmendet së Vuqiqi , më Dodikun e  Republika Serpska ,se bëshku më Kishën Ortodokse Serbe e kan rolin kryesor në realizimin e idesë për Serbi të Madhe.Harrova më lartë të përmendi se Çubrilloviq gjithashtu ishte anëtar i SANU-së,  i cili ka thënë se një e treta e shqiptarëve të Kosovës duhet të likuidohen , një e treta të serbizohet, dhe një e treta duhet të dëbohet nga Kosova.Kur jemi të kjo temë duhet përmendur edhe një tjetër ideator , fashist dhe gënjeshtar të Serbisë së Madhe, Dobrica Qosiq.Ai serbeve iu preferoj që të gënjejnë sa më shumë, që përsertija e këtyre genjeshtrave të shëndrrohen në një të vërtetë historike.Duke i renditur gjerat që nuk eleborohen të gjitha në një tekst të vëtem, është evidente së edhe sot  po vazhdohet e njejta logjikë luftënxitëse në rajon për Serbi të Madhe  nga regjimi i Vuqiqit dhe Krerët e Kishës Ortodokse Serbe.Mu për atë para disa kohësh edhe kishin  mbajtur në Beograd, Kuvendin Gjithë Serb,  nga dolen edhe konkluzionet për realizimin e  e Serbisë të Madhe, gjoja se aty ku jeton një serb, është Serbi.Si ka mundësi shtetet e BE-së ta marrin seriozisht një kriminel lufte, që glorofin kriminelet tjerë?Si mund të ndërtohet ndonjë marrveshje për normalizim të mardhënjeve më Kosovën , kur Serbia në thelb është shtet fashist? Si ka mundësi ti besohet Vuqiqit, i cili përditë kërkon luftë më Kosovën?Ai është se bashku më Radojqiqin ata që u përpoqën që më aktin terrorist në Banjskë, të bëjnë faktike  ndarjën e veriut të vendit?Nese Rusia po e mban në pushtet , qfarë aryse ka BE-ja ta përmban që ai mos të pëmbysët që një vit nga protestat masive studentore në Serbi?Çdo regjim më protesta të tilla moti do të  kishte rënë, po mos të ekzistonte fuqia e Rusisë mbrapa,  më të cilin shtet , Serbia po  mban lidhje të forta , dhe duket se kot po e përmban BE-ja regjimin kriminal të Begrdait , më motivacion që Serbinë ta largojnë nga ndikimi politik  nga Rusia e Putinit. Kjo politikë deri më tash nuk funksionojë nga ana e BE-së, edhe për faktin se presidenti serb, nuk e ka guximin të largohet nga Rusia.Duhet tshmë të rrënohet miti të një shiteti  kriminal.Serbët më logjikë pushtuese ende po japin  mësim rreth mitomanise historike.Është kjo  paradoksale  për shtetet e rajonit dhe ato të BE-së,që serbët po na japin një mësim mbi mitomaninë historice.Kjo mitomani e njërzve të pa mend në kokë siq janë drejtuesit e shtetit serb, por edhe shumica e sërbëve, ende nuk po mbaron.Beteja e Kosovës, Princi Llazar, Car Dushani, narrativa e “serbëve të kërcënuar” dhe “të drejtave historike” u përdorën si lëndë djegëse për luftëra, spastrime etnike dhe pushtime.Kisha Ortodokse Serbe gjithashtu merr pjesë vazhdimisht në riprodhimin e narrativës së “të drejtës së lashtë të serbëve mbi tokën serbe”.Prandaj, mitomania është e gjallë   tek serbët,  të cilët gjithmonë kanë për qëllim të pushtimit të tokave të huaja dhe tokave shqiptare   në Ballkan. Garašanin e pohon qartë në Naçertani, “Serbët duhet të përvetësojnë të gjitha tokat ku kanë jetuar paraardhësit tanë.”Nga kjo logjikë fashiste   për Serbi të Madhe nuk po lirohet as presidenti serb-një kriminel lufte, Aleksander Vuqiqi….Shqiptarët sikur kan harruar së këndë kemi fqinjë, një shtet grabitqar, nga i cili gjithmonë duhet të bëjmë shumë kujdes!Ata nuk do të ndalën më akte terroriste siq është edhe rasti i fundit më shëmbje të urës, për të mbajtur në shenjestër pushtuese shtetin e Kosovës …

U strehua Nëna e moshuar në zonën e Astirit e nxjerrë jashtë nga banesa se nuk kishte para të paguante qeranë

Një nënë e moshuar në zonën e Astirit po kalonte natën e dytë në rrugë, e ulur në një stol, me pak rroba dhe vetëm qenin e saj pranë.

Ajo ishte nxjerrë nga banesa sepse nuk mund të paguante më qiranë, dritat dhe ujin.

Prej dy muajsh jetonte në errësirë, vetëm me pensionin e saj të vogël.

Fotoja e publikuar nga JOQ u shpërnda me shpejtësi dhe preku zemrat e shumë njerëzve.

Falë vullnetares Ina Malhani dhe drejtoreshës së Qendrës “Ismail Bej Vlora 2”, Agetina Hidershaj, rreth orës 03:00 të mëngjesit nëna u mor nga stoli i ftohtë së bashku me qenin e saj besnik.

“Vetëm qeni më qëndroi besnik…” – tha e moshuara teksa po largohej drejt strehimit.

Sot ajo ndodhet e ngrohur, e ushqyer dhe nën kujdes në qendër. Ka kaluar të 70-tat, nuk ka familjarë pranë, vajzat e saj jetojnë jashtë dhe prej vitesh janë shkëputur.

