Dokumente pronësie pë Zvërnecin
Një investim luksoz, një konflikt i pazgjidhur pronësie dhe një hetim për pastrim parash kryqëzohen në Zvërnec. Historia e Artur Shehut hedh dritë mbi mënyrën se si janë fituar, transferuar dhe kontestuar disa nga tokat më të lakmuara të bregdetit shqiptar.
Në një nga daljet e tij të rralla publike, Artur Shehu foli në fillim të këtij muaji për televizionin shtetëror shqiptar përmes një lidhjeje video nga Shtetet e Bashkuara, lidhur me projektin e madh turistik që po zhvillohet në veri të fshatit jugor të Zvërnecit.
Ai deklaroi se me investitorët kishte komunikuar vetëm përmes ndërmjetësve dhe se toka e kontestuar që përfshihet në këtë zhvillim të debatueshëm i përket atij. “Dua të sqaroj diçka. Këto parcela janë në pronësi të familjes sime prej shumë kohësh dhe kjo është e padiskutueshme”- tha ai.
Pak ditë më vonë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) hapi një dosje ndaj 20 personave për trafik droge dhe pastrim parash përmes investimeve në pasuri të paluajtshme në Rivierën Shqiptare.
Dokumentet gjyqësore, të cilat janë parë nga Kathimerini, përmbajnë edhe emrin e plotë të Artur Shehut. Gjithashtu u vendos sekuestrimi i 110 milionë eurove në llogarinë bankare të noterit të tij.
Kjo shumë ishte paguar më 24 prill nga kompania Albanian Land Development, e mbështetur nga interesat e bizesmenëve nga Katari mbi tokën e lidhur me investimin turistik në Zvërnec.
Ndërkohë, banorët e Zvërnecit janë të përfshirë në një betejë të gjatë ligjore me Shehun, e cila kishte nisur rreth një dekadë përpara se dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, të shfaqte interes për të investuar në zonë.
“Si u shfaq ky njeri këtu? Cilat janë rrënjët e tij në këtë vend? Ku kanë jetuar babai apo gjyshi i tij? Ku është varrosur familja e tij?”- pyet njëri nga banorët e përfshirë në konfliktin ligjor për parcelat e kontestuara.
Për banorët vendas, Artur Shehu, 60 vjeç, mbetet një figurë misterioze. Ata thonë se nuk e kanë parë kurrë personalisht dhe e përshkruajnë si një njeri pa lidhje me zonën, i cili “u ka vjedhur tokat”.
Në sfondin e protestave në rritje në Tiranë kundër korrupsionit dhe elitës politike, të nxitura pjesërisht nga zhvillimi i debatueshëm në Zvërnec, rasti i Shehut hedh dritë mbi transaksione të dyshimta të pasurive të paluajtshme në disa prej zonave më të vlefshme të bregdetit shqiptar.
Përmes dokumenteve gjyqësore dhe dëshmive të banorëve, Kathimerini përpiqet të ndjekë dhe të ndriçojë rrugëtimin e tij.
Nga forcat speciale në bizneset e Vlorës
Një nga rrëfimet më të përhapura është se Artur Shehu ka shërbyer në forcat speciale shqiptare dhe më pas ka hapur një hotel dhe kazino në Vlorë, qendra administrative e qarkut ku ndodhet edhe Zvërneci.
Sipas mediave shqiptare, në vitin 1999 dy persona u vranë në një sulm të armatosur ndaj një lokali në pronësi të tij. Një prej viktimave ishte i afërm i Shehut. Thuhet se ai u largua nga Shqipëria pak kohë më pas dhe përfitoi azil politik në SHBA në vitin 2001.
Disa vite më vonë, ai u vendos në Miami, në një vilë me vlerë rreth 3 milionë dollarë, me katër dhoma gjumi dhe pamje nga një fushë golfi, duke u paraqitur si biznesmen aktiv në sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
Artur Shehu nuk iu përgjigj kërkesës së Kathimerini për koment lidhur me këtë artikull.
