Për atë qi e ka ndjekë Sulejman Didën mbas vëllimit poetik, apo në shkrimet qi ka ba në revistën “Dy Drina”, për atë qi ka lexu nji shkrim për burimet, asht nji shkrim për krojet, kjo dalje – kjo shpallje me librin “Beja” nuk asht e papritun. Unë jam njeriu që e kam pritë këtë lloj cilësie, ndoshta jo ket temë, por duke e parë shkrimin për krojet kam thanë, Sula do të zhbirojë në kët lloj fushe. Dhe tashti po them, mbasi e kam lexu librin dy herë, nji herë para se me e botue, dhe mbasi e lexova prapë si botim për me thanë dy fjalë në hapje të takimit promovues, them që Sulejman Dida me librin “Beja”, erdhi midis studiuesve shqiptarë me nji temë të pa rrahun deri tashti në fushën e entografisë, pasi kam vu re, me të drejtë apo me të padrjetë që edhe etnografia shqiptare, e cila përgjithësisht në planin përshkrues asht, Sulejmani e tejkalon këtë lloj gjendje, këtë lloj situate. Pra due me thanë që erdhi me nji dhuratë suksesive. Sepese kam parasysh qi për herë të parë në fushën e studimeve shqiptare etnografike, për herë të parë në fushën e studimeve të kulturës shqiptare Suejman Dida atakon nji temë fare të pa rrahun nga shkenca sikurse asht beja, nji nga institucionet themelore, nji nga institucionet qi bajnë t’mundun me u dallue identiteti shqiptar nga identitetet e tjera kombëtare, pasiqë kto tema shumë pak të rrahuna, ndonëse themelore, i kanë mungue deri tashti fushës së studimeve tona. Në kët kuptim asht sukses, asht dhuratë, asht kontribut i mirfilltë në shkencën shqiptare për të atakuar nji temë t’randësishme, shumë domethanëse e kuptimplote, për t’përcaktu apo zhbiru ato tipare koherente qi kanë t’bajnë me konstitucionin shpirtnor të qëndrueshëm të shqiptarëve.
Përveç kësaj, themi se është kontribut i veçantë ky libër pasi kam kam parasysh faktin që Sulejman Dida vjen para lexuesit, para opinionit shkencor me nji material të gjanë, me nji material të hulumtuem në nji trevë pak të rrahun ose aspak të rrahun, pra të pa shkelun, sikundër asht Luma, e cila mbart vlera të jashtzakonshme qi duhen theksue dhe duhen zhvillue për me ndriçue shumë aspekte ose probleme qi kanë t’bajnë me lashtësinë, me kulturën dhe identitetin e këtij vendi.
Libri “Beja” asht nji vëllim prej 120 faqesh dhe tashma ndodhet në duart e lexuesve dhe studiuesve. Përgëzoj për sprovën e bame si korrektore gjuhësore Julie May Kolgjnin në përpjekjet e saj për me e mësu gjuhën shqipe, po ashtu përgëzoj Xhevahir Kolgjinin i cili njikohësisht ka nji kontribut që unë nuk e besoja në përpjekjen e tij qi, përveç fushës së artit e pikturës të japë kontribut edhe në fushën e gjuhsisë, përkatësisht me korrektimin gjuhsor të librit “Beja” s’bashku me Julien. Ndër të tjera Xhevahirin e përgëzoj edhe për kopertinën e librit, nji realizim jo vetëm paraqitës por edhe domethanës. Për me e lexu dhe me e kuptu kët libër, kam mendimin qi duhet ti caktohet vendi në gjininë e vet, në llojin e vet. Nëse nuk arrijmë ta përcaktojmë në llojin dhe në gjininë e vet, atëherë libri nuk do të kuptohet mirë, pra nuk do të përvetësohen edhe mesazhet qi përcjell.