Por sot ajo nuk është më vetëm. Pranë ka të vetmin që nuk e tradhtoi kurrë – qenin e saj./LJ

 

Trumpi sulmon “New York Times” për shkrimet që vunë në dyshim shëndetin e tij: Kjo është kryengritje, madje edhe tradhti

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj raportimeve mediatike që ngrejnë pikëpyetje mbi shëndetin dhe energjinë e tij, duke i cilësuar ato “kryengritje, ndoshta edhe tradhti”. Në një mesazh të gjatë në Truth Social, Trump akuzoi veçanërisht “New York Times” dhe media të tjera se po përhapin insinuata se ai nuk ka më ritmin e dikurshëm.


“‘New York Times’ dhe të tjerët shkruajnë vazhdimisht artikuj të rremë për të më diskredituar dhe për të ulur figurën e presidentit të SHBA-së,” shkroi ai.

Trump, 79 vjeç, aktualisht presidenti më i moshuar i zgjedhur ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara, tha se ka kryer ekzaminime të thelluara mjekësore dhe se “asnjë president nuk ka punuar më shumë se unë”. Ai shtoi se ka “shkëlqyer” edhe në testet njohëse, teste që, sipas tij, paraardhësit e tij nuk i kanë bërë kurrë.

Reagimi i Trump erdhi pas një artikulli të “New York Times”, që raportonte se rutina e tij ditore është dukshëm më e lehtë se gjatë mandatit të parë dhe se ai duket se përgjumet gjatë eventeve publike. Trump u përgjigj me tone të ashpra duke deklaruar se “gjëja më e mirë për këtë qytet do të ishte që ‘New York Times’ të ndalonte së botuari”.

Zëdhënësja e gazetës, Nicole Taylor, i tha AFP-së se amerikanët kanë të drejtë të marrin informacione të plota për shëndetin e zyrtarëve që zgjedhin. Ajo rikujtoi se vetë Trump kishte lavdëruar më herët raportimet e NYT për shëndetin e presidentëve të tjerë, dhe se e njëjta qasje profesionale ndiqet edhe për të.

Gjatë fushatës së tij, Trump ka akuzuar shpesh rivalin demokrat Joe Biden për probleme shëndetësore, duke pretenduar se vuan nga demenca. Edhe në një tubim të fundit në Pensilvani, ai e quajti Biden-in “i fjetur” gjatë një fjalimi që zgjati mbi një orë.

Në përfundim të deklaratës së tij, Trump theksoi: “Nëse një ditë do të ngadalësohem, do ta di vetë. Por kjo nuk po ndodh tani.” gsh

Agim Xhafka: Kam hyrë në grevë me Adriatik Lapajn

Gruaja më dinte që kisha dalë për pazar kur unë i nisa këtë foto.
-Kam hyrë në grevë me Adriatik Lapajn, – i shkrova.
Më mori urgjent, por nuk ia hapa.
-Jam në mbledhje, jemi duke diskutuar për strategjinë,-i bëra mesazh.
Atë sekondë filluan zilet e cel. Merrte goca, mbesa, një djalë xhaje i gruas deri motra nga Korça. I kishte alarmuar shqiponja ime. Por unë stoik. Në karrike, poshtë zyrës së Ramës dhe në krah të Tikut.
-Ej, po si nuk vijnë tiranasit more? Të paktën gjysëm ore, sa të duken që janë të shqetësuar që qeveria me një tender vjedh 50 milionë euro?
Ai më sheh në sy, gatit përgjigjen, por nuk është shumë i merakosur nga mungesa e njerëzve.
-Jemi më keq se në komunizëm,-thotë.-Atëhere të trembte, të burgoste, të vriste ama shumica e popullit në heshtje e urrenin. Tani të shpërfillin. Sikur në këtë trotuar s’ka protestues, sikur çdo gjë ecën fjollë. Asnjë lajm në tv a mediat e tjera.
Pas kësaj shton:
-Më kanë bërë padi penale se doja të ngrija një çadër.
M’u kujtua historia e një çadre para Shtëpisë së Bardhë në Washington. Pa leje e ngriti një zonjë për të protestuar ndaj armëve bërthamore. Askush nuk ia preku. Aty te ajo çadër u protestua 35 vite rresht.
Kuptoj që mediat e tv do mungojnë. Se pronarët e tyre janë hamësit e buxhetit të shtetit. Po gazetarët pse nuk vijnë. Pse?
Shkova sot, do shkoj nesër e çdo ditë se e kam dhe porosi nga vëllai im Teodor Keko:
-Ai gazetar që nuk kritikon qeverinë është impotent.
Ke të drejtë Dorka i vogël. Gazetaria shqiptare sot është mbushur dingaz me impotentë. Me impotentë të pasur.

BalkanWeb: Kaos në zgjedhjen e Avokatit të Popullit, opozita mes përçarjes dhe mungesës së strategjisë

Procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ka nisur me një tablo që vë seriozisht në pikëpyetje koherencën dhe përgjegjshmërinë e opozitës. Ndërsa maxhoranca mbështet një kandidat të vetëm, opozita paraqitet me 6 emra, duke fragmentuar vetë votën, por duke krijuar edhe dyshime për manovra të brendshme.

Përfaqësuesit demokratë, pasi dhanë firmat për disa kandidatë, u tërhoqën papritur nga mbështetja. Edhe kryetari i PD, që kishte nënshkruar më herët, deklaron tani tërheqjen e firmës. Ky luhatje i shton kaosin një procesi, ku duhet qartësi dhe qëndrueshmëri, duke ngritur pyetjen se kush e drejton realisht strategjinë e opozitës dhe nëse strategjia ekziston në të vërtetë.