“Shqiponja e Zezë”
SPAK po hetonte rrjete të trafikut të drogës kur hasi në rastin e Artur Shehut. Një i afërm i tij ishte dënuar me tetë vite burg në Belgjikë për trafik droge në qershor 2024. Autoritetet belge ia dërguan dosjen, me emrin e koduar “Black Eagle” (“Shqiponja e Zezë”), prokurorëve shqiptarë.
Dokumente të ngjashme iu përcollën edhe autoriteteve gjyqësore në Spanjë. Tashmë po hetohen edhe takime të zhvilluara nga Shehu në Monako, Gjermani, Spanjë dhe Aruba. SPAK siguroi gjithashtu qasje në komunikime të platformës së koduar Sky ECC, një aplikacion i përdorur gjerësisht nga rrjete kriminale ndërkombëtare.
Sipas dokumenteve gjyqësore, një nga këto biseda, e datës gusht 2020, përfshin dy persona të lidhur me trafikun e drogës që diskutojnë për Shehun dhe mundësinë e blerjes së pronave në Zvërnec: “Im kushëri thotë që duhet të jesh në Vlorë të dielën ose të hënën. Duhet të marrim një varkë për në Zvërnec që t’i shohim ato prona. Po vijnë disa miq”.
Dosja e SPAK-ut thekson se Artur Shehu nuk ka precedentë penalë, megjithëse “ai shfaqet vazhdimisht si pronari fundor i shumë parcelave në zonën e Vlorës, të përfituara përmes dokumenteve të falsifikuara”.
Në shumicën e rasteve, dokumentet e kontestuara duket se janë tituj pronësie të dyshuar si të falsifikuar, që pretendojnë origjinë që nga periudha osmane. Në disa prej këtyre rasteve – disa ende në gjykim – nuk është Shehu ai që është proceduar apo dënuar, por bashkëpunëtorë të tij ose persona që ia kanë transferuar pronat.
Mungesa e transparencës dhe dyshimet për pastrim parash
Sekuestrimi i 110 milionë eurove të lidhura me blerjen e tokës në Zvërnec ka ngritur pikëpyetje serioze mbi burimin e fondeve dhe transparencën e transaksionit. Për opozitën, aktivistët dhe një pjesë të opinionit publik, çështja e ka tejkaluar tashmë debatin për pronësinë e tokës dhe është shndërruar në një test për mënyrën se si funksionon sistemi i kontrollit të kapitalit në Shqipëri.
Fakti që pagesa për tokën ndodhet në qendër të një hetimi të SPAK-ut ka ushqyer dyshimet për pastrim parash dhe përfshirjen e interesave të paqarta financiare në një nga projektet më të mëdha turistike të viteve të fundit.
Ndërsa hetimet vazhdojnë, mungesa e transparencës mbi transaksionet dhe pronësinë reale të parcelave mbetet një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga kritikët e projektit.
Beteja ligjore
Konflikti ligjor i banorëve të Zvërnecit me Artur Shehun përmendet gjithashtu në dosjen e SPAK-ut. Ajo përfshin fitoren e banorëve në gjykatë në vitin 2013 dhe ndërlikimet që e pasuan. Në vitin 2014, Gjykata e Apelit në Vlorë vendosi që çështja të rigjykohej nga një trupë tjetër gjyqësore.
Tre vite më vonë u konstatua se gjykata nuk kishte juridiksion për ta shqyrtuar çështjen. Më pas ajo kaloi në Gjykatën e Lartë në Tiranë dhe u rikthye sërish në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë. Deri më sot, çështja nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe të formës së prerë.
“Ne duam vetëm toka tona”– thotë Panajot Subashi gjatë vizitës së Kathimerini në Zvërnec. Ai tregon një dokument të zverdhur nga koha, që dëshmon se në vitin 1991, pas rrëzimit të regjimit të Enver Hoxhës, toka shtetërore iu shpërnda banorëve sipas Ligjit 7510.
