Ngjarje muzikore, do ta quaja koncertin e Orkestrës Simfonike të TKOBAP. 9. 10. 2025.
Zakonisht kur mbushem shpirtërisht nga një koncert simfonik ulem menjëherë për të shkruajtur.
Prisja që për koncerte shumë të suksesshme shtypi të reflektojë, qoftë dhe me një informacion apo gjurmët emocionale që la në publik .
Por jo!
Asnjë reagim!
Gazetarët e mediave televizive nxitojnë kush të zërë vendin e parë në pasqyrimin e kronikës së zezë.
S’guxojmë të ndjekim lajmet nga rubrikat që i kushtohen politikës dhe ngjarjeve të zeza makabre.
A thua, që jeta kulturore nuk ekziston në realitetin shqiptar.
Ndërkohë që është krejt e kundërta. Madje nga dëndësia e aktivitetve koncertore simfonike dhe jo vetëm ka dhe përplasje datash dhe të interesuarit janë në mëdyshje për zgjedhjen.
Gjithësesi do desha të përqëndrohem në koncertin që e vlerësova si ngjarje artistike muzikore për disa arsye:
Së pari – kjo orkestër e përforcuar nga orkestrantë të OSFA-shë, për t’iu përgjigjur kërkesave të veprave, luajti premierë tre vepra ku “Suita nga L’ Uccello di fuoco”( Zogu i Zjartë) i Igor Stravinsky-t, ishte sfidë e rrezikshme.
Së dyti- Publiku shqiptar pati rastin fatlum të ndiqte drejpërsëdrejti live violinistin Giuseppe Gibboni një instrumentist i ri italian, që me talentin e tij të jashtëzakonshëm po bëhet i famshëm në skenat më prestigjioza të botës.
Fitues i çmimit Paganini, pas një ture koncertesh në Milano e gjetkë në Itali erdhi në Tiranë, e pas saj axhenda e koncerteve , vijon përtej europës.
Së treti- Kënaqësia që përftoi publiku kryesisht nga interpretimi i violinistit, por dhe realizimi artistik i tre veprave simfonike ishte jo vetëm i pazakontë, por ngrohtësia e respekti ndaj muzikantëve jo vetëm u përcoll me minuta të tëra duartrokitjesh frenetike, por dhe u ngrit në këmbë.
Koncerti filloi me Uverturën ” Rusia e Madhe” op 28 të kompzitorit Rimsky Korsakov., një nga veprat përfaqësuese të nacionalizmi rus në fund të shek. XIX. Kushtuar Modest Musorgsky-t ajo është frymëzuar nga liturgjia e Pashkës Ortodokse Ruse.
Idetë artistike miksojnë në të tri pjesët e saj, gjëndje e situata emocionale të popullit rus; duke filluar nga karakteri solemn i hyrjes Lento – Mistico me tension shpirtëror, ku kompozitori përdor shfrytëzim për materialet tematike këngët lirurgjike, të transformuara për një strukturë simfonike deri në një shpërthim festiv masiv të gëzimit pas Ringjalljes Meloditë religjioze transformohen këtu në motive ritmike popullore, duke krijuar një atmosferë euforike të shpirtit popullor rus, e për të kaluar në pjesën e tretë të një himni triumfal, simbolikë e fitores mbi errësirën.
Përdorimi mjeshtror i orkestracionit, i ngyrave timbrike, kombinimi i sektorëve të përafërta i jep kësaj uverture konkretësinë e një pikture të gjallë.
Pikërisht për këtë, dmth për protagonizmin e të gjithë instrumentave pa dallim të sektorit të frymës apo harqeve e bën interpretimin e saj dhe realizimin e këtyre ideve, të vështirë për mundësinë e orkestrës tonë dhe veçanërisht në sektorin e frymës.
Nën drejtimin e dirigjentit Sergio Alapont, tashmë i njohur për publikun shqiptar si një muzikant me talent dhe formim artistik për t’u admiruar vepra u realizua bukur dhe arriti të emocionojë publikun.
Në sajë të pasionit dhe punës të detajuar me sektorë të veçantë, në shërbimin artistik të tërësisë , vështirësitë kaluan me sukses. Si karakteristikë e punës së tij, do të veçoja unifikimin e tingullit orkestral, duke e konsideruar orkestrën si një “plastelinë” që mundëson të realizojë konceptin e tij , në interpretimin e drejtë të formës artistike mbi veprën.
Çfar roli frymëzues luan potenciali i personalitetit artistik të dirigjentit, ai nuk dikton, përkundrazi argumenton reagimin e mbajtur dhe krijon bindje tek orkestrantët për të dhënë maksimumin e përjetimit emocional me vërtetësi.
Pas këtij suksesi shfaqja vijoi me interpretimin e Koncertit për violinë e orkestër nr. 2 në si minor, op 7- N. Paganini, interpretuar nga Giuseppe Gibboni.