Ky nuk është precedent i ri. Në vitin 2022, PD propozoi dhe mbështeti zyrtarisht Ledio Brahon për Avokat të Popullit, por situata përfundoi në konfuzion dhe moskoordinim politik.

Më herët në 2017 kur u zgjodh Erinda Ballanca pati akuza për pazare si pasojë e marrëveshjes së 17 majit mes Ramës dhe Bashës.

E sot historia duket se po përsëritet. Opozita shfaq dobësi të brendshme, mungesë vendimmarrjeje dhe një qasje që prodhon më shumë mjegull se sa garanci për një institucion të pavarur dhe të besueshëm.

Për qytetarët, mesazhi është i thjeshtë; kur opozita nuk di çfarë do, humbet jo vetëm pozicionet, humbet besimin.

Avokati i Popullit/ Ndregjoni thirrje te fortë Sali Berishës: Sot është dita të tregosh veten, je me antikomunizmin apo je me komunizmin!

Presidenti i Unionit të ish-të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni ka akuzuar ditën e sotme Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, se po bëjnë një lojë të pistë, lidhur me kandidaturën për postin e Avokatit të Popullit.

Në një prononcim për mediat ai ju drejtua drejtpërdrejt Sali Berishës se sot ishte dita të tregonte nëse është me antikomunistët apo është më komunistët dhe bën propagandë antikomuniste.

“I bëjmë një thirrje doktor Berishës. Sot është dita të tregosh veten, je me antikomunizmin apo je me komunizmin dhe bën propagandë antikomunsite. PS dhe PD tju vijë turp dhe të turpëroheni para shqiptarëve që kandidoni antikomunistë për avokat populli”,- është shprehur Ndregjoni.

Kjo deklaratë e Ndregjonit vjen pasi, Berisha deklaroi sot se është tërhequr nga proçesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke e lënë në “mëshirën” politike të Edi Ramës kandidaturën e Ndregjonit dhe 5 kandidatëve të tjerë.

Shumica socialiste miratoi me 9 vota pro dhe 3 kundër, listën me 6 kandidatë për postin e Avokatit të Popullit duke e kaluar kështu në seancën plenare për votim.

Për këtë post kandidatë janë: Aranita Brahaj, Besim Ndregjoni, Adriana Kalaja, Tartar Bazaj, Skënder Haluca dhe Endrit Shabani, emrat e të cilëve do të votohen në seancën plenare të së enjtes në Kuvend .

Ndërkohë, Komisioni skualifikoi gjithashtu nga gara 4 kandidatë, me pretendimin se nuk kishin marrë firmat e mjaftueshme të deputetëve të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutë.

Pse modeli shqiptar është kthyer në eksperiment laboratori për emigrantët?

Rregullorja e re e BE-së për azilin, e cila forcon procedurat kufitare dhe hap derën për qendrat e kthimit në vendet e treta, rrezikon të legjitimojë modelin e qendrave në Shqipëri të promovuar nga qeveria Meloni.

 

ITALI- Raporti i fundit i ‘Fondacionit Migrantes’ mbi të drejtën e azilit nxjerr në pah një çështje tashmë vendimtare në politikën evropiane: eksternalizimin e kontrollit të migracionit. Në vitet e fundit, Unioni ka zhvendosur në mënyrë progresive disa nga procedurat e tij kufitare jashtë kufijve të tij, duke deleguar fazat më të ndjeshme të pritjes, ndalimit dhe riatdhesimit të migrantëve në vendet e treta. Brenda këtij procesi, projekti italian për qendrat e azilit në Shqipëri, i ndjekur nga qeveria Meloni dhe deri më tani i bllokuar nga apelet dhe sfidat ligjore, bëhet studimi më efektiv i rastit për të kuptuar se ku po shkon Evropa dhe rreziqet me të cilat përballet.

Çfarë përfshin plani i qeverisë Meloni për emigrantët Itali-Shqipëri?

Marrëveshja e nënshkruar nga Roma dhe Tirana parashikon menaxhimin në tokën shqiptare të një pjese të procedurave kufitare për migrantët e kapur në Mesdhe dhe të transferuar direkt përtej Adriatikut. Dy objektet e ndërtuara në Shqipëri, aktualisht gati por ende joaktive, kanë për qëllim të “pritin” njerëz nga vende të konsideruara “të sigurta”; ata do të mbahen atje për kontrolle, identifikim dhe përpunim të përshpejtuar të kërkesave për azil.

Qëllimi i deklaruar i qeverisë italiane është i dyfishtë: të përshpejtojë procedurat për ata që nuk kanë të drejtë për mbrojtje dhe të rrisë numrin e riatdhesimeve. Megjithatë, deri më sot, projekti nuk ka filluar kurrë vërtet. Gjykatat italiane dhe evropiane kanë ngritur dyshime në lidhje me përputhshmërinë e marrëveshjes me ligjin e BE-së: është e paqartë nëse të drejtat themelore të azilkërkuesve do të garantoheshin në të vërtetë, në çfarë mase Italia do të mbetej përgjegjëse për vendimet e marra në qendra dhe cilat mjete juridike do të ishin në dispozicion për ata që kundërshtojnë një refuzim ose ndalim të paligjshëm.

