Jeta dhe veprimtaria e Qemal Stafës vazhdojnë edhe sot të mbeten të rrethuara nga mistere, të cilat hedhin shumë dyshime për këtë figurë. Edhe pse vdiq në moshën 21-vjeçare, ai ka lënë gjurmë të thella në mendjen e njerëzve, për aktivitetin e tij. Qemal Stafa u vra më 5 maj të vitit 1942, në qytetin e Tiranës. Ai ishte një nga drejtuesit e Partisë Komuniste dhe kishte marrë pjesë edhe në mbledhjen e themelimit të saj. Gjatë viteve të fundit të jetës, ai u bë promotor i gjithë lëvizjeve të forcave shqiptare kundër pushtuesve, duke qenë figurë qendrore në rininë e asaj kohe. Duke pasur një kredibilitet të tillë, atij iu desh të ishte i survejuar përditë e më shumë nga forcat fashiste, por dhe nga bashkëpunëtorët e tyre. Në datën 4 maj 1942, atij iu caktua një detyrë nga udhëheqësi i PKSH-së, Enver Hoxha, për të shkuar në qytetin e Vlorës. Qemali, duke qenë në ilegalitet të plotë strehohej në një shtëpi tiranase, e cila nuk bënte pjesë te shtëpitë e dyshuara për strehim komunistësh. Vendndodhjen e tij në atë shtëpi e dinin shumë pak vetë, midis tyre dhe Enver Hoxha. Asnjëherë nuk ka dalë me siguri, nëse ishte një kurth prezenca e Qemal Stafës në atë shtëpi apo ishte thjesht një rastësi. Megjithatë, gjatë periudhës së komunizmit nuk është folur shumë mbi këtë temë, pasi ishte e ndaluar nga diktatura. Mos hapja e diskutimeve gjatë asaj kohe për vrasjen e Qemal Stafës, ka bërë që pas viteve ’90 të diskutohet që vrasja e tij të ketë ardhur si pasojë e ndonjë drejtuesi të lartë të Partisë Komuniste të asaj kohe, që ishte në dijeni të vendndodhjes së tij. Por të gjitha këto dyshime nuk janë zbardhur ende, megjithëse shpeshherë të njohurit apo personat që kanë qenë dëshmitarë të asaj kohe, kanë hedhur idenë, duke e argumentuar me dokumente, se Qemal Stafa mund të jetë spiunuar. Fakt është, që djali 21-vjeçar nuk arriti dot të realizonte dëshirat dhe synimet që kishte. Edhe pse kanë kaluar 70 vjet nga vrasja e tij, ai moment ka vazhduar të jetë në qendër të diskutimeve të njerëzve, veteranëve, të afërmve, si dhe të politikaneve, gati çdo 5 Maj. Qemal Stafa ishte vetëm 21 vjeç, kur i rrethuar nga pushtuesit italianë ra heroikisht, duke lënë pas një mister të madh rreth vrasjes së tij. Një mister që është shoqëruar këto 20 vitet e fundit me debate në çdo përvjetor të lindjes apo të vdekjes së tij.
FATOS VELIU: Zoti Orhan. Jam vënë në dije ni, se pikërisht juve keni gjetur trupin e pajetë të Qemal Stafës. Sigurisht si gazetar, u bëra shumë i interesuar, për faktin se tashmë eliminimi i tij është kthyer në një temë të shumëdiskutuar, për vetë faktin e kolegëve që kishte në krah, të cilët për pak kohë do të merrnin drejtimin e pushtetit dhe do të drejtonin Shqipërinë me dorë të hekurt dhe mekanizma të dyshimta plot një gjysmë shekulli. Mënyra si është trumbetuar nga ish-shokët e tij të idealit, mënyra se si është lartësuar në kohën e Shqipërisë komuniste, ka ngjallur dyshimin se vrasja e tij ka shpalosur qysh në atë maj të ’42-shit, filozofinë e pushtetit që do të vinte dy vjet pas saj. Në rastin konkret zoti Jegeni, nëse është e vërtetë ajo që thoni ju, se e keni gjetur trupin e tij në një bahçe ku sundonte maskimi, aq më shumë të ishte në një kanal, pa marrë parasysh se ai kishte vdekur shumë më mbrapa se ishte qëlluar, hap një sipar kurioziteti shumë interesant, se si ka qenë momenti i vrasjes së tij. Kush ka qenë afër tij dhe në rastin që ka shkëmbyer zjarr me kuesturën, a është vrarë vërtet prej saj apo nga dikush që mund të ishte pranë?
