-Në kujtim të mikut tim Marian Skanjeti dhe librave të tij poetikë “Midis njerëzve” dhe “Vargje pleqnie”.
1.
Marian Skanjeti, vëllai i regjisorit të mirënjohur Andrea Skanjeti, lindi më 18 gusht 1920. Me të vëllanë lidhet kjo histori, për të cilën do t’ju rrëfej: “Në gjyqin e dënimit të Marian Skanjetit, u thirrë si dëshmitar i vëllai, Andrea. Me urtësinë, mençurinë dhe maturinë e tij që e karakterizonte, Andrea i tha prokurorit: “Keni gabuar rëndë që më thirrët të flas kundër vëllait tim. Që nga ky moment po shkoj dhe unë në bankën e të akuzuarit e rrimë bashkë në burg me vëllanë, se gruaja më ka vdekë e fëmijë nuk kam. Ma shumë du vëllanë se partinë.” U dëgjua një klithmë shtazarake e prokurorit dhe e nxorën Andrean jashtë nga salla.
2.
Mariani rridhte nga një familje intelektuale e tregtare. I ati ishte inxhinier ndërtimi, kurse e ëma një grua intelektuale dhe me kulturë.
Mësimet e para i mori në Durrës dhe i përfundoi në Shkodër në kolegjin Saverjan dhe në gjimnazin Françeskan të Gjergj Fishtës. Në universitetin e Peruxhias në Itali përfundon studimet për gazetari. Në vitin 1943, në “Cine Citta” të Romës jep provimet për regji teatro-kinematografike. Është i njohur si aktor në skenat teatrore para profesioniste të Shkodrës (1935 – 1943). Në Durrës dallohet edhe si fitues i medaljeve në not, me ngjyrat e S.K. Teutës.
Veprimtaria e tij politike është e gjerë, që nga mosha 17 vjeçare e deri sa ndërroi jetë. Është dënuar tri herë: në Shkodër (1945), në Korçë (1949), në Durrës (1985) në moshën 65-vjeçare. Ka kaluar në pesë burgje: Shkodër, Korçë, Vlorë, Tiranë e Durrës. Ka punuar në katër kampe shfarosjeje duke përfshirë të pestin kampin e mundimeve, në repartin Nr. 215, në ushtri.
Gjatë viteve 1975 – 1985 ka shkruar katër vëllime të titulluar: “Vështrime në panoramën historike”, “Martin Shpati” (roman autobiografik), poezi, ditar e shënime të ndryshme, etj. Të gjitha këto materiale bashkë me bibliotekën iu konfiskuan ditën e arrestimit, gjë që vërtetohet në akt akuzën e vitit 1985. Pas daljes nga burgu punoi edhe në bujqësi në fermën e Xhafzotajt e në Sukth.
Në vitet që e njoha, edhe pse i thyer në moshë vazhdonte të shkruante e të merrej me veprimtari shoqërore e politike, për ta parë Demokracinë në piedestalin e nderit. Mariani ka themeluar dhe ka qenë kryeredaktor i gazetës “Pishtari”.
3.
Marian Skanjetin e kam njohur në fillim të pranverës së vitit 1991. Nuk mund të harroj lëvizjet dhe ecjen e tij prej aktori, diksionin e qartë, fjalinë e pastër dhe me kuptim, sytë e qeshur por shpesh të vrullshëm. Më vonë e njoha edhe për shpirtin e madh dhe dashamirësinë e tij. Më vonë e njoha, edhe kur vishej me kostum, një kostum kafe të çelët me rrigata të holla. Më vonë e njoha edhe kur vinte të më takonte… këtë radhë kishte vënë kapelë republike. E kujtoj…, dhe më bëhet se ende kështu ecën udhëve të qytetit tim, me lirinë në shpirt dhe në ëndërrime… Ecën Mariani me një ecje qiellore…
E kujtova, sepse ma kujtoj, në fillim, libri me poezi i titulluar “Midis njerëzve”, dhe më vonë “Vargje pleqnie” me autor Marjanin… Nuk mbaj mend sa herë i kam lexuar… Tani po e lexoj përsëri… sigurisht me një optikë tjetër.
Të parën gjë që mendova ishte se poezia nuk njeh moshë. Pastaj thashë, edhe një thinjë e bukur dhe fisnike bashkëjeton me petalin e një trëndafili. Seç duan t’i thonë njëri-tjetrit në dimensionin e zemrës së poetit, i cili në magjinë e madhe të krijimit e ruan një metaforë përjetimi t’ua falë njerëzve, dëshiron t’u thotë një fjalë të mençur e të urtë, edhe pse jeta e Marjanit ka kaluar përmes ferrit dantesk, duke u përpjekur për të parë një copëz qielli të kaltër, një yll të largët shprese e një hënë me mallin e Vendlindjes…
Poeti Marian Skanjeti gjithnjë e ruan një fjalë, një fjalë poeti plot dramë jete e besimi: “Zot, / dhimbje trupi e shpirti s’duroi ma. / Mjaft durova 22 vjet, brenda telave të shkretë! / Më kishin mbetë edhe 25 të tjera jashtë me vuajtë, / ma zi se në tela ndry! // Zot, a do të më besosh se jam me TY?!”
2.
Është e pamundur të mos vëresh se, në shumë poezi të këtij libri, metafora e qiellit të kaltër është e pranishme. Kjo e ka një arsye. Poeti kërkon hapësirë, hapësirë shpirti!
Mariani i beson këtij qielli për të cilin rrëfen… I falet. E ka idhull. Edhe atëherë, kur dritarja e vogël ishte me hekura (në fakt hekurat zvogëlonin jetën), syri i poetit shikonte qiellin dhe shpirti i mbushej me qiell.
Jeta! – pëshpëriste kënga e poetit. E JETË gjen në çdo varg, në çdo figurë poetike.
Jeta! Jetë! – është thirrja e poetit, edhe atëhere kur plot vargje të brishta e, si një prind flet për Ritën e vogël; edhe atëhere kur flet për trumcakun e vogël!..
Jeta! Jetë! – është një thirrje e shfaqshme në çdo ind të poezive të këtij libri, vibron dhe na fal qartësi dhe kaltërsi qielli, të një qielli dëshmitar dhe ëndërrimtar, të një qielli qiellor…
3.
Por poezia e Skanjetit është edhe luftarake, edhe e ëmbël. Shpesh, konceptimi dhe ndërtimi i figurave krijon në poezi një asociacion të fuqishëm sentencial. Kjo ndoshta lidhet edhe me natyrën e tij, që i pëlqen (te) gurra e mençur popullore e trevës së Veriut. Por edhe ndërtimi i vargut të krijon idenë e hapësirës. Një hapësirë dashurie për poetin Marian Skanjeti, i cili si një kredo e ruajti një fjalë për njerëzit, një fjalë sa qielli, të një qielli të kaltër, pa thinja, të një qielli të kaltër si këngë lirie që e ëndërroi dhe e dashuroi përjetësisht…
Një fjalë e ruajti…
Shkodër, shtator 2018
Komentet