Sipas mendimit tim libri i takon gjinisë eseistike, pra asht nji ese e gjatë dhe e plotë për benë, dhe kur them qi kjo asht nji vepër eseistike kam parasysh disa cilësi të cilat i ka sistemu dhe i ka përcjellë tek ne autori. Po përmend disa prej cilësive të këtij libri për ta përcaktu si libër eseistik. E para, kemi të bajmë me nji libër që shtron probleme, atakon ide, ban krahasime, nxjerr konkluzione ndërkohë ai i le të gjitha të hapuna në nji farë mënyre, këto ide. Në kët mënyrë me kët libër Sulejman Dida jo vetëm qi ka dhanë ide origjinale për problemin e besë dhe për spunton nga e marrë, siç asht problemi i Brekisë dhe Novosejit lidhun me bjeshkën e Topojanit, pra nga e ka marrë spunton për me e trejtue kët temë. Njikohësisht asht nxitës, stimulues i të gjithë atyne qi janë t’interesuem për me zhbiru tek tradita e vjetër shqiptare, për tu interesu me e studiue ma tej, pasi secila prej ideve të Sulejman Didës në kët libër mund të merret si temë e veçantë dhe mund të studiohet, të analizohet dhe të kompletohet me konluzione të veçanta. Veç këtyne, kur them se ky asht libër eseistik, kam parasysh që aty autori ndërthur elementë të publicistikës, në kët pikë kam parasysh pjesët qi flasin për ngatrresën apo konfliktitn midis Brekisë dhe Novoseit, kam parasysh mënyren e zgjidhjes së konfliktit nga ku merr shkas autori, për me lëshu ide, me shtru probleme e me dhanë mendime për ma tej. Kur themi qi ky asht libër eseistik duhet me sjellë n’kujtesë faktin qi Sulejman Dida përveç qi e ka në themel temën e besë, aty shtron disa probleme dhe ide të tjera t’cilat nuk kanë t’bajnë me temën në mënyrë të drjetpërdrejtë, por qi duhen përballu dhe duhen zgjidhë, qi duhen pa me kujdes. Aty ai për natyrën e besë si institucion shtron idenë e problemit të raporteve të balladës dhe të epikës legjendare dhe historike shqiptare me gjithë epikën legjendare ballkanike dhe, shtron nji ide origjinale, madje atakon gjithë shkencën shqiptare kur thotë që, mosha e epikës legjendare shqiptare asht mijëravjeçare. Kjo asht nji ide e hedhun nga Sulejman Dida, me guxim dhe kurrajo, nji ide qi provokon për tu marrë seriozisht me të, sepse kjo atakon gjithë mendimin shkencor të deritanishëm për kët problem. Veç ksaj në librin “Beja” Sulejman Dida shtron edhe idenë e hëpsirave shqiptare, kush e ka lexu kët libër e ka kuptu kët kumt. Njikohësisht, duke pasë parasysh qi autori merr shkas nga konflikti midis Novoseit dhe Brekisë, dhe duke u nusë nga fakti qi në kohën kur n’Shqipni mungnte shteti, ndoshta mungon edhe tashti por atëherë mungonte në mënyrë drastike, ai shtron probemin përse kta njerëz, kta dy fshatna, kta dy komunitete iu drejtuen besë për me e zgjidhë konfliktin dhe nuk iu drejtuen shtetit?
Tuj lexu përsëri me vëmendje librin, shoh se aty Sulejman Dida jep dy ide, së pari sepse ende njerëzit e maleve tona kanë trashëgimi të këtyne besimeve, njikohësisht ata kanë edhe nevojë për me iu referu nji ligji, nji institucioni, dikujt për me e zgjidhë problemin. Atëherë tuj qenëse nuk kanë asnji lloj reference për me e zgjidhë problemin, i drejtohen besë. Meqë po flasim për pjesën publicistike të librit, due me nënvizu se Sulejman Dida me pak gjana, me pak fraza, pra me pak fjalë zbulon gjithë dramën e ktyne dy fshatnave t’cilët bahen pre e ktij konflikti për arsye edhe t’varfërisë së jashtëzakonshme qi asht nji dramë më vete. Pos ktyne ideve qi e kapërcejnë temën aty shtrohen edhe ide të tjera qi kanë t’bajnë me pronësinë, aty shtrohen probleme që kanë t’bajnë me vakëfin dhe shumë probleme të tjera deri edhe problemet sociale të ditës. Pjesa publicistike ka edhe emna konkretë, të cilët ne duhet ti marrin jo si të tillë konkretë por si përfaqësues të pushtetit të kohës, e cila në mënyra të ndryshme, diku tingëllon si sarkazëm me disa qëndrime të tilla qi, ‘ne jemi gati të ndihmojmë me t’gjitha forcat’ e kështu me rradhë.
