Voltiza Duro – Në një kohë që studentët e Shkencave Sociale, Filologjikut e një pjesë e Juridikut vazhdojnë bojkotin e mësimit, pedagogët kanë vendosur dje që të nisin grevën deri në rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë. Ditën e djeshme, përmes një vendimi me shumicë votash, drejtuesit e personelit akademik të Fakultetit të Shkencave Sociale kanë vendosur të përshkallëzojnë protestën. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, pedagogu Arlind Qori tregon arsyet kryesore që shtynë stafin akademik të marrin këtë vendim. Ai thekson se midis pedagogëve ka mendime dhe qëndrime në ndryshme, por jo përplasje dhe do t’i qëndrojnë vendimit të tyre deri në plotësimin e kërkesave. Pedagogu shton se ligji i arsimit të lartë varfëron dhe komercializon universitetet publike, i kthen studentët në klientë dhe pedagogët në punëtorë me mëditje, madje zhbën demokracinë e brendshme dhe autonominë universitare.
Pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale në UT vendosën të hyjnë në grevë. Pse erdhi ky vendim dhe sa do të zgjasë greva?
Ka disa arsye. E para, ka të bëjë me dhënien e një shenje solidariteti me kërkesat dhe rezistencën dymujore të studentëve tanë. E dyta, lidhet me kundërshtinë tonë të thellë ndaj ligjit të arsimit të lartë dhe tentativave të qeverisë për të vrarë edhe atë pak autonomi universitare që na ka mbetur. E treta, dhe besoj se në këto kushte është edhe më e rëndësishmja, është dinjiteti. Këtu nuk e kam fjalën për fyerjet prej pijaneci vulëhumbur të kreut të qeverisë, por për mënyrën se si ministrja e Arsimit i ka përcjellë përfaqësuesit tanë pa denjuar as t’u japë një përgjigje negative në takimin e të premtes.
A ka pasur përplasje mes pedagogëve lidhur me kauzën universitare?
Midis pedagogëve ka mendime dhe qëndrime në ndryshme, por jo përplasje. Në fakt, kjo larmi është shenjë e demokracisë së shëndoshë brendauniversitare. Gjithsesi, në shumicë absolute, pedagogët e FSHS janë shprehur në asamble për grevë dhe do t’i qëndrojnë vendimit të tyre. Ata pak kolegë që janë kundër grevës apo kërkesave tona e thonë hapur se i shtyn frika. Kësisoj, një arsye më shumë për të vazhduar rezistencën tonë është shpëtimi i universitetit nga kthetrat e frikës që, kur u kallet pedagogëve, merre me mend se sa e thellë dhe degraduese është.
A u janë bashkuar grevës edhe pedagogë nga fakultete të tjera?
U kemi bërë thirrje asambleve të fakulteteve të tjera që të na bashkohen. Sot (dje) pati një takim të pedagogëve nga shumë fakultete dhe universitete publike dhe mbajmë shpresë se ata do ta thonë fjalën e tyre brenda fakulteteve përkatëse.
Nëse nuk do të plotësohen kërkesat, a do të përshkallëzohet kjo formë e protestës?
I vetmi përshkallëzim i mundshëm është masiviteti. Nëse bashkohen pedagogë dhe shumësia studentore, atëherë qeveria nuk do të ketë rrugëdalje tjetër përpos kapitullimit pa kushte.
Cili është reagimi juaj ndaj deklaratave të ministres Besa Shahini, e cila thekson se është për përmirësimin e arsimit të lartë, por kundër ndryshimit të VKM-ve?
Për mendimin tim, VKM janë të një rëndësie dytësore. Thelbi i katrahurës është ligji i arsimit të lartë. Ky ligj i varfëron dhe komercializon universitetet publike, i kthen studentët në klientë dhe pedagogët në punëtorë me mëditje dhe zhbën demokracinë e brendshme dhe autonominë universitare. Se si mund të përmirësohet jeta universitare pa rrëzimin e këtij ligji vetëm gjenitë e pakuptuar të qeverisë mund ta mendojnë.
A ndihen të frikësuar studentët se mund t’u digjet viti akademik?
Qeveria po përpiqet në mënyrë sistematike për të mbjellë panik midis studentëve. Madje, i fton ata të konfliktohen me njëri-tjetrin në shkallët e fakulteteve apo kërkon t’i ndërsejë kundër pedagogëve në grevë. Mirëpo edhe për studentët, vlen ajo që vura në dukje për pedagogët: ne duhet të luftojmë për një universitet të ri, të shpresës, kundër frikës. Nga ana tjetër, me aq përvojë sa kam në universitet, mund të them me siguri se viti akademik nuk do të digjet edhe sikur kjo grevë dhe protesta studentore të zgjasë. Janë të gjitha mundësitë teknike të rregullimit të orareve, sezoneve të provimeve etj. Po sot duhet të bëjmë ç’është e mundur që të fitojmë universitetin e aspiratave tona më të larta.
Komentet