Për t’u lexuar nga Kastriot Çipi
“Unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë kundër shembjes së Teatrit. Edhe në rastin më fatkeq, që kjo godinë do të shembet, unë përsëri do të them, që të bëhet prapë siç ishte.”
Mjaftoi ky qëndrim publik i aktorit, regjisorit dhe autorit Naun Shundi, në vitin 2018, që pushteti t’ia fuste emrin në rreth të kuq. Në varrimin e tij nuk kishte asnjë drejtor teatri, as televizioni e as përfaqësues të Ministrisë së Kulturës apo Bashkisë Tiranë. Ky ishte kapitulli i fundit i një libri, që kishte kohë që shkruhej.
Bebi, siç e thërrisnin të gjithë, nuk kishte parti dhe i kishte miqtë të paktë, sepse i donte të vërtetë. E kështu që, edhe pasi u shemb Teatri Kombëtar dhe ai hapi teatrin e vogël privat, në shtëpinë e tij, që e pagëzoi “Zonja e Bujtinës”, ishin ata pak miq të vërtetë, që kishte, që e ndihmuan. Ministria dhe Bashkia, shteti pra, që shpërblen me mijëra m2 truall në bregdet “investitorët strategjikë”, që ka gjithëfarë skemash financimi për “start-up” (biznese fillestare) e OJF të “shoqërisë civile”, nuk e pa të arsyeshme ta mbështeste Bebin dhe bashkëshorten e tij në këtë aventurë të çmendur, nga pikëpamja e biznesit, por sa fisnike e të vyer për kombin, nga pikëpamja morale e kulturore.
Kështu që nuk mund të vinin në varrim drejtorët patronazhistë. Ata kanë frikë se dikush i spiunon te Babloku. Do të bëjnë luftë klasash. E bënë me Edi Luarasin, para vitit 1990, e bënë edhe kur vdiq, në vitin 2021. E bënë edhe me Gulielm Radojën. Do të vazhdojnë ta bëjnë me këdo, që ka guxuar të luftojë për mbrojtjen e Teatrit.
Me këtë rast, ju rikujtoj amanetin tim, të shprehur 4 vjet më parë, lidhjen e të cilit do ta gjeni në koment.