“Po presim vendimin e gjykatës. Vetëm Zoti e di çfarë do të ndodhë”- shton ai. Sot në Zvërnec kanë mbetur më pak se 150 banorë. Shpopullimi i fshatit është i dukshëm në shtëpitë e mbyllura dhe oborret e mbuluara nga barërat e këqija.
Megjithatë, lidhja e tij me projektin e debatueshëm turistik të Jared Kushner dhe Ivanka Trump e ka vendosur fshatin në hartën ndërkombëtare. Që kur historia u bë publike, ekipe televizive nga Gjermania, SHBA-ja dhe vende të tjera e kanë vizituar zonën.
“Flamingot” e Tiranës
Në kryeqytetin shqiptar, i njëjti ritual po përsëritet çdo mbrëmje që nga fillimi i qershorit.
Shitës ambulantë vendosin stenda me flamuj shqiptarë përgjatë bulevardit që të çon te zyra e kryeministrit, ndërsa turma gjithnjë e më të mëdha mblidhen në rrugë.
“Revolucioni i Flamingove”, siç është quajtur, nuk është më thjesht një lëvizje mjedisore. Ai është shndërruar në një lëvizje kundër establishmentit, ku protestuesit kërkojnë dorëheqjen si të qeverisë, ashtu edhe të opozitës.
Franc Gripshi, 29 vjeç, emigrant në Mynih dhe punonjës në një kompani që mbledh të dhëna satelitore, u kthye së fundmi në Shqipëri për të marrë pjesë në protesta. “Problemet që më detyruan të largohem nga vendi para 10 vitesh mbeten ende të pazgjidhura. Sistemi arsimor nuk funksionon si duhet dhe tregu i punës është në gjendje të mjerueshme. Dua ndryshim politik”- thotë ai për Kathimerini.
Agron Shehaj, deputet opozitar dhe kryetar i Partisë Mundësia, merr pjesë gjithashtu çdo ditë në protestë. “Protestat mund të jenë nxitur nga shqetësimet për mungesën e transparencës rreth projektit të Zvërnecit, por ato janë shndërruar në diçka shumë më të madhe”- deklaron ai.
“Asnjëherë më parë kaq shumë shqiptarë nuk kanë dalë në rrugë në mënyrë kaq paqësore dhe të vendosur. Ata kërkojnë ndryshim të sistemit. Duan fundin e një modeli të korruptuar qeverisjeje, të ndërtuar mbi shkëmbimin e favoreve mes politikanëve, oligarkëve dhe rrjeteve të krimit të organizuar”– nënvizon ai.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka këmbëngulur se investimi në Zvërnec do të vazhdojë sipas planit, pavarësisht protestave, shqetësimeve mjedisore dhe ngrirjes së fondeve të përdorura për blerjen e tokës. Ai deklaron se mbrojtja e mjedisit mbetet prioritet i qeverisë dhe pretendon se protestat po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë jashtë vendit.
Taverna “Ivanka”
Larg Tiranës, turistë të shumtë në Zvërnec – disa me motorë katërrotësh, të tjerë me autokamper – vazhdojnë të shijojnë brigjet e Adriatikut. Projekti turistik i planifikuar ka lënë tashmë gjurmët e para.
Gardhi me tela me gjemba që rrethonte tokën e kontestuar është hequr, megjithëse bazamentet prej betoni që e mbanin qëndrojnë ende aty. Një rrugë e improvizuar me zhavorr përgjatë plazhit, e ndërtuar para pezullimit të punimeve, është ende e dukshme.
Por ka edhe shenja më të fshehta që sugjerojnë se ndryshime të mëdha mund të jenë në horizont për këtë rajon ende të paprekur. Në pyllin e dendur me pisha, disa kilometra larg Zvërnecit, tabela e parë që bie në sy të vizitorëve mban një emër jo fort të zakonshëm për Shqipërinë: “Taverna e Peshkut Ivanka”./ Përshtati “Pamfleti” Nga “Kathimerini”