Nëse është vrarë nga kuestura, përse u la trupi në vetmi në mes të një bahçeje dhe nuk u veprua si në rastet e tjera të ekzekutimeve në përpjekje me elementë komunistë, siç ishin shokët e Qemal Stafës? Ndërsa mendimi tjetër, që paska vdekur më mbrapa se është qëlluar, ndërsa bënte të dilte nga kanali duke hedhur këmbën mbi të, të vë të mendosh se një tjetër enigmë mungon. Pra ju bëra gjithë këtë rezyme, për të më kuptuar se sa rëndësi ka në zbardhjen e historisë sonë një detaj i tillë, pasi u jep ngjarjeve një tjetër fakt. Pra edhe një herë zoti Jegeni, është e vërtetë se pikërisht ju e keni gjetur, në mëngjesin e atij 5 Maji, trupin e pajetë të Qemal Stafës dhe si ka ndodhur konkretisht?
ORHAN JEGENI: Kjo që po më pyesni ka të bëjë me një ngjarje që nuk më është shqitur nga mendja tërë jetën. Kam qenë i vogël. Që nga ajo kohë kanë kaluar plot 70 vite dhe çuditërisht në memorien time nuk më shqitet ajo pamje. Me sa duket vegimet e fëmijërisë kanë efekt të çuditshëm, se lidhen edhe me situatën psikologjike që të krijojnë, për vetë moshën kur i përjeton.
FATOS VELIU: Pra zoti Jegeni, jeni duke folur për pamjen e Qemal Stafës, të cilin e gjetët të vdekur?
Pikërisht për atë që dhe juve ngulmoni të më pyesni. Kanë kaluar 70 vite dhe atë pamje që pashë dhe atë situatë që përjetova, e kam treguar tek-tuk, te ndonjë mik shumë i ngushtë, prej të cilëve mendoj se mund ta keni mësuar edhe ju. Pra jam duke ju thënë, se megjithëse ka kaluar një jetë e tërë, mua më duket se ka ndodhur dje, aq shumë jam tronditur.
FATOS VELIU: Thatë se e keni diskutuar vetëm në rreth miqsh të afërt dhe jo më tej?
ORHAN JEGENI: Po. Madje vetëm në këto vite pas komunizmit, pasi e merrja me mend se po të zbardhej ndoshta ndonjë fakt që do të ishte i dëmshëm për sistemin, hajde merre vesh ku përfundoje.
FATOS VELIU: Si ta kuptoj këtë?
ORHAN JEGENI: Po ju e dini mirë se në atë kohë do thoje aq sa thoshte propaganda zyrtare, se në të kundërt e pësoje. Jo vetëm kaq, por do ta thoje tamam siç thuhej, pavarësisht se e shikoje që kishte shumë fakte të deformuara. Nuk e them për këtë rast, por për çdo gjë; në atë kohë do të thoje ashtu siç thuhej dhe sa thuhej. Edhe për rastin në fjalë, nuk e di, por intuita ime ma jepte këtë ide të konspiracionit. Isha i bindur se diçka e vërtetë fshihej nga sa thuhej. Isha i bindur, se pas kësaj ngjarjeje duhet të fshihej një tjetër akoma më e hidhur.