Korniza e re evropiane: reforma e azilit rihap rrugën

Marrëveshja e fundit politike e arritur nga Ministrat e Brendshëm të BE-së mund të rihapë derën për aktivizimin e qendrave. Reforma e miratuar në Bruksel prezanton disa risi që ndikojnë drejtpërdrejt në modelin shqiptar:

1. Për herë të parë, është krijuar një listë e përbashkët e vendeve të konsideruara të sigurta (të cilat shpesh nuk janë, si Tunizia, Egjipti ose Bangladeshi), e cila lejon zbatimin e procedurave të përshpejtuara për qytetarët që vijnë nga shtete të konsideruara pa konflikte ose persekutim të përhapur (përfshirë Bangladeshin, Egjiptin dhe Tunizinë);

2. Procedurat kufitare po forcohen, duke u bërë më të shpejta, më të gjera dhe më të orientuara drejt refuzimeve të menjëhershme të aplikimeve;

3. Mundësia e krijimit të qendrave të kthimit jashtë Evropës, domethënë qendrave në vendet e treta ku mund të mbahen ata që janë të destinuar për riatdhesim, është hapur zyrtarisht;

4. I gjithë sistemi i paraburgimit forcohet më pas, me afate kohore më të rrepta dhe standarde minimale të reja.

Sipas Ministrit të Brendshëm Matteo Piantedosi, këto masa i bëjnë objektet shqiptare “plotësisht funksionale”. Me fjalë të tjera, legjislacioni i ri evropian do të legjitimonte përfundimisht atë që deri më tani nuk kishte mbështetje të fortë ligjore.

Një model i errët dhe ligjërisht i brishtë

Vlerësimi i Migrantes është shumë më i rëndë. Raporti argumenton se procedurat e outsourcing-ut nuk janë vetëm joefektive nga ana operative, por edhe të rrezikshme nga ana demokratike. Raporti identifikon katër probleme kryesore.

1. Mungesa e mbikëqyrjes publike.

Qendrat e vendosura jashtë BE-së janë të vështira për t’u aksesuar nga gazetarët, OJQ-të dhe vëzhguesit e pavarur. Kjo do të thotë që ajo që ndodh brenda tyre mbetet kryesisht e padukshme, përtej mbikëqyrjes demokratike dhe shqyrtimit gjyqësor.

2. Një zonë gri e përgjegjësisë ligjore.

Kur një procedurë kryhet në një vend të tretë, është e paqartë nëse mbizotëron ligji evropian, ligji i vendit pritës apo ligji i përcaktuar nga protokollet dypalëshe. Në rastet e shkeljeve, ndalimit arbitrar, procedurave të padrejta ose mungesës së aksesit në avokat, identifikimi i juridiksionit kompetent bëhet pothuajse i pamundur.

3. Dobësimi strukturor i garancive.

Zhvendosja e procedurave larg territorit evropian në mënyrë efektive do të thotë distancimi i njerëzve nga mekanizmat mbrojtës të ofruara nga vetë BE-ja. Azilkërkuesit rrezikojnë të trajtohen si raste administrative që duhen zgjidhur shpejt, në vend që të trajtohen si individë me të drejta.

4. Një logjikë që është më shumë politike sesa efektive.

Migrantes vëren më tej se efektiviteti i riatdhesimeve është larg të qenit i provuar. Ajo që duket se funksionon, përkundrazi, është efekti politik: demonstrimi i vendosmërisë, përcjellja e një ndjenje kontrolli dhe qetësimi i opinionit publik vendas, edhe nëse rezultatet konkrete janë të kufizuara.

Për këtë arsye, raporti e përcakton modelin shqiptar si një “laborator” të vërtetë: një eksperiment i kryer mbi njerëz jashtëzakonisht të prekshëm, i cili mund të bëhet modeli strukturor për politikat e ardhshme evropiane.

Një pikë politike: Evropa rrezikon të normalizojë përjashtimin

Analiza e Migrantes shkon përtej këtij rasti specifik. Pika thelbësore ka të bëjë me aftësinë e Bashkimit Evropian për t’i qëndruar besnik parimeve të tij themeluese, ndërkohë që zhvillon një pjesë të politikave të tij përtej kufijve të tij. Mbeten tre pyetje të hapura: a është realiste të garantohen standardet evropiane të mbrojtjes në vendet jo-anëtare të BE-së? Kush monitoron në të vërtetë atë që ndodh në qendrat ekstraterritoriale? A mund të konsiderohet ende koherente me veten një Evropë që zhvendos aspektet më të ndjeshme të ligjit të azilit diku tjetër? Sipas Migrantes, përgjigjja e këtyre pyetjeve do të përcaktojë të ardhmen e ligjit evropian të azilit dhe, në përgjithësi, besueshmërinë politike të BE-së.

Një udhëkryq për BE-në

Përfundimi i dosjes është i qartë: outsourcing nuk është vetëm një zgjedhje teknike. Është një hap politik që ripërcakton marrëdhënien midis të drejtave themelore dhe menaxhimit të kufijve. Modeli shqiptar, së bashku me marrëveshjet me Libinë, Tunizinë dhe vende të tjera të treta, bëhet një “shtrat prove” për stabilitetin demokratik të Bashkimit Evropian.

Çështja, në fakt, nuk është vetëm nëse këto qendra do të funksionojnë apo jo, por nëse Evropa është e gatshme të pranojë që një pjesë e sistemit të saj të azilit të transferohet jashtë territorit të saj. Dhe çfarë ndikimi do të ketë kjo në transparencë, ligjshmëri dhe vetë besueshmërinë e parimeve që Bashkimi pretendon se mbështet./Dosja.al

Skandal me kompaninë e lidhur me KAYO e Ardi Veliut dhe Pirro Vengut, Belgjika nisin hetimet për kontratat e fituara! Firmosën urdhër-arreste ndërkombëtare

Autoritetet belge kanë nisur një hetim në lidhje me kontratat e dyshuara të fituara nga kompania izraelite Elbit Systems, e cila ka firmosur disa marrëveshje me kompaninë shqiptare KAYO, të drejtuar nga Ardi Veliu për prodhimin e armëve.