Kompozuar rreth vitit 1826, kohë që karriera e kompozitorit ishte në kulm të suksesit si violinist virtuoz, në këtë vepër gërshetohen bukur virtuoziteti teknik me aftësinë e krijimit të karakterit melodioz ekspresiv romantik, që të kujton belcanton italiane dhe ndikimin e arieve nga operat italiane ( Rossini,Bellini).
Forma e koncertit shfrytëzon strukturën klasike ( tri kohëshe), por Paganini e trajton atë në mënyrë të lirë .
” La Campanella”( Kambana e vogël) koha e tretë, mbetet simbol i stilit teatror, një bashkëveprim i elegancë, teknikës virtuoze dhe ironisë, si një spektakël artistik, plot humor ku violinisti dialogon bukur estetiksht me triangolon që imiton tingullin e kambanës.
Koha e dytë me karakterin e theksuar elegjiak është shprehje e një lirizmi intim shpirtëror, si një arie pa fjalë e ndjerë e me bukuri shprehëse.
Ndërsa e para si strukturë është më tradicionle në koncept dhe emocion. Plot pathos dinamik, tek ajo Paganini, padyshim ruan kërkesën ndaj shpalosjes së virtuozitetit instrumental, që është pothuajse gjithë kohës prezent, madje edhe në temën e dytë me kontrast emocional.
Në këtë vepër orkestra luan thjesht rol shoqërues për t’i lënë violinistit protagonizmin koncertor.
Të gjitha këto ide solisti Giuzeppe Gibboni i interpretoi në mënyrë të shkëlqyer.
Një lojë krejtësisht fisnike e përkorë, pa asnjë efekt të jashtëm, ku teknika virtuoze që rridhte aq natyrshëm ishte krejtësisht në shërbim të emocionit dhe muzikalitetit. Një kualitet tingulli aq fin, por plot bukuri estetike dhe thellësi shpirtërore, frazime aq artistike plotëshisht në shërbim të ideve.
Një interpretim sa virtuoz po aq dhe shprehës me aftësi komunikuese dhe imponues në mënyrë manjetike, që na mbërtheu e na la “pa frymë”. Një individualitet tepër shpirtëror në shërbim të të bërit MUZIKË.
Në një rast të tillë kur emocionet tek dëgjuesi e tejkalojnë masën, për mua përdorimi i fjalës, nga ndjenja e përgjegjësisë mbetet i varfër për të shprehur gjurmët emocionele. Megjithatë guxova.
Por, veç interpretimit, ajo që më bëri përshtypje ishte reagimi i publikut heterogjen, që kishte mbushur sallën poshtë e lartë, dhe që reagoi ashtu duke e imponuar dy herë violinistin t’i rikthehej skenës, për të luajtur me të njëjtin frymëzim dy vepra të tjera po aq virtuoze.
Ja, çdo të thotë perfeksion dhe lojë shpirtërore, se si influencon tek të gjithë, muzikante dhe jo të tillë, ndonëse dashamirës të muzikës simfonike.
Gibboni sa dha kënaqësi estetike po aq dhe mori sadisfaksion nga mikpritja e publiku, që me sa kuptova reagoi pak i befasuar, sikur nuk e priste në realitetin shqiptar.
Pas pushimit koncerti vijoi me interpretimin nga orkestra të “Cinc Étude- tablo op. 39, Rachmaninoff-Respighi.
“Etydet -tablo “Rachmaninoff-i i krijoi ndërmjet viteve 1916-17 për piano solo.
I ftuar nga kompozitori në vitin 1930, Otorino Respighi me lejen e autorit orkestroi pesë prej tyre, duke i dhënë me qëndrimin e mbajtur një paraqitje të re estetike. Sintezë mes romantizmit emocional rus dhe orkestrimit brilant, koloristik e vizual; të poetikës ruse me dritën italiane. Çdo tablo përfaqëson ndjesi universale; nga përshkrimi impresionist i natyrës ( detit) tek fryma njerzore dhe trumfi shpirtëror.
Një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit mes dy kompozitorëve të shkollave të ndryshme.
Për sa i përket strukturës, çdo tablo është një skenë piktoreske dhe emocionale, sesa një formë tradicionale klasike. Megjithatë, brenda tyre ka trajtime motivike dhe kontraste të qarta dinamike, që ruajnë logjikën e zhvillimit romantik të Rachmaninoff-it.
Respighi përdor një formacion orkestral simfonik të madh, pothuajse të dubluar, ku veç seksioneve të zakonshme ( harqe, instrumentini, tunxhi, perkusioni ka shtuar harpën dhe organon,duke i dhënë tablove pianistike një ngjyrim ” piktoresk” timbrik të pasur orkestral.
