Këtë vit kam përfunduar një punë që shkëputet pak nga temat e mia të zakonshme. Kam shkruar një biografi të Prof. Dr. Ilia Maznikut, mjek e kirurg i shquar shqiptar, profesor i dashur në shumë universitete, mentor i disa breza kirurgësh.
Sportdashësit e viteve 1960, e kanë njohur Maznikun si rekordmen kombëtar në disa gara atletike, kampion kombëtar për më shumë se 10 vjet me radhë në shumë disiplina, flamurmbajtës i ekipit kombëtar shqiptar të atletikës në shumë veprimtari ndërkombëtare.
Si kirurg i ri ortoped, Mazniku ishte pjesë e fushatës historike të drejtuar nga Prof. Dr. Panajot Boga kundër dukurisë së luksasionit kongjenital kosko-femoral, që kishte mbushur Shqipërinë me njerëz që çalonin për shkak të problemeve të paekzaminuara që në lindje. Mijëra fëmijëve në mbarë vendin iu ndryshua fati në sajë të operacioneve korrigjuese që u kthyen ecjen dhe jetën normale.
Libri është më shumë se historia e një njeriu. Ilia Mazniku ishte një hero i kohës së tij dhe lexuesit do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për historinë e atletikës shqiptare, për historinë e mjekësisë, dhe zhvillimin e ortopedisë dhe traumatologjisë në veçanti etj.
Kirurg i palodhur në dy epoka, figura e Maznikut merr një dimension tjetër në epokën e tranzicionit, të transformimit të urgjencës në Spitalin Ushtarak, të pasojave tragjike të hyrjes masive të automjeteve private në Shqipëri, atyre të vitit të tmerrshëm 1997, luftës në Kosovë dhe zhvillime të tjera që bënë protagonistë edhe mjekët shqiptarë, sidomos kirugët e traumës.
Gjatë shkrimit të librit jam habitur sesa gjëra të jetuara kemi harruar ndonëse kanë kaluar vetëm pak vjet. Jam bërë gjithashtu i ndërgjegjshëm se sa pak u mësojmë brezave të rinj për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare duke e treguar historinë vetëm në pjesën politike të saj.
Përtej Shqipërisë së politikës dhe ideologjisë, asaj të zbavitjeve të zbrazëta e shkëlqimeve të rreme të VIP-ave, si atëhere edhe sot, ekziston edhe një Shqipëri tjetër, ajo e mjekëve, inxhinierëve, arkitektëve, artistëve, mjeshtrave të zanateve dhe profesioneve të ndryshme. E atyre që vërtet ndikojnë e ndryshojnë jetën tonë të përditshme.
Prof. Dr. Ilia Mazniku nuk ishte vetëm një profesionist i suksesshëm në disa fusha, por edhe një shembull moral, një model jetese. Një dëshmi se njeriu që gjen dashurinë dhe kënaqësinë te puna dhe shërbimi ndaj të tjerëve ka fituar llotarinë në jetë. Jo më kot të gjithë ata që e kanë njohur e mbajnë mend për ortekun e optimizmit, humorit dhe sigurisë që sillte në ditët e tyre.
Ka dhënë mësim e ka edukuar kirurgë e profesionistë të ardhshëm të shëndetësisë për më shumë se gjysëmshekulli, por ndonëse nuk jeton më, historia e tij dhe mënyra se si jetoi ka ende shumë për të na mësuar.