Autori Dida e zhbiron benë, ndonëse nuk e çon deri në fund pra, e çon deri te niveli i esesë, por e studion në t’gjitha nivelet e veta, dhe përgjithësisht e zigjidh problemin, për me thanë qi beja asht nji institucion shumë i lashtë i shqiptarve sikurse asht edhe nji rast universal i gjithë ballkanasve dhe i popujve të tjerë. Veç kësaj autori Dida klasifkon benë individuale, të cilën e analizon në shumë aspekte dhe me krahasime me Homerin, me Kuranin, me BIblën, letërsinë klasike greke dhe letërsisnë shqiptare, folklorin shqiptar, përkatësisht me eposin heroik shqiptar qi ka t’bajë me shpërthimet individuale dhe shumë herë, edhe si poet, arrin të nënvizojë që beja individuale disa herë, asht shkak edhe për prodhime të fuqishme poetike. Dhe na sjell një seri shembujsh nga eposi ynë kreshnik e njikohësisht nga letërsia e vjetër Iliada e Homerit etj. ku tregon se çka asht beja në kuptimin poetik dhe individual. Ai arrin qi t’bajë krahasime, ta klasifikojë benë si institucion të shqiptarëve dhe të betuemit si institucion ballkanik apo evropian.
Tuj lexu librin e Sulejman Didës ajo qi bie në sy asht: si ai arrin t’na e bajë të qartë benë si institucion si dhe mallkimin si institucion. Aty marrim vesh qi, ndërsa mallkimi asht me linçue e me akuzue apo për me nxjerrë jashtë kolektivit gjithë ata plangprishës të shtyllave të fisit, beja bahet për me zgjidhë konflikte me pengje shenjtnie e kulti, për me forcue fisin, pra bashkësinë. Aty ne njohim edhe pengjet e besë, e me pengjet e besë do t’kuptojmë ato objekte, ato kulte, ato gjana t’cilave u drejtohet betari, si ndërmjetës për me e besu qi ka ba be t’vërtetë dhe, mes nji materiali shumë krahasues ai nxjerr se nji prej ktyne gjanave kult asht dielli, nji kult i lashtë arian, qi asht përvetsu dhe qi vazhdon të trashëgohet. Nji kult tjetër asht toka, asht kulti i të parëve dhe fenomene e kulte të tjera qi kanë t’bajnë me benë, pra me këtë institucion. Përveç ksaj që n’parathanie autori na jep dy shembuj apo dy citime për benë, nji të zgjedhme nga Kurani e tjetrën e zgjedh nga Bruti, nga tragjedia Jul Cesari të Shekspirit, dhe, aty te e para, pra te Kurani kemi vleftën universale të besë, e te e dyta kemi përpjekjet e njerzimit për me e kundërshtue benë. Bruti thotë se vetëm gënjeshtarët, frikacakët etj. etj. i referohen besë. Nuk asht thanë kot kjo, sepse zoti Dida pastaj e analizon kët lloj kontestimi ose kët lloj përpjekjeje qysh n’lashtësi për me kontestu benë. Për shkak se del nji temë e re, aty kap nji temë të re Sula, asht beja e rrejshme, dhe unë duke ndjekë mallkimin e fisit, kam vu re qi, për arsye të besë së rrejshme shumë fise janë mallkue dhe janë fikë. Pikërisht ky kontestim që i ban Bruti besë së rrejshme, apo njerëzve që mshefen mbrapa besë, për me mashtru etj., vjen tek fenomeni i besë së rrejshme qi e analizon gjanë e gjatë Sulejmani.
Në kët libër bahet diferencimi midis besë individuale dhe besë institucionale. Te beja individuale, që asht spontane, e papritun, pengu i besë ose pika e atakimit të besë munden me qenë gjana shumë t’natyrshme qi shfaqen aty. E aty mund të thotë njeriu, psh, si rasti i Halilit të eposit, në nji moment kur e kishin zanë sllavët, thotë, amanet more diell, pra i lshon be, pash nj’at flakë qi t’flakron n’ballë. Diku thuhet, për ket kafe që pimë, diku thuhet, për sytë e ballit, diku thuhet, për nanën, për babën, për vorrin, diku thuhet për ket muhabet. Pra në benë individuale gjithmonë pengu i besë apo pika e referimit të besë asht spontane, asht e papritun, e pallogaritun. Ndërsa, kur vjen puna te beja institucionale, ndryshon problemi. E para e punës, sipas autorit, probemi ndryshon tek nomenklatura e çashtjeve qi beja institucionale merr në shqyrtim. Beja institucionale mund t’bahet vetëm për ato çashtje qi prishin kolektivin: ato qi kanë t’bajnë me prishjen ose me shkeljen e kumarisë, me prerjen e mikut, me vjedhjen, me vrasjen dhe ndonji element tjetër. Kto elementë janë nomenklatura e besë institucionale, thuhet në libër dhe janë nënvizime të vërteta, sepse kto fenomene prishin shtyllat e ngrehinës fisnore apo të bashkësisë. Pra beja institucionale nuk merret me gjithçka që mundet të dalë përpara.