Prokuroria Federale e Belgjikës ka lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti për një konsulent të dyshuar se ka vepruar në emër të kompanisë izraelite të mbrojtjes Elbit Systems, në kuadër të disa kontratave të rëndësishme të dhëna nga një agjenci e NATO-s, raporton alettre.fr.

Në qendër të hetimit ndodhet Eliau Eluasvili, 60 vjeç, shtetas italian, i cili dyshohet për “korrupsion aktiv” dhe “pjesëmarrje në organizatë kriminale”.

Konsulent në arrati

Ai është në kërkim që prej 30 shtatorit, ndërsa sipas burimeve të hetimit, Elbit Systems u pezullua në korrik nga të gjitha prokurimet publike të NATO-s.

Hetuesit besojnë se gjatë disa viteve, Eluasvili ka ndihmuar Elbit Systems të siguronte kontrata të manipuluara nga NSPA (Agjencia e Prokurimeve në NATO). Ai rezulton i përfshirë në një rrjet kompanish konsulence të regjistruara në Lituani, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Greqi dhe Rumani.

Sipas dokumenteve të brendshme, NATO pezulloi gjatë verës 15 kontrata, prej të cilave 13 i përkisnin Elbit Systems dhe filialit të saj Orion Advanced Systems. Këto kontrata përfshinin furnizime me ndezës ajrorë, municione, fishekzjarrëve për avionë dhe predhave 155 mm për forcat e armatosura të NATO-s.

Ndër kontratat më të mëdha të pezulluara është ajo për modernizimin e flotës së anijeve patrulluese të Marinës Portugeze, me vlerë 100 milionë euro për periudhën 2016–2024.

‘Parregullsitë’ e kontratës

Në një dokument të datës 31 korrik që shoqëronte listën e kontratave të pezulluara, kreu francez i programit të municioneve të NSPA-së, Céline Danielli, i paralajmëroi përfaqësuesit e Aleancës për shkallën e mashtrimit.

“Pezullimet e shitësve vijnë pas shfaqjes së akuzave serioze që tregojnë se ka të ngjarë që furnizuesit të jenë përfshirë në praktika të sanksionueshme, duke përfshirë parregullsi në dhënien e kontratave”, shkroi ajo. “Si rezultat, strategjia jonë ekzistuese e Prokurimit tani nuk mund të ekzekutohet”, shtoi Céline Danielli. NSPA mbetet e disponueshme për të diskutuar ndikimin operacional të këtij vendimi dhe ai mund të jetë i kufizuar.

Dyshimet përforcohen nga fakti se të gjithë agjentët ose ish-agjentët e NATO-s të arrestuar në muajt e fundit ishin aktivë në programin e municioneve të NSPA-së. Duke filluar me Guy Moeraert, një ish-ushtar belg i cili ishte aktiv në vitet 2015-2020 në departamentin e operacioneve, ku u caktua në programin e prokurimit të municioneve. Ai më vonë u bë konsulent. Ai aktualisht i nënshtrohet etiketimit elektronik pas një qëndrimi gjashtëmujor në burg.

Moeraert dyshohet nga gjykatat belge se ka marrë 1.9 milion euro në ryshfete për programe municionesh dhe pajisjesh aeronautike me vlerë disa qindra milion euro. Ai është akuzuar për “korrupsion aktiv dhe pasiv, pastrim parash dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale”. Avokati i tij tha se klienti i tij “ka vënë gjithçka në tryezë, ka dhënë emra (dhe) nuk i konteston elementët faktikë”, por “ende përfiton nga prezumimi i pafajësisë”.

Gjykatat belge duan të zbulojnë nëse ish-agjenti i NSPA-së, i cili u bë konsulent i pavarur në vitin 2021, ka punuar për Eluasvilin dhe e ndihmoi atë të siguronte disa kontrata të NATO-s për Elbit Systems, sipas burimeve tona.

Një rrjet ish-agjentësh të shndërruar në konsulentë, të cilët me kënaqësi i hapin librat e tyre të adresave për industrialistët, graviton rreth selisë së NSPA-së në Luksemburg. Ata kanë përfituar nga situata e re gjeopolitike, shpërthimi në buxhetet e mbrojtjes evropiane dhe njohuritë e tyre të brendshme për Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut për të ndihmuar kompani të caktuara të fitojnë kontrata pas tenderëve kompleksë të nisur nga NSPA.

Ndonjëherë ata madje dhanë këshilla mbi detajet më të imëta të kontratave. NSPA, kodi i etikës së së cilës hesht për agjentët e saj që kalojnë në sektorin privat, ka treguar pak shqetësim për zhvillimin e karrierës së ish-punonjësve të saj. gsh

A mund të “vallëzojnë tango” Shkupi dhe Sofja?

Krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Fotografi ilustruese.

 

Aleksandar Samarxhiski

“Ende nuk e kemi një partner për tango”, u shpreh kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, duke folur për bisedimet e mundshme me Republikën e Bullgarisë për përparimin e Maqedonisë së Veriut në integrimet evropiane. Por, sa e gatshme është Sofja për të vallëzuar tango me Shkupin në një situatë kur përballet me probleme të brendshme – protesta masive dhe presion për dorëheqjen e Qeverisë?

Vetëm situata në Bullgari mund të çojë në atë që pala maqedonase të mos ketë me kë të bisedojë, tha profesori universitar Vasko Naumovski, i cili ka qenë ambasador në Uashington dhe ish-zëvendëskryeministër për Integrime Evropiane.

