Pjesëmarrja për herë të parë e Raul Castros në debatin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka gjeneruar shpresa të mëdha. Megjithatë, duke pasur parasysh stilin e tij personal, situatën diplomatike me Shtetet e Bashkuara dhe duke gjykuar nga fjalimet e tij në takimet e tjera, nuk ka gjasa që lideri kuban të ofrojë një fjalim shumë radikal. Debati i Asamblesë së Përgjithshme është forumi diplomatik ku çdo vit shtetet mblidhen për të përcaktuar qëndrimin e tyre mbi aktualitetin ndërkombëtar. Në 70 vjetorin e themelimit të OKB-së, BBC hedh një vështrim mbi fjalimet më me impakt në historinë e Asamblesë së Përgjithshme.

Një Guinness për Fidel Castron
26 shtator 1960, vetëm 19 muaj pas triumfit të Revolucionit Kuban, Fidel Castro u paraqit para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe siguroi një vend në librin e Rekordeve Guinness. Arsyeja? Mbajti një fjalim që zgjati 4 orë e 29 minuta. Më i gjati në historinë e OKB-së. Fjalët e tij të para ishin: “Edhe pse kemi namin se flasim gjatë, mos u shqetësoni. Do të bëj çmos që të jem sa më i përmbledhur”.

Këpucët e Hrushovit
Nuk i takonte të merrte fjalën në atë moment, por u bë protagonisti i asaj seance. 13 tetor 1960, kryeministri sovjetik, Nikita Khrushchev reagoi me zemërim ndaj fjalimit të delegatit të Filipineve, i cili akuzoi Bashkimin Sovjetik se kishte “gëlltitur” vendet e Evropës Lindore dhe u kishte marrë të drejtat. Kryeministri sovjetik goditi me forcë tryezën me dy grushtet e tij, hoqi këpucën e djathtë dhe filloi të godasë tavolinën. Historiani William Taubman, autor i librit “Hrushovi: Njeriu dhe epoka e tij”, ka mbledhur versione që mohojnë se lideri sovjetik në fakt nuk e goditi tryezën me këpucë, por e ngriti atë lart në formë kërcënuese dhe e vendosi mbi tavolinë, por pa e goditur atë. Në çdo rast, që nga ajo ditë turistët që vizitojnë selinë e Asamblesë së Përgjithshme pyesin në mënyrë të përsëritur se ku e goditi Hrushovi tryezën me këpucë?

Arafati, një armë dhe një degë ulliri
13 nëntor 1974, në cilësinë e kryetarit të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Jaser Arafat u ftua të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme me kërkesë të Lëvizjes së Vendeve së Painkuadruara. Prania e tij në OKB shkaktoi nervozizëm në Izrael dhe vende të tjera për shkak të veprimeve të dhunshme të kryera nga anëtarët e PLO-së (Organizata për Çlirimin e Palestinës) si rrëmbimi dhe vrasja i sportistëve të cilët kishin shkuar për të marrë pjesë në Olimpiadën e Mynihut më 1972. Në fjalën e tij, Arafati mbrojti PLO-në duke i cilësua veprimet e saj si pjesë e një lufte të armatosur dhe bëri thirrje për krijimin e një shteti të pavarur kombëtar për palestinezët. Fjalimi i tij përfundoi me frazën: “Mbaj një degë ulliri në një dorë dhe armën e një luftëtari të lirisë në tjetrën. Mos lejoni të më bjerë nga dora dega e ullirit”. Pas kësaj, PLO mori statusin e vëzhguesit në OKB dhe Asambleja e Përgjithshme njohu të drejtën e vetëvendosjes për territoret palestineze.

Idi Amin refuzon të flasë anglisht
Në vitin 1975, katër vjet pas ardhjes në pushtet përmes një grusht-shteti, presidenti de fakto i Ugandës mori pjesë në debatin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në prezantimin e tij ai tha se nuk do të fliste në gjuhën angleze, të cilën e dominonte në mënyrë të përkryer, pasi ajo ishte një gjuhë imperialiste dhe kolonizuese, kështu që i dha fjalën përfaqësuesit të tij të përhershëm në OKB, i cili lexoi fjalimin e tij në gjuhën angleze. Në tekst, Amin akuzoi Amnesty International për shpifje ndaj 100 vendeve duke deklaruar se shkelnin të drejtat e njeriut dhe pretendonte se OJQ-ja ushqehej me thashethemet dhe makinacionet e kriminelëve të diskredituar në mërgim. Vlerësohet se rreth 300 mijë njerëz janë vrarë ose zhdukur gjatë regjimit të tij.

Chavez gjen djallin
“Dje djalli ishte këtu, në të njëjtin vend, vjen akoma era e squfurit. Ishte në këtë tavolinë ku më duhet sot të flas”. Këto fjalë të presidentit të atëhershëm të Venezuelës, Hugo Chavez, ishin më të famshmet e Asamblesë së Përgjithshme të vitit 2006. Shprehja e përdorur nga Chavez për t’iu referuar Presidentit të atëhershëm të SHBA-së, George Ë. Bush, zuri titujt kryesor në mediat e mbarë botës. Në këtë fjalim, presidenti i Venezuelës gjithashtu rekomandoi leximin e librit “Hegjemonia ose mbijetesa”, libër i intelektualit amerikan Noam Chomsky. Përmendja e tij nga Chavez, e bëri librin më të shiturin në Amazon në atë periudhë.

Gaddafi dhe lista e ankesave
Pavarësisht se u ngjit në pushtet në vitin 1969, vetëm në vitin 2009 Muamar Gadafi bëri paraqitjen e tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në një fjalim e tij prej 100 minutash, udhëheqësi libian lexoi një listë të gjatë ankesash, pjesa më e madhe e të cilave ishin ndaj Këshillit të Sigurimit, të cilin e barazoi me Al Kaedën. “Nuk duhet të quhet Këshilli i Sigurimit, duhet të quhet Këshilli i Terrorit”, tha ai. Për më tepër bëri një sërë akuzash kundër Shteteve të Bashkuara, duke i bërë përgjegjëse për përhapjen e gripit të derrit dhe vuri në dyshim versionin zyrtar të vrasjes së Presidentit John F. Kennedy. Prania e Gadafit në Nju Jork tërhoqi vëmendjen edhe jashtë OKB-së, sepse pas disa kërkesave të mohuara, ai mori autorizimin për të vendosur çadrën e madhe beduine në tokën në pronësi të Donald Trump në periferi të qytetit.

Ahmadinexhadi ofron versionin e tij të 11 Shtatorit
Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad vendosi të japë teorinë e tij për atentatin e 11 shtatorit, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në vitin 2010. “Disa sektorë brenda qeverisë amerikane orkestruan sulmin në mënyrë që të rikuperojë rënien e saj ekonomike, të përmirësonin pozicionin e SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe të shpëtonin regjimin sionist të Izraelit”, tha presidenti. Përballë këtyre akuzave, në shenjë proteste lanë sallën përfaqësuesit e 33 delegacioneve diplomatike, duke përfshirë të gjithë anëtarët e Bashkimi Europian, Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re dhe Kosta Rikës. /DITA
Komentet