Nji element tjetër qi del nga libri, përsëri për me e studiue benë, qi ta kuptojmë se asht baza e bazave, asht kjo: kur bahet beja institucionale ka nji strukturë protokollare, ndryshe nga beja individuale; pastaj i klasifikon: – mund të bahet be për derë, mund të bahet be për vllazni, mund të bahet be për fis etj. E për kët duhet me u mledhë betarët, pleqtë, kryepleqtë e starpleqtë. Duhet t’mlidhen simbas shkallëve, psh për rastin e justifikimit të gjaqeve duhen 12 veta qi duhet me ba be. Pastaj kemi be direkte si dhe be me e la tjetrin, kjo don me thanë qi dikush hyn garant për mue ose për dikë, psh, qi filani nuk e ka ba atë për t’cilën akuzohet. Libri “Beja” ka, ndër të tjera shumë shembuj të mirfilltë e domethanës nga praktikat e t’bamit be. Në praktikën e besë, përveç zgjedhjes së betarve, ka edhe nji problem: formulim i besë. Pra, nëse në benë individuale objekti të cilit i referohemi me ba be asht fare spontan, në benë institucionale objekti i referimit nuk asht çfardo; pala e damtueme apo pala ankuese ka të drejtë, vetëm ajo, ta formulojë benë. Vetëm atëherë mund t’besohet e mund t’mirret si argument. Kjo ka nji randsi të jashtëzakonshme, sepse t’bamit be, sipas kodit asht: ban be e merr, e jo ban be e jep. Pra vetëm të damtuemit i takon me formulue tekstin e besë, dhe mbi kët formulim ban be i akuzuemi. E për çudi, beja merret si argument i padiskutueshëm.
Duke iu referu libirt “Beja” por edhe nga informacione të tjera, di se shumë njerëz azganë ktu në Lumë, nga ata qi mund t’bajnë gjamën kanë thanë: po bani be tjetri, ia la shpinë, nuk ka asnji lloj argumenti në kët rast. Duke e sintetizue librin për benë, autori nxjerr në pah shtresëzimet kohore, kryesisht për pengun e besë, e kur flasim për pengun e besë bajmë fjalë për pikën e referimit për t’cilën bajmë be. Kështuqi duke fillu nga beja me gurë, për t’cilën autori nxjerr edhe shembuj të ndryshëm nga Kukësi pra nga Luma, për istifaket dhe për probleme të tjera, qi asht ma e lashta sepse gjindet tek Homeri, gjindet te Kurani e te Bibla, e tuj qenë se gjendet në këto nivele, e tuj qenë se kjo trashëgohet dhe vazhdon t’funksionojë si nji fenomen edhe në Lumë, si dhe n’zona të tjera, atëherë ky fakt tregon se kjo asht shtresa ma e lashtë e pengut të besë ose e referimit të besë. Nji tjetër problem të cilin unë nuk e kam ndeshë kërkund por e gjej për herë të parë në librin “Beja” asht problemi i të akuzuemit të vdekun. Asht nji problem që sot ndeshet kudo, dmth, ka vdekë dikush dhe s`ka lanë asnji lloj amaneti që kam borxhe apo më kanë e kështu me radhë, dhe aty në libër autori sjell nji rast shumë interesant, ku tregohet se si bahet, se si realizohet beja e t’gjallëve, si bahet rrotullimi rreth vorrit disa herë me gurin e vorrit të t’vdekunit për me e la, për me vërtetu qi, ta kam ose ma ke.
