Mirëdita!
Të dashur qytetar dhe qytetare, të gjithë ju që ndiqni në rrjetet e mia sociale këtë bisedë të hapur.
Së pari dua të ju përshëndes përzemërsisht dhe shkurtimisht, të paraqes para jush zhvillimet më kryesore.
Gjatë kësaj periudhe PD arriti të miratojë në Internacionalen Demokrate të Qendrës, organizatën më të madhe dhe më të vjetër të partive të qendrës së djathtë në botë CDI, rezolutën që dënon dhe denoncon me forcën më të madhe Shqipërinë e Edi Ramës si shtetin e farsës elektorale, si shtetin që shtyp pluralizmin dhe opozitën, si narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, si një narkoregjim kleptokratik që vjedh qytetarët e vet.
E konsideroj këtë një arritje shumë të madhe, sepse denoncimi i të keqes që ka ngërthyer vendin, shndërrimi i saj në një problem ndërkombëtar, është padiskutim një detyrim dhe një arritje e madhe për PD.
Në tërë historinë tonë ne kemi patur armiq të të gjitha llojeve, pushtues të shumë kombeve, por theksoj se sot në rrafshin e materies kombëtare, narkoshteti dhe droga, provohen armiqtë tanë më të egër në histori.
Kjo sepse në tërë historinë tonë kombëtare nuk është regjistruar kurrë një periudhë në të cilën në një afat kohor 10 vjeçar të jenë larguar nga Shqipëria rreth 45% e popullatës.
Nuk është regjistruar ndonjëherë në histori që në një hark kohor të shkurtër, Shqipëria të rrokulliset 100 vite mbrapa në treguesit ekzistencial të saj, treguesit demografik.
Sot për shkak të këtij narkoshteti dhe spastrimit që u bënë shqiptarëve nga vendi i tyre, ne sipas OKB-së kemi lindshmërinë që kemi patur 100 vite më parë dhe kemi lindshmërinë më të ulët në botë.
Nga viti 2018 në Shqipëri dominojnë thellësisht vdekjet më shumë se lindjet.
Ndërkohë me këtë ritëm, me këto tempe ne ecim të sigurtë drejt asgjësimit tonë kombëtar, drejt boshatisjes së këtij vendi.
Ndaj dhe jemi të përqendruar në të gjithë mundësitë dhe potencialin tonë, të denoncojmë këtë të keqe të madhe që është e gërshetuar në një me shtetin shqiptar dhe quhet narkoshtet, që është sot për Shqipërinë dhe shqiptarët.