15:59
Kur do të mbahen zgjedhjet e reja?
Kemi kërkuar një koment prej Zyrës së Presidencës për të kuptuar se kur mund të shpallen zgjedhjet e reja.
Do t’ju mbajmë të informuar sapo të kemi një përgjigje.
Deri më tani, si datë e mundshme është përmendur 28 dhjetori, edhe për shkak të pranisë së madhe të diasporës në Kosovë.
Por, për njohësit e çështjeve politike, kjo datë është shume e vonshme, pasi ka rrezik që procesin zgjedhor të mos e monitorojë faktori ndërkombëtar, meqë një pjesë e botës është në kohë festash atëherë.
15:55
Murati akuzon partitë se janë “barrikaduar kundër Albin Kurtit”
Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, akuzoi partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë, si dhe Listën Serbe se për 9 muaj “janë barrikaduar kundër Albin Kurtit”.
“Ata thanë që nuk duan të votojnë as buxhet dhe as marrëveshje ndërkombëtare pa Qeveri, por kur ju ofrua mundësia të votonin Qeverinë, përsëri e refuzuan. Opozitë e përbashkuar me një qëllim të vetëm: kundërshtimin e Albin Kurtit”, tha Murati, pas seancës për Qeverinë.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

15:44
Krasniqi: Osmani të shpallë zgjedhjet sa më shpejt
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, kërkoi nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që sa më shpejt të shpallë datën e zgjedhjeve të reja “që të mos humbet kohë e vlefshme edhe më tej”.
“Zgjedhjet të shpallen menjëherë, sot apo nesër”, tha Krasniqi.
Ai tha se “e diela e parë brenda 30-ditëshit, afatit kushtetues” është koha për mbajtjen e zgjedhjeve, tha Krasniqi.
Ai e akuzoi LVV-në për situatën e krijuar, duke thënë se “janë humbur 9 muaj kohë” për shkak të bllokadave, vonesave dhe taktizimeve.

15:38
Zemaj: LVV-ja mashtroi qytetarët duke thënë se i ka numrat
Pas përfundimit të seancës, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se LVV-ja “i mashtroi qytetarët” duke thënë se i ka numrat për krijimin e institucioneve të reja.
“LVV-ja i ka mashtruar qytetarët se i kanë numrat. Nga zgjedhjet e shkurtit kanë deklaruar se e kanë një shumicë”, tha ai.
Zemaj tha se tani vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Bëjmë thirrje për zgjedhje të lira, demokratike dhe pa ndërhyrje”, tha ai.