FATOS VELIU: Mund të ma sqaroni si ka ndodhur?
ORHAN JEGENI: Atëherë unë kam qenë 7 apo 8 vjeç. Duhet të kem qenë në klasën e parë ose të dytë fillore. Se sot i kapërceva të 77 vitet dhe dalëngadalë po mbërrij te të 80-tat. Mbaj mend se kemi qenë një grup i mirë shokësh që nuk linim dy gurë bashkë, si thotë populli.
FATOS VELIU: Për shembull?
ORHAN JEGENI: Po besoj e keni parasysh Tiranën e vitit 1942, e cila ishte e rrethuar me fusha dhe rrugica karakteristike, ndërkohë që ishte një qytet i thjeshtë dhe jo shumë i hapur. Mjafton të ecje pak në këmbë, e dilje në periferi menjëherë dhe përfundoje fushave dhe livadheve. Ne atëherë bridhnim të hanim kumbulla dhe pemë të tjera si kajsi apo bajame. Ja për shembull, këtu para Universitetit UFO, që dikur ka qenë Estrada e Tiranës, ka pasur disa kumbulla të kuqe, që ishin shumë të shijshme dhe shumë karakteristike. Nuk kishte pemë ku ne të mos ngjiteshim. Por më shumë rendnim në hapësirat jashtë Tirane. Një ndër këto vende ka qenë edhe aty ku sot është tregu ambulant te Medreseja, – tregu i madh si i thonë. Aty rendnim edhe më shumë, jo vetëm për frutat që gjenim, por edhe se e kam pasur shtëpinë shumë afër.
FATOS VELIU: Pse, ku e keni pasur shtëpinë?
ORHAN JEGENI: Shtëpinë e kam pasur aty te Medreseja, rruga që vjen nga Selvia për në Kinostudio. Kemi pasur një vilë trikatëshe të bukur. Ishte një shtëpi karakteristike tiranase si ato të aristokracisë së asaj kohe, por që të them të drejtën janë bashkëkohore edhe sot, pasi nuk e gjen asnjëherë atë arkitekturë të veçantë.
FATOS VELIU: Ju kuptova deri këtu; dhe si vijoi historia e pemëve?
ORHAN JEGENI: Duke pasur shtëpinë afër fushës ku sot është tregu i madh ambulant, ne shkonim më shumë në atë krah. Atje matanë tregut që është sot, apo matanë fushës së futbollit që ka qenë në kohën e komunizmit, ka qenë një shtëpi misterioze.
FATOS VELIU: Pse e quani shtëpi misterioze?
ORHAN JEGENI: Sepse ajo shtëpi ka qenë e rrethuar me një gardh të ndërthurur me ferra dhe kishte një bahçe të mbushur me pemë. Ne shkonim gjithnjë të merrnim fshehur fruta, por nuk ka pasur asnjë rast që të jemi pikasur, deri ditën që në bahçen e saj gjetëm trupin e pajetë të Qemal Stafës, – në atë kohë as që e dinim e kujt ishte ajo kufomë. Ne nuk e mësuam asnjëherë se kush banonte në atë shtëpi, madje nuk dinim nëse banonte njeri në të apo jo.
FATOS VELIU: Pse thoni ‘deri në ditën që u vra Qemal Stafa në bahçen e saj’? Më mbrapa, keni mësuar gjë?
