Ia preva rrugën për t’u shmallur. Vite pa u parë me Meçon. S`kishim ndonjë shoqëri kushedi se çfarë, por, aq sa njiheshim ia vlente ta takoja. Një qytet i vogël si i yni, me një bulevard, me një shesh, me një lulishte dhe me shumë kafene: të përballë aq shumta me tjetrin, sa ta jepë mundësinë të miqësohesh me këdo. Ndryshe nga unë, Meço, s`ka lëvizur nga qyteti. Në këto pozita, qyteti më shumë se i imi, po i përket atij. Sikurse dihet, i larguari është i mbushur me mall, ndërsa ai që s`e ka tradhëtuar vendlindjen, me ndjesinë e të braktisurit zë e ftohet me të ikurit. Kjo është arsyeja që një njeri më thërret Jorgo, tjetri Xhorxh apo Giovane. I zura rrugën Meços, me demek: s’ke ku kalon, por ai i stepur ma preu me bezdi:
-Ça ke?!
-Thjesht doja të takoja. U bënë kaq vite pa u parë.-belbëzova si i zënë në faj.
-Sa vjeç është qeni?-Ia thashë moshën.-Edhe dy vjet jetë ka.-Ngriti dorën, si t`më thoshte: “Ik, pirdhu tani!” Në vend të mbushesha me ç`ka më mungonte, boshi sikur u bë edhe më i madh. Vazhdova rrugën i brengosur me një ndjenjë fajësie, që duhej t`ia gjeja arsyen.
-M’u errën sytë, kur të pashë me atë legenin!-ktheva kokën. Ishte Pilo, mësuesi i Historisë së Partisë, që tani kishte alergji nga komunistët, por, jo partitë. Për shkak të lëndës që jepte, krahasuar me ne të tjerët, mori aureolën e një autoriteti, adapti sikurse i thoshin, i cili pyetej sa herë që ne kapeshim në shkelje. Ngaqë Meço ma pengoi mallin, isha gati t`i hidhesha në qafë Pilos. Dihet që nostalgjia të bën qesharak, por, ish kolegu i Historisë së Partisë, si t’më jepte goditjen e dytë ma shtyu dorën.-Nuk dua t`më takosh me dorën, që ia dhe atij patronazhistit?! Më ngjan, sikur të ka infektuar? (Fjala “infektim nga armiku i klasës” ishte shprehja që ai përdorte më shumë atëherë, kur i dëgjohej fjala dhe kryesonte format e edukimit.) Zhulsi i mutit! Pocaqia! E kam mallkuar: në shtyllë të pafsha! E di ç`a do thuash: gjynah, varja, por unë s`jam si ty, që i jep bukë dhe atij që ta ka hequr kotheren nga goja?!
Desha t’i thosha, ore shoku, je në metro, harrove se kush ke qenë, por, ishte malli i një të larguari që më pengonte.
-Sikur s`është normale, atë që ke inat ti, ta urrej dhe unë?
-Edhe unë e bëj parimorin pa më prekur kush. Nuk shtyhet jeta me dorë në qafë! Ti i di njerëzit si vetja! (Këtë ma thoshin dhe të tjerë.) Të të them unë ty se si i jep gojës ai kundër teje, ia hedh thonjtë në fyt, që ç`ke me të!
-Ça thua?! Kush e ka mendjen tek një i ikur?! Llogaritë: sa kohë pa u parë bashkë?!
-Më praktik, miku im! Sot komunikohet vetëm me ata që mungojnë dhe jo me ata që i sheh përdita. Virtualja po e bën edhe më të gënjeshtërt këtë botë! Mjafton një teke në klub dhe dalin gjithë të palarat! Atje Meço yt të nxjerr bojën me ca historira, që dhe vetë do t`i kesh harruar.
-S’ka ça thotë, kur me të s’kam ndarë asgjë. Ai s’hyn në rrethin e miqëve.
-S`ke ndenjur ti me Meçon, por kanë ndenjur shokët e tu! E kupton se si ka rrjedhur informacioni? (Ma tha prapë: “Ti i di të tjerët si vetja?!”) Nuk ia dilet drejt e drejt! Unë po ul veten duke luajtur dhe rolin e spiunit, ti më sheh me dyshim?! Ore je në këtë botë ti, apo ballon?!
-Domethënë, unë paskam gënjer veten, se i ikuri dhe i harruari janë njësoj?! Me ç`duket më paska verbuar malli?!
-Ça malli thua ti, aman?! Këtu janë gati ta hanë njëri-tjetrin të gjallë me gjithë lecka! Në shtyllë i pafsha!
Tangent syri më kapi fytyrën e një gruaje, që, m`u duk sikur desh të ndalte, por, ngaqë unë s`tregova vëmendje ndaj saj, u mjaftua me një buzëqeshje. Iku duke më lënë imazhin dhe erën e parfumit. Isha gati t`i shkoja pas, si e si t`i shpëtoja pengut, ku po më mbanin, ata që s`u kisha ndonjë borxh, duke më ardhur keq për veten, që isha i detyruar të jetoja gjëra, që s`i meritoja. Fytyra e saj më dukej si e njohur, por që s`po e identifikoja dot, duke m`u shtuar dhe një siklet tjetër.
-Mbaje një çikë veten, avash se e humbe fare! Të gjithëve na qan syri për të bukurën! Ai llapaqeni, që s`lë tavolinë pa të përfolur, të tregon dhe ca historira të tuat me femra?!
-Ou, mos është kjo?-tallja sikur më lehtësoi.
-Vërtet s`e njohe atë që të buzëqeshi? Apo filma pa lekë?! Nuk ta njihja këtë anë të karakterit?!
-Dikë më kujton, jap e marr me veten, me sa duket vitet e largimit kanë bërë të tyren. Ndoshta dhe skleroza…
-Mos e drith?! Ku të shpëton gjë ty?!
-Të betohem që s`e njoha!-dikur shprehja që ai përdorte më shumë ishte: “Të betohem për ideal!”, ndaj besoja se fjala “betohem” duhej të kishte efekt tek ai.
-Mirë mo mirë s`po të bëj me faj. S`ke si ta njohësh se ajo është e gjitha e bërë! Ti e mban mend pa gjoks dhe pa byth dhe ajo tani i ka mashalla se i ka me silikon. Gjithë lekët e tenderave që vodhi Meço, kur partia e bëri ofiqar, ajo po ia ndjen lezetin! Ndërsa ajo s`mbahet, e pe dhe vet, të merr para, ndërsa ai mandata është bërë sa një grusht. Vishet keq, për të krijuar idenë e të ndershmit, por e nxjerr ajo zbuluar! Prite, kur ta zërë dhe atë mallkimi im! Ajo në shtyllën e turpit dhe ai në shtyllën ku vendosen lajmërim vdekjet! Kuçka, për inatin tim të buzëqeshi ty?! S`ma hidhni dot, jo!
Tani e kuptova të gjithë lëmshin e inateve ndaj meje. Isha në dijeni të faktit, që, e shoqja e Meços, fliste mirë për mua dhe ai, me sa duket: s`ia fali kurrë, duke më dënuar në mungesë. Shkencëtarët thonë se në origjinë të një tornadoje mund të jetë dhe rrahja e krahëve të një fluture. Ngaqë s`po gjeja se kujt t`ia shkarkoja mallin, përkëdhela qenin tim…
Fatbardh Amursi