-O burrë, boll me 5 kupa gështenjash në ditë se dy veta jemi,- më foli e nxehur ime shoqe.
Kishte të drejtë. U bë një javë që vij duarplot në shtëpi. Gështenja të pjekura dhe të qëruara. Të shijshme mjaltë. I pjek një familje te cepi i pallatit. Burri në mëngjes, gruaja mbasdite. Në darkë vjen çuni i vogël. Ai merr në një dorë zgarën prej teneqeje sajuar me ca vrima sipër, në sup hedh thesin e qymyrit dhe ikin rrugës lart. Nuk di se ku.
Ka dy muaj që i shoh te tortuari. Ngulur te stoli i vogël. Me duart mbi zjarr e mbi gështenja. I qërojnë sikur numërojnë hallet. Me sy te kalimtarët. Duke qeshur e duke pritur.
I kundroj ca minuta nga larg. Gëzohem kur dikush ble një a dy gota. Atëhere kur shoh që plastiket janë rradhë, nxjerrin avull, afrohem e porosis:
-5 kupa. Të qëruara.
Burri ose gruaja sa dëgjon këtë porosi skuqet sikur do e xhirojnë për film. Ka emocion. Me paratë për ato kupa mbase ble bukë, domate, vezë a fletore për fëmijët. Sa m’i bën gati i hedh të gjitha në një qese e i zbraz në kuzhinë.
-Mos na sill më,- m’u lut gruaja.
Tund kokën si premtim, po sa dal te rruga harroj ç’më tha.
-5 kupa, me të qëruara!- përsëris.
Po sa i mora më ngeli qesja në dorë. Në shtëpi nuk mund t’i çoja. E gjeta zgjidhjen, do ia çoja hallës. E rrugës bëra planin e javës. Nesër do i çoj te xhaja, pasnesër Bertit, shokut tim, të enjte xha Llazit, të premte berberit, të shtunë…
Nuk ju lë vetëm, i fola nga larg burrit dhe gruas që mes zjarrit trazojnë gështenjat me duart e pjekura. Çdo ditë do jua ble 5 kupa. Ndoshta dhe më shumë. Shpejtova hapat që halla t’i hante të ngrohta…