Rreth 350 pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, gjatë aksionit të sotëm masiv kanë bastisur 42 lokacione dhe kanë arrestuar 6 persona
PRISHTINË – Rreth 350 pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe Policisë së EULEX-it, gjatë aksionit të sotëm masiv i cili ishte pjesë e hetimit penal të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kanë bastisur 42 lokacione që lidhen me 40 persona të dyshuar për krim të organizuar dhe me këtë rast kanë arrestuar 6 persona, të cilët, sot më vonë, do të paraqiten para Gjykatës Themelore të Prishtinës).
“Hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla. Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publikë. Të dëmtuarit janë buxheti i shtetit të Kosovës dhe familjet serbe te Kosovës, autorizimi i të cilëve për të dhënë parcelat e tokave me qira është keqpërdorur nga grupi i organizuar kriminal”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Më tutje, në komunikatë shpjegohet se, më datën 26 prill 2016, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës, një pjesë e konsiderueshme e parcelave të tokës të përfshira në këtë rast janë sekuestruar përkohësisht, sepse qëllimi primar i këtij procesi ka për qëllim ta rikthejë tokën në pronësi të pronarëve të ligjshëm publik.
Përndryshe, 50 të dyshuarit akuzohen për një sërë veprash penale: krim të organizuar, pastrim parash, keqpërdorim i pozitës zyrtare, falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe dhënie dhe marrje e ryshfetit.
Nga Policia e Kosovës njoftojnë po ashtu se, disa të pandehur në hetim janë qytetarë serbë, që jetojnë në Serbi dhe gjatë hetimit, ka pasur një bashkëpunim efektiv me Zyrën e Lartë të Prokurorit për Krimi të Organizuar në Beograd. Sipas PK-së, urdhrat për arrest në lidhje me disa të pandehur nuk janë ekzekutuar, pasi që ata janë arratisur ose janë jashtë vendit.
Ndër të arratisurit gjendet edhe udhëheqësi i grupit, Azem Syla, deputet i Parlamentit të Kosovës, kurse Policia e Kosovës ka njoftuar se me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të saj që gjatë dhjetë ditëve të fundit ta lokalizoj vendndodhjen e tij, nuk ka pasur sukses.
Komentet