Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, në librin e tij të ri, “Pluralizmi i dytë” me ese, analiza dhe intervista del në konkluzionin se pluralizmi politik, i cili erdhi si pasojë e demonstratave studentore dhe qytetare, ka sjellë shumë zhgënjime.
Përtej ndryshimeve që kanë ndodhur dhe arritjet në fushën e hapjes ndaj botës, të demokracisë, të ndërrimit të qeverisjes përmes votës, informaliteti, mungesa e rregullave dhe e zhvillimit ekonomik nuk mund të mos shoqërohen edhe me mungesën e të drejtave sociale, gjë që “dyzon” politikat e majta dhe detyron të paguajë kosto sociale jo të pakta çdo qeverisje socialiste dhe lider të së majtës në Shqipëri. Profesor Pëllumbi në hyrjen e librit të tij shprehet se si për ironi, dy të tretat e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga vendi me pluralizëm politik të ligjëruar!
Ndërkaq, eksodet e dikurshme po pasohen nga valë të azilkërkuesve, që sivjet janë katërfishuar dhe vijnë përsëri si refleks i standardit të ulët të jetesës dhe margjinalizimit social. Ai e cilëson pluralizmin shqiptar të “tipit Katovica”, i mbështetur që në fillimet e tij në strategjinë që i hapi rrugën krijimit të shumë partive, por të shoqëruar me kushtin që “liderët” kryesorë të ishin “të deleguar e të kontrolluar” dhe që partitë të silleshin si të kundërta që vetëm “shtyjnë e përjashtojnë” njëra-tjetrën…!
SERVET PËLLUMBI
25 vjet më parë, në dhjetorin e vitit 1990, kur studentët demonstronin te Qyteti Studenti, me të cilët u bashkuan mijëra qytetarë të Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit, parullat kryesore ishin “Liri-demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, duke sintetizuar në to dëshira, emocione, shpresa, por dhe iluzione të ngjashme me ato që donin të përmbysnin…
Mendohej se “çelësi magjik” që do të hapte “çdo portë” ishte vendosja e pluralizmit politik, krijimi i një sistemi politik shumë partiak që barazohej me demokracinë perëndimore, me ekonominë e tregut që “sillte bollëkun”, me mirëqenien e ëndërruar dhe mënyrën perëndimore të jetesës. Mbi të gjitha, mendohej se pluralizmi partiak u jepte fund shpejt e shpejt komunizmit, diktaturës, ekonomisë së komanduar, izolimit dhe u hapte rrugën e gjerë lirisë, paqes sociale, drejtësisë etj.
Pas 25 vjetëve pluralizëm politik, pa injoruar ndryshimet e thella që kanë ndodhur dhe arritjet në fushën e hapjes ndaj botës, të demokracisë, të ndërrimit të qeverisjes përmes votës (herë të kontestuar seriozisht e herë të pranuar me gjysmë zëri), të lirisë së fjalës dhe të shprehjes së saj, pa pasur frikën e ndëshkimit si dikur, mund të thuhet pa u ndruajtur se në tërësinë e vet pluralizmi politik në Shqipëri ka “prodhuar” shumë zhgënjime, sepse ka zëvendësuar disa ëndrra apo iluzione të vjetra me ëndrra dhe iluzione “të reja” gati po aq të dëmshme për demokracinë dhe të menduarit demokratik.
Mjerisht, informaliteti, mungesa e rregullave dhe e zhvillimit ekonomik nuk mund të mos shoqërohen edhe me mungesën e të drejtave sociale, gjë që “dyzon” politikat e majta dhe detyron të paguajë kosto sociale jo të pakta çdo qeverisje socialiste dhe lider të së majtës në Shqipëri. Për konkretizim, po u referohem disa treguesve konkretë të ditëve të sotme.