Nji gja interesante, nuk e di nëse lexuesi do të mundet me e vërejtë, asht nji krahasim i çuditshëm qysh në proçedurat e besë, në protokollet e besë, te Iliada e Homerit beja shoqnohet me haje e me pije, pra me fli. Por në fund të libirt autori Dida sjell nji numër shembujsh, të grumbulluem nga zona të ndryshme, të rasteve konkrete të besë. Për me ba krahasimin do të veçoja kët: ndërsa te Iliada beja bahet me fli, me haje e pije, asht rasti i besë së Xhemës në librin “Beja”, ku të tre betarëve para se të bahet beja iu ofrohet përsheshi, dmth, nuk mudesh me ba be para se me hangër bukë. Thuhet që ka qenë kusht i lashtë. Ky pra, asht nji rast tepër interesat e provokues. Të gjitha këto autori i zbulon para nesh, i sjell para shkencës etnografike shqiptare, qi për njohjen time asht trajtue për herë të parë, kështuqi t’bajnë me mendu për tju drejtue dhe ridrejtue ktij fenomeni. Nga ana tjetër tek beja individuale, me të cilën autori merret gjanë e gjatë, aty zbulon vlera të jashtëzakonëshme poetike, të fuqishme t’cilat mund të kenë interes t’jashtëzakonshëm. Aty Sulejman Dida citon nji betim të plotë të Kuranit, ‘për kët natë qi përcjell dritën për atë që dinë, për atë që nuk dinë…’ asht i gjatë betimi. Sjell ndërkohë edhe problemin e Ymerit të vogël qi do t’hakmerret për axhën e vet, sjell problemin e Ajkunës që vajton mbi vorrin e djalit t’vet, sjell shumë konstrukte poetike, sjell shumë betime të fuqishme individuale të heronjve t’Iliadës. Duke përqasë kët lloj veçorie të besë individuale qi ka fuqi të habitshme poetike, qi asht e beftë, qi shpesh nuk mundet me u kapë, analizu, qi rrjedh prej shresave e nënshtresave të subkoshiencës, due me ba nji krahasim, dhe shkaku asht libri “Beja”, pra nji krahasim midis besë individuale dhe mallkimeve individuale. Ashtu si beja individuale qi ka konstrukte t’pa parashikueme, t’jashtëzakonëshme qi lidhen prej kompleksit njerzor, edhe mallkimi individual i nanës apo i motrës apo njeriut çfardo sjell po ashtu këto nivele të fuqishme poetike. Duke ndjekë libirn, Sulejmani ndalet edhe në disa formulime të betimit. Ndërsa në benë individuale formulimet janë spontane, qi janë gjthmonë me atë “për…”, ose “pasha…”, në benë kolektive apo institucionale, ndonëse i besohet të damtuemit me tekstin, përsëri ka nji formulë, ka nji korrnizë brenda të cilës duhet të sillet betimi.
Në fund due me thanë dy fjalë për gjuhën e autorit. Asht nji libër qi na paraqitet në variantin gegë. Mundet me pasë diskutime se përse në kët variant, po, dhe asht krejt e natyrshme. Unë në radhë të parë due me thanë se asht e drejtë autentike e autorit me e paraqitë në kët apo në atë variant, dhe ajo qi m’pëlqen kët rast asht fakti që libri asht punue me kulturë gjuhsore, e për mue si lexues më intereson kjo. Duke bisedu me nji mik, më shprehu shqetësimin nëse do të merret vesh libri nga lexuesi toskë, dhe unë them se asnjë shqetësim këtu nuk ka, për arsye të një genishteje të punueme, qi vetëm asht kontribut real, jo me llafe por me vepër për me pasunue gjuhën jo vetëm me leksik por edhe me konstrukte sintaksore, dhe si e tillë mue, vetë si lexues, si njeri qi e kam lexu dy herë me shumë interes, më duket krejt normal fakti qi e ka shkrujt në kët variant. Përpos qi asht nji gjuhë e punueme, ose ma saktë asht shkrujt me kulturë gjuhsore, ktu kam parasysh të shkruemit gegnisht jo të ngarkueme, pra në kuptimin e qëllimshëm, por asht nji kontribut. Dhe sipas mendimit tim ka nji frazë të thyeme, qi për pjesën publicistike asht publicistikë dhe te pjesa eseistike asht poetike, nji frazë të ngjeshun, nuk ka nji frazë tërkuzë, por nji frazë ku gjithçka asht e ngjeshun, maksimalisht e ngjeshun. Fraza asht në funksion të ideve, t’atyne ideve qi përçon autori e jo n’funksion të manjakut për me ndërtu fraza e ligjerata të stërhollueme.