Pas tri ditësh kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i kapitenit të anijes turistike, Arben Anamali. Kapiteni 52-vjeçar humbi jetën në mënyrë tragjike, pasi shpëtoi dy turistë të huaj nga mbytja në liqenin e Shkodrës, por fatkeqësisht nuk arriti të dilte vetë në breg.
Operacioni i kërkimit nisi herët në mëngjesin e së enjtes, rreth orës 05:00, dhe përfshiu forca të kërkim-shpëtimit nga policia, ushtria dhe zhytës profesionistë. Trupi i tij u gjet gjatë ditës së tretë të operacionit.
Si ndodhi ngjarja?
15 turistët e nisur nga Shiroka, kërkuan të shijonin me not liqenin më të madh në Ballkan dhe refuzuan të dëgjojnë kërkesën e kapitenit Anamali, për të mos u futur në ujë, sepse era që vinte nga veriu i rrezikonte. Pak minuta pasi u futën në liqen, turistët kërkuan ndihmë, pasi era i kishte larguar rreth 50 metra nga anija.
Kapiteni është hedhur në liqen me dy kamerdare shpëtimi, por ka mbetur në ujë pa mundur të kthehej për shkak të erës së fortë, e cila e shtynte në thellësi. Arben Anamali ishte punësuar nga bashkia e Shkodrës si kapiten më 1 maj të vitit 2024, kur edhe u sollën anijet turistike “Buna” dhe “Drini”. sn