Zhvillimet e sotme në Kuvendin e Republikës së Kosovës duhet të kuptohen në kontekstin e transformimit të elitave politike, të cilat — sipas shumë studimeve mbi tranzicionet post-koloniale dhe postkonfliktuale — shpesh trashëgojnë modele të vjetra të qeverisjes klienteliste dhe të kulturës politike patrimoniale (Bermeo, 2003; Levitsky & Way, 2010). Në rastin e Kosovës, një pjesë e konsiderueshme e establishmentit të periudhës 2000–2020 [pa logaritur periudhën e apart’hejdit kur veproi LDK-ja -1989-1999] u karakterizua nga kapacitetet e kufizuara reformuese, mungesë e mekanizmave të brendshëm të llogaridhënies dhe një prirje për ta instrumentalizuar shtetin si burim shpërndarjeje resursesh, e jo si platformë të konsolidimit të së drejtës publike.
Kjo dinamikë krijoi një lloj devijimi politik dhe moral sui generis, i cili në literaturë njihet si path dependency — ngurtësim i praktikave të vjetra që vazhdojnë të prodhojnë sjellje jo-funksionale edhe pas ndryshimit të konteksteve formale (North, 1990; Pierson, 2004). Për rezultat, reformat institucionale shpesh kanë ngecur midis rezistencës së strukturave të vjetra dhe mungesës së kapaciteteve për transformim substancial. Kjo është veneruar tek ne sidomos në sistemin e drejtësisë.
Sjelljet obstruksioniste në Kuvend, retorika konfrontuese apo pengesat e qëllimshme procedurale interpretohen nga një pjesë e analistëve si simptomë e këtij devijimi, të cilin Milward (1992) do ta quante “krizë të ndërmjetësimit politik”.
Në kontekstin e integrimit evropian, kjo lloj elite shpesh kërkon delegim të vendimmarrjes drejt Brukselit jo për të forcuar kapacitetet demokratike brenda shtetit-komb, por për të shmangur përgjegjësinë politike dhe për ta zhvendosur koston e vendimeve te një autoritet i jashtëm. Kjo sjellje është vërejtur në shumë vende të tjera post-socialiste, ku politikanët përdorin BE-në si external anchor për reforma që vetë nuk duan t’i ndërmarrin (Vachudova, 2005). Kjo është ajo që Streeck (2014) e quan “politics of depoliticisation” — një tendencë teknofeudaliste e zhvendosjes së autoritetit nga instancat demokratike të brendshme te mekanizma teknokratikë të jashtëm.
Në këtë kuadër, zhvillimet në Kuvend nuk janë thjesht episode politiko-partizane, por pjesë e një procesi më të gjerë të tensionit midis modelit të shtetit-komb demokratik dhe praktikave të vjetra klienteliste, të cilat shpesh përdorin diskursin e integrimit evropian për të fshehur mungesën e vullnetit për reformë të brendshme. Kjo e bën të qartë se konsolidimi i shtetit-komb demokratik — qoftë në Kosovë apo gjetkë në Ballkanin Perëndimor — varet nga aftësia për të mposhtur këto struktura të trashëguara dhe për ta rikthyer politikën në sferën e përgjegjësisë publike. [Fragment]