Ai theksoi se deri tani ka pasur iniciativa nga pala maqedonase për rritjen e besimit dhe mbajtjen e disa takimeve në nivel të lartë, por ato nuk janë pranuar.

“Tani mbetet e hapur pyetja nëse në muajt e ardhshëm Bullgaria do të ketë një skenë politike të qëndrueshme dhe do të jetë një partnere stabile me të cilën mund të hyjmë në bisedime të thella. Nëse skena politike atje vazhdon të destabilizohet, ne nuk do të kishim me kë të biem dakord, ose ajo që do të biem dakord nuk do të mbijetonte në Bullgari për një kohë më të gjatë”, tha Naumovski për Radio Evropa e Lirë (REL).

Më 1 dhjetor, Bullgaria u përball me disa nga protestat më të mëdha që nga vitet 1990, të nxitura nga buxheti që e propozoi Qeveria. Ekzekutivi e tërhoqi propozimin, por protestuesit kërkuan dorëheqjen e tij, kërkesë që u mbështet edhe nga presidenti Rumen Radev. Përveç planeve buxhetore, një nga faktorët që shkaktoi zemërim te qytetarët që dolën në rrugë dhe sheshe, siç thanë vetë ata, ishte korrupsioni.

Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut, Bullgaria ka rëndësi pasi autoritetet maqedonase kërkojnë garanci se pas ndonjë ndryshimi kushtetues nuk do të ketë kushte të reja për integrimin evropian të vendit. Me ndryshimet kushtetuese, Maqedonia e Veriut duhet të përfshijë komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës. Kjo është një detyrë që vendi e mori në vitin 2022, pasi dy vjet më parë Bullgaria kishte vendosur veto për fillimin e negociatave të Shkupit me Bashkimin Evropian.

Ambasadorja gjermane konsideron se ekziston vullnet politik

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis dy vendeve, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shkup, Petra Dreksler, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, vlerësoi se “në të kaluarën e afërt mund të dallohen shembuj të mirë” se si ato mund të forcohen.

Si shembull, ajo përmend marrëveshjen për Korridorin 8, të cilën në nëntor e nënshkruan zëvendëskryeministri njëherësh ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, dhe ministri bullgar për Zhvillim Rajonal, Grozdan Karadzhov.

Marrëveshja ka të bëjë me ndërtimin e një tuneli të përbashkët kufitar për nevojat e transportit hekurudhor.

“Ky është një investim nga i cili do të përfitojë e gjithë Evropa, kur të kompletohet rrjeti ynë evropian hekurudhor. Është diçka nga e cila do të përfitojnë fuqishëm të dyja vendet, do të forcojë ekonomitë tona, diçka që mund të nxisë edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Sipas mendimit tim, padyshim që ekziston interes dhe vullnet politik për përparim, dhe këtë Gjermania e mbështet plotësisht, ashtu si edhe Bashkimi Evropian”, tha Dreksler, në intervistën për Shërbimin maqedonas të REL-it.

Aktivitetet në dy fronte

Por, si mund të vazhdohet më tej, duke marrë parasysh situatën aktuale në Bullgari?

Sipas Naumovskit, aktivitetet nga pala maqedonase duhet të vazhdojnë me paraqitjen e qëndrimeve të saj para institucioneve të BE-së, dhe me këtë të pritet që “institucionet evropiane ose shtetet anëtare të nisin që ta nxisin Bullgarinë që të heqë dorë nga e drejta e vetos”.

“Paralelisht me këtë, duhet të vazhdojnë edhe nismat për një qasje dypalëshe drejt zgjidhjes së këtij problemi me institucionet përkatëse në Bullgari. Përmes këtyre dy proceseve paralele, mund të shpresojmë se mund të bëjmë një hap përpara gjatë vitit të ardhshëm”, tha Naumovski.

Ndërsa mbetet e hapur pyetja se çfarë dhe nëse do të ndryshojë diçka në periudhën e ardhshme, pala bullgare deri tani ka përsëritur vazhdimisht qëndrimin se Maqedonia e Veriut është ajo që duhet të përmbushë detyrimet e saj.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, deklaroi ditë më parë se me përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë, Maqedonia e Veriut do të përshpejtojë ndjeshëm procesin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Shpresoj që fqinjët tanë jugperëndimorë ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur për të hapur dyert për negociata për anëtarësim të plotë”, deklaroi Radev gjatë pritjes për përfaqësuesit e organizatave të bullgarëve nga Maqedonia e Veriut.

Mickoski: Nuk kemi informacione nga pala bullgare

Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë një bisedimi me gazetarët më 4 dhjetor, përsëriti qëndrimet e tij se nëse Maqedonia e Veriut bënë ndryshime kushtetuese, kjo mund të rezultojë me kërkesa të reja, prandaj nevojiten garanci.

“Ndryshimet kushtetuese janë vetëm fillimi. Edhe sikur nesër t’i përfshijmë bullgarët në Kushtetutë, pyetja mbetet vetëm nëse për tre, gjashtë apo nëntë muaj do të ketë një kusht të ri”, tha Mickoski.

Ai theksoi se ka pasur nisma nga “disa vende me ndikim” në BE për takime me Bullgarinë në nivel të lartë, por shtoi se deri tani nuk ka informacione nga pala bullgare për gatishmërinë për bisedime.

Mickoski theksoi se është dilemë se si eventualisht Sofja do të donte të zhvilloheshin bisedimet. Nga njëra anë, u shpreh ai, Bullgaria pretendon se “kjo nuk është më një çështje dypalëshe” dhe se logjike është të bisedohet me Brukselin.