Gjendja ekonomike vazhdon të jetë kritike dhe “bashkëjeton” me varfërinë; papunësia vazhdon të jetë e lartë sidomos ndërmjet të rinjve, për pasojë, si për ironi, dy të tretat e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga vendi me pluralizëm politik të ligjëruar! Ndërkaq, eksodet e dikurshme po pasohen nga valë të azilkërkuesve, që sivjet janë katërfishuar dhe vijnë përsëri si refleks i standardit të ulët të jetesës dhe margjinalizimit social. Realisht, na kërcënon rivendosja e vizave me vendet e Bashkimit Europian dhe bërja e politikave të brendshme dhe e reformave të qeverisë edhe më kundërshtuese.
Në një përfundim të tillë arrin edhe një studim i Fondacionit “Fridrich Ebert”, në bashkëpunim me Universitetin e Mariborit në Slloveni, i publikuar në të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemanie Zeitung”. Sipas studimit, vendin e parë ndër të anketuarit nga 8 vende të Europës Jugore e zinin shqiptarët, si më të trishtuarit dhe më të përfshirët nga dëshira për të emigruar (66%), ose mbi 30 mijë azilkërkues vetëm në Gjermani për periudhën maj-korrik 2015.
Një paralajmërim serioz për situatën e rëndë ekonomike në vend dhe për angazhimin e mangët të politikës për një rrugë alternative për korrigjimin e sistemit politik dhe ekonomik. Po kështu, sfida reale për Shqipërinë edhe pas 25 viteve pluralizëm politik dhe ekonomi tregu vazhdojnë të jenë çështjet e pronësisë, të tregut të punës, të arsimit dhe të drejtësisë, që nuk i përkasin një partie të veçantë, por kërkojnë politika mbipartiake dhe konsensus kombëtar të të gjitha partive, ose të paktën më kryesoreve prej tyre.
Veçse tipi i pluralizmit që u vendos në Shqipëri 25 vjet më parë, nuk e mundëson një gjë të tillë, prandaj pa ngurrim mund ta quajmë pluralizëm të “tipit Katovica”, i mbështetur që në fillimet e tij në strategjinë që i hapi rrugën krijimit të shumë partive, por shoqëruar me kushtin që “liderët” kryesorë të ishin të “deleguar e të kontrolluar” dhe që partitë të silleshin si të kundërta që vetëm “shtyjnë e përjashtojnë” njëra-tjetrën…!
Partitë e shumta që zëvendësuan monizmin e dikurshëm komunist, për pasojë, nuk arritën t’i bashkojnë qytetarët rreth një qëllimi dhe një modeli të përbashkët zhvillimi. Në vend të tyre ato ofruan interesat parciale, kaosin, hezitimin, korrupsionin, ngërçet politike, lodhjen nga liria dhe demokracia ende pa i vendosur e konsoliduar ato!
Shqipëria mbase është e vetmja ndër vendet e “demokracisë së re” që vazhdon të ketë në shumicën e partive “elitën politike” të fillimeve të pluralizmit politik dhe të vuajë edhe sot nga “izmat”, nga “berishizmi” dhe “nanoizmi”. Autori i këtyre rreshtave kritikë, falë pozicionit aktiv politik si një nga drejtuesit kryesorë të Partisë Socialiste të Shqipërisë në pesë vitet e para (1991-1996) dhe më pas si deputet e kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ka pasur rastin të njohë pazare, marrëveshje, pakte e prapaskena “pluraliste”, që kanë pasuar njëra-tjetrën në vite e që kanë pasur për protagonistë Ramiz Alinë, Fatos Nanon dhe Sali Berishën.
Qasje të tilla kanë qenë në kundërshtim me bindjet e qëndrimet e mia, sepse pluralizmin politik e kam përfytyruar ndryshe, si një lëvizje objektive të shoqërisë shqiptare drejt demokracisë dhe një modeli zhvillimi ekonomik e social më të mirë e modernizues.
Pra, kam pritur të tjerë parametra e të tjera pasoja dhe përvoja. Për këto arsye, temën e të menduarit demokratik dhe të pluralizmit politik, e kam pasur edhe në fokusin e interesave të mia studimore, prandaj herë pas here i kam bërë publike mendimet e mia kritike, duke filluar nga Letra drejtuar R. Alisë në nëntor 1990, te libri Pluralizmi politik – përvojë dhe sfida (2006) e deri te Përmbysja e komunizmit (2015).
Komentet