Gazetari Osman Stafa ka organizuar ditën e sotme një protestë para Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku së bashku me qytetarë dhe aktivistë ka ngritur zërin kundër mungesës skandaloze të shërbimeve dhe medikamenteve jetike për pacientët me sëmundje tumorale.
I ftuar në edicionin e mbrëmjes në Syri TV për të folur në lidhje me protestën, Stafa u shpreh se situata në Onkologjik është “vërtet tragjike”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për mungesë fondesh, por për keqmenaxhim dhe korrupsion. “Nuk është se nuk kemi lekë për medikamente dhe pajisje, kemi lekë. Po ku i kemi çuar? I kemi çuar tek kopshti ‘Eden’ 4.3 milionë euro, tek satelitët 6 milionë euro. Ja ku janë lekët që këta kanë vendosur t’i çojnë drejt korrupsionit dhe jo drejt shëndetësisë,” deklaroi ai.
Sipas gazetarit, një pacient në Onkologjik qëndron nga 8 deri në 12 orë në karrige për të bërë kimioterapi, për shkak të mungesës së poltroneve. “Kemi vetëm 19 poltrone për 100 pacientë që bëjnë çdo ditë kimioterapi. Nuk mundet shteti të mos ketë 100 mijë euro për të blerë 100 poltrone. Po të ma jepnin mundësinë, do t’i siguroja unë 20 vetë,” theksoi Stafa.
Ai e quajti “hipokrizi” thirrjen e kryeministrit për gratë dhe vajzat që të diagnostifikohen për kancer, në një kohë kur pacientët në spital përballen me mungesë medikamentesh dhe kushte të mjerueshme. “Kjo thirrje sot ishte hipokrizi. Një pacient pret 12 orë në karrige për një trajtim jetik, ndërsa shteti shpenzon miliona në projekte të dyshimta,” shtoi ai.
Stafa denoncoi gjithashtu se në sistemin shëndetësor janë qarkulluar medikamente të skaduara, siç është evidentuar edhe në raportin e fundit të KLSH-së. Ai theksoi se, pavarësisht frikës së qytetarëve për të reaguar publikisht, ai do ta çojë kauzën deri në fund.
“Unë këtë nismë do ta bëj dhe do t’i shkoj deri në fund, edhe sikur asnjë person të mos kishte ardhur sot. E kam për këta njerëz, për 7000 rastet e reja që diagnostifikohen çdo vit. Shteti, ministria dhe drejtoria e QSUT i kanë braktisur, të paktën mos i braktisë shoqëria,” tha gazetari.
Ai ndau edhe një mesazh prekës nga një qytetare: “Përshëndetje, do të donim të vinim familjarisht në protestën tuaj sot. Nuk mundemi, e trembemi. Njërin prind e humbëm dhe tjetra po trajtohet tek Onkologjiku. Faleminderit me zemër që jeni zëri ynë. Mjerë ne ku jetojmë, me frikë të reagojmë për të mbrojtur jetën.”
Stafa:
Është një situatë vërtet tragjike sepse nuk është se ne nuk kemi lekë për këto medikamente e pajisje, kemi lekë. Po ku i kemi çuar? I kemi çuar tek kopshti “Eden” 4.3 milionë euro, i kemi çuar tek satelitët 6 milionë euro. Ja ku janë lekët, ja ku janë lekët që këta kanë vendosur t’i çojnë drejt korrupsionit dhe jo…
Është tetori i zi, doli kryeministri sot me një video në Facebook, i bënte thirrje grave dhe vajzave që të shkojnë të diagnostifikohen, shumë mirë, të diagnostifikohen dhe kjo është gjëja më e mirë dhe thirrje për gjithë gratë e vajzat sepse shpëtojnë jetën e tyre.
Kjo thirrje sot ishte hipokrizi.
Një pacient në Onkologjik rri 8 orë deri në 12 orë në karrige duke bërë kimioterapi, në karrige. Pse? Se kemi 19 poltrone, 19 nga 100 pacientë të cilët bëjnë kimioterapi në përditshmëri. Shkojnë atje për të bërë 100 pacientë, 19 poltrone.
Nuk mundet sot shteti shqiptar të ketë 500, 1000 euro sa mund të kushtojë një poltron? Ore 1000 euro.
Po të ma japin mundësinë, ja po ta them këtu, po të ma japin mundësinë edhe të më thonë se do t’i marrim dhe kemi vend, do t’i siguroja unë 20 poltrone, do bëja thirrje publike dhe realisht do t’i siguroja.
Kur mundem unë të siguroj 20… po nuk është kjo zgjidhja.
Problemi është si munden, more, nuk kanë këta 100 mijë euro për të bërë 100 poltrone?
Shkon edhe më keq, unë nuk guxoja publikisht të thosha që ka medikamente të skaduara në sistem, edhe pse e kam pasur si informacion, të doli tek raporti i KLSH-së.
Unë si gazetar për vete, sikur vetëm të isha në atë protestë atje, nuk do e çaja kokën fare, po e them në zhargon popullor. Sepse unë këtë nismë do ta bëj dhe do t’i shkoj deri në fund edhe sikur asnjë person të mos kishte ardhur sot atje. Por e kam për këta njerëz, po them janë 7000 raste të reja në vit, një pjesë ikin jashtë, por teksa shteti i ka braktisur këta persona që vuajnë nga kanceri, teksa Ministria e Shëndetësisë i ka braktisur, Drejtoria e QSUT i ka braktisur, të paktën mos i braktisë dhe shoqëria.
Këtu të gjithë kanë frikë, nuk flasin dot të vërtetat e tyre sepse mendojnë se do t’u bëjnë keq atje tek Spitali Onkologjik. E dini sa paciente më kanë shkruar sot?
Ja t’ju lexoj një mesazh: “Përshëndetje, do të donim të vinim familjarisht në protestën tuaj sot. Nuk mundemi, e trembemi. Njërin prind e humbëm dhe tjetra po trajtohet tek Onkologjiku. Faleminderit me zemër që jeni zëri ynë. Mjerë ne ku jetojmë, me frikë të reagojmë për të mbrojtur jetën.”