1.
“Si doni të vdisni”, pyeste, m’një anketë, Marcel Proust miqtë e vet letrarë.
Shumë vite që këtej, mbahej një procesion varrimi në Dukagjin. Ishin motet e rënda të Millosheviqit. Kulmi i orgjisë së tij të përgjakur. I pyetur për zinë e djaloshit të vrarë shqiptar, një pjesëmarrës në kësollin e madh, do thoshte me të folmen lokale: jo, jo. Kështu jo. Âsht e rândë. Unë e mendoj dekën ndryshe. Me rend e me lule..!
Edhepse ndokush do të deshte një vdekje epike për të hyrë në këngë, ai ishte përgjigjur anonimisht, pa e njohur, në pyetjen e frëngut nguctar.
2.
Ndërkaq, tashmë në ambient e milje tjetër, do farkohej e jetonte një legjendë lavdie. Hero i saj ishte strategu i fushëluftës, gjenerali i famshëm i Rajhut gjerman Erwin Rommel. Besohej deri vonë se ishte shuar në Paris nga goditje predhash që i shikonte sfidueshëm e qetësisht. Domethënë si ushtarak, e pra vdekjeshpërfillës i vërtetë.
Porse, në fakt, si shkruan Jan Demas (“60 minuta histori gjermane”) ai do të vdiste krejt i çheroizuar.
Rivalët prisnin orën e tyre. Dhe ajo, me gjasë, kishte behur. I pëshpëritën Hitlerit në vesh se ky qenkësh mbështetës i fshehtë i “grupit Rommel” (njëjtësi rastësore emri) që pati kurajon t’i dilte kundër Führerit të shéjtnuar.
Ndaj dhe Prijësi i ariozofisë që akoma sundonte Europën, çoi dorë prej tij dhe e la të vdiste ultë e i poshtëruar nga një helm që i dhanë në veturën e braktisur, diku në periferinë e humbur.
3.
Pyetjen e Proustit, në heshtje e me psherëtimë, ndoshta e bëjnë të gjithë: njerëz të mirë e njerëz të këqij. Të vegjël, si kësolltari shqiptar apo, njëkohësisht, të mëdhenj si gjenerali adolfjan.
Veçse, aq më thellë e vetishëm, e bëjnë oligarkë rrethesh të epërme politike kur kohët e turbullta dhe sistemet e brishta vijnë bashkë me korbat e alternohen stuhishëm.
Natyrisht, frikshëm e njëj vështrimi të ndërdyshur në horizontin që errësohet, këtë pyetje të vështirë e shtrojnë, sidomos, ata që i trëmben, si mortit, statusit të lirë qytetar. Ditës jetëprerëse kur prangat e pushtetit të pafré s’do t’a mbrojnë më…E, ai vetë, ka aq shumë faje që janë zbërthyer në vuajtje kronike popullore!
Autori i pambërritshëm i “Princit” këshillon sundtarët t’i bëjnë të mirat ngadalë – që të kujtohen gjatë, kurse të ligat menjëherë – që të harrohen shpejt. Por kur të mirat janë pak, tepër pak dhe të këqijat mbipeshojnë, aherë kjo vuajtje shndërron fajin në akuzë kundër tyre.
Sepse, thjeshtë, rrallëkush ka ikur andej pa gjyqin e rëndë, moral a ligjor, të epokës..!
Komentet