ORHAN JEGENI: Por, sepse atë ditë që ne pamë trupin e plasur mbi anën e kanalit duke tentuar të tërhiqej mbi të me këmbët brenda dhe që kishte ngelur në tentative zvarritjeje, u llahtarisëm. Jua thashë dhe në fillim të kësaj bisede, se u llahtarisëm në atë farë feje, sa që nuk e harroj dot edhe sot. Kështu që në moment, duke mos ditur dhe kuptuar fare se kush ishte ai djalosh që kishte tentuar të zvarritej teksa kishte dhënë shpirt, ikëm me vrap, sa nuk na zunë këmbët dhé si i thonë fjalës. Dhe që nga ai moment, as që guxuam më as ta shikonim shtëpinë dhe jo ta frekuentonim për të vjedhur kajsi. Prandaj jua theksova se, që kur njohëm veten që donim të shkonim në bahçet e të tjerëve dhe deri sa pamë Qemalin të vdekur, nuk mësuam dot se çfarë ishte ajo shtëpi, kush rrinte në të dhe çfarë bëhej. Madje pas çlirimit, deri vonë, vijoi të ishte misterioze, pasi thonin se ishte në shërbim të Sigurimit të Shtetit.
FATOS VELIU: Ku ndodhej saktësisht?
ORHAN JEGENI: Ishte pasi kaloje në atë kohë një magazinë të grumbullimit të frutave dhe zarzavateve, e cila mbaj mend se ka qenë e Hasan Lahit. Hasan Lahi është gjyshi i këtij deputetit të Partisë Socialiste, Ilir Beqes. Pra Iliri e ka babain e nënës. Hasani mblidhte, në një shesh të hapur tip magazine, frutat dhe perimet e fshatarëve dhe merrej me furnizimin e dyqaneve sipas kërkesave që kishin bërë më parë. Pikërisht aty, sot është tregu i madh ambulant apo “Tregu i Medresesë” që i thonë. Sa kaloje magazinat e Hasanit, ndërsa merr për rrugës që të çon te lapidari i Qemalit, por sa kaloje magazinat djathtas, ndodhej shtëpia që po të tregoj, në të cilën gjetëm kufomën. Me orientimin e sotëm është sa mbaron tregu, teksa je duke shkuar për te lapidari i Qemalit. Sa mbaron tregu, djathtas, ka qenë shtëpia, përballë një porte, e cila është dhe sot. Është një portë e vjetër me mur shumë të lashtë dhe me sa pashë këto ditë, ishte fare e pandryshuar. Aty tashmë është një institucion shtetëror më duket, nuk e di saktësisht se çfarë drejtorie është. Por përballë portës së saj ka qenë saktësisht shtëpia.
FATOS VELIU: Çfarë ka qenë ajo portë, atëherë që është vrarë Qemali?
ORHAN JEGENI: Ajo portë dhe ajo godinë që është aty, ka qenë bërë që në kohën e austriakëve si garnizon ushtarak. Ka pasur në të katër cepat roje. Më mbrapa, në kohën e komunizmit ka qenë një herë burg artizanati, ku ishin vendosur këta të burgosurit që bënin art. Pas burgut, në të njëjtën godinë u vendosën Fabrika e cigareve, e këpucëve, e vajit etj. Pra ato ishin në të njëjtin territor. Po ajo godinë është e padëmtuar dhe ju thashë se ishte një drejtori aktualisht, por se çfarë nuk më kujtohet. Pikërisht përballë asaj porte që është sot, është vendi që ka mbaruar muri rrethues i tregut dhe ka vijuar territori i shtëpisë misterioze e rrethuar me kaçube, ku ne gjetëm trupin në fjalë. Jua shpjegova me kaq imtësi, për të saktësuar edhe tiranasit e vjetër që mund ta lexojnë këtë shkrim, por edhe brezin e ri, se ku ndodhet saktësisht vendi që ne kemi gjetur trupin e pajetë.
FATOS VELIU: Pra, ju thoni se nuk ishte aty ku është lapidari, saktësisht vendvrasja e Qemalit?