“Këtu pala bullgare thotë se mund ta zgjidhim vetë. Le të vendosin… Nëse është dypalëshe, jemi të gatshëm të bisedojmë me ta. Nëse jo, atëherë të bisedojmë me Brukselin”, tha Mickoski për gazetarët.

Ndërkaq, opozita ka kritika për këtë çështje. Lidhja Socialdemokrate (LSDM) e ka akuzuar Qeverinë se me qëllim po pengon rrugën evropiane, se nuk dëshiron reforma dhe nuk lejon funksionimin e shtetit ligjor.

Qeveria do të dëgjojë mesazhet për ndryshimet kushtetuese nga Brukseli

Ndërkohë, Këshilli i Evropës po përgatitet të miratojë konkluzionet për zgjerimin. Parashikohet që kjo të ndodhë më 16 dhjetor, periudhë kur kryeministri Mickoski dhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë maqedonase do të jenë në Bruksel, ku do të mbahet edhe samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas draft-konkluzioneve, të cilat i ka parë më herët Radio Evropa e Lirë, Këshilli parashikon t’i bëjë një thirrje tjetër Maqedonisë së Veriut për të përmbushur detyrimet dhe për të kryer ndryshimet kushtetuese.

Sipas këtyre draft-konkluzioneve, Këshilli “konfirmon gatishmërinë e tij për të thirrur edhe një konferencë ndërqeveritare, pa vonesa të mëtejshme apo vendime politike shtesë”.

Aty thuhet po ashtu se “Këshilli është i gatshëm të hapë grup-kapitullin e parë negociues sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Këto konkluzione bazohen në raportet e Komisionit Evropian të publikuara në nëntor lidhur me progresin e vendeve aspiruese për anëtarësim.

Donbasi dhe më gjerë: Pengesat territoriale për paqen në Ukrainë

Një ushtar ukrainas patrullon një pozicion në vijën e frontit pranë Pokrovskut në rajonin e Donjeckut, Ukrainë, 20 nëntor.

 

Steve Gutterman

Midis një vale të shpejtë diplomacie lidhur me përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për një marrëveshje paqeje, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 8 dhjetor se Kievi nuk ka as të drejtë ligjore e as morale të heqë dorë nga ndonjë pjesë e tokës së vet.

“Natyrisht, Rusia ngul këmbë që ne të heqim dorë nga tokat tona. Ne, pa asnjë dyshim, nuk duam të japim asgjë. Pikërisht për këtë po luftojmë”, tha Zelensky, vendi i të cilit është përballur me agresion ushtarak nga Rusia që nga viti 2014 dhe me një pushtim të plota qysh nga shkurti i vitit 2022.

Duket e thjeshtë. Megjithatë, në të njëjtën bisedë online me gazetarë, ai tha se bisedimet me Uashingtonin përfshijnë “çështje të ndërlikuara që lidhen me territorin” dhe se “ende nuk është arritur kompromis për këtë”.

Më poshtë mund ta lexoni një vështrim mbi kontrollin territorial në Ukrainë, që është një nga pengesat më të mëdha në rrugën drejt paqes.

Donbasi

Qëllimet dhe fiksimet që e nxitën presidentin rus, Vladimir Putin, ta niste pushtimin shkojnë shumë përtej thjesht grabitjes së tokave; ato përfshijnë një dëshirë për ta nënshtruar Ukrainën, për ta dobësuar Perëndimin dhe për t’i përmbysur disa nga rezultatet e Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjes së perandorisë sovjetike.

Por, kontrolli mbi rajonet Donjeck dhe Luhansk, që përbëjnë Donbasin, është qartazi synimi kryesor.

Dhe, së bashku me sundimin e Krimesë dhe pjesëve të rajoneve Zaporizhja dhe Herson, kjo mund të jetë më e pakta që Putin beson se mund ta pranojë, të paktën për tani, pa u vlerësuar në atdheun e vet si një dështak i një lufte për të cilën në fillim shpresonte ta bënte Ukrainën të gjunjëzohet brenda javësh.

Telashi për Putinin është se forcat e tij nuk kanë qenë në gjendje ta pushtojnë të gjithë Donbasin. Përveç, disa pjesëve të vogla në rajonin Luhansk, pjesa tjetër është nën pushtimin rus, pjesë e pothuajse një të pestës së territorit të Ukrainës që kontrollohet nga Moska.

Por, Donjecku ka dalë të jetë më i vështirë: trupat ruse kontrollojnë rreth 77 për qind të rajonit, pasi janë zhvendosur me hapa të ngadaltë në një ofensivë të gjatë dhe rraskapitëse, por nuk kanë arritur të marrin përfundimisht qytetin e shkatërruar të Pokrovskut, dhe disa qendra të tjera të banuara mbeten nën kontrollin e Kievit.

 

Numri i madh i ushtarëve rusë të vrarë mund ta ketë forcuar vendosmërinë e Putinit për ta përfunduar kapjen e rajonit, nga frika se përndryshe gjakderdhja do të shihej si e kotë.

Në çdo rast, marrja nën kontroll të plotë e Donbasit tani është kërkesë themelore e tij në çfarëdo marrëveshje për paqe. Putin tha javën e kaluar se Rusia do të merrte me forcë pjesën e mbetur nëse përpjekjet diplomatike nuk sjellin tërheqjen e Ukrainës nga to.

Për Ukrainën, pjesa e Donbasit që ajo kontrollon është po aq thelbësore, në mos edhe më shumë.