Tablonë e parë dirigjenti e trajtoi me kujdes dhe vetëpërmbajtje emocionale shprehje e një gjëndje qetësie. Tek ngjyrimet impresioniste, ai ruajti transparencën e dialogjeve plot elegancë të replikave midis instrumentinit e harqeve, duke bërë kujdes në rritjen graduale të intensitetit dhe thellësisë emocionale nga pjesëmarrja e sektorëve të tjerë të orkestrës, veçanërisht tunxhit.
Krejt në kontrastë me tablonë e dytë ” La Foire” ( panairi), që u karakterizua nga fryma e energjisë popullore deri me nuanca groteske.
Tabloja e tretë ” Marche funebër”, u trajtua me karakter liriko-dramatik. Si edhe në të tjerat roli i instrumentave të frymës e veçanërisht tunxhi tregoi korrektësi ndaj partiturës, duke luajtur rolin e veçantë në rritjen emocionale. Vemëndjen na i tërhoqi edhe realizimi artistik i oboistit në një material tematik,që e këndoi bukur plot pasion.
Në Tablonë e katërt” Les Cloche” ( kambanat),dirigjenti nxori në pah frymën solemne e mistike të saj. Ndërsa në tablonë e pestë”Marshe” trajtimi në mënyrë heroike e të madhërishme krijoi një gjëndje të pritëshme emocionale drejt kulminacionit e përfundimit të veprës.
.
Në mbyllje të programit, dhe që unë do ta veçoja si sfidë për mundësitë e orkestrës, u intrepretua Suite,nga baleti “L’Oiseau de feu”( Zogu i zjarrtë).
Edhe kjo premierë, si dy veprat e tjera simfonike të mëparëshme, që shpreh guximin për të perfomara për herë të parë në skenën shqiptare vepra jo vetëm me pretendime dramaturgjike, por mbi të githa dhe me kapërcimin e vështirësive teknike në realizim si kjo e fundit.
Kompozuar në vitet 1909- 1910, L’Uccielo di fuoco ishte bashkëpunimi i parë i kompozitorit me trupën e baletit. Sipas libretit, mbështetur mbi një përrallë ruse antagonizmi bëhet prezent midis Princit Ivan, zogut të zjartë që simbolizon dritën, mirësinë
dhe magjistarit shpirt zi Kasheit. Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Paris, Stravinsky bëri disa versione për Suitën.
Orkestra interpretoi të plotë atë të vitit 1919, që është dhe më i luajturi në koncerte simfonike.
Vepra i takon periudhës tranzitore në krijimtarinë e tij muzikore, atë të kalimit nga romantizmi i vonë drejt modernzmit. Kombinimi i traditës muzikore folklorike, me një gjuhë të pasur harmonike,deri në përdorim të bitonalitetit, dizonancës, ritmeve të thyera dhe ndryshimeve të shpeshta metrike, por veçanërisht me një orkestracion shumë të pasur, dinamik plot të papritura, ku jo vetëm çdo sektor i orkestrës bëhet protagonist në shprehjen e ideve dhe përfaqësimit të personazheve, por dhe çdo instrumenti të fymës i jepet një rëndësi e caktuar. Përvojë kjo krejt e re për kohën, që krijon mitin universal të kakimit nga errësira drejt dritës dhe triumfit, nga kaosi drejt rregullit.
Me këtë vështirësi ” pikturohet” portreti dhe bota e errët në temën e Kasheit, në kontrast me temën e Zogut të zjartë gjithë shkëlqim, e krejt ndryshe me një melodikë të thjeshtë me karakter të këndueshëm e një lirikë e ndjerë figurohet tema e Princeshave.
Një nga shembujt më të shkëlqyer të mjeshtrisë orkestrale të Stravinsky-t. Kështu harqeve i jepet funksioni i krijimit të një atmosfere mistike, ( piccicato, tremolo), instrumentimi këndon me ëmbëlsi melodi të qarta popullore ruse, tunxhi përdoret mjeshtërisht për kulmet dramatike e ritmikës së thyer, e perkusioni për nënvizim të thekseve, veçanërisht tam-tam dhe xylofon. Tema dhe tinguj që krijojnë figura gati ” vizuale” ku konkludohet me bukurinë e transformimit të temës popullore në një figurë triumfale me solmenitetin e saj. Pra një orkestracion si një tablo piktoreske impresioniste me elementë ekspresionistë.
Po këto vështirësi nuk kufizuan as propozimin e programit nga drejtori Aulon Naçi, dhe as dirigjentin Sergio Alapont, që me profesionalizmin që e karakterizon, formimin artistik, kulturën, shpirtin e ndjeshëm
dhe mbi të gjitha pasionin për punën, jo vetëm guxoi por dhe ia doli.
Thënë ndryshe, përderisa vepra i përcolli tek publiku kompleksin e ideve, duke e emocionuar atë, e kreu misionin e saj estetik e edukues. Padyshim e mira dhe perfeksioni s’kanë fund.
Por kjo për vlerësimin tim përbën Sukses. Urime të përzemërta !
- Dema. 11.10. 2025.