ORHAN JEGENI: Është afër. Lapidari është disi më tutje, por kemi parasysh se lapidari ishte bërë ndanë rruge dhe ishte përshtatur për ceremoni të 5 Majit. Por saktësisht vendvdekja e tij ka qenë më afër se të shkosh te lapidari dhe ishte shumë më djathtas se ajo shtëpi. Ka pasur një portë të madhe para si të thuash, të lidhur tërë kohën, që ne nuk e pamë ndonjëherë të hapej. Por si mbaronte porta, kaloje një oborr dhe pastaj ishte shtëpia. Mbrapa shtëpisë ishte bahçja ku u ka vdekur Qemali. Pra jemi shumë djathtas rrugës kryesore, që është sot sa mbaron muri rrethues i tregut.
FATOS VELIU: Çfarë merrnit saktësisht, ju që u ndodhët në atë moment aty?
ORHAN JEGENI: Aty ore kishte disa lloj kajsish apo disa lloj bajamesh si dhe kumbulla që të lije mendjen. Si duket, nga që vaditeshin rregullisht nga një kanal uji që u kalonte anash tyre, se kanali vinte që jashtë bahçes, kalonte mes saj dhe dilte në krahun tjetër, duke përshkuar bahçen mes për mes. Brenda ishte me të vërtetë një oaz me pemë dhe bar. Ne hynim çdo mëngjes nga një vrimë që kishim krijuar mes ferrash te gardhi i mbrapmë dhe orvateshim te një kajsi që ishte e mbingarkuar sa mund t’i thyheshin degët nga frutat. Por ajo lloj kajsie ishte karakteristike, se edhe si mbaroje frutin mund të thyeje bërthamën, sepse ndryshe nga të tjerat, thelbi i saj nuk ishte i hidhur, por ishte shumë i shijshëm. Kjo gjë kishte bërë që neve kalamajtë e lagjes, që ishim pesë apo gjashtë djem, mëngjes për mëngjes para se të shkonim në shkollë të kalonim njëherë nga bahçja e kajsisë për të mbushur xhepat dhe çantën e librave. Pas kësaj, sa mbaronte mësimi, si linim çantën para se të bridhnim rrugicave, kalonim sërish nga bahçja magjike. Ishim shumë të lidhur pas saj.
FATOS VELIU: Dhe si ndodhi që e gjetët trupin e Qemalit?
ORHAN JEGENI: Siç bënim çdo mëngjes para se të shkonim në shkollë, edhe atë mëngjes ne kemi shkuar për të marrë kajsi.
FATOS VELIU: Sa ka qenë ora?
ORHAN JEGENI: Por me sa mund të merret me mend, nuk kishte shkuar akoma ora kur fillonte mësimi, se që andej neve grupi i shokëve shkonim drejt e në shkollë. Kështu që shkuam te shtëpia e rrethuar me atë gardhin karakteristik me ferra hedhur mbi të. Si përherë, hymë në atë shtegun e krijuar mes kaçubës dhe në pak çaste u gjendëm brenda kopshtit. Më tej ishte kajsia, por që të shkonim te ajo duhej të kalonim kanalin apo vadën e ujit që përshkonte bahçen mes për mes. Pema e mbingarkuar ishte pikërisht anës kanalit. Por kanali në të shumtën e rasteve nuk kishte ujë. Edhe atë mëngjes gjithashtu nuk kishte. Kur, teksa u afruam, ç’të shikojmë?! Një njeri të vdekur, që këmbët i kishte në kanal dhe trupin mbi të, në pozicion gjysmë të ngjitur. Pra ishte një burrë, – ashtu na dukej neve që ishim të vegjël, – që kishte vdekur ndërsa kishte tentuar të ngjitej mbi kanal, lartësia e të cilit i vinte deri në mes. Por kishte dhënë shpirt ndërsa kishte hedhur njërën këmbë të përthyer mbi faqen e kanalit, ndërsa tjetra ishte poshtë tij, kurse duart ishin zgjatur para për të kapur plisa që ta ndihmonin. Ishte një pamje që na shokoi. Mosha jonë e vogël fare u trondit nga sa shikonim.
Nexhmija e di me mire te verteten se kush e vrau mbasi ajo ishte SIMPATIZANTE e tij!!!