Çdo marrëveshje për paqe që i jep tokë Rusisë ose forcon kontrollin e Kremlinit mbi tokën që ai pushton, do të shihej në Kiev dhe në Perëndim si shpërblim i agresionit të Moskës. Megjithatë, një pakt që i detyron forcat ukrainase të tërhiqen nga toka që kanë mbrojtur, gjithashtu me një kosto të madhe njerëzore, do të ishte edhe më i vështirë për t’u kapërdirë.

Një gjë e tillë mund të ketë pasoja të mëdha politike për Ukrainën dhe Zelenskyn, gjë që është arsye pse Putini e dëshiron.

Siç theksoi Zelensky më 8 dhjetor, është edhe një pengesë e fortë ligjore për t’i dorëzuar tokë një shteti tjetër: Kushtetuta e Ukrainës, e cila thotë se çdo ndryshim territorial “zgjidhet ekskluzivisht” përmes një referendumi kombëtar.

De facto, de jure

Një ndërlikim tjetër – të paktën sepse Putini ngul këmbë ta bëjë të tillë – është pretendimi i Moskës, i pabazuar në realitet por i mishëruar në ligjin rus për më shumë se tri vjet, se rajonet Luhansk, Donjeck, Zaporizhja dhe Herson janë pjesë e Rusisë, jo e Ukrainës.

Putini përpiqet ta theksojë këtë pretendim duke thënë se Rusia do ta “çlirojë” pjesën e mbetur të Donbasit, në vend se të thotë se do të marrë apo do të pushtojë toka ukrainase.

Kjo çështje e pazgjidhshme e Donbasit u përmend edhe në propozimin 28-pikësh për paqe të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili shkaktoi një stuhi diplomacie kur u bë publik muajin e kaluar.

Drafti u cilësua nga shumë si tepër i favorshëm për Rusinë dhe Ukraina e kundërshtoi atë në bisedimet me zyrtarë amerikanë dhe udhëheqës evropianë, të cilët janë rreshtuar për t’i mbështetur përpjekjet e Kievit për shmangien e një marrëveshjeje të njëanshme.

Por, formulimi për Donbasin, i cili qartazi shkaktoi pakënaqësi në Ukrainë, duket se nuk do t’i pëlqente as Rusisë.

Së bashku me Krimenë, të cilën Rusia e pushtoi në vitin 2014, drafti propozonte që rajonet Donjeck dhe Luhansk të “njihen si de facto ruse”, e jo de jure, siç dëshiron Moska.

Ai gjithashtu kërkonte që Ukraina t’i tërhiqte forcat e saj nga pjesa e rajonit Donjeck që ajo mban, dhe që kjo tokë të kthehej në një “zonë neutrale të demilitarizuar” që do të ishte “e njohur ndërkombëtarisht” si tokë ruse, por që forcat ruse nuk do të lejoheshin të hynin.

Ndër pengesat e tjera të mundshme, si çështja e atyre që do ta mbikëqyrnin zbatimin e marrëveshjes në Donbas, disa analistë thanë se njohja de facto është kundërthënëse në terma: Njohja, sidomos e përcaktuar në një pakt paqeje, sugjeron pranimin formal, ndërsa de facto nënkupton pranimin joformal të fakteve në terren.

Zelensky tha më 8 dhjetor se drafti amerikan ishte kufizuar nga 28 pika në 20, dhe se disa prej pikave më pak të favorshme për Ukrainën ishin hequr.

Megjithatë, ai nuk është publikuar dhe mënyra sesi trajtohet territori mbetet e paqartë, megjithëse, nga komentet e Zelenskyt, dukej qartë se Kievi nuk është i kënaqur.

Më 9 dhjetor, Zelensky tha se Ukraina dhe mbështetësit evropianë do t’ia dërgojnë së shpejti një propozim të “rishikuar” Shteteve të Bashkuara.

Hersoni dhe Zaporizhja

Përveç Krimesë dhe Donbasit, rajonet Zaporizhja dhe Herson paraqesin sfidë për çdo përpjekje për paqe.

Rusia kontrollon pjesë të secilit rajon, duke krijuar një “korridor tokësor” nga kufiri rus deri te ngushtica që lidh Krimenë e pushtuar me Ukrainën, si dhe kontroll mbi termocentralin bërthamor të Zaporizhjas – i cili është më i madhi në Evropë dhe një çështje tjetër e ndërlikuar në bisedimet e paqes.

Por, pasi Ukraina rimori qytetin e Hersonit në një kundërofensivë të madhe në vjeshtën e vitit 2022, Rusia nuk mban nën kontroll kryeqytetin e asnjërit prej dy rajoneve.

Midis përpjekjeve të SHBA-së për paqe që nisën kur Trump mori detyrën në janar të këtij viti, Moska herë pas here është dukur e hapur për marrëveshje që do ta lejonte Ukrainën t’i mbajnë në kontroll tokat që i kontroll – ashtu siç parashikonte propozimi 28-pikësh.

Megjithatë, Putini hodhi dyshime mbi këtë ide në deklaratat e tij të ashpra javën e kaluar, duke pohuar se Rusia do t’i marrë me forcë jo vetëm Donbasin, por edhe “Novorossian”, nëse Ukraina nuk tërheq forcat e saj, duke përdorur një term shumë të kontestuar që i referohet sundimit të Rusisë cariste mbi pjesë të Ukrainës lindore dhe jugore.

Përveç Krimesë, Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjas dhe Hersonit, Rusia kontrollon edhe disa zona shumë më të vogla në rajonet Harkiv, Sumi dhe Dnipropetrovsk.

Plani 28-pikësh thoshte se “Rusia do të heqë dorë nga territoret e tjera që kontrollon jashtë pesë rajoneve”, por nuk jepte hollësi.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Send this to a friend